FMN miraton këstin e 2 dhe 3 Shqipëria merr 53 mln euro kredi

702
Sigal

TIRANE – Fondi Monetar Ndërkombëtar ka miratuar rishikimin e dytë dhe të tretë të marrëveshjes të nënshkruar më qeverinë shqiptare vitin e kaluar, duke i mundësuar kështu vendit tonë marrjen e kredisë me vlerë prej 53 milionë eurosh.

Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Financave sipas së cilës, miratimi nga ana e bordit të FMN-së është bërë më 20 shkurt të këtij viti, në kuadër të marrëveshjes mes palëve.

Sipas Ministrisë së Financave, vendimi i mësipërm vjen si rezultat i angazhimit të autoriteteve shqiptare për çuarjen përpara të reformave strukurore të rëndësishme në fusha si ajo taksave, e energjisë, e pensioneve, e shlyerjes së pagesave të prapambetura.

Po ashtu Ministria e Financave bën të ditur se politikat fiskale, të ndjekura për reduktimin e rreziqeve që vijnë nga niveli i lartë i borxhit publik, kanë krijuar premisa për një kuadër të favorshëm makroekonomik, që mundëson rigjenerimin e ekonomisë drejt normave më të larta të rritjes dhe punësimit.

Në nëntor të vitit të kaluar, përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi gjatë vizitës në Tiranë vlerësoi reformat e marra nga qeveria shqiptare duke theksuar se vendi ynë meriton këstin e radhës së kredisë prej 300 milionë eurosh.