Shpendi Topollaj: Thjeshtësia e të shkruarit dhe bukuria e saj në romanin “VITO” të Bashkim Hoxhës

51
Sigal

Bashkimi ka gjetur atë interesanten, më grotesken, dhe duke e kundruar sot, mund të themi; më qesharaken, pra vajtimin e të vdekurit. Ky vajtim, nga ai për njeriun e zakonshëm e deri te supremi i vendit, s`është tjetër, veçse përgatitja shpirtërore për vajtimin e vetë sistemit sundues. Folklori ynë e njeh dhe është marrë si me zakonin e vajtimit sipas zonave.

Romani “Vito” i shkrimtarit Bashkim Hoxha, botim i ONUFRI është ndofta treguesi më i qartë i avantazhit që të jep talenti në përshkrimin me mjete fare të thjeshta artistike, të fenomeneve dhe ngjarjeve madhore. Po ashtu, ai larg politizimeve, slloganeve dhe mallkimeve, por me një sarkazëm të fshehur, demaskon me mençuri kotësinë e gjithë asaj butaforie që u ngrit dikur te ne. Natyrisht që për shkrimtarin ka shumë mundësi e këndvështrime për të trajtuar në veprën e tij, një epokë. Bashkimi ka gjetur atë interesanten, më grotesken, dhe duke e kundruar sot, mund të themi; më qesharaken, pra vajtimin e të vdekurit. Ky vajtim, nga ai për njeriun e zakonshëm e deri te supremi i vendit, s`është tjetër veçse përgatitja shpirtërore për vajtimin e vetë sistemit sundues. Folklori ynë e njeh dhe është marrë si me zakonin e vajtimit sipas zonave, ashtu dhe me ata ose ato që e kanë kryer ndër shekuj këtë ritual. Po ta shohësh më tej, kjo ka qenë e përhapur kudo nëpër Ballkan. Lukiani në traktatin e tij “Mbi Pikëllimin” shkruante: “Deri më tani vajtimi për të vdekurit, kjo marrëzi njerëzore, ndjek kudo të njëjtat ligje”… Por para kësaj shprehej: “njerëzit kokëtrashë çirren e ulërijnë, marrin ndonjë vajtues profesionist, që ka mësuar përmendësh një mori këngësh të vjetra vajtimi, dhe e përdorin atësi bashkëluftëtar dhe drejtues kori, të këtij kori të çmendurish: vajtuesi ia merr këngës dhe të afërmit e të vdekurit i mbajnë ison”. Bashkim Hoxha nuk ka dashur ta studiojë këtë dukuri si folklorist, apo etnograf; ai e ka përdorur atë si çelësin për të depërtuar shumë më thellë. Personazhet e tij janë njerëz krejt të zakonshëm, sikurse fare i zakonshëm është edhe fshati ku ata lindin, jetojnë, punojnë, dashurojnë dhe vdesin. Kënaqen me pak, qoftë edhe me ndonjë fletë lavdërimi, se aq janë mundësitë dhe nuk ankohen për asgjë, se u kanë mbushur mendjen se janë të lumtur. Për ta janë mjaft një traktor e një kamion, që merr çdo ditë bidonat e qumështit. Dhe në këtë tabllo të zymtë, ata më shumë se për jetën, diskutojnë për vdekjen. Aq rëndësi i japin asaj, sa kur vetë Vito vdes, i gjetën në dollap, arkivolin e mbështetur ku qenë futut rrobat e hekurosura, ndërresat e bardha borë, fustani me lule, çorapet e mëndafshit, një palë këpucë lustrafin, një tufë trëndelinë e tharë e vogëlsira të tjera. Grua e zgjuar, ajo kishte lënë porosi që të varrosej “në rrezen e parë të diellit. me këngën e bilbilave dhe laureshave në mëngjes herët”. Fillimisht ajo e kishte seriozisht atë punën e vajtimit. Duke qarë të vdekurin ajo bashkonte dhe jetën e saj me të dhe jo si ajo vajtojca tjetër, Qanija që mendonte ndryshe: duke u ndier e huaj me atë që vajtonte. Kur ndodhi “gjëma” dhe mbylli sytë ai i madhi fare, u kujtuan për të dhe ja mbërriti përgjegjësi i Kulturës Elhami, i cili kishte bindjen se “Zona jonë është shumë e pasur përsa i përket të qarës”. Ai i tha Vitos se ishte zgjedhur mes vajtojcave të tjera për të shkuar në Kryeqytet. Ajo e kreu detyrën dhe e nderoi fshatin e saj që tani mburrej se kishin një vajtojcë kaq të zonjën. Vito kështu bëhet e rëndësishme, aq sa e morën edhe në festival, por atje nisi nga dyshimet: “Mos, vallë, të tjerët kanë parë tek unë një shfaqje me ndjenja mashtruese. Mos, vallë, gjithë ky ritual është thjesht për të nxjerrë lotin e të pranishmëve, sepse loti që nuk nxirret përpëlitet brenda shpirtit dhe ta nxin jetën? A e besojnë të tjerët lotin e saj apo shohin thjesht një teatër?” Kur vinë kohë të reja, Vito dhe të tjerët janë plakur. Fshati është boshatisur, se të rinjtë kanë ikur për të mos u kthyer më. Vetë Vito kur e nisi djalin i tha: “Ik, biri im. Jeto jetën tënde. Do të ishte mëkat të jetoje jetën tënde prangosur me jetën time. Unë i përkas ditës që ikën. Ti i përket ditës që vjen”. Dhe pika kulmore arrin kur ditën që vdes Vito dhe nga që zbatuan amanetin dhe e varrosën në mëngjes, vinë doktori për të konfirmuar vdekjen, punonjësi i gjendjes civile që do ta çrregjistronte dhe papa Kozmai. Janë ndofta pasazhe më brilante të këtij romani fjalët që ata shkëmbejnë. Doktori pyet se si e varrosët pa e vërtetuar unë edhe kur Varvara i thotë se vdiq natyrshëm dhe e pa tërë fshati, pra 13 vetët që kishin mbetur. Ai Nini i gjendjes civile pretendonte se askush nuk mund të vdiste pa firmën e shtetit, se mund të kishte pasur ndonjë krim. Kurse prifti çuditet: Po pse? Ç`punë ka shteti me vdekjen? Më tej, teksa shkojnë për të pirë ndonjë gotë verë, kur Nini thotë se duhet hequr nga lista e të gjallëve, prifti vijon: “Paskeni dhe lista të gjallësh. Po. Këtu po, ke të drejtë.Listat e të gjallëve janë punë të shtetit. Po a keni ardhur ndonjëherë të pyesni se si e shtyjnë jetën këta të gjallët nëpër lista, o njerëz? Ështe kujtuar ndonjëherë shteti se çfarë mundimesh heqin këta të gjallët që keni nëpër lista?” Së fundmi, ka një thënie në këtë roman: “Një ditë e gjatë është jeta e njeriut. Me mëngjesin e freskët, me mesditën me vapë e zagushi, me pasditen e lodhur dhe pastaj me natën e qetësisë së madhe”. Dhe këtë natë të qetësisë së madhe nuk e ndryshon dot as vajtimi i Vitos me shoqe, as i atyre burrave që çirrnin faqet ndër shekuj dhe as vetë Tanatosi që Euripidi te tragjedia e tij “Alkesta” e quante perëndi të vdekjes, me emrine të cilit, pra Thanasi, Bashkim Hoxha ka quajtur burrin e urtë të Vitos. Ja pse dhe Vito thosh se ne më shumë se të vdekurin, qajmë veten tonë, kurse vajtojca tjetër Qania kish nisur të dyshonte se “Veç në mos qoftë lavdërim i vdekjes dhe keqardhja për ne që mbesim gjallë”. Romani i Bashkimit nuk është roman – epope, por i bën jehonë me fare pak fjalë dhe fare pak mjete artistike një epoke të tërë.

Promovimi i librit “Vito” i gazetarit dhe shkimtarit të mirënjohur, Bashkim Koçi: Mbahet të mërkurën dt. 20 dhjetor 2023 tek Tora Veneciane Durrës, ora 18.00