Presidenti Meta viziton “Shtëpinë e të Moshuarve” të Kavajës: Përkujdesje më të madhe ndaj nënave dhe baballarëve tanë

566
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot “Shtëpinë e të Moshuarve” të Kavajës me rastin e festave të fundvitit. I shoqëruar nga drejtori i “Shtëpisë së të Moshuarve”, z.Neritan Bojaziti, dhe përfaqësuesit e bashkësive fetare vendore, Presidenti Meta duke u interesuar për gjendjen dhe kushtet e tyre të jetesës, iu uroi Vitin e Ri 2020 duke theksuar se duhet përkujdesje më të madhe shoqërore, shtetërore, njerëzore e institucionale ndaj nënave dhe baballarëve tanë.

“Kam kënaqësinë të rikthehem në ‘Shtëpinë e të Moshuarve’ në Kavajë për t’ju uruar, dhe përmes jush të gjithë prindërit, nënat dhe baballarët tanë kudo ndodhen: Gëzuar Vitin e Ri 2020!
Shtëpia juaj në Kavajë është një shembull shumë i mirë i dashurisë njerëzore. Ju jeni një familje e madhe dhe është shumë e rëndësishme që për ju vazhdon kujdesi dhe mbështetja.
Për shkak të emigracionit dhe të shumë dukurive të tjera negative, shoqëria jonë duhet të shtojë shumë më tepër kujdesin ndaj moshës së tretë, në mënyrë që të luftojmë fenomenin e vetmisë, akoma edhe më tepër fenomenin e braktisjes, por edhe dëshpërimin që ka çdo prind dhe çdo familje, e cila nuk e ndjen atmosferën e gëzueshme të festave të fundvitit pranë fëmijëve dhe njerëzve më të dashur.
Është detyra e të gjithëve, e pushtetit vendor, e qeverisë, e gjithë shoqatave që ta plotësojnë këtë mungesë. Ashtu sikurse është çasti për një apel më të madh dhe më të fortë, drejtuar të gjithë të rinjve tanë kudo ku janë që jo vetëm të mos e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë, por për të bërë të gjitha përpjekjet tona që këtë të ardhme ta realizojnë në Atdheun e tyre, sepse kemi një vend të jashtëzakonshëm, me mundësi, burime natyrore dhe potenciale të shumta, por të pashfrytëzuara për zhvillim”, deklaroi Meta.

Presidenti tha se Shqipëria është një vend plot diell që mund t’u ofrojë mundësi dhe shanse të gjithëve.

“Ndaj unë shpresoj që Viti i Ri 2020 të jetë një vit më pozitiv në këtë drejtim dhe njëkohësisht të jetë edhe një vit i një përkujdesjeje më të madhe shoqërore, shtetërore, njerëzore, institucionale ndaj të gjitha nënave, baballarëve tanë, të cilët kanë nevojë për ta ndjerë akoma më shumë mirënjohjen e shoqërisë për atë që kanë bërë gjithë jetën e tyre dhe për kontributin që kanë dhënë për zhvillimin e vendit. E gjithë shoqëria jonë duhet të funksionojë si një familje e madhe e përgjegjshme që kujdeset për çdo anëtar, sidomos për ata që kanë kontribuar më shumë dhe që sot kanë më shumë nevojë për ta ndjerë këtë kujdes dhe mbështetje. Unë mendoj se kjo Shtëpi e të Moshuarve të Kavajës është një nga modelet më të mira në vendin tonë që meriton përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme. Falënderoj edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare në Kavajë, të cilët janë të pranishëm dhe shpresoj se lutjet e tyre do të jenë për një vit më të mirë, që na bashkon më shumë me njëri-tjetrin, për një vit që të realizohjë dëshirat dhe ëndrrat tuaja e të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, për një vit që e bën Shqipërinë tonë edhe më të begatë, edhe më të bashkuar e më njerëzore.”, deklaroi Kreu i Shtetit.