Frank Shkreli: 10-Vjet pa Ambasadorin Lublin Dilja—Ish Përfaqësues IiRepublikës së Shqipërisë në Washington

832
Sigal

10-vjetë më parë, kaloi në amshim Ambasador Lublin Dilja, anëtar i çmueshëm i trupit diplomatik shqiptar dhe mik i përzemërt i të gjithë atyre që erdhën në kontakt me të ndjerin Dilja.  10-vjet më parë, Shqipëria humbi njërin prej përfaqsuesve diplomatikë më të papritueshëm të saj.  Ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington, i ndjeri Lublin Dilja u nda nga kjo jetë, 10-vjetë më parë, prej një sëmundjeje të rëndë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare, në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij aktive diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ne që patëm fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë në një moshë kur njeriu arrinë kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një humbje e rëndë, sidomos, për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj. Njëherazi, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington — dhe si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot — kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.  Unë e kisha takuar Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada. Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.  Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10 kilometra jashtë Uashingtonit, atë natë të nëntorit të vitit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata gjithashtu në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara.

Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët shkodranë më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar në Washington, Lublin Dilja, të cilin ata e njihnin, dhe më sugjeruan që ta ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit. Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lëre më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington. E pranova me kënaqësi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kisha qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqësues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë – më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet. Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për një kohë të gjatë, por që thuaj se kishim humbur shpresën se do të rivendoseshin ndonjëherë marrëdhëniet midis dy vendeve– duke marrë parasyshë armiqësinë prej pothuaj gjysëm shekulli të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.  Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën menjëherë për të ardhur tek shtëpia ime pa asnjë hezitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë nga Shqipëria, pasi kidhte arritur në postin e tij të ri diplomatik vetëm një ditë më parë. Ndenjëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndrrat e popullit shqiptar për liri demokraci, pas pothuaj një gjysmë shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egra komuniste që ka njohur bota.

Natyrisht, Ambasador Dilja ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqytetin amerikan. Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike, por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij me të gjithë miqët e dashamirët shqiptarë dhe amerikanë, që e kishin njohur. Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqësues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar. Për mua personalisht, përshtypjet mbeten shumë të mira dhe respekti për Ambasadorin Lublin Dilja, si njeri dhe si përfaqësues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virxhinia jashtë Uashingtonit.  Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore. Me gjithë sfidat shëndetësore, ai e përballoi situatën me kurajë të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie për punën e tij prej diplomati dhe në jetën e tij të përditshme. Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotërie, por serioz në punën e tij dhe i vetëdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë. Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë, ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, me gjithë sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, kur shërbente në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për të personalisht. Me gjithë këto vështirësi, përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja, përfshirë krizën e mallkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u kthye në atdhe, megjithëse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permanente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve. Me sjelljet e tija dhe në bisedat me Lublinin gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që i shërbeu me dinjitet, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqësues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij që ishte, Lublin Diljas të linte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pikëspari në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqësues i ndonjë partie ose individi të veçantë. Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, me gjithë sfidat serioze shëndetësore me të cilat që përballuar, trimërisht, çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – ashtu në heshtje dhe pa bujë, vuante.  Dashuria e tij për Atdheun dhe për interesat kombëtare, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shembull të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhshëm të diplomacisë shqiptare. Për këtë arsye e kujtoj mikun tim të vjetër Ambasador Lublin Dilja – 10-vjet pas largimit të tij nga kjo jetë me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që ai përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.  Në këtë 10-vjetor të kalimit në amshim të Ambasador Diljes, i paraqesim familjes së tij të ngushtë dhe ish-bashkpuntorëve të tij në diplomacinë shqiptare, ngushëllimet tona më të gjalla e të sinqerta në kujtim të mikut dhe diplomatit të shquar shqiptar, me ndjiesi vëllazërore!