Edhe pse “fajin” e ka LSI, ka një rrugëdalje për opozitën! – Nga Taulant Dedja

214
Sigal

Teoria më e re dhe më e fundit e disa analistëve që tjerrin lesh (përndryshe analistët e leshit) e që nuk kanë bërë qoftë edhe një fushatë të vetme zgjedhore në jetën e tyre, apo qoftë edhe një herë të vetme komisionerin e qendrës së votimit, është që PD humbi zgjedhjet sepse bëri koalicion me LSI. Pra për inat të Monikës apo Ilirit, shumë të djathtë, antikomunistë, ish të persekutuar apo të zhgënjyer nga PD ia dhanë votën Shallvarexhiut të Surrelit që “punon” fort dhe Tomës që i rezistoi fort Kimit pa vezë dhe pa yndyrë (Elbasani ka një shprehje “njeri pa yndyrë”).

Kjo teoria e re e analistëve të leshit, legjitimon shitblerjen e votës më paratë e pista të oligarkëve të tipit L(l)uca, me paratë e pista të kanabisit, të PPP-ve dhe kullave që u ngritën apo do ngrihen mbi gërmadhat e trashëgimisë kulturore të Tiranës që e shkatëroi ish-ministri i Kulturës më i pashkolluar në gjithë historinë e shtetit shqiptar, dështaku më i madh ndër emigrantët shqiptarë që nuk bëri dot pikë hajri në emigracion.

Kjo teoria e re e analistëve të leshit legjitimon ato mijëra e mijëra vota të pavlefshme, për të cilat fajin e paska padija, jo lapsi nën dorë, legjitimon patronazhistët dhe vjedhjen qeveritare të privatësisë, legjitimon një sistem zgjedhor paçavure, një ndarje territoriale krejt në funksion të një skeme të përllogaritur në mënyrë diabolike dhe që e përçan akoma më keq Shqipërinë në Veriorë dhe Jugorë, legjitimon mohimin e votës së Diasporës, legjitimon përdorimin e paligjshëm të strukturave të shtetit në funksion të mbajtjes me çdo çmim të pushtetit, legjitimon nënshtrimin ndaj një regjimi autokratik.

Nëse prisni se do t’i zgjidhë problemet Amerika, e keni kot, se për sa kohë asaj nuk i prishet balanca e interesave, ajo mund ta lërë të qetë Edverin pafundësisht, ashtu siç nuk e ngacmoi Enverin për 3 dekada, deri sa u shemb BRSS e për rrjedhojë do ndryshonin zonat e influencës.

Shqipërinë mund ta shpëtojë nga autokracia vetëm një presion i fortë nga opozita ndaj mazhorancës së votave të blera, duke i vënë asaj kushtin që do ta njohë parlamentin vetëm nëse pranohet reformimi i sistemit zgjedhor, nëse rikthehet sistemi mazhoritar me një tur, nëse rikthehet numërimi në çdo qendër votimi që eliminon vonesat dhe manipulimet, nëse zonat elektorale delimitohen më kritere objektive, nëse garantohet vota e emigrantëve dhe mbi të gjitha me kushtin që brenda dy vjetësh të realizohen zgjedhje të reja me sistem mazhoritar. Sigurisht duke mos pranuar që kryeministër të jetë ai që “punon” fort, Edvin K Rama.

Pra legjislaturë 2 vjet, reformë zgjedhore dhe qeveri më një kryeministër normal nga PS. Kaq duhet të kërkojë si kusht opozita në këmbim të pranimit të një rezultati të manipuluar me një skemë perfide e të mbështetur nga para të pista.