Po ti kush je? Jam poet!

761
Sigal

Gëzim Llojdia

Kushtuar poetit Miliano Stefa

Miliano Stefa, një zë i bekuar në poezinë tonë ,aty nga fillimi i viteve ‘80 u zhduk nga radhët e librarive. Orët për Miliano Stefën u ngurosën pa pasur më parë një dekret shtetëror ose të fshehtë. Njeriu i mësuar me gjuhën e poezive, me fjalët e bukurisë hyjnore e parandjeu se orët e territ do të binin në dyert e shtëpisë së vetme botuese, nga shenjat paralajmëruese që solli koha dhe poezia e tij nuk do të gjente më vend. Cikli i poezive të mia ishte ne konflikt me redaktorët e kohës nuk mund të kapërdiheshin me aq lehtësi. Nganjëherë koha sillet pa mëshirë me poetët. Miliano Stefa, 79 vjeç iku nga bota e njerëzve të dukshëm. Nga ajo strehë shkon e vjen përherë shpirti i tij. Si gurët e rrallë të smeraldit, që shkëlqejnë në errësirë, dritëza e poetit ndriçoi vende, që nën mjegull bënin jetën me shpirtin në errësirë. “Minierat e shpirtit prodhojnë diamante të rrallë”. Mbaj mend se më përzgjodhi mua për të shkruar jetën e tij. Më priste çdo ditë tek lokali “Lë petit” pranë portit. Ulur në karrige duke shfletuar ndonjë libër. Kujtoj se në ngrysjen e tij mistike ka vështrimin e thellë. Dorën e djathtë të zgjatur me 5 gishtërinjtë e hapur. Çfarë deshifron ashtu? Një shprehje mistike. Ky është poeti i dukshëm. Sepse është portreti fizik i derdhur. Është poeti i gjallë si dikur, përtej peshës dhe muzgut shfaqet i papërballueshëm me muzën e tij të shpirtit, por këtu është i fiksuar në kujtesë. Kohërat me këtë portret na kanë sjellë një rikujtesë. Njerëzit këtu, brezat duke qenë vdekatarë të zakonshëm kanë vdekur përgjithmonë dhe janë harruar, ndërkaq poeti rron dhe ka për të rrojtur, deri në historinë e fundit të kësaj toke.

Intervista e bërë 3 vjet më parë me Miliano Stefën:

Kam lindur në Varosh. Në një ditë të shënuar, 16 gusht 1933. Në Manastrin e Zvërnceit kjo ditë është e ngjarje që shënohet në çdo kalendar, të çdo stine vere. Banesa ku unë linda, ishte dy kate e lartë, ishte banesë e Irfan Shukes. Një banesë që, ndonëse kohët i kanë perënduar vajtueshëm, ende qëndron. Te vendi, sot është kapelja ishte shtëpia jonë dy kate me gurë, me moshë 250 vjeçare. Në katin e parë ishin dyqanet. Një dyqan ishte rrobaqepësi, tjetri fotograf dhe i fundit pastiçeri. Prindërit, kujtoj tim atë që ishte shkolluar tek gjimnazi “Zosimea” tek mësuan edhe frashëllinjtë . Ime më kishte bërë shkollë italiane. Në këtë ngrehinë qëndruam gjatë periudhës nga vitet 1933-44. Një ditë aty mbritën me dy makina të zeza motrat e Zogut, Sanie, Mexhide dhe Rukie të veshura ushtarake. Ato i priti poeti dhe kryetari i bashkisë, Ali Asllani. Ndaluan tek sheshi i Flamurit. Im atë, Panajoti kishte miqësi me Ali Asllanin, Harilla Koculin, Jani Mingën, Xhevdet Kofinën. Tri klasat e para i bëra italisht, ku do të thoni ju, aty në Muradie tek banka që shkruhej: Banka di Napoli. Me ndihmën e patriotit të njohur Jani Mingës dhe mësuesit kuçjot Mustafa Luçit babai mësoi shqip dhe nëna madje punoi edhe si mësuese. Imë atë ka qenë fanolist. Por çfarë dua të them. Im atë luftonte në manastirin e Ardenicës, vëllai tjetër i tij ishte në krahun e Zogut, kur u takuan e pyetën njeri-tjetrin: Ku ishe ti. Përgjigjja – tek manastiri. -Po ti edhe unë ndonëse kundërshtarë dhe njeri godiste me mitraloz e tjetri hidhte ujë për t’u ftohur mitralozi.


Si ratë në kontakt me poezinë dhe më qartësisht përse zgjodhët të futeshit në letrat shqipe?

Qyteti ynë detar ka emra të mëdhenj në fushën e letrave. Gjurmë të thellë, ndoshta një brazdë më kishte hapur në thellësi Petro Marko. Im atë e kishte mik. Ai njeri i jashtëzakonshëm, shkrimtar i madh më thërriste – poet për çudi dhe ndonëse unë botoja që në vitet ’50 në të gjitha gazetat që kishte koha. Për Petro Markoja u zbulova kur shkrova poemën: “Një ngjarje në gjimnaz”.

Çfarë do të thotë pikërisht kjo ngjarje në qytetin e Gjirokastrës?

Përpara ardhjes së mëngjesit të shënuar të realizimit të ëndrrës për shkollim, i hipa një autobusi të vjetër. Në dorë mbaja një valixhe druri. Veshur luks. Kur mbërrita në dyert e konviktit një farë A. V. më pa shtrembër. Unë kam ardhur për studime. Mesazhi i tij: “Ke ardhur si një cjap i lëpirë! Ke këpucë me shollë, këtu ka me opinga. Unë do të bëjë terbiet!”,më tha. Në qytetin e gurit zhvilloheshin zgjedhjet. Javën e parë nuk më kapën, por javën e dytë nxënësit që kishin ardhur nga mali mbanin ende pistoletat në brez. U bë një mbledhje, ata thërrisnin: “Kriminelët në litar…!” Një shoku im, N. Kokalari më tha: “Këta do të të shqyejnë, por pas teje është një deriçkë, dil e ik prej andej dhe valixhen e ke tek sopati i Qadhimajve.”

Kadareja

Ika në të vërtetë kjo ikje shprehte kohë-ndryshimin tim. Atje në atë gjimnaz njoha Kadarenë, sepse Agolli pritej të nisej jashtë. Njohja me Kadarenë më ka befasuar. Ismaili ishte i njohur sapo kishte botuar “Frymëzime djaloshare”. Ai ishte diku në vitin e dytë, unë në maturë. Isha në parvaz kur pashë Ismailin duke lexuar një libër kimie. I thashë: – Çfarë po mëson?
Ai ma ktheu: -Ja këto formulat e shpifura. -Po ti kush je, më pyeti? I tregova emrin. Me Kadarenë kemi folur për letërsinë e Rilindjes. Ai e njihte mirë. Flisnin për letërsinë e viteve ’30, ai e njihte mirë, por nuk kishte ndonjë konsideratë. Na lindi pikërisht një ide, ideja për të bërë letërsi të re moderne. Kadare vishej pastër. Mbante një xhaketë dhe këpucë të bukura. Nuk mbante kollare, unë mbaja. Ishte mospërfillës kundrejt të gjithëve. Kur pimë një herë kafe në Gjirokastër ai më tha: “Shënoje në ditarin tënd, se ke pirë një kafe me njeriun më të madh të kombit”. Kadare e ndjente se ishte absolut. Mësuesit e donin shumë. Shokët e ngacmonin se ishte i dobët dhe i shëmtuar. Flokët nuk i krihte asnjëherë. Nga Ismaili buronte poezi. Ai shoqërohej me Agim Shehun, Bekim Harxhin. Por më tepër qëndronte i vetmuar. Kur ishte i vogël kishte bërë një mulli, për të bluar kallëzat e grurit, në oborrin e shtëpisë. Një pjesë të miellit e merrnin ata që sillnin miell, dy pjesë, kuptohet thotë me të qeshur: “millonai”, këtu besoj se lindën edhe këngët e millonait dhe poema “Ëndërrime”.
Këtu, poeti Stefa mbyll një kapitull nga guaska e rëndë e harresës, nga qyteti i gurtë kur iku mëngjesin e parë, që e përgjonin me një kamion qymyri deri në Memaliaj ndërsa shoferi nuk i mori paratë por i tha: Ik lahu, se je bërë arap. Dhe priti sa erdhi korriera për të zbritur në qytetin e tij buzë detit.

-Shkuat në universitet, po atëherë çfarë ndodhi me poetin?

Shkova në Universitetet për veterinari. Universiteti gjendej diku aty në Laparakë, aty gjendej shkolla e partisë deri në vitet 1990. Atje gjeta njeriun e mirë A. Xoxa, vëllai i shkrimtarit Jakov Xoxe. Jakovi u kthye nga Bullgaria dhe u vendos tek “Fleta letrare”. Në vitin 1959 botova poemën “Ushtarët”. Për këtë poemë mora medaljen e artë “Naim Frashëri” Klasi i Parë, dhënë nga Qendra e Ushtrisë. Ndonëse kisha shkuar në veterinari në vitin e tretë, fillova vitin e parë për letërsi. Me financat, që më dhanë nga poema bleva kostum, këpucë, kollare dhe latat e tre muajve. Rreth fillimit të viteve 1960 përfundova shkollën.

Rastësisht në konferencën e Tiranës


Në konferencën e Tiranë, hyra rastësisht si korrespodent i jashtëm i “Luftëtarit”. Aty dëgjova çfarë ishte kulti i individit dhe se si E. Hoxha shtypi lëvizjen demokratike kundër këtij kulti. Nga figurat, që tash njihen më shfaqet përpara Xhemal Broja, drejtori i teatrit të shtetit, që u ngrit kundër. Kur erdhi E. Hoxha gojët u kyçën, u ndje një lloj mpirje. Të gjithë u tulatën.

Në Zagor të Shkodrës

Shkolla në Zagorë ishte fillore, më vonë më transferuan mësues gjimnazi në Patos. Jepja letërsi në vitin e parë të gjimnazit të sapo krijuar. Atje në atë qytet që ende thirret Patos vinin ende gazetat ruse si “Kosmolskaja pravda”,”Pravda”, “Literaturnaja gazeta”, “Ogonjen”, nëpërmjet këtij shtypu mësuam idetë e Hurshovit. Sekretar i naftës ishte djali i Riza Cerrovës, Tomori, një ditë më kujtohet kur më tha, – “Mos e mpreh kalemin se do të vesh në të sat’ëme!”. Nuk ishte ekstremist më dha dhomë, radio, kolltukë, shkruaja nëpër gazetat e Tiranës.

Kthimi në Vlorë

E priti mëma të birin, mund të quhet kthimi im pas dy vitesh në qytetin tim, Vlorë pas një mërgimi nëpër shkollime dhe punësime nga veriu e deri në qendrën e naftës. Më kanë pyetur dhe respektuar, se më dinin dramaturgun teatrit, asnjëherë nuk kam punuar si rrogëtar. Mësues ishte punësimi madje aty ishte dhe dalja në pension te shkolla: “Jani Minga”.

Konflikti me kritikët e poezisë

Në hapësirat që lejonin, poezia nuk mund të ecte. Në një kuptim më të qartësuar,vështirë e kisha të çaja. Kisha ndihmën e një njeriu brilant si Jakov Xoxe, por konfliktohesha përherë me Razi Brahimin. Në vitin 1960 isha anëtar i lidhjes me një kontribut 3 libra në poezi dhe një dramë. Gradualisht po më viheshin në skenën e teatrove profesionistë, dramat në Vlorë, Fier, Durrës, Korçë, Elbasan. Mund të mburret çdo njeri me një bilanc të këtillë si M. Stefa,16 drama në teatrot profesionistë. Dhjetëra drama të tjera u shkruan dhe u vunë në skenat e teatrove amatore, të tillë kishte gati çdo ndërmarrje.

Si lindi konflikti?

Ftohtësi e akullt e këshillit artistik, aspak profesionist, por mediokër dhe jashtë çdo profesionalizmi. Asnjëherë dhe asgjë nuk i lidhte me dramën dhe artin e të shkruarit sidomos atë të dramaturgjisë. Në Vlorë, këshilli artistik që u jepte udhë dramave dhe pjesëve që viheshin në skenë përbëhej nga: 1 punëtor i fabrikës së çimentos”, marangozi i teatrit A. P (anëtar partie). kryetari i BP të teatrit (këpucar). Drejtori i teatrit teatrit A. P (anëtar partie. Sekretari i partisë (llogaritar), ardhur si aktor nga lëvizja amatore. Konfliktet plasën kur dramën “Vëllezërit” ma quajtën me gabime ideore. Këtë dramë e çova në teatrin e Elbasanit, të cilët e vunë menjëherë në skenë dhe çuditërisht pati sukses të madh, ndërkohë që Ministria e Arsimit e bllokoi dhe pas një muaji u rilejua me një kalavar historish tepër qesharake, ndalime e lejime. Më në fund edhe teatri i Vlorës e vuri në skenë. Në vitin 1980, libri: “Nëse gdhend varg” u ndalua në shtypshkronjë, përmbante rreth 200 faqe poezi. Në këtë kohë kërkova divorcin me autoritete e regjimit komunist, në një farë mënyre një vetë-përjashtim, kisha lënë pas copëra mendimesh, copëra mashtrimi, zhgënjimin pa masë, në shpirtin tim gjithçka ishte thyer në copëra. Shkova në Lidhjen shkrimtarëve. Në katin e parë ishim ulur Dritëroi, Dalan Shapllo, Endri Keko.

Dritëroit në prani të tyre i thashë: “Me dëshirën time largohem nga Lidhja e Shkrimtarëve,duke i dorëzuar triskën ,lejet krijuese etj., ndërhyri Dalani-po dale ta shikojmë këtë punë, ndërsa Endri tha: “Do të iki le të iki në punë të vetë”. Humba të gjitha lidhjet, ngriva të gjitha marrëdhëniet. Nga viti 1980 deri në vitin 2008 nuk botova asnjë germë. Në vitin 2008 gjithë prurjen, malin me poezi dhe krejt krijimtarinë time e botova në 12 vëllime. Kolana quhet “Shtrati i Prokursit” 10.000 vargje poezie. Duke më pyetur a u ndëshkuat për vetë përjashtimin tim, sigurisht që jo, ndonëse poezinë time e fshehëm mirë për të mos e gjetur deri në vitet 90. Një pjesë e stivosëm në shpirt, tjetrën e kallëm nëpër ca vende kolltukësh për të mos e zbuluar, sepse punonte frika më shumë se kushdo.