Bashkim Koçi: Demir Zyko ose kurora e polifonisë toske “Artist i Popullit”, (1911-1992)

35
Sigal

Nga Bashkim Koçi

Bashkim Koçi


Kanë qenë vite fatlumë, ndoshta nga më mbresëlënësit të jetës sime, kur punoja në zonën e thellë të Tomorricës, në Skrapar në 12 maj të vitit 1911. Nuk di pse, që edhe pas katër dekadash, mendja më shkon shpesh në ato anë, duke “më gjezdisur” fshat më fshat të asaj lugine fantastike me kontraste të çuditshme. Por, për të gjitha herët që “shkoj” në Tomorricë, me mendje e me zemër, sepse më shfaqet, ashtu si në mugëtirë, aty në sheshin përpara shkollës së Gjerbësit, silueta e këngëtarit të madh, “Artisti i Popullit” Demir Zyko. Nuk di pse, por kjo është shumë e vërtetë. Unë them që e gjitha kjo çka po e tregoj si të ishte ëndërr, më ka mbetur fiksim ngaqë në atë shesh, të ulur në një gur-“karrige”, kam takuar për herë të parë xha Demirin, atë që është dhe do të mbetet kurorë për këngën toske.

  

Demir Zykos në ato mote sapo i ish dëgjuar emri që këndonte bukur, që, ashtu siç thotë edhe kënga “…ndalte dielli ta dëgjonte”. Madje zëri i tij, këngët me të cilat u jepte zjarr ahengjeve dhe gëzimeve familjare, kishte për herë të parë pati si “salla shfaqjeje” pllajat ku kulloste bagëtitë, arat ku punonte në punë të rëndomta bujqësore dhe odat e familjeve të Gjerbësit, sa herë që e thërrisnin për të kënduar me “oi”, ashtu siç ua kërkonte zemra miqve dhe e të zotit të shtëpisë.

Por Plaku i Këngës shumë shpejt, rrufeshëm, do ta zgjeronte e shumëfishonte “gjeografinë” nga ku zëri i tij, më pas, u bë pjesë e festivaleve lokalë e atyre kombëtare. Eshtë një rast i veçantë, në mos i vetmi, ku një këngëtar popullor si DemirZyko, të bënte që shumë studiues seriozë të folklorit të gjendeshin të papërgatitur për të shpjeguar fenomenin “DemirZyko”. Ai, për hir të së vërtetës, i la studiuesit “gojëhapur”, i shushati si t’u kish bërë magji, duke iu hapur punë të madhe në aspektin për të gërmuar e për të gjetur “muret shekullorë” të konservatorit origjinal të këtij këngëtari të dalë nga gjiri i popullit. Mua, autorin e këtyre radhëve, më vuri në mendim thënia e studiuesit Shaban Sinani, sipas të cilit Polifonia e Demir Zykos është një “argument i rrezikshëm” për të gjithë ata që janë mbajtur e mbahen se polifonia shqiptare, mund të jetë një mbizhvillim i mbështetur në polifoninë bizantine kishtare”. Ndoshta nuk kemi informacionin e duhur rreth punës që mund të jetë bërë për të shpjeguar me baza shkencore fenomenin “Demir Zyko”, por sido e sado që të jetë bërë, kam mendimin se kërkimet për të shpjeguar fuqinë e papërmbajtur të ligjërimit të këtij këngëtari virtuoz, janë ende në sipërfaqe, ashtu si për punën gjysmake që është bërë për paraardhësit tanë të moçëm.

Një këngëtar i pashembullt si Demir Zyko, i cili na solli ligjërime të pastra dhe më burimore të polifonisë toske të Skraparit, duhet të ketë vepruar si reja mbi det, që pi ujë të njelmët dhe lëshon shiun me ujë të ëmbël. Këngët e repertorit të tij na vijnë si të konservuara, si të nxjerra nga defterë të ruajtur me kujdes nga e shkuara e largët, nga shekujt, por që xha Demiri i këndoi si të ishte vetë burimi nga kanë dalë.

Kënga e xha Demirit, siç e dimë të gjithë, ka pushtuar radio, televizione, faqe gazetash e librash, e kërkuar nga qindra e mijëra artdashës brenda vendit e në mbarë botën. Në këtë këndvështrim na duhet të dëshmojmë se nuk është Demir Zyko që ka kërkuar të bëhet njëri me famë, por fama i ka caktuar një vend të lakmuar. Fare pa dashje, si një “njeri i Zotit”, zëri dhe kënga ia sollën lavdinë si të ishte fshehur e ruajtur vetëm për të. E ku ta dinte bariu që ruante një tufë dele se një ditë këngët e tij të dashura, që i këndonte në qejf të tij ku dhe si t’ia sillte rasti; tek Lisi i Fejziut, vendi nga ku nënat nisnin djemtë nizamë, apo tek Shkëmbi i Tundur, ku ruante bagëtitë; në ahengje e gosti apo kur ia kërkonin një këngë për “të ndezur dasmën”, me përmbajtje që të shponin shpirtin, drithëruese, do ta bënin e jepnin kurorën e polifonisë toske?

Sigurisht ajo që lartësoi këngëtarin e madh është Ura e Qabesë, këngë që Ismail Kadare e quajti Perandoria e Katërt, pas asaj romake, bizantine dhe otomane. Me një ndryshim të madh: është Perandoria që përcjell mesazhe miqësie për të gjithë popujt. Ura e Qabesë është këngë-kujë dhe, çuditërisht, ka dymbëdhjetë rreshta si të ishin dymbëdhjetë apostuj.

Ura e Qabesë është një volum në aq pak fjalë, është oqean në një pikë loti, janë shekuj të sjellë për disa minuta vetëm duke e dëgjuar nga zëri i të paarririt Demir Zyko. Vetëm nga ai, sepse është i vetëm, pa një të dytë, që ka arritur të jetë këngëtari më i shquar i iso-polifonisë të sintetizuar magjishëm tek kjo këngë për ushtarin nizam.

Demir Zyko tashmë është bërë “mish e thua” me këngën skraparase, është bërë simboli i bukurisë të zërit njerëzor, magjia që arriti të krahasohet me këngëtarin e rrallë të natyrës, bilbilin. Këngët e kënduara nga ai janë bërë shërim për mijëra zemra të lënduara nga plagët e kurbetit, janë melhem ngushëllues për qindra e qindra nëna, të cilave, ashtu si para shumë shekujsh, kur djemtë niseshin nizamë e nuk ktheheshin kurrë, u kanë mbetur fëmijët “Përtej Urës së Qabesë” me shpresën se një ditë do të kthehen pranë vatrave të tyre.

Duhet dashuruar, duhet urryer, duhet luftuar, duhet që njeriu të vlojë përbrenda. Pa këtë bota do të ishte një kotësi. Këngët e Demir Zykos i kanë të gjitha: dashurinë, vuajtjet, shpresën, luftën, të gjitha çka njeriu përjeton e përpiqet për ta bërë jetën ashtu si ia ka falur zoti. Repertori i këngëve të kënduara nga zëri i magjishëm i xha Demirit është i veçantë, interpretim origjinal, “një tingull që buron nga kroi”, siç do ta vlerësonte këngëtarja, po kaq brilante, Eli Fara, për këngën që xha Demiri këndoi në festivalin Kombëtar në qytetin e Lezhës në vitin 1973. Kanë shkruar studiues e gazetarë të ndryshëm, kanë bërë vlerësime specialistë nga më kompetentë të fushës së folklorit, kanë dhënë opinionet e tyre figura nga më të shquarat të vendit si Dritëro Agolli e Ismail Kadare, por përsëri e përsëri Demir Zyko mbetet ende i “virgjër”, ligjëruesi më enigmatik i këngës të polifonisë toskërishte, asaj të Skraparit. Ura e Qabesë është ndoshta ajo që mban e përcjell përmasat e gjëra të brendshme të një populli si ky i yni.

Galaktika e këngëve të këtij artisti brilant është e pazakontë, të çudit. Janë që të gjitha të tijat, prona të certifikuara falë dhuntisë që ka ditur të përzgjedhë ato këngë që mund t’i përballonte vetëm ai zë, ai që nxirrte nga shpirti një këngëtar e interpretues si ai, që “ndalej dielli ta dëgjonte”. Jo vetëm “Mbeçë, more shokë, mbeçë”, “Një mëngjes, me natë u ngriçë”, “Më rrite nëne, më rrite”, “Shtira sytë në atë mal”, “Moj syzezë, symëshqerrë” etj, etj, por i gjithë repertori prej më shumë se njëqind këngësh, DemirZyko arriti t’i ngjiste në podiumet e polifonisë toske, ato skraparase.

E veçanta e DemirZykos ishte varësia nga kënga. Ai e dashuronte tmerrësisht këngën. Kur ndjehej i trishtuar i hidhte sytë tek “ku mërzen cjapi me zile”, tek vargjet e meloditë, të cilat i jepnin forcë jo vetëm për të mundur hallet e dertet, por edhe ku mund të gjente forcë, të gjente pakëz buzëqeshje. Nëse atij mund t’i hiqje nga zemra dashurinë për këngën nuk kishe bërë gjë tjetër, por i kishe hequr kënaqësinë për të jetuar.

Për nga zakonet ai ishte pus, pus i thellë. Nuk kishte mundësi t’i nxirrje, qoftë edhe një gjë të vogël, nga ato që dikujt i dukej pa rëndësi. Pra nuk hapej dhe, për të të sajuar “bllokadën” në vazhdim të një muhabeti të nisur, qëndronte i ngrysur. Ndihmësve të tij xha Demiri ua “pëlciste buzën”, u kërkonte të pamundurën për mbajtjen apo ison gjatë interpretimit të këngës. “Mirë, mirë, por duhet më…”, u thoshte Medi Kushes, Neshat Hebibasit e Agim Carkanjit, duke ua lënë shtegun të hapur për punë e seriozitet të vazhdueshëm në interpretimin e këngës.

Ndoshta kanë pasur të drejtë që e kanë vënë këngën, ashtu si dashurinë, nëpër libra. Ato, pra kënga dhe dashuria, nuk mund të jetojë askund tjetër. Sepse një këngë është histori për shpirtin dhe se në fund të fundit, po kënga, është forma më e fortë e magjisë. “Artisti i Popullit” Demir Zyko na e ka lënë këtë pasuri tek këngët që na përcolli në vite: historinë e shpirtit dhe forcën e magjisë së këngës. Shumë prej tyre janë sfiduese dhe frymëzuese, janë optimiste dhe që u rezistuan kohërave për t’i bërë të vlefshme për brezat. Kanë kaluar plot 27 vjet (ai vdiq në 2.07.1992) nga dita që ai është larguar nga kjo botë. Po, ka vdekur vërtet Demir Zyko? Kjo pyetje është disi abstrakte, e pakuptimtë nëse kemi pranuar që shpirti i këtij këngëtari zëbilbil jeton në këngët që dëgjojmë përditë, në mijëra e mijëra kërkesa në You Tube, të cilat na e ngjallin, na e sjellin në jetë Demir Zykon. Ashtu si e përdori jetën ky njeri i thjeshtë nga fshati i thellë i Tomorricës, Gjerbësi, i cili diti të përcjellë për kohërat, këto që jemi e ato që do të vijnë më pas, trashëgiminë më të çmuar të polifonisë skraparase dhe asaj toske në tërësi, do të mbetet i pavdekshëm, hyjnor. Shkrimtari i madh dhe miku i Demir Zykos, DriteroAgolli e la që në gjallje që ai e meritonte të mbetej në këngë. Sot Plakun e Këngës e gjejmë në këngë e në libra. I kanë realizuar djemtë e asaj krahine. Një ndër ta, Dule Malindi, këngëtari virtuoz i kohës, i ditëve të sotme për këngën polifonike toskërishte, është nxënës i denjë i shkollës dhe traditës që ai la.

Përjetë mirënjohës këtij artisti të madh!

Kanë thënë për Demir Zykon.

Ismail Kadare.

“Është një enciklopedi e tërë dhimbjeje, që kurorëzohet me këngën e Urës së Qabesë, pa dyshim më të bukurën e këngëve të nizamëve dhe një nga margaritarët e rrallë, jo vetëm të poezisë sonë, por të poezisë popullore botërore në përgjithësi.

DritëroAgolli

“Demiri këndoi dhe i mban iso një popull i tërë. Këtu qëndron madhështia e tij, që i përvetësojnë brezat, si energjia elektrike në fill të telit. Kjo u intereson njerëzve. Është një kënaqësi e zërit të bukur dhe një dhimbje ndaj tij. Kënga e Demirit shkon larg tek refugjatët, atje jashtë njëqind herë shumëfishohet, bëhet më e madhe seç është këtu. Këtu qëndron bukuria e këtij njeriu. Një Demir bëhet mijëra Demirë.

Xhevahir Spahiu

Kur e shihje duke kënduar, të shfaqej përpara një bukuri e harmonizuar, diçka vërtet e madhërishme. Jo më kot, në festivalet kombëtare të Gjirokastrës, piktorët e skiconin. Dhe, vërtet, Demiri i dha këngës shpirt e trup. Do të ishte privilegj i veçantë për këdo që do të dëgjonte aq pranë atë zë magjik.

Prof. Shaban Sinani

Demir Zykua i bëri polifonisë toske të njëjtin shërbim që i bëri mjeshtri himariot Nestor Muka polifonisë së Bregdetit në vitet 1920. Në ligjërimin e Demir Zykos polifonia toske u shëmbëllye në formë të përkryer spektakolare.

Njeriun nuk e nderojnë titujt. Përkundrazi, njeriu nderon titujt, gjë të cilën mund ta themi me plot gojën për “Artistin e Popullit”, Demir Këngën e Skraparit.

 

Engjëll Musai

Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore Tomorri

Ndodh rrallë në jetën e njërzve që të shënosh emrin tënd në personalitete dhe vlera të rralla që i lindikoha dhe mbeten të përjetshëm në historinë e një kombi. I tillë është edhe momenti kur Presidentit të Republikës z.Ilir Meta ,ju propropozua nderimi i Demir Zykos në përvjetorin e këngës së paharrirë në orgjinalitetin e saj `Mbeccë more shokë mbeccë` . Një këngë shpirti dhe shprese,  e shoqëruar edhe me këngët e tjera të dashurisë për Malin e Tomorrit, lavdia e të cilit ka mbi shpinë fëshfërimën e ajrit, ngjyrat e ylberit, bardhësinë e borës dhe madhështinë e çukës së Tomorrit, e cila ndriccon ngado që ta shikosh dhe kudo që  të jeshë në det dhe në fushë , në kodra e bregore. Përvjetori i nderimit të Demir Zykos me titullin e Artist i Popullit, është edhe një kujtesë për këngët e shpirtit të Skraparit, trevës së saj, baba Tomorrit, për një popull që i këndonte, dhe miliona shqiptarë që e dëgjonin  dhe i dëgjojnë vargjet dhe zëri i së cilit të jepë forcë, zemër, kulturë dhe shpresë për të ardhmen e jetës.

Nuri Cuni

Mësues, Historian, Arkeolog

Ulur në një gur…

Demir Zyko lindi në fshatin Gjerbës të Skraparit më 19 maj 1911 e kaloi nga jeta më 2 korrik 1992. Ai u rrit në gurët e Gjerbësit në rrëzë të malit Tomorr, ku ai ngjitej me familjen e tij në ditët e pelegrinazhit të Tomorit, dhe ashtu në atë rrugë gjarpërushe nga Gjerbësi në Gradec dhe Ujanikë, te teqeja e dervish Iljasit në monopatin shkëmborë duke vërshëllyer dhe ndonjë këngë të thjeshtë që e dëgjontë nga prindërit e tij, por më shumë nga gjyshi që kishte zë kumbues. Në Çukën e Abaz Aliut u ndjeu erën e fortë të Tomorrit dhe era fërshëlluese e bënte atë të ndjente dhe thellë në shpirt, ashpërsinë e erës së acart, stoçen. Rrethinat e Tomorrit dëgjonin oshtimën e erës, jehonën e saj edhe në honë poshtë te lumi i Tomorricës afër teqesë së Brerimës zbutej era ledhaton pemët dhe ashtu kthehet në një flladë që të jep kënaqësinë e shpirtit. Por atje në majën e Tomorrit në jug dhe veri është çudi, që takon qiellin, e di ai që e njeh Tomorrin kur është i vogël dhe deri sa plaket.