Prof. Dr. Arben Malaj: Mashtrimet financiare, depozitat dhe mbrojtja e konsumatorëve

1294
Sigal

Mashtrimet financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve të shërbimeve financiare

 

Prof .Dr. Arben MalajAnëtar i Bordit të Bankës së Shqipërisë, ish-ministër i Financave

 

 

Më mirë i dështuar me nder, se sa i suksesshëm me mashtrim.

Sofokliu ( 497-406 p. K )

 

Thënia për mundësinë për të përzgjedhur në jetë, e filozofit grek Sofokliut, është sot më aktual se kurrë. Filmat e shumtë të Holliwood mbi shkaqet dhe pasojat e krizës financiare 2008, në pjesën kur pasqyrojnë jetën e shfrenuar, kanë shumë elementë realist të shkallës së babëzisë. Rreth 238 miliardë dollarë janë gjobat e vëna në industrinë financiare pas krizës 2008. Në ekonominë e çdo vendi deri në ekonominë globale, jo të gjitha tregjet i nënshtrohen një procesi licencimi, rregullimi dhe mbikëqyrje nga autoritete të krijuara me ligj të veçantë. Që kur kanë lindur tregjet, studiuesit, dhe politikanët kanë një debat të përhershëm lidhur me rregullimin apo derregullimin e tregjeve financiare. Rrymat neoliberale të së djathtës kërkojnë derregullim të përhershëm në ekonomi dhe në veçanti dhe tregjet financiare në veçanti. Ky këndvështrim ja njeh përgjegjësinë e dështimit individëve, në vendim-marrjen e tyre për kursimet dhe investimet e tyre. Procesi derregullues në industrinë financiare aktualisht është duke u mbështetur nga presidenti Trump. Ndërsa neokejnsianistët argumentojnë domosdoshmërinë e rregullimit dhe theksojnë rëndësinë e rregullimit, licencimit dhe mbikëqyrjes së këtyre tregjeve sepse tendenca për abuzim, babëzia për fitime të shpejta dhe marramendëse mund të dëmtojnë rëndë depozituesit dhe investitorët e vegjël të cilët nuk kanë njohuritë minimale ekonomike e financiare për të njohur risqet potenciale. Operatorët privatë apo publikë në këto tregje nuk mund ta nisin dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencim profesional, nga autoritetet ligjore respektive. Ato i nënshtrohen rregullave të reja dhe në përmirësimin e përhershëm siç ndodhi për bankat dhe institucionet financiare jo bankare, pas krizës 2008. Bankat dhe fondet e investimeve u janë nënshtruar rregullave strikte për licencimin dhe funksionimin e tyre për të reduktuar në maksimum mosfunksionimin ligjore të tyre, gjë që krijon kosto të rënda për individët, biznesin, ekonominë dhe financat e tyre. Lajmet e skandaleve në industrinë financiare janë një mesazh i duhur për autoritetit licencuese, politikat rregullatore dhe autoritetit mbikëqyrëse.

Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare ka disa vite që bëjnë studime të thelluara dhe krahasuese për risqet potenciale dhe politikat më të mira, institucionet dhe mënyrat më efektive të mbrojtjes së konsumatorëve të shërbimeve financiare. Ato ndihmojnë me këshilla konkrete për objektivat e legjislacionit përkatës, përzgjedhjen e politikave dhe ndërtimin e institucioneve efikase për mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare, që përfshijnë kredi-marrje nga bankat dhe institucioneve financiare jo bankare, investimet në fondet e pensioneve dhe investimeve në bursa apo fonde të investimeve, Për tregun bankar është përgjegjëse Banka e Shqipërisë. Për kompanitë e sigurimeve, fondet e pensioneve private, fondet e investimeve dhe bursën, licencimi, rregullimi, mbikëqyrja dhe mbrojtja e investitorëve është përgjegjësi e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Mbrojtja e depozituesve dhe investitorëve është e paplotë pa mbikëqyrjen e tregjeve respektive, sidomos nga autoriteti i Konkurrencës. Një vend të rëndësishëm dhe në rritje duhet të ketë edhe autoriteti i mbrojtjes së Konsumatorëve.

Është domosdoshmëri imediate që edhe në vendin tonë të lehtësohet dhe të nxitet krijimi i shoqatave të kredi-marrësve apo konsumatorëve të shërbimeve financiare. Shpesh skandalet e mëdha abuzuese janë zbuluar nga informacione të dhëna nga individë të prekur nga abuzimet nga tregu se sa nga cilësi e lartë e mbikëqyrjes. Për vende si Shqipëria, ku shkalla e ulët e edukimit me njohuri ekonomike, financiare dhe investuese rrit risqet për abuzime, edukimi duhet të jetë një kolonë e rëndësishme përmirësuese në kurrikulat e shkollave, në strategjitë dhe programet e rritjes së ndërgjegjësimit që Banka Qendrore dhe autoritetet e tjera licencuese, rregulluese dhe mbikëqyrëse duhet të bëjnë për konsumatorët e shërbimeve e ofruara nga tregjet financiare.

Për bankat që grumbullojnë depozitat e popullatës, që pas krizës 1929-1933 janë ndërtuar politikat konkrete dhe institucionet respektive, siç janë agjencitë e mbrojtjes së depozituesve që garantojnë depozituesit e vegjël. Detyrën dhe përgjegjësinë ligjore për ta reduktuar dhe eliminuar këtë risk, e kanë bankat qendrore, në vendin tonë Banka e Shqipërisë.

Në shumë vende për këto tregje kur risqet manipuluese janë të larta, konsumatorët mbrohen edhe nëpërmjet shoqatave të tyre thellësisht profesionale që ndihmojnë individët që kanë probleme konkrete dhe kërkojnë asistencë më të plotë profesionale për të shprehur ankesat e tyre pranë bankave apo institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e tregjeve dhe konsumatorëve nga deformimet e tregjeve respektive. Përvojat ndërkombëtare tregojnë se në disa raste mashtrimet e mëdha të tregjeve financiare, është identifikuar edhe nga raste sporadike individuale. Manipulimi ndodh kur banka të ndryshme bashkohen për të pasur fitime sa më të mëdha, por abuzive dhe jo ligjore, manipulojnë interesat e parasë në ekonomi, duke rritur koston e saj, manipulojnë tregun e valutave, ka mashtrime dhe nëpërmjet kostove të fshehta apo siç ndodhi pak kohë më parë me bankën “Wells Cargo”, klientëve u hapën pa dijeni e tyre llogari të ndryshme për të cilat ata paguanin kosto abuzive për shërbimi të padrejta.

Për fitime abuzive, bankat rritin artificialisht koston e parave në tregjet e kapitaleve, duke i rritur ato nëpërmjet marrëveshjeve që eliminojnë konkurrencën e ndershme, e cila ka si objektiv ti ndihmojë konsumatorët, të kenë më shumë përzgjedhje, të arrijnë cilësi më të lartë shërbimi dhe ta marrin këtë mall apo shërbim me një çmim sa më real i vendosur nga raporti i pa deformuar i kërkesës-ofertë.

Marrëveshjet duke manipuluar ofertën apo kërkesën në treg arrijnë të marrin fitime abuzive të cilat në thelbin e tyre janë kosto abuzive mbi konsumatorët, individët apo kompani private. Rritja e kostos së parasë në një vend sjell efekte mbi kërkesën agregate, ul dëshirën për shpenzime dhe investime private ose i mban ato peng për një periudhë më të mirë. Rritja e kostos së parasë rëndon koston e biznesit, redukton fitimet e tyre për pasojë dhe burimet e rritjes së investimeve te reja, rrit koston e shpenzimeve investimeve por edhe të deficitit buxhetore dhe të kostos së shërbimit të borxhit publik të një vendi.

Manipulimi i kostos së parasë, manipulimi i kursit të këmbimit, manipulimi i treguesve të tyre financiare për tu dukur të fortë financiarisht kur janë të dobët, përfshirja në skema të pastrimit të parave, ndërhyrjet korruptuese për akses në tregje ku u lehtësohen fitimet abuzive, problemet e mprehta të etikës dhe integritetit në qeverisjen e bankave dhe fondeve te investimeve apo në autoritetet licencuese, rregullatorë dhe mbikëqyrës janë risqe potenciale edhe në vendet e Ballkanit Perëndimore.

Prandaj imponohet një bashkëpunim me theks parandalues, midis të gjithë institucioneve ligjërisht përgjegjës për parandalimin e këtyre risqeve duke rritur përgjegjësitë për licencim, rregullim dhe mbikëqyrje të tregjeve financiare ku pjesën kryesorë e zë tregu bankar.

Për dobishmërinë e politikave parandaluese ndaj risqeve të rritura të mashtrimeve financiare, vlen këshilla se “një penny për parandalim”kursen “milionadollarë”, kur parandalimi nuk e ka ndalur një mashtrim apo dështim financiare.