Kur në shekullin e XIX-të, shtetet e Ballkanit nisën të përjetojnë “Rilindjen Kombëtare”, armenët (vllehët) nuk mundën të krijonin dot lëvizjen e tyre shtet-formues në funksion dhe të Rilindjes së tyre Kombëtare, për faktin se u mungonte bashkësia e territorit, pra Atdheu dhe sidomos u mungonte ekzistenca e qyteteve ku mund të krijohej elita intelektuale, e cila do të përpunonte ideologjinë dhe strategjinë e kësaj Rilindjeje. Voskopoja ishte njera nga këto qytete me shumicë vllahe, që mund të plotësonte këto kushte, por ajo e vetme nuk mund ta zgjidhte dot këtë nevojë imediate sasiore e cilësore të kësaj elite të nevojshme. Aq më tepër që Voskopoja e vetme në prag të kësaj Rilindjeje, u dogj, u grabitë e u shkatërrua bashkë me kulturën dhe elitën e saj intelektuale, që u shpërnda në arrati brenda e jashtë vendit në drejtime të ndryshme.
Kjo mungesë e bashkësisë së territorit, pra e atdheut të tyre dhe e mos ekzistencës së qyteteve ku do të zhvillohej elita intelektuale, bëri që veprimtaria iluministe si pararendëse e kësaj Rilindjeje, dha kontributin e saj në vendet përkatëse ku vllehët bashkëjetonin me popujt vendas. Dhe konkretisht, disa nga intelektualët e shquar të Voskopojës si, Teodor Kavalioti, Sevast Leontiadhi, Grigor Voskopojari e tjerë, me idetë iluministe të tyre, kanë lozur një rol të rëndësishëm për Rilindjen tonë Kombëtare Shqiptare. Natyrisht, ajo Rilindje erdhi nga frymëzimi dhe ndriçimi i mendjes dhe i shpirtit të elitës intelektuale edhe në qytetet e rëndësishme të Shqipërisë për një liri e pavarësi mbarë kombëtare. Iluminizmi voskopojarë u bë i dëgjuar brenda e jashtë vendit, duke i dhënë famë jo vetëm atij qyteti, por dhe Ballkanit e më gjerë në shekujt XVIII-të e fillimet e shekullit të XIX-të. Ky iluminizëm nxiti dhe revoltat popullore ballkanike kundër pushtimit turk në Ballkan.
Historiani ynë i mirënjohur, Profesor Aleks Buda në studimin, “Voskopoja, djep i Rilindjes Kombëtare, shkrime historike”, botim i vitit 1986, faqe 368 shkruan: “Unë nuk nguroj ta quaj këtë epokë dhe këtë lëvizje që na jep Voskopoja në fund të shekullit të XVIII-të, Iluminizëm i hershëm dhe një stad që nuk do të thotë ende rilindje kombëtare, qoftë dhe vetëm në fillimet e saj, por që e përgatitë atë me siguri”.
Ndërsa Dhimitër Shuteriqi në studimin e tij, “Arsimi dhe Kultura në Voskopojën e shekullit të XVIII-të”, midis të tjerave shkruan:-“Kultura në Voskopojë shënoi një hap me rëndësi në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Duke futur shkencën pozitive në programet mësimore, ajo i dha goditjen e saj konservatorizmit të kulturës feudale dhe kontribuoi në lindjen e një iluminizmi shqiptar”.
Në vitin 1760, Voskopoja lulëzoi, duke u bërë “Parisi i Ballkanit”,– shkruajnë vëzhguesit europianë. Voskopoja kontrollonte rrugët tregtare tokësore midis Adriatikut e Stambollit, duke lidhur osmanët me doxhët në Venecia, Habsburgët në Vjenë dhe më gjerë. Në kulmin e saj, funksiononin rreth 50 esnafë artizanalë, duke tërhequr e trajnuar rrobaqepës, argjendarë e armëpunues. Për njëfarë kohe, qyteti kishte të vetmen shtypshkronjë në Perandorinë Osmane, e themeluar më 1744-ën, që drejtohej nga “Akademia e Re” dhe ushqente ide iluministe.
Akademia e Re e Voskopojës, Biblioteka dhe Shtypshkronja e vetme e Perandorisë së asaj kohe që kishte ky qytet, ka qenë një trekëndësh kulturor unikal në Ballkanin e mesit të shekullit të XVIII-të. Për aq kohë sa Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjsh shqiptarë e vlleh, u shkolluan dhe formuan një idenditet europian të mbrujtur me idetë iluministe. Kjo siguronte me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane, kryesisht në studimet për mësuesi, doktorë, ekonomistë, filizofë e juristë. (Edvin Jacques në librin, “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia në ditët e sotme”, faqe 315).
Arti dhe kultura gjithashtu patën një zhvillim të jashtëzakonshëm, duke e kthyer Shqipërinë në një shëmbull që hidhte dritë mbi gjithë Ballkanin Otoman. Piktori me famë David Selenicasi, ka qenë artisti më influent i Rilindjes në gjithë artin ballkanik dhe ndikimi i tij u ndje në gjithë artin ortodoks të Ballkanit, sepse ai dha shënjat e para të kapërcimit të klisheve të pikturave murale dhe ikonave, që trashëgonte Mali i Shenjtë i Greqisë nga konservatorizmi i periudhës Bizantine. Dhe këtë art të rilindur kishtarë, e pasuan dhe artistët e shquar të shekullit të XIX-të, vëllezërit Zografi, Kostandin Shpataraku, nxënësit e tyre vëllezërit grabovarë Çetiri e të tjerë.
Po t’i referohemi dhe studiuesit të mirënjohur Bernard Leëis në librin, “Islami dhe Perëndimi”, faqe 49, ai shkruan: “Shtypshkronja e Voskopojës ishte e vetmja në të gjithë Perandorinë Otomane, sepse shtypshkronja tjetër e Stambollit që u ngrit nga Said Mehmet Efendiu në vitin 1727, pra shtatë vjet pas asaj të Voskopojës, u mbyll që në vitin 1740, në një kohë që ajo e Voskopojës mbijetoi deri në shkatërrimin përfundimtar të atij qytetrimi nga fundi i shekullit të XVIII-të”.
Por ai shkëlqim mbi një shekullor i qytetrimit të Voskopojës, veç krizave ekonomike që përjetoi, u venit deri në shuarje dhe nga sulmet vandale të grupeve rebele të zonave rurale shqiptare gjatë kohës kur Pashai i Janinës, Ali Pashë Tepelena, shpalli pavarësinë nga Perandoria Turke. Tre ekspedita rebelimi njera pas tjetrës në intervale të largëta kohe, e dogjën, e grabitën dhe e shkatërruan përfundimisht jo vetëm qytetin, por dhe qytetrimin dhe kulturën iluministe të saj. E para ishte në shtator 1769, kur bandat e Dangëllisë e Kolonjës që sulmonin karvanet me mallra në rrugtimet e gjata malore, një ditë u sulën dhe mbi qytetin e Voskopojës, duke e djegur e grabitur atë. Ekspedita e dytë ndodhi në qershorin e vitit 1789, kur ushtria e Ali Pashë Tepelenës, në luftimet kundër rivalit të tij, Ibrahim Pashës së Beratit, kërkonte të zgjeronte sundimin edhe në Toskëri, duke përfshirë dhe Voskopojën. Por lakmia edhe pas shumë e shumë vitesh të tjera, nuk u shter ndaj atij qytetrimi që tashmë ishte shuar. Ishin sërish bandat e Sali Butkës në tetor 1916, që kërkonin ende atë ç’kish mbetur nën hirin e gërmadhave, duke menduar se pasuria e Voskopojës nuk kish të sosur. Këto katastrofa njera pas tjetrës, e kthyen atë qytetrim në injorancë e prapambetje dhe Voskopoja u kthye sërish në një fshat, që mundi të mbijetonte mbi gërmadhat e atij qytetrimi të hershëm të mesjetës së vonë.
Nga Voskopoja i kanë rrënjët dhe shumë vlleh, në lagjen “e vllehve të Shkupit”. Edhe vithkuqari Naum Veqilharxhi, hartuesi i parë i abetares në gjuhën shqipe në vitin 1844, u bë ideologu i parë i ideve iluministe politike e kulturore kombëtare. Ai si një iluminist revolucionar, luftoi për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe dhe ngritjes së kulturës për ta vënë Shqipërinë në radhën e vendeve të qytetruara.
Pas katastrofës së Voskopojës dhe qytezave vllahe rreth saj, shumë vlleh kanë emigruar brenda e jashtë vendit si në: Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Greqi, Rumani, Serbi, e deri në Vjenë të Austrisë e tjera, pa u kthyer në trojet amtare, por që kanë ruajtur deridiku gjuhën dhe traditat e tyre zakonore. Vllehët kanë kontribuar dhe në kuadër të Rilindjes Ballkanike, veçanërisht në Revolucionin për krijimin e shtetit grek në 1821, ku u shqua udhëheqësi i famshëm i atij revolucioni, komandanti legjendar Theodhor Kollokotroni nga Morea e Pelloponezit, me origjinë të largët, vllah nga Vithkuqi i Shqipërisë. Edhe heroi i parë i këtij revolucioni, ishte po vllah, Jorgo Olimpi.
Ata kanë qenë aktivistë dhe në aktin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në 28 nëntor 1912 së bashku me shumë patriotë shqiptarë nën drejtimin e Ismail Qemalit në Vlorë. Po ashtu dhe gjatë luftës Nac.Çl., kontributi i tyre ka qenë masiv me armë në dorë në radhët e ushtrisë partizane, por dhe si baza të luftës, duke vënë dhe pasurinë e tyre në shërbim të saj dhe të çlirimit të vendit.
Voskopoja, u bë djep i kapitalizmit të munguar.
Zhvillimi i profesioneve të zejeve të kohës në Voskopojë, u bë një nxitës real konkurence në gjithë Ballkanin, duke dhënë shënjat e para të një kulture paraindustriale, që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin edhe të rajonit. Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë, kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t’u dalluar, mbanin të gdhëndur dhe shqiponjën dykrenare, simbol i flamurit kombëtar shqiptar. Referimi vjen nga historiani Dumont, në veprën e tij për Ballkanin, cituar nga studiuesi Ligor Mile. Kurse sipas Prof. Aurel Plasarit në librin “Fenomeni Voskopojë”, faqe 41, theksohet se: “Voskopoja kishte 14 korparata dhe mund të themi se historia e atij qyteti, është historia e korparatave të saj. Këto përfaqësonin kategoritë e mëdha industriale dhe tregtare. Në to bënin pjesë shoqëritë e arpunuesve, argjendarëve, bakërtarëve, armëtarëve, këpucarëve, shajak-punuesve, ndërtuesve, bojaxhinjve e tjerë”.
Këto shoqata industriale të zejtarëve të mbiquajtura, “Rufete”, që sipas studiuesit Ilo Mitko Qafzezi, kanë qenë bërthamat e para të industrisë kapitaliste që ishin korparata të vogla tregtarësh, apo zanatçinjësh që lindën në Voskopojë.
Kështu, ajo lloj industrie shtrihej dhe në punimin e metaleve për prodhim armësh, punimi i gurit dhe i mermerit, ku janë ndërtuar objekte skulpture e statuja të personaliteteve të shquara, që përbënin një art e kulturë të veçant. Jo më pak dhe ndërtimet e objekteve të kultit, urat me harqe pa llaç e beton që i kanë rezistuar kohës deri sot, çezmat e rrugët e kalldrëmta, janë një dëshmi e pa kundërshtueshme, që tregon se në ato kohë u shfaqën hapat e para të zhvillimit të industrisë në kushtet e një kapitalizmi fillestar.
Këto shoqëri (Rufete) tregtare e industriale, që me ekzistencën e tyre morën format e para të korparatave industriale, kishin dhe statutin e tyre të organizimit e të drejtimit, nëpërmjet, të cilit organizohej jo vetëm shoqëria e korparatës, por edhe prodhimi, asortimentet, cilësia e tyre, si dhe tregjet e shitjes. Kjo korparatë drejtohej nga një këshill, që përbëhej nga mjeshtrat më të moshuar, që drejtonin nëpërmjet një rregulloreje të brendëshme, që kishte rolin e statutit. Po ashtu, këshilli grumbullonte dhe fondet e caktuara për infraskturën e brendëshme, por dhe për ndihma e bamirësi, veçanërisht ndaj kishave e manastireve, si dhe për investime publike urbane të nevojshme si, ura, çezma, ujsjellsa e tjera.
Elementi më i çuditshëm i Voskopojës, ishte standarti demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare, të pavarur nga Porta e Lartë. Këtë e trajtojnë shumë studiues të huaj, midis tyre dhe Robert Mantrani në librin, “Historia e Perandorisë Osmane”.
Voskopoja ishte qytet autonom brenda Perandorisë Otomane, e përbërë nga shqiptarët, vllehët dhe në pakicë grekë. Ndërsa studiuesi Prof. Aurel Plasari në librin “Fenomeni Voskopojë”, faqe 31, e përcakton Voskopojën si: “Një qytet jashtë pushtetit të Portës, i cili në fakt ishte një qytet “tentakular”, në kuptimin e plotë të fjalës”. Ai i referohet dhe studiuesit, V. Papacostea, i cili theksonte se: “Ajo ka tërhequr rreth vetes gjithë sa i vlente, tregtarë, afaristë, intelektualë të kohës, rini të fshatrave e tjerë”. Ky është fakti më kuptimplotë, që, “Voskopoja ishte shqiptare, sepse duke qenë qytet “tentakular”, që thithte mes trojeve shqiptare një popullsi me dhjetra mijë banorësh, kuptohet që elementi shqiptar nuk mund të ishte kurr minorancë”.
Sigurisht, Voskopoja u shqua midis trevave dhe qyteteve shqiptare më të lashta, për faktin se ajo lindi si një fenomen nga hiçi, nga një vendbanim barinjësh me kasolle bagëtish e shtëpi të thjeshta fshati malor, në një qytetrim të zhvilluar të një qyteti me planimetri lagjesh e rrugësh të kalldrëmta, me ndërtesa të gurta një e dy kate, me dyqane e ambjente sociale, me objekte kulti si kisha e manastire të një stili të ri post-bizantin, me skoli për edukimin e brezave të rinj me dije e kulturë shqiptare e europiane, si dhe me “Akademi të Re” të Voskopojës, si një fenomen i veçant për kohën, ku studiuan breza të tërë dhe dhanë mësim dijetarë e profesorë të kohës si: Sevast Leontiadhi, Teodor Kavalioti, Grigor Voskopojari e të tjerë.
Por duhet theksuar, se kultura dhe qytetrimi që lindi në Voskopojë, nuk duhet parë i shkëputur nga tërësia e kulturës dhe e qytetrimit shqiptar, veçanërisht në disa nga qytetet e lashta siç ishin, Durrësi, Berati, Ohri e Manastiri, Shkodra e Prizreni, Janina, Gjirokastra, Elbasani e tjera, të cilat ishin vatra ku lindën përpjekjet e para për shkrimin shqip të alfabetit të gjuhës sonë dhe ku nisën të lindnin shkëndijat e para të një klase të re shoqërore, në dukje borgjeze e zanateve dhe e tregtisë. Pra, siç e thekson historiani Stilian Adhami në librin, “Voskopoja dhe Monumentet e saj”, ku e përkufizon: “Voskopoja nuk ka qenë “Oaz në shkretëtirë”.
Po ashtu, qytetrimi i Voskopojës është pasuar dhe nga simotrat rreth e qark, siç ishin Vithkuqi, apo Grabova, që gjithashtu kanë një histori të lashtë që në shekujt e X-të e të XI-të dhe që morën zhvillim krahas me qytetrimin e Voskopojës në shekujt XVII-të e XVIII-të. Këto shekuj, sollën një erë të re në zhvillimin e qytetrimin e shumë qyteteve të Shqipërisë, ku lindën e u zhvilluan jo vetëm shoqëritë tregtare e zejtare, por nisi të rilind dhe një klasë e re intelektualësh të arsimuar në shkollat e Europës së qytetruar, që sollën koncepte të reja për zhvillimin ekonomik, si dhe për dijet e kulturën në trojet shqiptare.
Në këto kushte e rrethana të këtij qytetrimi të porsa rilindur, sigurisht Voskopoja u lind në këtë shtrat e bazament, ku ndikuan dhe faktorët ekonomik e social, siç ishin tregtia dhe zejtaria, që lozën një rrol kryesor në zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien social-shoqërore të këtij qyteti. Ky zhvillim ekonomik e kulturor, e bënë Voskopojën dhe vendbanimet vllahe rreth saj, vendbanime shqiptare, ku puna, vullneti dhe mençuria e këtij komuniteti, lulëzuan në mënyrë të dukshme, krahasuar me prapambetjen e obskurantizmin feudal të disa zonave të thella rurale, që kish mbjell kudo sundimi shekullor i Perandorisë Otomane.
“Në rrethanat politike të gadishullit nën Perandorinë Osmane, Voskopoja ia doli nën këtë Perandori të gëzojë privilegje të rëndësishme dhe një autonomi pothuajse të plotë. Arriti të ketë gjykatën e vet dhe trupin e vet gjyqësor, një polici të brendëshme, xhandermari të karvaneve dhe të rrugëve, organizime korporative, liri fetare, deri dhe sigurime shoqërore. Mbas vitit 1720, ajo u shfaq si qendër e madhe tregtare por dhe industriale, me një industri metalurgjike, kryesisht armësh e argjendarie. Eshtë fjala pra, për një qytet që arriti të bëhet mes viteve 1720-1770, metropol i vërtetë i gadishullit të Ballkanit”.
Këtë zhvillim, Voskopoja ia dedikon në radhë të parë mendimit iluminist intelektual të njerëzve të shquar me dije dhe shkencë të përparuar, të mbështetur dhe nga tregtarët e zejtarët e saj të talentuar, që punonin jo vetëm brenda vendit, por dhe në tregun ndërkontinental të Europës, Azisë dhe Afrikës. Para botës perëndimore, me të cilët tregtarët voskopojarë kishin mardhënie tregtie, shfaqeshin si tregtarë grekë, pasi greqishtja ishte gjuhë kishtare, gjuhë e shkollës, por dhe gjuhë e marrdhënive tregtare.
Pas bastisjes së Voskopojës ndërmjet viteve 1769-1789, shumë familje voskopojare, krahas territoreve të Shqipërisë si në, Myzeqe, në Tiranë, Durrës, Kiavajë, Elbasan, zbritën dhe në Korçë e Pogradec, të cilët i dhanë këtyre qyteteve diçka dhe nga lavdia e Voskopojës. Në vitin 1783, Korça dhe gjithë sanxhaku i saj, u bënë pjesë e Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, që e shtriu sundimin e tij edhe në Shqipërinë e Jugut dhe në atë Jug-Lindore. Në shekullin e XIX-të dhe fillimet e shekullit të XX-të, Korça u bë qendër e rëndësishme e Rilindjes sonë Kombëtare, ku në vitin 1887 u hap shkolla e parë fillore në gjuhën shqipe nga organizata patriotike, “Drita” dhe në vitin 1891, po në Korçë, u hap shkolla e parë për vajza nga familja, Qirjazi.