Çano Nora: Mjeku veteriner Raq Paskali, rrëfen aventurën që me një trap druri përshkoi gjithë gjatësinë e Vjosës nga Përmeti në Urën e Mifolit


-Në urën e Mifolit, Raq Paskalin dhe mikun e tij italian, Xhon Baldinin i arrestuan se i quajtën diversant.

-Pse dëshpërohej Ismail Kadareja kur vizitonte shtëpinë e Raq Pakalit në sokakun e të marrëve?

Sigal

Sotiraq Paskali, mjeku veteriner, jo vetëm në qytetin e gurtë, por në gjithë jugun e Shqipërisë, ishte një figurë e njohur, jo vetëm për profesionin e tij, por i prirur për shumë gjëra të bukura, të cilat mbetën në memorien e njerëzve që e kanë njohur dhe ata që kanë punuar me të. Vazhdoi studimet në Institutin e lartë të Veterinarisë, i cili u diplomua për mjek veteriner dhe punoi e shërbeu në një kohë të gjatë jo vetëm në seksionin e bujqësisë në rrethet Përmet e Gjirokastër, por edhe në kooperativat më të largëta të tyre. Ky ishte profesioni i Raqit, por atë e kishe edhe muzikant, piktor, skulptor, poet e shkrimtar. Ishte ai djali i shkathët e pasionant që krijoi cirkun për herë të parë në Gjirokastër. Kur mbaronte çfaqjet e cirkut, ulej e bënte vjersha dashurie për bashkëshorten e tij të dashur, Fridën, që s’ju nda as në cirk, por edhe në jetë. Raq Paskali banonte në një shtëpi përdhese në lagjen “Palorto” ,afër sokakut të të marrëve.Një shtëpi e thjeshtë dhe e pa restauruar, gati e lënë në harresë edhe nga pushtetarët e asaj kohe. Edhe Ismail Kadarea sa herë që e vizitonte në atë banesë, shprehte indinjatë dhe dëshpërim për atë gjëndje që e kishin lënë Raqin, mjekun e shquar të veterinarisë, i cili operoi për herë të parë një lopë në Gjirokastrën e asaj kohe, për mjeshtrin që e krijoi dhe e nxori në dritë cirkun profesionist dhe që jepte shfaqje herë pas here edhe në Tiranë, për piktorin, për skulptorin, shkrimtarin e poetin erudit, për atë djalë energjik që guxoi së bashku me një shokun e tij italian ,Xhon Baldini, të ndërmerrnin aventurën të përshkonin lumin e Vjosës nga Përmeti e gjer në urën e Mifolit,vetëm me një trap të thjeshtë prej druri të bërë vet me trarë.

Si guxuat të ndërmerrni atë aventurë, me kushte minimale dhe të pasigurta?

Në korrik të vitit 1964 ,së bashku me shokun tim Xhon Baldini, iu afruam një trapi që e kishim sajuar vet me shumë mundime dhe që e kishim të ankoruar diku nën urën e Përmetit. Mezi prisnim që të startonim drejtë ëndrrës tonë të hershme, në maratonën e gjatë e tepër të vështirë , nëpër ujrat e tmerrshme e të rrëmbyeshme të Vjosës shekullore. Kishim emocione të fuqishme , si ata kalorësit në hipodrom para vrapit me kuajt e stërvitur, ku edhe kuajt ndihen nervozë. Kuajt e shfaqin ndjesinë e tyre duke turfulluar, duke nxjerrë shkumë nga goja e duke goditur dheun me patkoj para nisjes. Mua dhe Xhonin , na përcollën shumë njerëz atë ditë. Nga sheshi në qëndër e gjer te guri i madh i Përmetit, shumë njerëz kishin dalë për të na përcjellë me duartrokitje të fuqishme duke na nxitur e inkurajuar për atë ngjarje që s’ishte parë e dëgjuar më herët. Nuk morëm urdhër prej askujt,veçse ishte përhapur fjala gjithandej,që ne do bënim këtë aventurë. Nuk nxorrëm asnjë shpallje për lundrimin që do të kryenim në gjithë gjatësinë e Vjosës , duke u nisur nga Përmeti e gjer në urën e Mifolit , atje ku bashkohej Vjosa me detin. Na panë një ditë më parë që ne po mbërthenim trarët me ganxha hekuri, poshtë urës së qytetit. Njerëzit, të habitur shpreheshin atë ditë , se si dy djem guxonin të përshkonin me mjete primitive ,300 km lumë të tërbuar! Lumi dihej që brënda vetes përmban plotë mistere e të papritura. Në atë kohë s’kishte as kamera që të bëheshin xhirime. Kamerat bardhë e zi ishin vetëm për udhëheqësit që filmoheshin nga servilët. As aparati fotografik me ngjyra s’kishte dalë. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv i rrethit të Përmetit, urdhëroi që ne të niseshim sa më shpejtë, se po i linim njerëzit pa shkuar në punë, se prisnin ne me kureshtje për atë që po bënim. Po ashtu edhe sekretari i komitetit të Partisë, Apostol Kotani. Atë ditë në qytet vetëm për mua dhe xhonin flitej, që do të mateshim me lumin e frikshëm të Vjosës, ku ishin mbytur me qindra njerëz në shekuj.Unë mbaja përgjegjësi edhe për shokun , Xhonin, që ishte më i vogël se unë, por edhe gruaja, Frida, që me djalin e vogël priste në shtëpi gjithë ankth. Ajo ishte edhe shtatzanë me vajzën në bark. Do çanim Vjosën për sëgjati, që këtë s’e kishim shkuar ndonjëherë ndërmënd. Xhoni ishte student i agronomisë, por m’u bashkua mua në atë aventurë të vështirë, pa mjete, ku sot të tjerët e bëjnë me paisje e mjete moderne. Dallgët e lumit malor vinin me gjëmimin e frikshëm që nga malet e Pindit të Greqisë. Na përplaste rryma me furi nëpër shpellat e shumta , me maja e kreshta të mprehta, ku mund të goditeshim në kokë nga çasti në çast. Ne ndiqnim rrjedhën e ujit në favor të shpëtimit të jetës.

Përse nuk shfrytëzuat lundrimin mbi ujë?

Mbi ujë vdekja ishte më e sigurtë, se mund të na e çante trupin në mes, ndërsa nën ujë rrëshqisnim pa komplekse , në taban të lumit, si peshqit thellësive. Në çastet më të vështira për jetën , kujtoja Fridën në shtëpi, tek shtërngonte në gji Arturin e vogël. Gjatë udhëtimit katër ditor, morëm plagë në trup , atje ku shfaqeshin të papriturat nga çasti në çast, atje ku jeta të humbiste për një sekontë. Lundrimi në Vjosë ishte i vështirë e me shumë lodhje; ishte një provë për të kaluar rreziqet në dobi të njerëzve, për të shpëtuar ata që rrezikoheshin herë pas here. I kaluam të 300 kilometrat plot rreziqe , atje ku vorbulla e lumit të pamëshirshëm bëhej e tmerrshme në qindra raste.

E kishe menduar ndonjëherë këtë ndodhi të pazakontë?

Imagjinata ime nuk kishte arritur gjer atje,që unë dhe shoku im Xhon, një ditë do të ndërmerrnim këtë aventurë dhe do të tërhiqnim vëmëndjen e shumë njerëzve në ato vite. Që kur erdha me punë në vitin 1962, në Përmet, nuk e ndërpreva asnjëherë larjen në Vjosë, edhe gjatë janarit të acartë, edhe gjatë shkurtit me ngrica, edhe gjatë marsit të egërsuar e prillit me thëllime. Gjatë stinës së dimrit kur binin shumë shira, Vjosa vërshonte e gjëmonte si deti në shtërngatë. E megjithatë asnjë ditë nuk e ndërpreva notin. Ndodhte që të hidhesha në Vjosë edhe ngandonjë shpellë apo nga brinjët e thepisura të lumit. Pasi qëndroja ca me Vjosën, nisesha për në palestër të gjimnazit ku bëja stërvitje. Atje më prisnin peshat dhe shtanga ime e posaçme. Shtanga dhe librat    ishin e vetmja pasuri për mua. Ngrija rreth pesë ton pesha me shtangë çdo mbrëmje.

 Po me pjestarët e ekipit, punoje siç punoje dhe stërviteshe vet?

Në palestrën e gjimnazit në Përmet, fillova që të grumbulloja disa çuna si djalin tim Mikelin, Marcelin, Gligorin, Piron e Kananin, të cilëve u mësoja boksin dhe u bëja përgatitje fizike. Më vonë ata vazhduan studimet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” . Stërvita me dhjetra djem në not e në peshëngritje. Vetëm të dielave, së bashku me Fridën dilja tek lulishtja pranë hotelit, ku valonte klarineta e Laver Bariut, atje çlodhesha me tingujt e magjishëm të saj, aso kohe popullore,duke konsumuar edhe ndonjë birrë të ftohtë.

Si të lindi dëshira për t’u marrë me sport?

E kisha pasion që kur isha i vogël.Pak nga pak ,dashurova me shpirt atë dhe fillova që të merrja pjesë me nxënësit e tjerë në ato aktivitete që bëheshin atëherë në shkollë.Kur vazhdoja studimet për veteriner në Kamëz, u njoha edhe me Telat Agollin, që në atë kohë emri i tij ishte bërë i njohur në tërë Shqipërinë. I thashë se doja të merresha me shtanga e gjimnastikë. Mjeshtri, më pa me dashuri një copë herë dhe pastaj më këshilloi që të merresha me sport, dhe se ndihma e tij nuk do më mungonte. Dhe profesor Telatin nuk e zhgënjeva.  Jo që e ngrita që nga e para cirkun në Gjirokastër, por arritëm të ishim në vëndin e tretë në Shqipëri. U bëmë pjesë e estradës profesioniste duke argëtuar qytetarët me pjesët tona të bukura. Fillova punë për herë të parë në vitin 1962, në qytetin e Përmetit , në seksionin e bujqësisë në komitetin Ekzekutiv. Që atje fillon karriera ime në profesionin e veterinerit dhe në atë  të sportit.

Si u njohët dhe u dashuruat me Fridën?

Ishim studentë të dy. Frida binte në sy për bukurinë që kishte. U dashuruam me shikim të parë. E njoha vet, s’kisha pse të pyesja më tutje. Kur më transferuan në Gjirokastër, e mora dhe Fridën me vete. U strehuam në lagjen Palorto, ku atje lindëm dhe rritëm dhe të tre fëmijtë. Djemtë dhe vajzën e vetme që një ditë edhe ata morën rrugën e emigrimit ku vazhdojnë të qëndrojnë akoma. Unë me Fridën, edhe shokë jete, edhe bashkëpunëtorë në cirk. E kuptuan se vetëm me punë mund të arrije gjithçka edhe në Gjirokastër, paçka se kishte shumë vështirësi në atë kohë, edhe pse ishim larg metropolit. 

Në urën e Mifolit, përse ju arrestuan dhe ju çuan në Polici?

Po,e saktë. Sa kishim mbritur me trap në Urën e Mifolit. Atje na rrethuan shumë kureshtarë. Asnjeri prej tyre s’e dinte të vërtetën për ne. Pyesnin me habi njeri – tjetrin. Dyshimet sa vinin e shtoheshin. Nuk kaloi shumë kohë dhe gazi i policisë ndali para këmbëve tona. Na futën në gaz dhe na çuan në Degën e Punëve të Brëndshme në Fier. Njoftuan edhe Ministrinë. Na quajtën diversantë. Në polici na pyetën gjerë e gjatë, dhe pasi u bindën që ne ishim thjeshtë lundrues që kishim bërë udhëtimin me një trap gjatë gjithë gjatësisë së lumit Vjosa, nga Përmeti e gjer tek ura e Mifolit, na lanë të lirë. Për këtë pyetën dhe në Degën e Punëve të Brëndshme të Përmetit.

Na duhej të ktheheshim në shtëpitë tona, në Përmet, por me vete s’kishim asnjë kokërr leku. Vendosëm të zbërthenim trarët e drurit nga trapi i sajuar për lundrim. Ashtu bëmë. Trarët i shitëm tek kooperativa më e afërt. Me lekët që morëm paguam makinën që na solli në shtëpitë tona në qytetin e Përmetit. Një histori e tërë kjo,gazetar.

Faleminderit për intervistën!