Gëzim Zilja: Nëse e ndërron Atdheun…

266
Sigal

Në një shkrim para dy javësh botova shkrimin me titull: ‘Do të duhet të presësh shumë, o mërgimtar.’ Mërgimtari m’u përgjigj me këtë pohim: ‘Atdheu im është ai që më jep bukë, punë, liri, mundësi të rris e të shkolloj fëmijët e mi.’ Unë respektoj mendimin e këtij njeriu; që e do jetën dhe punon ndershmërisht për të rritur e edukuar fëmijët, por i qëndroj mendimit se kushdo që e ka një atdhe, ka detyrime ndaj tij, se ai nuk mund të harrohet e se me kalimin e kohës, malli për të kthehet në zjarr që djeg e përvëlon. Ka shumë mënyra për ta shprehur dashurinë për atdheun edhe kur je larg, edhe kur je afër. Naim Frashëri me një shqipe të kulluar, ku nuk gjen një fjalë të huaj, 140- vjet më parë këndonte himnin e pavdekshëm të mallit e dashurisë për vendlindjen e shtrenjtë: ‘Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e le qengji kopenë/Blegërin dy a tri herë, edhe ikën e merr dhenë/ E nëse i presin rrugën e ta trembin njëzet a tridhjetë vetë/ Ai s’ndalet po ecën para si shigjetë..’. Mirëpo zemra e poetit që i këndon në mërgim atdheut, nuk bindet; ajo shkallmon kraharorin dhe fluturon larg me vargjet e magjishme: ‘Ashtu dhe zemra ime, më lë këtu tek jam mua/ Vjen me vrap e me dëshirë, atje ndër viset e tua.’ Shpërthen më tej Naimi ynë i madhërishëm, dhuratë e zotit për Shqipërinë e shqiptarët: ‘Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar/ Zemrën ti ma gatove, plot me dëshirë e me zjarr’. Ai përkulet plot nder e respekt, me një ndjesë do ta quaja naimjane sepse është unike, e papërsëritshme (ne vetëm mund ta citojmë atë) dhe betohet: ‘Shqipëri o mëma ime, ndonëse jam i mërguar/ Dashurinë tënde, kurrë zemra s’e ka harruar.’ Çfarë e shtynte Poetin Hyjnor, Mëndjendriturin e Rilindjes, të përkulej e betohej për Atdheun, kur ai gjeografikisht ekzistonte por zyrtarisht ishte Turqi?

Retë e zeza të pushtuesit turk që pllakosën Shqipërinë nuk mund të mbysnin shpirtin e lirë të shqiptarëve.  I ndaluan të shkruanin shqip por nuk ia dolën dot të ndalonin kodin e besës dhe të nderit, që ishin nenet themelore, të pashkatërrueshme të kushtetutës së popullit shqiptar, gur themeli në ato troje. Qëndrueshmëria dhe papërkulshmëria tashmë do të shpreheshin, plot vendosmëri edhe në ruajtjen me çdo çmim të gjuhës amtare, të eposit të kreshnikëve e baladave, historisë së Skënderbeut, të riteve, zakoneve,  këngëve të trimërisë, të lindjeve e dasmave, vajeve e ninullave, të valleve, veshjeve, e gjithçka, që dallon një komb nga një tjetër.  Zjarri nuk ishte i madh por si ai prushi i vatrës nuk u shua kurrë deri ditën që shpërtheu si vullkan dhe solli shtetin e pavarur shqiptar. Te këto virtute të shqiptarit e ngjyeu penën De Rada, arbëreshi i famshëm, që i pari, pas një gjumi të thellë risolli në vemëndje të shqiptarëve Heroin Kombëtar Skënderbeun, aty e gjeti frymëzimin Naimi kur shpallte me penën-shpatë gjithë krenari e mllef:  “Bota që kur është zënë /Shqipëria gjallë ka qenë….” Shembulli i Rilindasve mahnit edhe sot, mjafton të lexosh krijimtarinë e tyre. Ata shkrinë jetën, pasurinë, diturinë e gjithçka kishin, derisa ia arritën, që shqiptarët të jetonin të lirë në Mëmëdheun e tyre. Si arritën ata të ndërgjegjësonin e të ngrinin me armë në dorë një popull analfabet pas katërqind viteve robëri?! “U trete Gjonlekë u trete/ Tuke rënë asaj trumpete/ Sos u përpoqe për vete/ Por për gjithë vilajete.” Dhe më tej: “Pse lëfton a derëzi/ As për mua as për ti/ Po për gjithë Shqipëri,” do të këndonte populli qysh më 1848. Tridhjetë vjet më vonë luftërat do të kulmonin me Lidhjen e Prizrenit dhe Evropa do të dëgjonte përsëri pushkën e shqiptarëve nga Preveza deri në Ulqin.  Përsëri populli do të përjetësonte luftën e shenjtë: “Sef  Kosharja i pari i fisit/Hije t’paska maj’ e lisit/Hije m’paska o djelmt e mi/Kam dhanë shpirtin për Shqipni.”  Ky popull do t’ia dalë edhe këtë herë megjithëse tashmë është pushtuar nga vetë shqiptarët. Një grup hajdutësh e renegatësh, që i shërbejnë parasë dhe dreqi e di se kujt tjetër, po e mbajnë peng Shqipërinë prej tridhjetë vitesh, duke  ndërruar karriget me njëri-tjetrin. Sa herë hipin në pushtet shpallin armiq pjesën tjetër, jo në pushtet. Ia kanë mbërritur që shqiptarët të ndarë, të zihen e të urrehen midis tyre për hir të partive nga nëpunësi i arsimuar e punëtori që gatuan llaç deri te fshatari që jeton me njëzet kokë dhi e një dynym tokë. Kjo ndarje lehtëson punën e sundimtarëve, prandaj e ushqejnë atë çdo ditë atë, duke etiketuar si tradhëtarë, armiq, kriminelë e hajdutë njëri-tjetrin. Duket sikur gjendja është pa shpresë po shqiptarët do të munden ta shporrin te keqen që i ka zënë. Ti mërgimtar thua: Atdheu im është ai që më jep mundësi të punoj, ushqehem, e të rrisë fëmijët. Po “bukë” hanë Larua e Balua, Pikalorja e Pikpiku e plot kafshë e shpendë, të buta e të egra. Madje është proverbiale mbrojtja, që i bën klloçka pushëverdhëve të saj dhe luanesha këlyshëve të vet. Po deri këtu. Më tej historia e njeriut dhe ajo njerëzore është krejt ndryshe nga ajo e gjallesave të tjera…. Dakord! Shko ha “bukë të bardhë” o shqiptar me diplomë, ndërroje dhe atdheun nëse kjo të bën të ndihesh më mirë! Po fshatin, qytetin ku ke lindur, malet, lisat e gjatë, fushat e gjëra me lule, bregoret bukuroshe, çukat, brigjet, kodrat, pyjet e gjelbëruar, lumenjtë, detet e liqenet  e Atdheut nuk i merr dot me vete. Ka ende miliona shqiptarë të vegjël e të mëdhenjë, në Shqipëri dhe jashtë saj, që e duan Atdheun, që na lanë të parët: se nënat që i lindën ishin shqiptare, se gjaku që u rrjedh ndër deje është gjak shqiptari, se në këtë tokë, janë varrosur baballarët, nënat, gjyshet e vëllezërit që u ikën para kohe. E duan Shqipërinë se është toka ku kanë lindur, se shkolla dhe mësuesit, që u mësuan gërmat e para ishin shqiptarë, se gjuha që flasin është shqipja,  se gjithçka që i rrethon e mirë ose e keqe është shqiptare. Ka ende shqiptarë të ndershëm, të pa lëkundur që luftojnë kundër korrupsionit, varfërisë e padrejtësisë. Ka të tjerë që jetojnë në dhe të huaj, por kurrë nuk e kanë harruar vendin e tyre dhe përpiqen për ta bërë më të begatë. Një ditë jo të largët, të mirët do të jenë më të shumtë e do ta rradhisin Shqipërinë  në kombet e qytetëruara evropiane. Fëmijët tanë meritojnë një jetë më të mirë, një atdhe më të denjë dhe këtë shqiptarët do ta bëjnë pa e ndërruar atë. Kjo do të ndodhë!