Emërtimet dhe adresimet emërore të objekteve, apo ngjarjeve mbeten dhe u jepen brezave ashtu siç kanë qenë në fillesën dhe ecurinë e tyre më të lartë
Tradita si tërësia e pasurive shpirtërore, zakoneve, virtyteve e pikpamjeve të formuara historikisht në jetën e një populli që ruhen, trashëgohen e zhvillohen më tej nga brezi në brez,është pjesa kryesore e themelit të çdo vijimësie në çdo fushë materiale dhe shpirtërore madje edhe të ekzistencës natyrore.Ndaj ata që e anashkalojnë siç po bën qeveria e sotme shqiptare -në një farë mënyre janë kriminelë të vetvetes dhe të popullit. Brezat e njerëzve vijnë e ikin. Njeriu jetokërka, le të themi deri 95 vjeç, por emërtimet e institucioneve, objekteve qendrave të banuara, ngjarjeve të fuqishme e gjurmëlënëse në terren e në shpirtin njerëzor, nuk mund të zhbëhen e as të tjetërsohen. Ato vetiu, për shkak të forcës së tyre që kanë ‘injektuar’ tek njerëzit, i qëndrojnë rrebesheve të kohëve , ose mpaken e stacionohen për të mos u harruar.
Emërtimet dhe adresimet emërorë të objekteve apo ngjarjeve mbeten dhe u jepen brezave ashtu siç kanë qenë në fillesën dhe ecurinë e tyre më të lartë. Është detyrë morale, është nevojë jetike që secili individ atdhetar, t’ua shpjegojë fëmijëve, nipërve e mbesave, sa më realisht përmbajtjen apo domethënien e atyre emrave, emërtimeve, titujve, nofkave të mirëqena. E ngre këtë shqetësim, sepse midis radhëve tona kemi jo pak individë të prirur për t’i vënë kazmën çdo tradite që na ka lënë e kaluara, sidomos shekulli i njëzetë. Kjo erë kaq e ‘furishme’ antishqiptarizëm nis nga qeveria. Qoftë në tituj, emra, cilësime apo emërtime, qoftë edhe në aspekte të mënyrës së jetesës sonë dhe organizimit shtetëror. Siç dihet, gjatë këtij qindvjeçari si Shqipëri jetuam dy sisteme ekonomiko-shoqërore, dy Luftra Botërore, shumë ngjarje që mbeten piketa historike, disa ndërhyrje të pandërprera në jetën tonë dhe jo pak vetpërjashtime. Pra ,veç të tjerash, kemi krijuar tradita të forta që mundësuan shpëtimin nga asimilimi. Po ashtu ndër këto vite janë përpiluar, miratuar e zbatuar ligje, vendime e akte ligjore të panumurta, janë ndërtuar objekte të shumllojshme që kanë lënë mbresa e vragë, ku plagë e ku ledhatim, pra gjurmë të pashlyeshme. Emrat dhe përmbajtjen e rëndësinë e tyre jetike për kombin tonë, na duhet t’ua sqarojmë me të gjitha mjetet e sa më saktë jo vetëm pasardhësve tanë shqiptarë, por edhe të huaj. Sidomos tani që të huajtë e kanë bërë Shqipërinë ‘sofrën’ e tyre të shumëbegenisur. Nuk është aspak e drejtë, në mos armiqësore që me një të rënë të lapsit apo të gishtit, të fshijmë epoka, njerëz dhe objekte, gjak e djersë të së kaluarës sonë shqiptare. Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar u bënë theror 28 mijë dëshmorë. Është traditë tashmë që 5 maji, 29 nëntori dhe dita e rënies së secilit syresh, përkujtohet me ceremoni të thjeshta. Mirëpo ka institucione që nuk e përfillin asfare këtë traditë. Cili qenka ky ligj, apo vendim që ndalon hyrjen në Varrezat e Dëshmorëve të një qytetari me shall të kuq në qafë? Tradita partizane ka qenë shalli i kuq; kjo ka pasë vazhduar edhe në ditët festive të llojit që përmendëm; edhe në aksionet vullnetare të rinisë për ndërtimin e hekurudhave. Është traditë luftarake dhe kombëtare edhe sot. Le të citojmë sado shkurt disa objekte mbarëkombëtare që kanë zënë rrënjë në ndërgjegjen popullore dhe nuk shqiten.”Ura e Zogut” – është një objekt me emrin e saj të plotmerituar sepse është ndërtuar në kohën e Ahmet Zogut dhe me miratim të tij, krahas edhe disa objekteve të tjera luksi për atë kohë që nuk i rezistuan dot viteve. Kurse kjo urë qëndron kryelartë. Nuk është aspak e drejtë që të hiqet apo të ngulmohet me ligje e vendime mospërdorimi i këtij emri. Është objekt muzeal, arkeologjik dhe tipik. Madje kanë guxuar me të drejtë ta quajnë “memorje e kombit”, sepse bën pjesë në këtë pasuri materiale shqiptare. ”Kinostudio“ (1952), “Kombinat”(1951). Aq e fortë është tradita sa edhe në ballinën e xhamtë të autobusave të kësaj linje, sot, 2024, tekstualisht shkruhet qartazi me ndriçim:”Kombinat -Kinostudio”. Kësisoj ruajmë traditën dhe përmirësojmë edhe të tashmen; që të kujtohet e të rrënjoset mirë te shqiptarët e rinj, se ajo ‘Kinostudio’ prodhonte 14 filma artistikë, 40 dokumentarë e kronikalë dhe 16 vizatimorë në vit. Po në këto 35 vjet sa filma shqiptarë të mirëfilltë janë prodhuar, a mund të bëjë kush krahasim? Brezat të reflektojnë se ai Kombinat i Tekstileve “Stalin”(le ta prishin forcat e errta përmendoren e Stalinit dhe ndërtesën e Kombinatit!), mbetet gjallë, sepse të dy emrat i kanë rrënjët në popull dhe në të mirat materiale reale që i sollën shqiptarëve. Vijojmë më tej: “Rruga-Ura” (1947); “Uzina Enver” (1948). Ja dy detaje se si ngulitet e mira dhe ruhet natyrshëm tradita e qenësishme, që lidhet me Uzinën “Enver”. Ajo uzinë veç prodhimeve të shumëllojta e të cilësisë vetëm të lartë, për kohën, u kthye në një shkollë të vërtetë edukimi profesional dhe atdhetar i mijra punonjësve të saj; përpos të tjerash, çatia e ndërtesës së saj ishte me dhjetë dhëmbëza të xhamta, (çati-dritare të mëdha) që të merrte’falas’ sa më shumë dritë diellore. Ajo ndërtesë tok me uzinën janë zhdukur me themel në vitin 2011, por pallati 14 katësh i ngritur-kompleks kullash në 2024, pikërisht aty në atë shesh, ka po ato ( shtatë) dhëmbëza mbi çati. Makina e furnizimit me materiale pune të një biznesi aty pranë shkruan lirshëm e natyrshëm si adresë të biznesit të vet fjalët”Te ish-uzina Enver”. Paçka se emërtimi i ri është anglisht “Square-21”!? Kjo le t’iu shërbejë brezave që vijnë, që ta dinë se gjatë socializmit, Shqipëria e shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore vetëm u ndërtua dhe u lulëzua dhe nuk u shkatërrua. Po gjatë këtij palo’tranzicioni’ kur u përmbys sistemi socialist dhe po ‘ndërtohet’ sistemi shoqëror kapitalist përse u bënë tërë ato shkatërrime, asgjësime, tjetërsime që sollën kaq shumë vdekje, humbje, poshtërime, migrime, të cilat duhej të shmangeshin? Sepse nga qeveria Berisha, u zbatua verbërisht e shtazërisht porosia amerikane për të groposur gjithçka komuniste duke trajtuar në atë kallëp shumëçka kombëtare. Nga të rinjtë e të rejat pakkush e di se pranë atij stacioni, ka qenë vendvendosja e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” që u krijua në janar 1949 dhe jetoi deri 1991. Shkolla lavdiplote në hyrje të së cilës ishte vendosur monumenti 10 metra i lartë i Komandantit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Gjeneral Armate Enver Hoxha (i shkatërruar nga forcat politike të errta në vitin 1992), që mbajti gjallë ushtrinë popullore shqiptare me kuadro të niveleve nga komandant toge deri te komandant korpusi e Shef Shtabi të Përgjithshëm. Le ta mbyllim për sot me emrin e Stadiumit Kombëtar ‘Qemal Stafa’. Edi Rama, në kuadrin e shfarosjes dhe çrrënjosjes së komunizmit, edhe këtij objekti, me vendimin e tij sulltanor, ia hoqi emrin duke e motivuar se do të bëhej një objekt i ri shumë më madhështor se sa ai që ishte. Dhe kështu është realizuar, siç shpjegohet kalimthi edhe në uikipedia. Konkretisht është objekt bashkëkohor por heqja e emrit të dëshmorit,Qemal Stafa, simbol i Rinisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, i njohur botërisht edhe si person fizik, edhe si aktivist i gjithanshëm edhe si emër përfaqësues kombëtar, i quajtur me meritë ‘Një hero i Luftës së Dytë Botërore” jo vetëm që nuk justifikohet, por është haptazi një veprim antikombëtar, traditëprishës dhe që do të mbetet në histori vetëm për keq, në mos u riktheftë përsëri ai emër që kishte. Tashmë ky objekt ka një emër krejt absurd tregtar ‘Stadiumi Air Albania’. Në tri fjalë dy janë në gjuhën angleze!? Pse vallë? Dikush, diku i thotë edhe‘Arena Kombëtare’, sikur do të kemi të bëjmë me ndeshje gladiatorësh!? Emri i një kompanie private mund të konsolidohet apo të falimentojë-siç po ndodh realisht-por emri i Heroit të popullit Qemal Stafa njihet e nuk harrohet nga tërë Europa. I ndodhur nën presionin e madh publik, ky kryeministër, që nuk respekton traditën shqiptare, sa për sy e faqe, sa për maskim të së vërtetës, ka lënë një pjesë të ballinës së dikurshme të stadiumit me emrin famoz shqiptar, por të fshehur pas objekteve të tjera. Ky shembull, si dhe shumë të tjerë, rrëfejnë se qeveria nuk punon për ruajtjen e traditave tona, të të gjitha aspekteve jetike, por për prishjen e tyre në mënyrë të pandalshme. Të tilla emërtime që ruhen në traditën e mirë të banorëve mund të numurosh me qindra. Ato mbajnë brenda tyre të vërtetën luftarake e punëdashëse të popullit tonë, janë copëza të ADN-së shqiptare paçka se qeveritë nxjerrin ligje, akte normative, thyejnë buste, anatemojë e hedhin baltë mbi personalitetet e objektet tona historike. Ndaj me durim e pa ndalesë, gjithsecili nga ne duhet të bëjë shpjegimet përkatëse e të mos ia lëmë në dorë rastësisë, apo injorancës, dashakeqësve apo kriminelëve trashëgiminë e begatë popullore. Kështu do të ruajmë edhe më fuqishëm idenditetin tonë kombëtar.