-Kënga labe është Lefter Çipa dhe këngëtarët Meliha Doda, Reshat Osmani, Kostandin Thana me Themistokli Mone.
-Impresione-
Nga: Naxhi Kasoruho Mjeshtër i Madh”
Poeti i këngës së re
Ulet flamuri në gjunjë!
Lutet- Poet hape dheun,
mbi supe do të marrë unë,
siç më mbajte sipër kreut.
O poet i këngës së re!
-Mos lotoni o të gjorë,
na thua me përmallim,
se unë rroj tek këngë e bardhë,
në zemër të kombit tim.
Pse mbërdhin kjo flakë zjarri?
I ka ik Zeusi Çikës,
ku flitet gjuhë e shqiptarit,
rron dhe këngë e Lefter Çipës.
O poet i këngës së re!
jemi vajza polifon.
Këngën që e njohu bota,
Lefter Çipës përgjithmonë,
do t’ja këndojmë te koka!
O ju male, dete, lisa!
Lumenj që nuk flini gjumë.
Na mungon sot Lefter Çipa,
ka vajtur e puth flamurë.
O poet i zemrave!
Nënë e kohës Shqipëria,
Nëpër djepe kërkon tya.
Ngrehu poet nga qetësia
princin do polifonia.
Shkoni breza merrni dritë
nga dheu ku flet poeti.
Këngë ta doni si sytë!
Atdheu është amaneti!
Këto janë fjalët e këngës “Poeti i këngës së re”, që Kristo Çipa, këngëtari popullor i Pilurit “Mjeshtër i Madh” ia ka kushtuar Lefter Çipës, Princi i polifonisë “Nderi i Kombit” që grupi polifonik “Bejkë e bardhë“ e interpretoi me tërë pasionin e shpirtit në Koncertin Madhështor me titull : “Këngët e Atdheut tim”, organizuar nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore më 29 prill 2024 në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Këngëtarët: Persa Miha marrëse, Dhimitraq Bala kthyes, Eleni Mërkuri hedhëse, Valentina Gërdhuqi kthyese me zë koke dhe në fyell Milto Gjiçali sollën një perlë të melodive brilante të këngës polifonike të Bregut si një homazh kujtimi e mirënjohje për Lefter Çipën e madh.
Poeti i këngës së re
Ulet flamuri në gjunjë!
Lutet- Poet hape dheun
mbi supe do të marrë unë,
siç më mbajte sipër kreut.
Lefter Çipa erdhi në poezinë shqipe jo si një meteor kalimtar dhe i përkohshëm, por si një trup qiellor i shndritshëm dhe i përhershëm duke e vendosur atë në panteonin e njerëzve të shquar të kombit, prandaj dhe polifonët e Bregut i këndojnë princit të tyre.
Pse mbërdhin kjo flakë e zjarrit?
I ka ik Zyesi Çikës.
Ku flitet gjuhë e shqiptarit
rron dhe këngë e Lefter Çipës.
Kur flitet për Lefter Çipën duhet të themi se pena e tij e artë u ngjye në nektarin e poezisë popullore dhe trashëgimisë të rilindasve të shquar qysh kur ishte djalë i ri në vitet 60-të dhe shkruante vargjet e këngëve të trios së mirënjohur të qytetit të Vlorës me këngëtarët: Meliha Doda, Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe me udhëheqës artistik Themistokli Mone.
Nuk di nëse ndonjëri në atë kohë e ka menduar se Lefteri do të vinte në këtë majë, të kijimtarisë së tij si “Zuesi i Çikës”, por me siguri që duke parë suksesin e jashtëzakonshëm, që patën këngëtarët e tij dhe triua e mrekullueshme me tërë bukurinë e saj krijuan këngën qytetare vlonjate të veçantë, të papërsëritshme dhe vlerë e kontribut në këngën shqiptare.
Tekstet e Lefter Çipës janë margaritarë në poezinë tonë. Ai ka gdhendur në to dertet e shpirtit e dashurinë e pakufishme për popullin dhe Atdheun që i donte deri në adhurim, prandaj dhe poeti i këndon këngën:
Nënë e kohës Shqipëria,
nëpër djepe kërkon tya.
Ngrehu poet nga qetësia
Princin do polifonia.
Me rolin e udhëheqësit artistik të grupeve popullore që përfaqësonin rrethin e Gjirokastrës në Kalanë e Festivalit kam patur fatin të jem për dekada pranë këngëtarëve popullorë dhe t’i njoh deri në imtësi: Motivet, strukturat e grupeve, kontrastet me treva etno-muzikore mes polifonëve korifej, që bënin të buçisnin bedenat e kalasë historike të qytetit të gurtë si dhe valltarë virtuozë që fluturonin në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar, duke emocionuar publikun në sheshin e kalasë.
Aty në skenën madhështore të festivalit të Gjirokastrës në panteonin e kulturës tonë kombëtare i kam parë dhe ndjekur me emocion grupet polifonike të Bregut të përgatitura nga drejtuesi artistik i tyre, Lefter Çipa që ishin të shndërritshëm në gjerdanin e artë të trashëgimisë tonë folklorike si befasi e rrallë, prandaj i thuhet Lefter Çipës: “Ngrehu poet nga qetësia/ Princin do polifonia.”
Kur dëgjoj këngët e Bregut këtë polifoni brilante dhe kontraktuese me atë të trevave të tjera ku kultivohet polifonia, vëreja një ndikim pozitiv dhe të dukshëm të tekstit të këngës dhe variantit melodik. Tekstet e Lefter Çipës i kanë dhënë këtyre këngëve një atmosferë vallëzuese në lëvizje të vazhdueshme të melodisë së pandërprerë si një perpoto-mobile dhe kur i dëgjon këto këngë përfshihen në ato motive që të përcjell polifonia me ison që duket si një shtëllungë gjigande reje të bardhë në qiell që lëviz ngadalë e të mbështjell pastaj befasohesh se si mbaroi kënga.
Lefter Çipa është mjeshtër i vargut dhe ndoshta është i vetmi poet që këngët e tij të shumta janë tashmë në memorien e popullit dhe në fondin e artë të kulturës tonë kombëtare.
Për Lefter Çipën polifonët gjithmonë do të thurrin vargje dhe ai do të jetë i përhershëm në këngët e tyre si profesori që i përgatiti me pasion dhe i ndoqi me vëmëndje në rrugëtimin e tyre të gjatë e të suksesshëm prandaj i këndojnë:
-Mos lotoni o të gjorë!
Na thua me përmallim,
se unë rroj tek këngë e bardhë,
në zemër të kombit tim.
Djem e vajza polifonë;
këngën që e njohu bota,
Lefter Çipës përgjithmonë,
do t’ja këndojmë te koka!
Dhe së fundi kjo këngë rapsodie për Lefter Çipën përfundon me vargjet:
Shkoni breza merrni dritë!
Nga dheu ku flet poeti.
këngë ta doni si sytë!
Atdheu është amaneti!
Lefter Çipa edhe nga qielli na drejtohet me mesazhin “Atdheu është amaneti!
CODA
Dritëroi i Madh në poezinë e tij i drejtohet lexuesit me fjalët:
“Po kur të jesh mërzitur shumë,
në mes të librave kërko!
Aty i fshehur do të jem unë,
në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.”
Tashmë edhe Lefter Çipa është larguar lart në qiell duke u kthyer në të përjetshëm prandaj ne tokësorët kur të rrimë në divane në dhomën tonë për ta kujtuar e ta kemi pranë le të marrim në raftin e bibliotekës së tij dhe ta lexojmë, të hapim manjetofonin e të dëgjojmë këngët e tij polifonike kënduar nga polifonët virtuozë të Bregut, duke u emocionuar nga ato melodi të bukura e brilante dhe fjalët magjike nga kënga “Bejkë e bardhë“ tek kënga “Këngët e Atdheut tim” e me siguri do të thoni:
“Mos t’u harroftë kurrë kënga o Lefter Çipa i Bregut”.
Dhe kështu ka për të ndodhur.




















