Suplementi Pena Shqiptare/ Ali Bregu: Ishin vetë lezeti

Fragment nga romani në vargje “Nga dhe për tim atë”

 

NOA

-Do shtoj dhe diçka, po flas për tim atë,
Për këngët lezete edhe për shakatë.
Çdo gjë që po shkruaj është e vërtetë,
Dëshmitar kam njerëzit që e njohën vetë…
…Në gosti e dasma, tregojnë të tjerë,
Me shpirtin plot gaz, zemrën shend e verë.
Mbante përgjithnjë, siç ia kishte ënda,
Fjalën te shakaja e buzën te kënga.
I shkëlqenin sytë, blic e vetëtimë,
Kënga dert e gaze porsi gurgullimë.
Herë ia merrte njëri, herë ia kthente tjetri,
Që nga më i riu, gjer te më i vjetri.

Këngëtar me emër në gjithë ato fshatra,
Isua merrte krahë e bëhej me flatra.
E për kë s’ia thoshte, sa ishte vet gjallë?!
Për Atdheun tonë e trimat me pallë.
Për tre frashërllinjtë, gjithë mendjendritur,
Trim Avni Rustemin, djalin e parritur.
Ismail bej Vlorën, shqiptarin me emër
Që veç Shqipërisë, tjetër s’kish në zemër.
Për tridhjetë e nëntën, që mos ardhtë kurrë,
Na shkeli vatanin, njollosi flamurë.

Edhe për kë tjetër, nuk ia tha, s’ia mori,
Këngë për sevdanë, me nota humori.
Mburravece e Demos, e pat bërë për vete,
Ndaj shpesh i këndonte për shtatë lezete.
Me shpirt e me zemër e shumë dëshirë,
Kur ishte në qejf e humor të mirë.
Ia merrte im atë, Veizi trup pakë,
Iso zjarr e shpuzë, kënga merrte flakë.

I jehonte zëri bukur fjal’ pas fjale,
Nëpër konkurrime, nëpër festivale,
I lartohej emri e i rritej nami
Tim eti gazmor, burrit prej Vinçani.
Vlerësime nderi e falënderimi
Për zërin e ëmbël, ishin vetë shpërblimi.