Gonxhja: Gati 1,1 milionë vizitorë në sitet kulturore, kryeson Kalaja e Gjirokastrës

Shqipëria vijon të mbetet një destinacion i preferuar jo vetëm për turizmin bregdetar dhe malor por edhe për atraksionet kulturore dhe historike që ofron.Institucionet dhe qendrat e trashëgimisë kulturore kanë regjistruar një rritje të ndjeshme të vizitorëve gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja bëri të ditur sot se gjatë periudhës janar-gusht 2026 sitet kulturore u vizituan nga 1.062.067 vizitorë vendas dhe të huaj.Ministri theksoi se kjo shifër shënon një rritje me 65% krahasuar me vitin 2023.“Kemi 21,3% më shumë vizitorë në sitet kulturore krahasuar me vitin 2024 dhe 5% më shumë krahasuar me 2025”, informoi Gonxhja.Gonxhja bëri të ditur se Parqet Arkeologjike u vizituan nga 448.711 vizitorë, ndërkohë që 312.220 vizitorë u regjistruan në Kala dhe Monumente Kulture dhe 301.136 vizitorë në Muzetë Kombëtarë.

Sigal

Ndër sitet më të vizituara, sipas ministrit renditet Kalaja e Gjirokastrës me 223.280 vizitorë dhe Parku Kombëtar i Butrintit me 204.867 vizitorë.Po ashtu Parku Arkeologjik i Shkodrës gjatë kësaj periudhe regjistroi 135.293 vizitorë, ndërsa Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë 104.128 vizitorë.Në periudhën janar-gusht, Parku Arkeologjik i Apolonisë regjistroi 91.764 vizitorë dhe Muzeu Ikonografik “Onufri”, Berat 70.143 vizitorë.