Gjuha shqipe drejt zhdukjes së identitetit kombëtar

959
Sigal

Analizë nga Asije Hoxha/ Paradokset e arsimit 9-vjeçar në Shqipëri. Gjuha e huaj mësohet 3 orë në javë; Edukimi fizik 3 orë në javë, kurse Gjuha shqipe 2 orë në javë e barasvlefshme me lëndën Veprimtaria Jo Kurikulare ! Mësimi i gjuhës shqipe është i çekuilibruar, sepse sot mësohet bashkë me leximin në një tekst të vetëm. Ja argumentat e mësuesve

 

Gjuha e huaj mësohet tri orë në javë; Edukimi fizik tri orë në javë; Gjuha shqipe dy orë në javë e barazvlershme me lëndën Veprimtaria Jo Kurikulare!

 

Gjuha është forma kryesore e komunikimit midis njerëzve. Ajo është gjuha shtetërore e kombit, e njësuar sipas normave standarde dhe shenjë themelore e identitetit të kombit. Mësimi dhe përvetësimi i gjuhës kërkon një përgatitje më të madhe nga ana e nxënësve dhe mësuesve. Mësimi i gjuhës shqipe, aftëson nxënësit që të përdorin gjuhën: për të komunikuar; për të plotësuar interesat e tyre personale dhe për të përmbushur kërkesat e shoqërisë dhe të vendit të punës. Gjithashtu, zhvillon te nxënësit të menduarit kritik dhe i bën të vetëdijshëm për identitetin e tyre personal dhe kombëtar.

Mësimi i gjuhës shqipe në arsimin 9-vjeçar sot është i çekuilibruar. Kur mbaron shkollën nxënësi njohuritë e marra në lëndën e gjuhës i ka të pasistemuara, gjë që vihet re në të folurit dhe të shkruarit pa norma gramatikore dhe rregulla gjuhësore. Sepse!… mësohet e kordinuar me leximin letrar në një tekst të vetëm dhe zë afërsisht1/4 e tekstit ” Gjuha shqipe”.

Shembull.: -Teksti mësimor klasa gjashtë/ planifikuar orë mësimore vjetore sipas kompetencave:

Kompetenca:

  1. 1. Të dëgjuarit e teksteve të ndryshme 10 orë /
  2. 2. Të folurit për të komunikuar dhe për të mësuar 10 orë/
  3. 3. Të lexuarit e teksteve letrare dhe joletrare 70 orë/
  4. 4. Të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale 25 orë/
  5. 5. Përdorimi i drejtë i gjuhës 60 orë.

Në 1/4 pjesë të tekstit, ( kompetenca 5) nxënësi duhet të marrë dhe përvetësojë njohuri për funksionet gramatikore të fjalës dhe fjalisë (morfologji, sintaksë); për fjalëformimin e fjalëve; për drejtshkrimin; për leksikologjinë dhe semantikën e fjalëve; për fonetikën dhe fonologjinë e fjalëve.Të gjitha këto njohuri zhvillohen brenda 60 orëve mësimore dhe të pasistemuara mes 5 kompetencave që realizohen në tekst.

Me këtë tabelë arrijmë në konkluzionin se gjatë viteve të “demokracisë” është lënë në harresë që shkolla është dhe institucioni më i rëndësishëm në formimin gjuhësor të shqipes standarde sipas akteve normative. Numri i madh i problemeve që përjeton sot gjuha shqipe në shkolla; numri i madh i nxënësve, dhe i prindërve, që ndjekin ecurinë e fëmijëve edhe nëpërmjet teksteve të gjuhës shqipe është lënë pa u analizuar nga ndonjë institucion shkencor apo studiues të gjuhës shqipe!

 

Nga viti 1945 deri në vitin 2004 lënda mësimore gjuha shqipe mësohej në dy tekste: Teksti “Gjuha shqipe”(rreth 200 faqe) dhe teksti “Leximi Letrar” (rreth 200 faqe).

Secila nga tekstet zhvillohej në tri orë në javë. Njohuritë e marra në gjuhën shqipe ishin të qëndrueshme dhe nxënësi formonte koncepte të qarta për veçoritë gjuhësore të shqipes standarde. Kjo ndarje është vazhdimësi e mësimit të gjuhës shqipe që në kohën e Rilindjes sonë Kombëtare . Përgëzohej çdo abetare, libër gjuhe dhe tekst këndimi, që u mësonin nxënësve gjuhën shqipe dhe elementet e para të letërsisë nëpërmjet librave të N Frashërit, K Kristoforidhit, S Frashërit, M Logorecit, L Nosit, A Xhuvanit, N Palucës, K Xhumarit etj.

Në vitin shkollor 2004, u mor vendim që tekstet shkollore për lëndë/klasë të jenë alternative, të emërtuar “Alterteksti”. U miratuan dhe programet e reja në kuadrin e reformës së re në arsim. Kjo reformë, preku dhe tekstin  “Gjuha shqipe” dhe “Leximi letrar”! Po me gjuhën shqipe ç’pati Ministria e Arsimit dhe Shkencës që fshiu tërë traditën në mësimin e këtyre dy lëndëve? Pa një argument ; pa u konsultuar me grupet e interesit, që janë mësuesit pothuajse u përgjysmuan orët mësimore në lëndën e gjuhës shqipe! Komisioni me siguri ka harruar që: “ Gjuha e një kombi është forma kryesore e komunikimit midis njerëzve dhe përcaktuese e identitetit kombëtar të një shteti!”.

Shqipëria për qindra vjeçarë ka qenë e pushtuar nga shtete të ndryshme, por nuk u arrit asimilimi i gjuhës shqipe siç ndodhi me latinishten, greqishten e vjetër, turqishten e vjetër etj. Dy nga faktorët kryesorë kanë qenë:

  1. Gjuha shqipe ka veçori specifike. Është gjuhë morfosintaksore e pasur me rregulla dhe norma gramatikore, që rradhë i gjen në një gjuhë tjetër si: nyja e përparme, parashtesa dhe prapashtesa në krijimin e fjalëve të reja, përdorimi i dy formave gramatikore të dëshirores dhe habitores, ndërtimi i fjalisë me folje në mënyrën lidhore etj, e kanë çimentuar gjuhën shqipe të paprekshme nga gjuhët e pushtuesve, të cilët në gjuhët e tyre nuk i kanë këto veçori gjuhësore.
  2. Rilindasit për zgjidhjen e problemit kombëtar rëndësi të veçantë i kushtuan zhvillimit të gjuhës dhe arsimit në Shqipëri; vlerësimi për gjuhën shqipe vazhdoi dhe mbas shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë.
  3. Edhe në periudhën e qeverisjes të shtetit monist gjuhës shqipe iu kushtua një rëndësi e veçantë. Teksti “Gjuha Shqipe” dhe “Leximi letrar” mësoheshin si lëndë të veçanta dhe në tri orë javore secila.

Në vitin 2004, filloi reforma edhe për tekstet shkollore të arsimit parauniversitar me emërtimin

“Altertekst”. Kjo reformë për lëndën e gjuhës shqipe hapi një hendek që e groposi që në vitet e para të eksperimentit! Për gjuhën shqipe u bë një kthesë rrënjësore duke bashkuar dy lëndë në një tekst të vetëm dhe me orë të shkurtuara.

Që në fillim dhe në vazhdim mësuesit e gjuhës shqipe me argumente shkencore kundërshtuan bashkimin e dy teksteve, në një tekst të vetëm dhe pakësimin e orëve mësimore: të cilat i dërguan edhe në Ministri.

Disa nga argumenta të mësuesve ishin dhe janë:

Argumenti 1.

  1. Janë dy disiplina shkencore, sepse ku njëra trajton fjalën në funksionin gjuhësor dhe tjetra përdor fjalën në funksionin letraro –artistik.

Argumenti 2.

Nxënësi në klasën e dytë fillon të lexojë dhe të mësojë elementet e para të leximit dhe elementet e para të normave gramatikore të gjuhës shqipe.

Gërshetimi i tyre në një tekst vështirëson të kuptuarit dhe ngulitjen e qëndrueshme të tyre që në hapat e parë të marrjes së njohurive gjuhësore tek nxënësi.

Argumenti 3.

  1. Në një orë mësimi nxënësi zhvillon lëndë gjuhësore dhe vlerësohet me notë.
  2. Në një orë mësimi nxënësi zhvillon lëndën e leximit dhe vlerësohet me notë.
  3. Nota përfundimtare është një mbledhje matematike të dy lëndëve. Sipas sondazheve me mësues rezulton se nota në përvetësimin e njohurive gjuhësore është më e ulët, por konvertohet me leximin si mesatare.

Argumenti 4.

Lëvizja e lirë e njerëzve është e vazhdueshme dhe nxënësit vijnë nga krahina të ndryshme me një gjuhë me elemente dialektore dhe krahinore. Përvetësimi i normave gjuhësore nga ky kontigjent i nxënësve nuksjell rezultatin e pritshëm !

Argumenti 5

 Gjuha shqipe, si tekst i veçantë, përmbante disa linja dhe nënlinja, si: Të dëgjuarit, Të folurit, Të shkruarit, Njohuri rreth gjuhës me nënlinjat: a.  sintaksë, b. morfologji, c.  fjalëformim, d.  kulturë gjuhësore, e.  leksikologji, f.  drejtshkrim. Duke shtuar dhe njohuritë që duhet të marrë nxënësi në shkencën e letërsisë, gjuha shqipe kalon në plan të dytë.

Mbas kërkesave të herëpashershme të mësuesve për ndarjen e gjuhës shqipe nga leximi letrar

sinjalin e parë e dha në vitin 2013 kryeministri i kohës, Zoti Sali Berisha. Shumë gjuhëtarë në rrjetet audiovizive e përshëndetën këtë nismë si, Gj Sh, L Sh etj.

Por Reforma e dytë e teksteve shkollore 2014-2018, la të pandryshuar tekstin e gjuhës shqipe në një tekst të vetëm dhe me 60 orë mësimore gjuhësore në arsimin 9 vjeçar.

Në një kohë kur mësuesit pritnin një ndryshim në lëndën e gjuhës shqipe me sinjalin që u dha para zgjedhjeve parlamentare Ministria e Arsimit dhe Sportit, drejtuar nga ministrja L.N bëri një reformë që as nuk e mendonte njeri. Kjo u quajt “reforma e shpërblimit”; sepse: gjatë fushatës 2013 u aktivizuan dhjetëra mësues në pritje të emërimit: fushatë që ndikoi edhe në marrjen e pushtetit nga partia e Linditës. Lindi idea e shpërblimit dhe u gjet zgjidhja: “Të shtohen orët e mësimit në lëndën e Edukimit Fizik: nga dy në tri orë javore”! Shumica e aktivistëve të fushatës ishin të profilit Edukim Fizik. Një prapaktheu e menjëhershme në monizëm si në lojën e kungulleshkave. Edukimi fizik në monizëm zhvillohej në tri orë javore. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përcaktoi që edukimi fizik të zhvillohej në dy orë në javë. Kjo reformë bëri që disa vite të mos emëroheshin mësues në këtë profil, sepse zëvendësoheshin me mësuesit, që kishin dalë tepër. Ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit, iu rikthye pa asnjë argument, mësimit me tri orë në javë!

Menjëherë mësuesit aktivistë të PS pa kaluar në portalin  “Mësues për Shqipërinë”, filluan praktikën me 40 mësues në stadiumin “Dinamo”, numri i të cilëve shkoi mbi 100.

Në një anë zhvillohej konkursi sipas kërkesave të portalit “ Mësues për Shqipërinë”, në anën tjetër ministrja firmoste emërimin e mësuesve aktivistë të fushatës parlamentare të PS pa kaluar në portal! E drejta e emërimit jashtë ligjor u bë në rrugë shtetërore. Një sportisti , që në portalin e asaj periudhe zuri vendin e tretë, nuk i erdhi radha e emërimit. Shko në fshat i thanë ose eja vitin tjetër për konkurim në një kohë kur, ministrja, firmoste mësues të edukimit fizik shtesë për çdo shkollë pa konkuruar në portal! Portali që në fillimet e saj rezultoi “maskë” për emërimet dhe ky mësues fitoi në shkollën amerikane për fëmijët e shtetasve amerikanë në Shqipëri; ku vazhdon dhe sot mësimin e edukimit fizik.

Ministrja e re E Kushi në një emision televiziv shprehet se “Portali mësues për Shqipërinë” është i paprekshëm nga korrupsioni. Me 50 pyetje, të barazvlershme me 80 pikë fiton titullin “Mësues për Shqipërinë”. Sa të paprekshëm janë nga korrupsioni hartuesit e pyetjeve dhe korrigjuesit e testimit , sepse deri tani testet e përgatitura për maturën shtetërore kanë shkuar më parë në duart e nxënësve, sesa në duart e drejtorive për provimin shtetëror të radhës.

Mësuesit duke parë nivelin e ulët të nxënësve në këtë lëndë akoma shpresojnë që më në fund të realizohen shqetësimet e tyre për gjuhën shqipe, sidomos tani që Shqipëria po kthehet tranzit të azilantëve nga vende të ndryshme, të cilët  do të ndikojnë negativisht  në pastërtinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe.

Nëse nxënësi nuk përvetëson veçoritë specifike të gjuhës shqipe në shkollëili institucion shtetëror do të realizojë të mbajë kanxhat gjallë të gjuhës amtare, kur i ka lëshuar vetë?

Jemi në kohë. Të mos përsëritet rasti që do të kalonte në tragjedi gjuhësore me Institutin e Gjuhësisë .

Instituti i Gjuhësisë ka një pasuri me vlerë të pallogaritshme gjuhësore me mbi 4 milionë skeda.

Vite më parë disa studiues amerikanë kërkuant’i blejnë dhe të punojnë me skeda, kërkesë, që u miratua nga drejtori i asaj kohe, por u refuzua nga Këshilli Shkencor i Institutit, sepse mund të shfrytëzoheshin privatisht për hartime fjalorësh etj.

Jemi ende në kohë…

Asije Hoxha

mësuese