Jani Ristani, ikona e Fotografisë Shqiptare

1484
Sigal

Gazeta Telegraf/

Fotografia e pare që beri ishte”Mis Turqia” e botuar ne
gazetën “Xhumborjet” ne 1931

-ka realizuar fotografinë e
bukur
të udhëheqësit të
madh Ataturkut, në stacionin hekurudhor “Hajdar Pasha”

– në vitin, 1936 hapi ne Bulevardin Zogu I , te paren
studio fotografike

– Është për tu lavdëruar për punën plot pasion të bërë në
fotografitë ne “Luftën për çlirimin e Tiranes” që janë një thesar i çmuar

Ilia Terpini

                                                
                            Kineast “Mjeshtër i
Madh”

 

Kam shkruar për dy fotografë të dëgjuar si Marubi dhe Kristaq Sotiri, në Shkodër
dhe Korçë, por do ishte e gabuar të lija pa përmendur ikonën e fotografisë shqiptare,
Jani Ristani. E kam njohur që në hapat e para të miat si fotograf dhe më vonë
si kineast. Jam këshilluar, kam marrë mendime për fotografinë që bëja dhe mund
të them me plot gojën, që kam qenë një nxënës i tij. Hapat e para të mia i mora
kur vazhdoja shkollën e mesme në Korçë, ku me rekomandimin e profesorit të
vizatimit Vangjush Tushi, mua dhe shokut tim Andonaq Lubonja, meqë na pa se
ishim të mirë në vizatim na rekomandoi që të vazhdonim kursin e vizatimit që
drejtonte piktori i njohur Vangjush Mio. Gjatë katër viteve ne mësuam kompozimin
dhe dritëhijet, të cilat më vonë do të na ndihmonin shumë, sidomos mua që u dhashë
pas fotografisë. Kur fillova të bëja fotografi artistike unë shpesh këshillohesha
me të madhin Jani Ristani dhe mikun e tij, Pirro Naçe. Ai më ndihmoi shumë për
të ecur më tej drejt artit të fotografisë. Jani Ristani, i lindur në fshatin
Lliar në Krahinën e Zagorisë, pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin fqinj
Zhei, shkoi pranë babait, i cili ishte në kurbet në Stamboll. Gjyshi i tij dhe
babai kishin një dyqan prej disa vitesh në Stamboll, por Janin nuk e tërhoqi ky
zanat. Ai që në fëmijëri kishte tjetër dëshirë, prandaj ndoqi rrugën e artit të
fotografisë. Me përkujdesjen e të atit ai u fut si nxënës në studion
fotografike të Niko Uzurit. Që në atë moment aparatin fotografik nuk e ndau nga
krahu. Ai me insistim kërkonte të mësonte sekretin e artit fotografik. Me iniciativën
e tij dhe me ndihmën e ustait, i cili, si mësoi talentin e Janit, e ndihmoi atë
me shpirt që të hape studion e tij fotografike.

Fotografitë magjike të kohës

Jani filloi të punojë me zell të madh. Fotografia e parë që bëri ishte “Mis
Turqia” e botuar në gazetën “Xhumhurrjet” në vitin 1931. Kjo fotografi i dha
kurajë për të ecur më tej. Kënaqësinë e dytë e mori kur iu dha medaljoni, të
cilin ia vunë në gjoks, krahas fotografëve me eksperiencë gjatë kremtimit të 10-
vjetorit të Republikës së Turqisë (tetor 1933). Por krenarinë e emrit shqiptar
e mori në Konsullatën Shqiptare në Stamboll në 1931, ku bëri fotografinë e parë
të botuar në shtypin shqiptar (gazeta Demokracia 1933) Gjirokastër. Kështu,
Jani me kurajën që mori me këto foto filloi të fotografojë portrete, peizazhe,
ngjarje të kohës, drejtues të lartë të vendit, acarin e atyre viteve në
Stamboll, deri në fotografinë e udhëheqësit të madh Turk , Ataturkut, në
stacionin hekurudhor “Hajdar Pasha”.

Kthimi në Shqipëri

Në vitin 1934 Jani kthehet ne Shqipëri me një përvojë të pasur për artin e fotografisë.
Në Shqipëri Jani njihet me Poliksenin, e cila kishte ardhur nga Kanadaja që u bë
bashkëshortja e tij dhe jetuan bashkë për 64 vjet, 1937 – 2001. Jani asnjëherë
nuk e pushoi pasionin për fotografinë. Kështu, në vitin, 1936 hapi në Bulevardin
Zogu I , të parën studio fotografike në fillim vetë dhe më vonë me ish- nxënësit
e tij Filip Vito, Vasil Ristani, Mihal Carka. Ky i fundit me eksperiencën që
mori u bë përgjegjës i laboratorit kur u hap Kinostudio “Shqipëria e Re”. Kështu
nisi veprimtaria e fotografit profesionist Jani Ristani në Shqipëri. Është për
t’u lëvduar puna plot pasion e bërë në fotografitë e albumit “Lufta për çlirimin
e Tiranës” që janë një thesar i çmuar në historinë e vendit. Këto fotografi janë
botuar dhe në shtypin Anglez duke treguar heroizmin e kësaj lufte. Ky ishte një
vlerësim për Janin,Vasilin dhe Filipin nga të huajt. Mjafton të kujtojmë fotot
për Çamërinë dhe popullin çam të dëbuar dhunshëm në atë kohe. Jani kishte bashkëpunim
me organet e kohës, si në “Java”, “Diana”, “Donika”, “Kalendari Kombëtar” etj.
Jani u bë mik i ngushtë i gazetës “Drita” me drejtor Jani Xoxe, si fotograf
profesionist. Jani ishte kryesori në martesën e Mbretit Zogu I me Geraldinën.
Fotot e Janit janë një pasuri e madhe për vendin tonë. Sjellja e eshtrave të
Naim Frashërit, manifestimi madhështor në atdhe, në fushën e Pallateve Shallvare,
në mbylljen e vitit shkollor, hyrja e qeverisë demokratike në Tiranë,
parakalimi më 28 nëntor 1944, albumi “Epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare
e Popullit Shqiptar” 1980. Megjithëse kishte një veprimtari të ngjeshur Jani asnjëherë
nuk harroi për t’u pajisur me literaturën e kohës, duke patur kontakt me botën për
artin e fotografisë, për të renë. Shumë të rinj që kishin mbaruar studimet jashtë
shtetit ishin miqtë më të mirë të Janit. Ata bisedonin, komentonin fotot e bëra
nga Jani, vlerësimin e portretit, fotot artistike. Shumë nga këto foto me njerëz
të thjeshtë, atdhetarë, intelektualë, i vendosën nëpër faqet e shtypit, në
libra, si fotot e Ilia Dilo Sheperi 1934, Mithat Frashëri, Jani Poco, Alqi Kondi,
Mandi Koci, Lola Gjoka, Marie Kraja, Sterio Spasse, Mihal Kopi, Tefta Tashko Koço,
Mitrush Kuteli, Haki Stërmilhi e shumë të tjerë. Epopeja e Luftës, Turneu i
princeshave ne qytetet jugore 1937, etj., janë 
një pasuri e madhe me vlera për historinë. Marrëdhëniet e Janit me kolegët
si Marubin ose Kristaq Sotirin, mjeshtrin e portretit shqiptar, shkëmbimet e eksperiencës
me njeri-tjetrin e bëjnë kontributin e tij të pavdekshëm.

Mbyllja e studios “Ristani”

Mbyllja e studios “Ristani” mbasi nuk lejohej të punoje privat, nuk ia uli
tempin e artit të fotografisë, megjithëse u ndodh në një vështirësi ekonomike.
Por mbasi e mendoi mirë, ai zgjodhi Ministrinë Botore (Ministrinë e Ndërtimit)
ku i krijohej mundësia të shkonte në të gjithë Shqipërinë për të fotografuar. Kështu
ai pati mundësi të bjerë në kontakt me gjithë peizazhet e bukura të vendit nga
veriu në jug. Duke mos patur aparatin e duhur në ministrinë ku u punësua Jani,
mori aparatet e tij personale, si aparatin “Lajka” për fotografim, aparatin e
stampimit dhe gjithë pajisjet e tjera që duheshin me një cilësi shumë të mirë.
Gjatë kësaj kohe ka hapur dhe ekspozitën e parë, e cila u vlerësua shumë mbasi
pasqyronte me saktësi ritmin e punës ndërtimore në vend. Fotot e ekspozuara
ishin pasqyruar artistikisht me nivel të lartë, kështu që udhëheqësit e asaj
kohe porositën që Janit t’i plotësohej çdo kërkesë për aparaturën, për
laboratorin fotografik. Me aparatin e tij ai fiksoi gjithë vizitat e udhëheqësve
të lartë që vizitonin Shqipërinë. Jani më vonë kaloi nga Ministria e Ndërtimit
në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Drejtorinë e dytë deri sa doli në
pension në vitin 1975. Ekspozita e parë në 1948-n i hapi Janit rrugë të reja. Më
vonë u pasua me shumë ekspozita vetjake, të cilat ishin vepra arti. Vlerësimi
maksimal që mori kur u zhvillua Konferenca e ndërtuesve për vendet e
demokracive si Pragë, Çekosllovaki e bëri krenar delegacionin shqiptar. Përfaqësuesit
tanë që morën pjesë i thanë Janit na ke nderuar, e ndiejmë veten krenarë me punën
tënde. Për këtë vlerësim Janit i premtuan një aparat fotografik, por ky aparat
nuk i ra në dorë kurrë, këtij mjeshtri te fotografisë artistike.

Në biografinë e Janit renditen ekspozitat e hapura në hollin e ministrisë,
në sallën e bibliotekës, në kantiere ndërtimi, vatër kulture, muze, deri në sallën
e Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, në pallatin e kulturës, në Galerinë
e Arteve, Muzeun Historik Kombëtar. Një jetë me fotografi. Pjesëmarrja në
konkurset për fotografinë kombëtare dhe ndërkombëtare ishte për Janin kënaqësi nxitëse
për më tej. Vlerësimi që ju bë dy fotografëve shqiptar Janit dhe Marubit në
Fiera del Levante (Bari Itali) me diplome nderi, tregoi nivelin e fotografisë shqiptare.
Jani ishte pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar “Bifota” Gjermani 1965, ku u
nderua me diplomë nderi. Mori pjesë në konkurset fotografik Moskë 1961, në Budapest
1962, në sallonin e fotografisë artistike Bukuresht 1963. Nuk mund të lesh pa përmendur
fotografitë si “Përgjuesi”, “Çoroditje”, “Thethi”, “Përmbytja”, “Liri e Kufizuar”,
“Bora, mysafire e rrallë në Tiranë”, “Eklipsi i diellit”, “Portret katundari”,
“Mësuesja e gjuhës”, “Aksionistin” e shumë të tjera. Janit nuk i mungonte e
reja, se ishte i pasionuar për literaturën e huaj, për artin e fotografisë të
cilat për kohën ishin të ndaluara, por me ndërhyrjen e kryeministrit të kohës
ju lejua të abonohej, megjithëse ishin për një kryefamiljar me të ardhura të
pakta dhe të papërballueshme. Duke parë këtë situate i ati i tij nga Stambolli
i dërgonte të holla. Ushqimi me këtë literature për të mësuar te rejat e kohës
i dhanë mundësinë Janit të çojë më lart artin e fotografisë duke mos u shkëputur
nga bota. Jani ishte autori i realizimit të së parës fotografi me ngjyra. Është
autori i librit “Fotografia art” (i cili nuk u lejua të botohej). Është autor i
albumit “Butrint” (i cili nuk mundi të shihte dritën e botimit pasi u ndalua). Është
autor i albumit të madh historiko dokumentar 1941-1965 për ndërtime. Mund të
themi se Jani i ka lënë një pasuri të paçmuar kombit shqiptar. Për kontributin
e madh që ka bërë gjatë gjithë jetës së tij për artin e fotografisë ne koleget
e tij e kemi nderuar me titullin “Dekan i Fotografisë”. Ndërsa shteti shqiptar për
jetën e tij me veprimtari të panumërta është vlerësuar me medaljen e Punës dhe urdhri
“Naim Frashri i Klasit II”. Instancat përkatëse duhet ta rivlerësojnë këtë
kolos të artit të fotografisë që i ka dhënë kaq shumë këtij thesarit të botës
së fotografisë.