Kupa e Mbretit, ikën edhe Barcelona pas Realit dhe Atletikos

540
Sigal

Pas Atletiko Madrid, Seviljes dhe Real Madrid, edhe Barcelona është eliminuar nga Kupa e Mbretit pa arritur në katërshen gjysmëfinale. Skuadra e Kike Setien u mund me shifrat 1-0 nga Atletik Bilbao në fushën e kësaj të fundit duke dalë kështu nga turneu ku sigurisht ishte mes pretendentëve.

Pas trazirave të fundit në klub me zënkën Mesi-Abidal, pritej të shihej reagimi Barcelonës, por katalanasit nuk u shfaqën përsëri aq thumbues sa pritej përballë baskëve të cilët luftuan në çdo cep të fushës. Mesi dhe Grizman, i aktivizuar si zëvendësues në pjesën e dytë të ndeshjes, kishin raste të mira për të shënuar e mbyllur sfidën, por Simon ndali goditjet e tyre.

Dushi i ftohtë erdhi në minutën e 93-të të ndeshjes, kur Inaki Uilliams devijoi topin para Ter Shtegen i cili e ndoqi me sy teksa shkonte në rrjetë. Sigurisht që nuk kishte kohë për asgjë, duke bërë që të shpërthente festa në “San Mames” për këtë triumf historik përballë Barcelonës e cila largohet kokulur nga një turne ku dëshironte të ishte protagoniste.