Prof. Arben P. Cici: Im atë dhe Varrezat Franceze në Korçë

813
Sigal

“Ici réposent 640 soldats de l’Armée Française, morts pour leur patrie, 1916-1918” “Këtu prehen eshtrat e 640 ushtarëve të Ushtrisë Franceze rënë për atdheun e tyre”,- shkruhet në portën hyrëse të “Varrezave Franceze” në qytetin e Korçës. Kjo parcelë me varre mermeri, ku bie menjëherë në sy kujdesi dhe rregulli e vemendja e njeriut ndaj çdo detaji, është kthyer në një fragment kuptimplotë të historisë së përbashkët franko-shqiptare. Një pjesëzë toke shqiptare, e lidhur pazgjidhshmerisht me gjakun dhe mishin e Francës dhe ku, prej më shumë se një shekulli, rrezahet paqe e meditim, respekt e nderim, mirënjohje e përulësi dhe mbi të gjitha mësim për të ardhmen.

E kam vizituar që i vogël këtë copëzë fizike të historisë, i shoqëruar nga im atë. Për shkak të përkatësisë  së tij, dukshëm të thellë frankofone dhe frankofile, nga studimet e tij në Liceun Francez dhe më vonë në Lion, im atë tregonte, me të gjitha detajet dhe emocionin e pafshehur, historinë e dhimshme të këtyre bijve, që prehen në paqe larg familjeve dhe atdheut, për të cilin dhanë jetën. Ai nuk harronte asnjëherë të theksonte se kjo varrezë mermeri është një monument i patjetërsueshëm dhe i gjallë i historisë së marrëdhënieve, qartësisht të veçanta, mes qytetit të Korçës dhe Francës. “Historiantët përgjithësisht u thurin lavde fitimtarëve, ndërsa politikanët veçanërisht e përdorin historinë për interesin e tyre, por dëshmitë e gjalla, si kjo varrezë nuk mund as të tjetërsohen, as të përvetësohen e as të fshihen, nga askush”, më përsëriste im atë, Pandi Spiro Cici, kur fillonte fliste me pasion për këtë copëzë historie franko-shqiptare.

Kjo varrezë franceze u vendos në periferinë veriore të qytetit të Korçës, në drejtimin drejt Follorinës, përballë parkut të madh të quajtur më vonë Parku Rinia. Gjatë viteve të “Luftës së Madhe” (La Grande Guerre) dhe “Republikës Autonome” të Korçës francezët filluan të sillnin këtu trupat e ushtarëve të rënë në hapësirën ballkanike, si vend të përkohshëm prehjeje. Gradualisht ajo mori formën e një varreze të vërtetë. Pas vendimit të 20 majit 1920 për t’u larguar nga Korça, Komanda Ushtarake franceze, u përgatit edhe për të tërhequr trupat nga kjo varrezë. Sipas tim eti, paria e asaj kohe e Kazasë së Korçës dhe vetë qytetarët u kërkuan francezëvë të mos i largonin trupat e dëshmorëve të tyre nga ky vend. Vendimi për të plotësuar këtë dëshirë ishte shumë i vështirë. Megjithatë, për shkak të respektit, nderimit dhe përkujdesjes që qyteti i Korçës kishte treguar ndaj francezëvë në përgjithësi dhe ndaj këtyre varrezave në veçanti, përgjatë viteve të bashkëjetesës franko-shqiptare, Franca vendosi të lërë këtë varrezë të ushtarëve të saj në Korçë.  Autoritetet ushtarake franceze u larguan duke lënë pas jo vetëm këtë pjesë pikëlluese të trungut të tyre, por edhe një “Petit Paris”, me një Lice Francez dhe me një mjedis frankofil, si një copëzë të vogël bleu-blanc-rouge, dhe të vetmen të këtij lloji, në gjithë Ballkanin.  Korça është qyteti i vetëm në Ballkan, që i ka dhënë e po u jep strehë dhe përkujdesje ushtarëve francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore, më përsëriste shpesh im atë, duke shtuar se shqiptarët, por sidomos francezët, nuk duhet të harrojnë këtë fakt. Forcat ushtarake franceze që u larguan nga Korça, u kujdesën më vonë të sjellin edhe kryqet, për këto varreza, nga qyteti i Selanikut, duke përmbushur kështu shërbimin e fundit të tyre ndaj kësaj varreze në një dhé të huaj, por shumë miqësor e mikëpritës. Me kalimin e viteve hapësira mes qytetit dhe varrezave u mbush gradualisht. U ndërtua stadiumi i futbollit Skënderbeu, Shtëpia e Fëmijëve dhe Shkolla Pedagogjike “Petro Nini Luarasi” së bashku me konviktin. Më vonë u shtua, si për çudi, edhe një repart ushtarak që kishte murin e përbashkët me varrezat. Ajo rrugë nuk mbeti më e shkretë sepse, më tej varrezave, u ndërtuan disa ndërmarrje të mëdha të qytetit, si parku automobilistik, ndërmarrja gjeologjike, etj. U kthye në një nga rrugët e rrahuara të Korçës, veçanërisht në orët e ndërrimit të turneve të këtyre ndërmarrjeve. Çdo ditë, qindra vetë kalonin zhurmshëm, më pak në trotuarin e varrezave, më shumë në atë përballë, sidomos në mëngjes dhe në orën tre pasdite. Çuditërisht, përgjatë 30-40 metrave të gjatësisë së murit dhe kangjellave të varrezës, sikur ishte kthyer në një traditë të pashkruar, ulej zëri dhe ndoshta ecej me ngadalë e pa zhurmë. Kjo ishte edhe ndjesia ime. Dhe kështu më ndodhte vërtet. Kam kaluar, për gati gjashtë muajsh, çdo ditë vajtje-ardhje, pranë murit të varrezave, kur punoja, pas shkollës së mesme, në një ndërmarje në periferi të Korçës dhe përjetova këtë ndjesi. Një ndijim qetësie, respekti e përulësie përhapej brenda qënies sime. Më ndodhte të ndaloja pothuajse, në kohën e çeljes së karafilave, për të kënaqur syrin, me bukurinë e tyre dhe shijuar aromën e pakrahasueshme, të përzjerë me fladin e freskët që vinte nga Parku Rinia. Një vend shumë i veçantë ku dukej se ngjizej një komunikim shpirtëror, i heshtur e i vazhdueshëm, mes qytetarëve korçarë dhe shpirtrave të ushtarëve të vrarë, kujtimit, veprës dhe dëshmive të tyre për luftën dhe paqen, për vdekjen dhe jetën, për të keqen dhe të mirën. Një dialog që vazhdon ende sot.

Ndoshta kjo që më ndodhte mua u ndodhte të gjithëve?! Nuk e di. Por unë kisha dhe kam një arsye timen, megjithatë. Isha në klasën e parë, kur mësova që në qytetin tim kishte edhe varreza franceze. Një ditë të bukur e të freskët fund-shtatori im, atë po më priste tek dera metalike e shkollës Pedagogjike, ku fillova dhe mbarova filloren. Ai qëndroi shumë vite drejtor i kësaj shkolle. Asnjëherë nuk më takonte në shkollë. Shkonim e ktheheshim në shtëpi në orë të ndryshme. Ai po më priste me biçikletën e tij Diamant, ndërsa unë isha me shokët e mi, me të cilët kthehesha rrëmujshëm në shtëpi, nëpërmjet Parkut Rinia, duke vrapuar, duke u ngjitur në Belvedere e duke u kacavirur nëpër pemë ose rrëshqitur nëpër dëborë, gjatë ditëve të dimrit. Ndonëse shtëpinë e kisha jo më larg se njëqind metra nga Lëndina e Lotëve ose Radio Korça e vjetër, ndodhte të kthehesha atje edhe mbas një ose dy orëve rraskapitëse.  Im atë, pasi më përshëndeti, më tha ulët se do më tregonte diçka e u nis me bicikletën për dore. E njihja tim atë. Fliste qetë, tingëllueshëm e prerë dhe nuk i pëlqente të zgjaste e të vërtiste bisedën. Ishte i drejtpërdrejtë dhe shumë i drejtë. Impononte natyrshëm autoritet dhe respekt. Sytë thellësisht të kaltërt dhe shprehja e paqësore e fytyrës së tij të lehtësonin t’i kuptoje edhe më mirë gjendjen shpirtërore. Ndonëse pa shumë qejf e ndoqa sepse, duke njohur natyrën dhe karakterin e tim eti, kuptova që ishte diccka, në mos e rëndësishme, e pazakontë dhe interesante. Nga një anë biccikletën e tij Diamant dhe nga ana tjetër me dorën mbi kokën time, përshkruam, duke biseduar normalisht, distancën e shkurtër mes fundit të oborrit të shkollës Pedagogjike dhe “Varrezave Franceze”. Filloi të më fliste frëngjisht dhe të kthehej tek disa mësime të “Première Année”, teksti-metoda, me të cilën ai kishte filluar frëngjishten në Liceun Francez. Kishte nisur, prej ca kohësh, të më mësonte edhe mua frëngjishten, shoqëruar me revista vizatimore që i kishte sjellë nga Franca. Hapat u ngadalësuan sa u afruam tek fillimi i murit rrethues dhe kangjellave të shkurtra të “Varrezave Franceze”. Ishte hera e parë që vija në këtë vend. Por kurrsesi hera e fundit. U stepa që im atë po më çonte afër një varreze. Për një fëmijë, kjo fjalë ishte e veshur me frikë e tmerr dhe histori shpirtrash nga filmat, librat e gojëdhanat. Stepja u venit prej befasisë pozitive. Aroma tërheqëse e karafilave përkëdheli hundën, ndërsa sytë kënaqeshin prej larmisë dhe kujdesit të mbjelljes së tyre, pothuajse gjithandej. Ishte fund shtatori dhe normalisht duhet të ishin ditët e fundit të tyre, por nuk dukej kursesi ashtu. Pa frikë, ato dukej se ishin në kulmin e sezonit të tyre të lulëzimit. Si për të shtuar më tej kërshërinë time, im atë më tha se karafili, në gjuhën shkencore, quhet Dianthus. Në greqishten e vjetër kuptimi është Lulet e Perëndisë, nga Dios-Zot dhe Anthos-Lule, plotësoi ai  duke më parë drejtpërdrejt në sy. Ky është një vend i veçantë biri im, filloi të fliste im atë. Është një vend historik. Nuk është një varrezë si gjithë të tjerat. Në këtë vend prehen trupat e ushtarëve francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore, e cila shkaktoi rreth 20 milionë viktima, gati gjysma e tyre civilë e krejtësisht të pafajshëm. Kjo luftë e tmerrshme solli shumë mjerim, fatkeqësi e dhimbje dhe për më tepër, duke mos shëruar në thelb shkaqet e fillimit të saj e duke lënë të papërfunduara çështjet më kryesore, vetëm 20 vite më vonë, krijoi premisat për fillimin e Luftës së Dytë Botërore, edhe më e tmerrshme se e para.

Kjo parcelë toke është e përzjerë më gjak e lotë, me dhimbje, pikëllim, dëshpërim, mundim e vuajtje e shumë mall, andej e këndej. Këtu prehen ushtarët francezë që ranë dëshmorë, duke luftuar larg, shumë larg familjeve dhe atdheut të tyre. Ata ranë për flamurin bleu-blanc-rouge dhe luftuan me shpresën se një ditë do të ktheheshin pranë familjeve dhe të dashurve për t’u treguar, për së gjalli, se sa e bukur dhe e shtrenjtë është paqja e dashuria dhe sa e tmerrshme dhe e padrejtë është lufta dhe urrejtja, mbaj mend fjalët e tim eti. Kjo varrezë, në dukje jo shumë e rëndësishme, është një emblemë e vërtetë, e gdhendur jo vetëm në kujtesën e atyre që i kanë jetuar ato vite të vështira dhe në faqet e kronikanëve, por edhe në tokën shqiptare. Çdo vit që kalon, themelet dhe rrenjët e kësaj embleme shkojnë edhe më thellë në tokën shqiptare dhe, pyetjes sime, përse nuk i kanw varrosur në Francë ai, qetësisht, por bindshëm, iu përgjigj, sepse edhe këtu ata janë njësoj të respektuar dhe të nderuar si në vendin e tyre. Prehja e tyre këtu është një shenjë, dëshmi dhe provë e Korçës franceze dhe frankofonisë e frankofilisë së saj. Gjërat janë të lidhura, biri im, vazhdoi ai. Kjo parcelë i është dhuruar Francës nga korçarët, për të respektuar këta bij nënash që dhanë jetën larg familjeve të tyre, nënave, grave dhe fëmijwve që ata kaq shumë i kanë dashur. Falja e kësaj toke Francës, në atë kohë, është njëkohësisht edhe një xhest mirënjohjeje, ndaj rolit jetik të Francës në shpalljen dhe ruajtjen e “Republikës Autonome të Korçës” në kohët e vështira për këtë qytet dhe gjithë Shqipërinë, duket se përfundoi im atë tregimin e tij, atë ditë. Ktheu bicikletën Diamant në drejtimin nga kishim ardhur dhe qetësisht filloi të ecte duke e ditur se unë e ndiqja në krah, i çuditur, i befasur por edhe i lumtur, njësoj sikur të më kishte besuar një sekret të madh, pas një sprove të vështirë. Por sekreti nuk ishte i plotë. Jo shumë kohë më vonë isha vetëm me tim atë, në dhomën e ngrohtë të shtëpisë, të ulur në tavolinën e mesit, për të vazhduar orën e mësimit të frëngjishtes. Befas ai mbylli librin dhe më pyeti nëse më kujtohej historia e “Varrezave Franceze” dhe, pa pritur përgjigjen time, filloi historinë e tij, edhe më tërheqëse. Në 20-vjetorin e “Armëpushimit të Luftës së Madhe”, siç u quajt Lufta e Parë Botërore isha student në Lion, filloi im atë. Atë mëngjes të 11 nëntorit 1938, profesori i historisë së Mesjetës, njëkohësisht Dekan i Fakultetit të Letrave të Universitetit të Lionit, profesor Arthur Kleinclausz, hyn në auditor dhe na kujton, këtë ditë të rëndësishme në historinë botërore dhe atë të Francës. Ai foli gjatë për pasojat katastrofike, njerëzore, ekonomike, sociale, kombëtare dhe ndërkombëtare të LIB, por u ndal sidomos në rrezikun e fantazmave të luftës së papërfunduar, sicc e quajti ai, të cilat kishin filluar të lëvizin në qiellin e zymtë të Evropës. Sipas tim eti, profesor Kleinclausz, në vijim, shprehu pakënaqësinë e tij ndaj Marrëveshjes së Mynihut, të sapo-nënshkruar (30 shtator 1938) mes Hitlerit, Musolinit, Chambërlenit dhe Daladier dhe ishte shumë kritik ndaj Kryeministrit francez, që ishte bërë pjesë e këtij nënshkrimi, në një kohë që kishte filluar strategjia shfarosëse e hebrejve në Gjermani pas shkeljes së Traktatit të Versajës dhe Italia e Musolinit ishte larguan nga Lidhja e Kombeve.

Pasi Dekani Kleinclausz u kishte kërkuar studentëve të kursit të mbanin një minutë heshtje, në respekt të të rënëve të Francës gjatë LIB, ai i befasoi të gjithë duke shtuar se një varrezë e ushtarëve francezëve ndodhet në një vend të vogël të Evropës që quhet Shqipëri. Mes jush është një student nga ky vend, kishte shtuar çudinë e të gjithëve ai, duke përmendur emrin e tim eti dhe duke i kërkuar të ngrihej në këmbë. Ata ushtarë të varrosur atje, nuk mundën të kthehen pranë vatrave të tyre, por ata janë po aq të respektuar, të nderuar dhe të vlerësuar, sa ushtarët francezë në tokën franceze. Ne duhet t’i jemi mirënjohës këtij vendi të vogël, për këtë xhest të madh, kishte përfunduar ligjëratën profesor Kleinclausz, atë përvjetor të shënuar të historisë botërore, duke më bërë të ndihesha shumë, shumë krenar për vendin dhe për qytetin tim të dashur, përfundoi im atë rëfimin e sekretit të tij.  Kjo histori emocionuese plotësoi sekretin e tim eti dhe kujtimet e tij me këto varreza që nuk mund t’i mbante vetëm për vete. Ajo shtoi edhe më shumë kërshërinë dhe nxitjen time për të zbuluar më shumë, për këto varreza dhe historinë e tyre të dhimshme. Nuk e di, nëse im atë arriti, sa ishte gjallë, të vinte një tufë lule në nder të këtij “batalioni” të rënësh për flamurin francez por, sa herë që unë shkoj atje, jam unë dhe im atë, im atë dhe unë, të pandarë, në nderim të këtij monumenti historik, dhe ndjej shumë emocione dhe krenari. Shumë emocione për historinë e dhimshme të çdo ushtari të shtrirë atje dhe të mallit të paçmallur të tyre dhe të familjeve. Krenari për tim atë, për familjen dhe prejardhjen time, për qytetin tim. Krenari për kujdesin, respektin, vëmëndjen dhe qytetarinë e treguar, në vazhdimësi, për të mos i lënë të vetmuar këta ushtarë dhe për marrëdhënien e privilegjuar që Korça ka me Francën, gjuhën, kulturën, letërsinë dhe civilizimin francez, pjesë e të cilës është bërë edhe “le Petit Paris”. Edhe këtë 11 nëntor, unë dhe im atë, im atë dhe unë, të pandarë, do të shkoj të vendos lule në këtë varrezë simbol. Pastaj do të shkoj tek im atë për të folur me të, ndonëse e di se historitë më të bukura m’i ka treguar sa ishte gjallë.