Gentian Çala: Specialja e “kurdisur” në kohë të ligë

320
Sigal

Nga Gentian Çala

SPECIALJA “E KURDISUR” NË KOHË TË LIGË

Thuajse mediat anekënd botës shkruan lajmin se Presidenti i Kosovës, Z.Hashim Thaçi dhe Kryetari i PDK-së, Z.Kadri Veseli, së bashku me disa ish luftëtarë, kanë një padi nga Prokuroria Speciale dhe mesa duket do të shkojnë në Gjykatën Speciale në Hagë. Unë nuk besoj te rastësitë. Akuza me thuajse 100 vrasje apo torturime të qytetarëve shqiptarë, serbë apo romë, e bën atë akoma më të çuditshme. Dokumentimi apo mbledhja e provave për kaq shumë krime është një proces i gjatë, i komplikuar hetimor dhe parapërgatitës. Specialja duket e kurdisur te numri 100 dhe argumenti i pengimit të hetimeve, kur ata kanë më pak pushtet sot se dje duket jo bindës. Koha e gjetur krijon po kaq dyshime. Në prag të një vizite në Washington, ku palët do të uleshin me ndërmjetësimin e administratës amerikane për bisedime drejt një zgjidhje paqësore, akuza duket e ngritur në kohë të ligë. Madje duket sikur tenton të krijojë atmosferën e barazimit ndërmjet palëve, të gjithë viktima, të gjithë viktimizues. Faktori kosovar negocijues po dobësohet dhe intimidohet. Kjo duket enigmë e diplomacisë, por aspak miqësore me shqiptarët. Kosova po shtyhet drejt një zgjidhje pa mundur të negociojë asgjë. Më kujtohet një libër kujtimesh i ndihmës Sekretarit të Shtetit të Znj. Albright, Z.James Rubin, gjatë kohës së qëndrimit të tij në Kështjellën e Rambujesë, ku kishte për qëllim të bindte drejtuesin e UÇK-së, Z.Thaçi për firmosjen e marrëveshjes. Ai hezitonte, por pas një presioni diplomatik disa javor pranoi firmosjen. Instrumentat duken ndryshe, pasi marrëveshja aktuale duket më e vështirë se ajo e para konfliktit. Ndodhitë e kohëve të fundit politike në Kosovë dhe ato në diplomacinë europiane apo më gjerë dëshmojnë se erërat nuk po fryjnë në favor të shqiptarëve në Ballkan. Unë nuk besoj te kriminalizimi i luftës së UÇK-së, ashtu si dhe besoj se krimet e presupozuara të Z.Thaçi apo Z.Veseli do të jenë vështirësisht të provuara në Gjykatë, ashtu siç ka ndodhur më parë me Z.Haradinaj dhe Z.Limaj. Specialja po dërgon në Gjykatë krahun politik të luftës, drejtuesit kryesorë të PDK-së, e cila me LVV-në përbën opozitën aktuale në Kosovë. E gjitha le një shije të keqe për kohën në të cilën po ndodh. Kosova me një pozitë të arnuar dhe me një opozitë të paditur në Gjykatën Speciale e të përçarë, duket më shumë si një “kafshë e plagosur kafazi” në pritje të asaj që mund ti hedhin për të ngrënë.