Kim Mehmeti: Nuk pasurohet politikani që i mbron interesat e popullit dhe vendit të vet, por ai që i shet ato! 

233
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Miq më pyesin: a është e mundur që qarqet perëndimore dhe diplomatët e huaj të mos e dinë  si janë pasuruar disa kryebashkiakë dhe burrështetas  të “Shqipërive” tona, e të cilët gjatë jetës nuk kanë punuar asgjë tjetër, përpos që janë marrë me politikë? Nuk dyshoj se ata e dinë atë që e di edhe unë: se vetëm hajduti mund të pasurohet nga veprimtaria  politike dhe se, nuk pasurohet politikani që i mbron interesat e popullit dhe vendit të vet, por ai që i shet ato!  Por gjithashtu, nuk dyshoj se ka diçka që nuk e dinë shumica prej nesh: diplomatët e huaj nuk paguhen për ta na mbrojtur neve, por për ta mbrojtur popullin e vendin e vet, nga hajdutët tanë! Pra, atyre edhe nuk u pengon gjithaq, kur shohin si hajdutët tanë na plaçkitin neve, e nëse në ndërkohë ata nuk i dëmtojnë biznes- interesat e tyre dhe, përderisa i përmbahen parimit: ‘lidhe” e mbaje  popullin tënd nën kontroll dhe, mos u merr me punët, që u takojnë hartuesve të ‘demokracisë’!

Andaj, ne nuk duhet të pyesim se a e dinë të huajt si janë pasuruar disa krye bashkiakë dhe burrështetas tanë hajdutë, por a e kemi dëgjuar thënien e kahmoçme se, ata që e mbështesin dhe votojnë të pafytyrin e kriminelin, nuk janë viktimë, por bashkëfajtorë! Duhet pranuar se drejtuesit e BDI-së, si dhe shumë politikanë tjerë të Maqedonisë e të ‘Shqipërive’ tona, s’ka pse i shqetëson Dekreti i Presidentit amerikan, sepse është e vërtetë se ata, le që nuk shkelin asnjë marrëveshje, por janë ‘rojtarë’ të denjë të kufijve në Ballkan. Disa prej tyre prej moti e kanë kuptuar si mundesh në këtë Ballkan të jesh edhe hajdut, edhe burrështetas i suksesshëm: zbato urdhrat e ndërkombëtarëve, e ndërkohë, plaçkite popullin dhe vendin tënd! Sidoqoftë, ne të vdekshmit e rëndomtë të këtyre hapësirave, duhet ta mbajmë gjallë shpresën se do vijë edhe dita e ‘dekretit’ që do i mbrojë xhepat tanë dhe ‘kufijtë’ e dinjitetit tonë njerëzor, kufij të shkelur prej moti nga disa burrështetas të pafytyrë, që deri dje ishin leninistë fanatikë, e sot janë shumë ‘properëndimorë‘ dhe ‘proamerikanë’.