Prof.Asc.Dr. Kristi Morcka: Sëmundjet autoimune, si t’i trajtojmë

3066
Sigal

Sëmundjet
autoimune, si t’i trajtojmë

Sëmundjet
autoimmune, kjo gamë e gjerë sëmundjesh që përbën një patologji kronike, nuk
mund të kurohet përfundimisht. Trajtimi konsiston në kontrollin e proçesit të
patologjisë dhe në uljen e simptomatikave të dhimbjeve.

Prof.Asc.Dr. Kristi Morcka

Shef i Shërbimit të Reumatologjisë

Spitali Amerikan 3

 

Një sëmundje autoimune zhvillohet kur sistemi
imunitar, i cili ka për qëllim mbrojtjen e organizmit nga mikrobet, për shkaqe
deri tani të panjohura, sulmon me anë të qelizave limfocite B dhe T, qeliza të
shëndosha të vetë organizmit.

Sistemi imunitar i cilëson si të huaja dhe i
shkatërron ato. Për këtë arsye këto sëmundje quhen sistemike, sepse prekin disa
inde, qeliza, organe të trupit tonë, duke shkaktuar ankesa dhe shenja të cilat
do t’i përshkruajmë më poshtë.

Sot në literaturën mjekësore përshkruhen më shumë se
80 tipe të sëmundjeve autoimune, të cilat disa vite më parë ishin të panjohura.
Shumë nga këto sëmundje kanë shenja të ngjashme, gjë që e bën të vështirë
diagnozën dhe diferencimin midis tyre. Sëmundjet autoimune luhaten me periudha
qetësie (pa shenja ose me pak shenja) dhe me periudha rëndimi ose zhvillimi të
sëmundjes ku gjendja e të sëmurit shpeshherë është shumë e rëndë.

Në ditët tona nuk ka mjekim për të shëruar këto
sëmundje, por ka barna të cilat, kur vihet diagnoza për formën e sëmundjes,
situata është e kontrollueshme, duke e çuar sëmundjen në qetësi të plotë. Sa më
herët të vihet diagnoza, aq më i suksesshëm është mjekimi. Pra, parandalohen dëmtimet
e organeve. Në këto sëmundje preken më shumë gratë me rreth 75% të rasteve, por
nuk përjashtohen dhe burrat me 25% të rasteve.

Shenjat

Shenjat ndryshojnë në bazë të tipit të sëmundjes
autoimune, megjithatë si shenja të përbashkëta të zakonshme janë: lodhje,
temperaturë, ndjenjë plogështie, njolla të kuqe në lëkurë etj. Sëmundjet
autoimune mund të prekin shumë pjesë të organizmit, si: kyçet, muskujt,
lëkurën, elementet e gjakut, gjendrat endokrine, indin lidhor.

Diagnostikimi

Kur vuani nga këto sëmundje, në organizmin tuaj
prodhohen antitrupa kundër qelizave që këto drejtohen. Pra, diagnoza përveç
shenjave klinike dhe ankesave të të sëmurit, bazohet kryesisht në zbulimin e
këtyre antitrupave. Këta antitrupa kërkohen me teste të specializuara gjaku për
të zbuluar antitrupat specifikë fajtorë për zhvillimin e sëmundjes. Disa nga
këto teste janë: Antikorpet antinukleare, të cilat prekin bërthamën e qelizës.
Këto antikorpe kanë nëngrupet e tyre, si ds ADN, anti ENA etj…

Gjaku komplet mat numrin e rruazave të kuqe, të
bardha dhe të tjerë. Kur sistemi imunitar aktivizohet, numri i këtyre
elementeve ndryshon nga norma.

Proteina C- Reaktive ( PCR) kur është e lartë tregon
se organizmi vuan nga inflamacioni.

Sedimenti, i cili në mënyrë indirekte mat sa
inflamacion ka në organizëm.

 

Cilat janë sëmundjet autoimune që
takohen më shpesh?

Artriti reumatoid: shkakton  inflamacion të
kyçeve dhe indeve përreth.

Lupus eritematoz i diseminuar: prek lëkurën, kyçet,
veshkat, trurin si dhe organe të tjera.

Sklerodermia: shkakton ndryshime në lëkurë, muskuj,
enët e gjakut dhe në organet e brendshme.

Psoriasis: sëmundje lëkure e cila shkakton irritim,
trashje me kruste me ngjyrë të bardhë në të argjendtë.

Artriti reaktiv: jep inflamacion të syve, me prekje
të lëkurës ose të membranave mukoze.

Sindromi Sjagreu: shkatërron gjendrat e pështymës
dhe të lotit duke shkaktuar tharje të syve dhe të gojës.

Sëmundja inflamatore të zorrës: grup sëmundjesh
inflamatore të zorrës së hollë apo të zorrës së trashë.

Përveç sëmundjeve autoimune të mësipërme, mund të
përmendim dhe sëmundjet e tiroides, si: Tiroiditi Hashimoto, sëmundja Graves,
Diabeti Tip I ose Misatenia Graves, Skleroza e shumëfishtë, Sëmundja  e
Adisonit etj.

Trajtimi

Qëllimi i mjekimit është të kontrollohet procesi
autoimun dhe të reduktohen shenjat. I sëmuri duhet të bëjë një jetë normale
duke plotësuar hormone, të cilat i mungojnë si ato të tiroides, insulina, Vit
B12 etj.