Qeveria i trajton ca të nënës dhe ca të njerkës

136

Hipokrizia e Kryeministrit me pagat e biznesit: Urdhëron  rritjen e pagave minimale deri në 30 mijë lekë, por edhe pse qeveris prej 8 vitesh, nuk ka përcaktuar Minimumin Jetik. Pensionet janë qesharake, qytetarët marrin  si lëmoshë 6800 lekë pension social, 3000 lekë jetimëve dhe10 000 lekë familjeve në nevojë. Reagon biznesi: Do shkurtojmë vendet e punës

Kryerilindasi Edi  Rama pas 5 muajsh mbyll 8 vite të qeverisjes së tij si Kryeministër  dhe nuk u kujtua që të përcaktonte se sa duhet të jetë Minimumi Jetik i qytetarëve shqiptarë. Dhe tani që fushata elektorale po afron, Rama nis premtimet të cilat nuk i pinë më ujë, sepse shqiptarët u mësuan me gënjeshtrat e tij dhe çfarëdo premtimi që ai të bëjë do të bien në vesh të shurdhër , sepse Ramës i mungon sinqeriteti, ndershmëria dhe dhëmbshuria për shqiptarët, të cilët kanë 23 vjet që e mbajnë me taksat e tyre. Parimi i Ramës është “Kalova lumin, të bëfsha kalin”. Dhe lumi janë zgjedhjet dhe “Kali” në mënyrë figurative është vota e qytetarëve. Qeveria Rama nuk rriti pensionet, dhe pensionistët shqiptarë janë më të varfërit në Europë dhe nga më të varfërit në botë. Po kjo qeveri, u tall me asistencën Sociale, Ndihmën Ekonomike, rritjen e pensioneve, trajtimin e minatorëve, ushtarakëve dhe nuk do të dijë nëse qytetarët kanë bukë për të mbushur barkun, apo fëmijtë e tyre flenë me barkun bosh. E bëmë këtë minianalizë të shkurtër për të treguar se pa përcaktimin e “Minimumit Jetik” nuk ka rritje pensionesh dhe mbështetje për shtresat në nëvojë. Por Rama nuk e miraton minimumin Jetik, se në të do përcaktohen se sa i duhet një qytetari për të jetuar në kushte minimale, sa para duhen për të paguar dritat, ujin, ilaçet, të ushqejnë, veshin dhe shkollojnë fëmijët etj. Dhe po ta nxjerë minimumin Jetik, minimalisht pensioni më i ulët duhej të ishte 300 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndaj dhe kjo qeveri nuk e bën edhe pse organizmat ndërkombëtarë,  ja kanë kërkuar që në vitin 2013, kur ai erdhi në pushtet.

 Por ku jemi tani në përfundim të mandatit të dytë të Rilindjes

Rama me një vendim, urdhëron që të gjitha bizneset të mos paguajnë paga më të ulta se 300 mijë lekë të vjetra nga 280 mijë që janë aktualisht. Dhe kjo është mëse normale, pasi tregon atë çka theksuam më lartë se “Minimumi Jetik” është rreth 300 mijë lekë në muaj për person. Por kjo rritje u kërkua pikërisht tani, pasi Rama nxori pak muaj më parë vendosjen e tatimit për ata që kanë paga 300 mijë lekë në muaj. Pra gjithçka është paracaktuar me mendimin që qeveria ti kërkojë biznesit rritjen e pagave dhe nga ana tjetër të përfitojë nga kjo rritje edhe 10% për veten e saj. Kjo është nja maskaradë dhe hipokrizi ndaj bizneseve dhe qytetarëve. Kjo do të bëjë që bizneset të shkurtojnë vendet e punës, duke shtuar edhe më shumë hemoragjinë e largimeve nga Shqipëria dhe zëvendësimin e tyre me refugjatë nga Lindja e Mesme. Por kjo rritje pagash që me të drejtë është e domosdoshme, duhet të respektohet edhe nga qeveria. Kryeministri Rama duhet të çojë pensionin minimal deri në 300 mijë lekë. Por nuk e bën një gjë të tillë, duke vepruar me dy njësi matëse. Nga ana tjetër,  66 mijë familje shqiptare trajtohen me asistencë sociale me vlerën 68 mijë lekë të vjetra dhe kur ka shumë pjestarë në familje, deri në 100 mijë lekë të vjetra. Kjo është e pafalshme dhe diskriminim ndaj shtresave në nevojë. Ndërsa pensionet për jetimët janë 30 mijë lekë të vjetra. E pabesueshme dhe shumë kriminale. Ndaj qytetarët nuk pranojnë të mashtrohen pasi qeveria ua ka me hile dhe qëllimi i saj është sa të marrë votën dhe nuk ka për ta kthyer më kokën nga këta hallexhinj. Të mos harrojmë,  se  qytetarët dhe banorët e fshatrave që kanë tokë, apo frigorifer e televizor, nuk përfitojnë mbështetje nga shteti.  Ja  analiza dhe krahasimet midis Vendimit për privatësinë dhe trajtimin që vetë shteti u bën qytetarëve të tij. Kësaj i thonë që Kryeministri Rama, po i trajton qytetarët dhe atyre që do t’u marrë votën “Ca të nënës dhe ca të njerkës”

Qeveria rrit pagat minimale por heshtje për minimumin jetik, pensionet, Asistencën  Sociale e ndihmën ekonomike   

Po pate tokë, nuk përfiton dhe kjo është për fshat dhe zonat e ish-NB-ve

Do rritet papunësia

A do të rritet vërtetë ndihma ekonomike?

Në Shqipëri janë mbi 66 mijë familje dhe persona në kategori të tjera do të përfitojnë ndihmën ekonomike me miratimin e ligjit të ri për Asistencën Sociale. Qeveria thotë se do të ketë rritje të ndihmës, ndërsa ekspertët janë të ndarë në këtë vlerësim. Në 18 korrik Parlamenti miratoi ligjjin e ri për Asistencën Sociale. Ky ligj bën bashkë  ndihmën ekonomike, pagesën e aftësisë së kufizuar dhe bonusin e bebes. Ligji u njeh mbi 66 mijë familjeve dhe personave të tjerë të drejtën për të përfituar ndihmën ekonomike. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha gjatë prezantimit të ndryshimeve të ligjit në Kuvend se ai lehtëson procedurat e dhënies së ndihmës ekonomike tek përfituesit, duke ia ngarkuar këtë përgjegjësi Shërbimit Social Shtetëror, ndërkohë që deri sot këtë atribut, përfshirë edhe miratimin e listës e kishin këshillat bashkiakë.

Kush përfiton dhe sa?

Familjet në nevojë

– Jo më shumë se 150% e pensionit social (6800 lekë) ose afro 10-mijë lekë të reja sipas strukturës së familjes

Personat me statusin e jetimit      – 3000 lekë

Prindërit (familje në nevojë) me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh–

Trinjakë       – 3000 lekë (për çdo fëmijë)

Katërnjakë   – 4000 lekë

Pesënjakë     – 5000 lekë

Viktimat e trafikimit                   – 3000 lekë

Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare – 3000 lekë

Çfarë ka të re ky ligj dhe a sjell rritje të ndihmës ekonomike?

Vendimi për trajtimin me ndihmë ekonomike do të merret nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror nëpërmjet formulës së pikëzuar. Formula e pikëzuar merr parasysh karakteristikat e ndryshme të familjeve urbane dhe rurale. Nëse flitet më konkretisht, familja që aplikon për ndihmë ekonomike plotëson një formular të gjatë ku identifikon disa të dhëna si toka, të ardhurat nga emigracioni, pajisjet që zotëron në banesë si psh: TV, frigorifer, kalorifer, kompjuter apo mjete transporti, e më pas në bazë të këtyre dhe shumë të dhënave të tjera, Shërbimi Social bën verifikimin për të parë nëse familja e meriton ndihmën ekonomike.

Rritja e pagës minimale deri në 30 mijë lekë, Shoqatat e biznesit kundër ndryshimeve: Shton barrën fiskale, sipërmarrja kërkon mbështetje

Nga 1 janari i 2019 paga minimale në shkallë vendi u rrit nga 24,000  në  26,000 lekë. Rritja ishte rreth 8 %. Paga minimale prej 26,000  lekё e lart shërben për llogaritjen dhe pagimin e kontributeve tё detyrueshme tё sigurimit shëndetësor. Kryeministri Edi Rama deklaroi se para zgjedhjeve rroga minimale do të rritet deri në 30 mijë lekë. Ndryshimi parashikohet të jetë rreth 15,4 % më shumë se paga aktuale minimale, por për Shoqatat e biznesit nisma do të rrisë kostot për të vetëpunësuarit,  biznesin e vogël dhe fasonët. Presidenti i Qendrës të Eksporteve Shqiptare tha për “Monitor” se rritja e pagës minimale në këto nivele automatikisht rrit kostot e biznesit të vogël dhe të sipërmarrjes në rrethe. “Rritja e pagës minimale gjithmonë do të rrisë kostot e bizneseve që paguajnë të punësuarit me paga të ulëta, por sidomos te bizneset e vogla dhe atyre në periferi. Në Tiranë, nuk ka rroga nën 30 mijë lekë, por në qytete të varfra si Pukë, Kukës apo Gramsh,  ka punonjës që paguhen 26,000 lekë dhe nëse paga minimale rritet p.sh në nivelin e 28,000 lekëve, automatikisht rrit kostot për ta, pasi nga kjo shtesë 1,000 lekë do të shkojnë taksa për shtetin. Pra nuk mund të jetë një qasje e tërësishme, por duhet të ishte sipas rretheve. Po ashtu rritja e pagës minimale, parashikohet të ulë punësimin. Në qytete të varfra ka të punësuar që paguhen edhe 22,000 lekë, pasi kjo është mundësia e atyre bizneseve. Nëse shteti e detyron ta paguajë rrogën minimale deri 30 mijë lekë,  punëdhënësi do detyrohet të largojë të punësuarit. Pra, kjo masë për bizneset në periferi krijon rreth vicioz negativ”. Rritja e pagës minimale në nivelin e 30 mijë lekëve, rrit rreth 28% detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore.  Kryetari i Qendrës të Eksporteve për të zbutur efektet e barrës fiskale rekomandon rritjen e pragut për mostatimin e të ardhurave nga 30,000 lekë në 50,000 lekë. “Nëse karakteri i masës është social dhe jo për të mbledhur disa të ardhura më shumë, duhet të rritet pragu i rrogave me tatim mbi të ardhurat zero. Kjo do të krijonte ekuilibrin e duhur, duke nxitur biznesin të rrisë pagat për të punësuarit e varfër dhe njëkohësisht stimulon punëmarrësit mesatar.” Rritje të kostove në pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga rritja e pagës minimale pritet të ketë edhe për sektorin fason. Shoqata Pro Eksport Albania pohoi  se rritja e pagës në mungesë të programeve mbështetëse financiare, jo vetëm do të rriste barrën fiskale të biznesit, por edhe koston për kualifikimin e të punësuarve. “Pa mohuar ndikimin pozitiv social të kësaj mase, Pro Eksport Albania do të përshëndeste vendimin e qeverisë për rritjen e pagës minimale nga 26,000 lekë në 30,000 lekë (ose 15.4 %), nëse do të shoqërohej me një program shumë serioz dhe të gjerë për mbështetjen e menjëhershme dhe afatmesme të sipërmarrjes, sidomos asaj prodhuese. Mbështetje të cilën e kemi kërkuar me këmbëngulje që nga korriku i këtij viti, duke propozuar masa konkrete, si rivendosja në afat e Garancisë Sovrane 1, që realisht ndihmon biznesin, një program me grante nga buxheti dhe nga donatorët për fabrikat që synojnë rinovimin e kapaciteteve prodhuese (të tilla janë mbi 86% e tyre në industrinë e veshjeve dhe këpucëve, sipas një anketimi të bere nga ne në periudhën gusht-shtator 2020), mbështetja për programet e kualifikimit të punonjësve të rinj, për ngritjen e një Shtëpie Biznesi (Business House) për sektorin, etj.

Qeveria ende nuk u ka dhënë asnjë përgjigje kërkesave tona të përsëritura dhe ne jemi ne pritje. Në mungesë të këtyre hapave konkrete nga qeveria, rritja e pagës minimale shton barrën e pagesave mujore të sigurimeve shoqërore dhe koston e kualifikimit të punonjësve të rinj.”

26% e të punësuarve në vend paguhen me pagë minimale

Në tremujorin e dytë të vitit punonjësit që deklarohen në tatime me pagë minimale 26 mijë  lekë përbënin 26% të totalit te të punësuarve nga 26.4 që ishin në fund të vitit 2019. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, Në tremujorin e dytë të vitit punonjësit që deklarohen në tatime me pagë minimale 26 mijë  lekë përbënin 26% të totalit te të punësuarve nga 26.4 që ishin në fund të vitit 2019. Gjithashtu të punësuarit me pagë nga 26 mijë lek% në 30 mijë lekë arritën në 11.1 % të totalit te të punësuarve nga 12.1 për qind që ishin në fund të vitit 2019. Ndërsa kategoria e punonjësve me paga 60,000-95,000 lekë zuri 19.9 për qind të totalit e punësimit në tremujorin e dytë 2020 në raport me 18.6 % që zinin në fund të vitit 2019. Gjithashtu kategoria e punonjësve me paga të larta 95,000-120,000 lekë ka rritur peshën në totalin e punësimit ( Shiko tabelën bashkëngjitur). Ndryshimi i strukturës së punësimit në favor të pagave të larta u ndikua nga rritja e menjëhershme e papunësisë në punonjësit me paga të ulëta. Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e dytë të vitit mbi 50 mijë persona humbën punën. Kjo kategori ishin kryesisht punonjës në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve, dhe përfaqësonin biznese të tilla si hotelet, baret dhe restorantet.

  • Punonjësit me pagë minimale deri në 30  mijë lekë në muaj zunë 37.1 për qind të të totalit të punësimit.
  • Punonjësit me paga të larta mbi 95 mijë lekë në muaj zënë vetëm 8.4 5 të totalit të punësimit.
  • Bizneset kërkojnë; Për të zbutur efektet e barrës fiskale rekomandon rritjen e pragut për mostatimin e të ardhurave nga 30,000 lekë në 50,000 lekë.

 

  • Rritja e pagës minimale në nivelin e 30 mijë lekëve, rrit rreth 28% detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore

 

  • Me rrogën minimale 26 mijë lekë aktualisht paguhen 7,254 lekë kontribute e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

 

  • Nëse paga e re minimale do të jetë 30,000 lekë do të paguhen 8,370 lekë kontribute apo 1,116 lekë më shumë.