Lush Susaj/ Fiktiviteti, korrupsioni dhe injoranca ka dominuar dhe po dominon mbi dijen në bujqësi

954
Mungesa reale e investimeve në kullim dhe ujitje, ka shkaktuar një gjendje makthi tek fermerët e Pellgut të Shkodrës dhe në rajonet e tjera të vendit. Pavarësisht nga deklaratat apo konferencat mediatike nga Hotel Rogner e Tirana Internacional, tokat bujqësore të Malësisë së Madhe, Shkodrës, Lezhës, Kurbinit, etj, vazhdojnë të jenë pa mundësi kullimi dhe ujitje dhe pa ndonjë projekt apo strategji funksionale e të zbatueshme, kjo situatë e degraduar ka një kosto të rendë për fermerët.

Në fshatin Gradec

Në fshatin Gradec (Malësi e Madhe), njëri nga fermerët e kishte zgjidhur problemin e ujitjes duke hapur një pus rreth 260 m të thellë e që i kishte kushtuar rreth 23 milion lek të vjetra. Është një kosto e pamundur për tu përballuar nga fermerët e tjerë të zonës. Kjo po ndodh për shkak se janë shpenzuar donacione dhe fonde për kanale e puse të pa hapura ndonjëherë, për stacione pompimi që kurrë nuk funksionuan, etj. Në vend të kësaj praktike korruptive, për kushtet specifike të bujqësisë sonë, do të ishte më mirë të financoheshin puset dhe rezervuarët si zgjidhje më të shpejta, më efikase dhe më praktike për terrenin specifik të vendit tonë. Shqipëria nuk mund të përgjithësohet me Lushnjën dhe prodhimi bujqësor nuk mund të përgjithësohet e zgjidhet duke u marrë me 1000 ha fushë të mbrojtur. 

Fiktiviteti

Kjo ndodh sepse fiktiviteti, korrupsioni dhe injoranca ka dominuar dhe po dominon mbi dijen, arsyen dhe ligjshmërinë. Kjo duket edhe tek mënyra se si në këto vite u shkatërrua edhe tradita dhe infrastruktura e veprimtarisë prodhuese të qershive dhe dardhave në Dibër, të bimëve medicionale në Malësinë e Madhe, etj. Fatlumi është njëri nga banorët e kthyer nga Austria që kishte mbjellur tokën me Levandul, Sherebelë, Mullagë dhe me Cian. Fatlumi ka sjell nga Austria farërat dhe makineritë më të mira të kohës. Ndërsa ne kohën e vjeljes e ka braktisur fermën, prodhimin dhe makineritë dhe është kthyer i lodhur dhe shumë i zhgënjyer në Austri. Largimi i tij ka të bëjë me mungesën e fuqisë punëtore për shkak të emigrimit masiv të popullsisë, mungesës së subvencionimit dhe me abuzimin në lidhje me çmimin dhe me tregun e prodhimit të certifikuar. Në këtë mënyrë, vetëm në Dibër këtë vit janë kalbur në degë mbi 3000 ton qershi dhe po dëmtohen edhe mbi 2000 ton dardhë të një cilësie shumë të lartë. Kjo ndodhë sepse investimet dhe projektet në tregje, agro-përpunim dhe marketing, në pjesën më të madhe të rasteve degradojnë në rrëna godina karabina dhe dosje fiktive. Ndërsa në Malësinë e Madhe, situata është e tillë ku sherebela që para dy vjetësh shitej me 200 lek/kg, sot po grumbullohet veresie (pa lek në dorë) me nga 100 lek/kg. Ndërsa të tjerë matrapaz që lëvizin nëpër fshatra me furgona dhe makina të vogla, abuzojnë me varfërinë e njerëzve duke ua blerë me lek në dorë me 60-70 lek/kg. Në këtë matrapazëri, për prodhuesin e varfër nuk ka as fletëdalje, as dokumentim dhe as subvensionim. Fermerët e kësaj fushe, po e mbyllin këtë vit me borxhe ose duke fituar jo më shumë se bukën e gojës. Në këtë mënyrë po degradohen mbi 3000 ha tokë të mbjellur me bimë medicionale shumëvjeçare. Nga njëra anë është kjo katastrofa e shkatërrimit dhe braktisjes reale të burimeve të punësimit dhe prodhimit të qendrueshëm të rajoneve malore dhe kodrinore të vendit. Ndërsa nga ana tjetër, është fiktiviteti dhe demagogjia për serrat, për rajonizimin, për agropërpunimin dhe për eksportet imagjinare. Demagogji bajate për llojet, market dhe racat autoktone të abuzuara, të harruara dhe të abandonuara, etj, është një praktikë tepër e gabuar që po shkakton varfëri dhe emigrim masiv të popullsisë. 
Shushunjat e projekteve

Në vend që zgjidhja të projektohet dhe të drejtohet nga specialistet e aftë të këtij vendi, përsëri shohim që janë të njëjtat shushunja të projekteve, janë të njëjtët persona që në këto 20 vjet drejtuan apo shpërdoruan investimet nga ku nuk mbeti asgjë. Janë të njëjtët abuzues që vazhdojnë të flasin për vreshtat, për pemët, për ullirin dhe për agrumet që vetë i shkatërruan me ato strategjitë dhe programet e tyre antishkencore dhe me farërat dhe fidanët e shpërndara në kuadrin e mashtrimit dhe babëzisë së tyre për të fituar para pa rregull e meritë. Janë të njëjtët njerëz që flasin broçkulla për rajonizimin dhe kadastrat që nuk ekzistojnë sepse nuk u punua me specialistët e fushës, për pasojë, asnjëherë nuk u bën si duhet dhe asnjë ditë nuk ishin të dobishme dhe funksionale. Janë persona të njohur që kanë vetëm një aftësi, atë të hajnisë përmes kopsitjes së dosjeve fiktive dhe ndarjes së parasë së vjedhur me zyrtarët e korruptuar të dhënies dhe mbikëqyrjes së fondeve dhe projekteve të bujqësisë. Nga fermerët e Korçës, dëgjova se si një nga specialistet e ministrisë kishte ndërhyrë duke ju thënë fermerëve: “për të luftuar Kromen e Mollës, hapni kanalet kulluese në Qershor”. Të tilla idiotësi po ndodhin gjithnjë e më shpesh sepse në krye të aftësimit profesional, janë vendosur njerëz që nuk kanë dijet as përvojën e duhur. 
Po zhvlerësohet, po banalizohet dhe po shpërdorohet profesioni i nderuar i agronomit
Në këto kushte po zhvlerësohet, po banalizohet dhe po shpërdorohet edhe profesioni i nderuar i agronomit deri në atë masë sa po flitet hapur për shkrirje të shërbimit këshillimor që është një shërbim jetik për prodhimin dhe marketingun bujqësor. Rilindja e Shqipërisë nuk mund të kuptohet pa zhvillimin e qendrueshëm e bashkëkohor të bujqësisë dhe mjedisit, nuk mund të arrihet pa e çliruar sistemin e drejtimit dhe këshillimit bujqësor nga fiktiviteti, korrupsioni dhe injoranca. Zhvillimi i qëndrueshëm e bashkëkohor bazohet në forma dhe sisteme të reja prodhimi dhe ka për bazë standarde dhe teknologji të reja të prodhimit dhe marketingut. Zhvillimi i qëndrueshëm e bashkëkohor ka për bazë strategji, ligje dhe standarde të detyrueshme për tu njohur dhe zbatuar. Kjo arrihet duke zhvilluar dijen dhe kulturën bujqësore, përmes evidentimit dhe angazhimit të potencialeve intelektuale që janë të aftë të marrin përsipër sfidën dhe përgjegjësinë historike për rilindjen dhe shpëtimin e bujqësisë nga falimentimi dhe degradimi i mëtejshëm.
Sigal