Mafiozët lajnë “hesapet” me atentate, makinat shtypin këmbësorët në trotuarët e qytetit, policët djegin plehrat

494
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Policia e Shtetit “harron” qytetin, rendin, policët ndjekin makinat e plehrave

Mafiozët e lajnë “hesapet” e krimit me atentate në qendër të qyteteve, makinat shtypin këmbësorët në trotuar, ndërkohë që…

Zv.ministri i ri i Brendshëm, gjeneral Lleshi, në ditën e katërt të punës, nxori një tjetër qarkore, ku sqarohet se çfarë kuptoi ai, kur u kërkoi punonjësve të policisë të mos pinë kafe në lokale në orarin e punës. Ndërkohë, që ende Policia e Shtetit nuk ka gjetur asnjë gjurmë, asnjë fakt, për atentatin mafioz që ndodhi pardje në Durrës, edhe pse, sipas pohimeve të prokurorisë, viktimat e atentatit mafioz ishin persona që survejoheshin nga policia… Si gjeneral në profesion, zv.ministri ka prioritet të punës rregulloret e sjelljes të policëve në orarin e punës, raportimet e detyrueshme për disiplinën e tyre, (thua se Policia e Shtetit është njësi ushtarake), orarin e punës, thua se nuk ka rregullore, nuk ka ligje që përcaktojnë marrëdhëniet në punë.

Policia e Shtetit, survejon makinat e …plehrave të qyteteve e fshatrave

Policia e Shtetit, sipas qarkores së parë të zv.ministrit do të ketë prioritet shuarjen e zjarreve nëpër landfillet e paligjshme. Madje, që dje, u publikuan raportimet e shuarjes së zjarrit të plehrave, siç e kërkoi në qarkore …zv.ministri i Brendshëm, me kompetencat e ministrit. Pastrimi i plehrave, përpunimi i tyre, mbikëqyrja dhe ruajtja e mjedisit nga ndotjet janë detyra ligjore të bashkive, të prefekturave, të drejtorive të Higjienës, të Inspektorateve të Mjedisit. Policia e Shtetit shkon aty vetëm kur ka konflikte fizike. Mirëpo, policët, sipas qarkores së parë të zv.ministrit të Brendshëm, duhet të braktisin detyrat e tyre shtetërore, sikurse mbikëqyrjen e qarkullimit rrugor, survejimin e personave të botës së krimit dhe të ndjekin nga pas makinat e plehrave, të shikojnë nëse “të pa përgjegjshmit” u vënë zjarrin plehrave dhe, nëse ndodh kjo e keqe, policët duhet ta shuajnë zjarrin, që pastaj, ta raportojnë përditë si kryerjen e detyrës së ngarkuar.

Aksidenti vdekjeprurës, makina shtyp këmbësorët në trotuarin e qytetit

Mbrëmë, në unazën e qytetit të Korçës ka ndodhur një aksident me pasoja tragjike. Dy makina, të cilat lëviznin me shpejtësi të madhe, edhe pse ndodhen në unazën e qytetit, u përplasën me njëri-tjetrin, me pasojë, përplasjen e dy këmbësorëve, që kalonin rastësisht në trotuar. Viktimat janë shtetasi Sokol Hoxha, 33 vjeç dhe vajza e tij 6 vjeçare P. Hoxha. Mësohet se mes dy viktimave ndodhet dhe persona të plagosur. Drejtuesit e automjeteve janë Lorenc Pallashi dhe Petrit Kupe.

Policia Rrugore mungon edhe në rrugët e qytetit

Shkaku i këtij aksidenti është shpejtësia e madhe e automjeteve, edhe pse ndodhen në unazën e qytetit dhe shpejtësia e lejuar nuk duhet të jetë mbi 40 – 50 km /orë. Mirëpo, Policia Rrugore mungon edhe në rrugët kryesore të qyteteve të mëdha, sikurse është Korça, drejtuesit e automjeteve e dinë, prandaj edhe qarkullojnë me shpejtësi të mëdha, shumë herë mbi shpejtësinë e lejuar. Cilët drejtues të Policisë së Shtetit do të përgjigjen për këtë aksident vdekjeprurës, derisa ata mungojnë nga monitorimi edhe i rrugëve kryesore të qyteteve? Ku është Policia e Shtetit? Mos vallë ndjek nga pas makinat e plehrave, sipas qarkores së re të zv.ministrit të Brendshëm? Prioritet i Ministrisë së Brendshme duhet të jetë Siguria dhe Rendi publik, qytetarëve duhet t’u rikthehet qetësia, siguria, të mos rrezikohet jeta e tyre edhe në trotuar nga makinat që qarkullojnë edhe në rrugët kryesore të qyteteve, thua se janë në pistë gare. Policia duhet të jetë e pranishme kudo. Plehrat le t’i ndjekin, t’i djegin, t’i pastrojnë policia bashkiake dhe koncesionet që vjelin milionat e eurove nga taksat e qytetarëve.