Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ku është fustani i kuq i Lida Cangonjit?

Sapo jam kthyer nga shtëpia e Solange d’Angely në Rue Didot. Një whisky dhe një bisedë për Lidën, miken tonë të shtrenjtë. Flasim për jetën, dashuritë njerëzore, bisedojmë rreth qenies dhe përkufizimit se çështë krijesa njerëzore, por asgjë nuk arrin t’i gjejë përgjigjen pyetjeve tona të mëdha. Atëherë unë i flas për Lidën, s’dihet pse, ndoshta pse ndërkohë m’u shfaq ajo fushë e madhe me trëndelinë tutje shtëpisë së Lida Cangonjit në Marsanne, në jug të Francës, jo larg Lyon-it. Një fushë ngjyrë vjollcë, me erë trëndeline dhe ajo e dehur apo e çmendur mes tyre, me dëshirën për të ndaluar kohën. Por a mund ta ndalësh atë, kur gjithçka është e lidhur me atë botë kozmike e të panjohur ende? Marr frymë thellë dhe ndjej ende erën e trendelinës ndërkohë që lë Solange dhe nisem drejt shtëpisë time, dy hapa më tutje. Kujtoj ndërkohë atë rrap të vogël përballë portës së tyre në Marsanne kur uleshim dhe pinim një çaj me Peter Haubro, i cili tashmë si një artist i vërtetë ishte njësuar me natyrën dhe nuk shqitej më nga ajo. Ecja dhe Lida më shfaqej rrugës me të qeshurën e saj, energjinë dhe dashurinë që çlironte ngado, si gjithnjë. Papritur, një çast Solange më kishte thënë: “E di, Lida kishte qef të kishte një fustan të kuq dhe kur isha tek ta për pushime, ne shëtitëm në fshatrat përreth dhe kur ndaluam diku, unë pashë një dyqan ku kishte një fustan të kuq. Atëherë i thashë Lidës: “Provoje këtë fustan, kam qef të ta bëj peshqesh!” Dhe ajo e provoi… Lida shkëlqente me atë fustan… U gëzua shumë. Pastaj ata erdhën në Paris tek unë. Peter përkujdesej për ekspozitën e tij në Denfert Rochereau. Në mëngjes pinim çajin dhe pastaj ata shkonin, të lumtur, nëpër rrugët e Parisit…”  Atë çast pashë sytë e lagësht të Solange. Por edhe në sytë e mi, tashmë binte një shi i hollë! Ishim njohur që me filmin, në kohën kur luante filmin “Rrugë të bardha”… pastaj në Paris, kur erdhi të marrë çmimin për gruan në shkencë të akorduar nga kryeministri Lionel Jospin, pasi Lida kishte krijuar një qendër trajtimi për handikapët mendorë dhe kryesisht fëmijët. Përkushtim i gjithkohshëm i saj. Pastaj miqësia bëri udhë, ndër vite. Lida sapo kishte shkuar, për mos tu kthyer më, ashtu papritmas, brenda një jave, kur unë mendoja të shkoja tek ajo, në Marsanne… Ishte një lajm i papritur, i kobshëm, i pabesueshëm, sikur një dorë qiellore ta kishte rrëmbyer fshehurazi nga kjo botë.

 

Sigal

U ktheva. Ecja rrugës dhe imagjinoja Lidën me fustanin e kuq që shkonte nëpër rrugë dhe sfidonte dimrin, të ftohtit, botën që shkiste nën këmbët e saj, botën që shket, gjithnjë…

Ku është tani fustani i kuq i Lida Cangonjit? Kam dëshirë ta thërras Lidën dhe t’i them ta veshë dhe njëherë për mua, pasi e kuqja i shkonte shumë, ajo ishte në çdo qelizë të saj… Të nesërmen, tek kaloja në krah të kishës Saint-Severin, ngrita kokën lart dhe pikasa sërrish ata garguj aq të dashur për Peter dhe Lida… ishin ngargujt që kishte vizatuar Peter, figurat fantazmogorike që kishte hedhur në pikturë apo në kolazhet e mrekullueshme të tij, dhe kjo më kujtoi shtëpinë e tyre në Marsanne, atje buzë fushës, shtëpia e fundit e Marsanne-s, një shtëpi e ngrohtë që kur hyje, të dukej se po hyje në një galeri arti. Dhe Lida, me atë dashurinë dhe entusiazmin e zakonshëm të saj të tregonte krijimet e Peter që i shikoje ngado, nëpër dhoma, në sallon, në të gjitha faqet e mureve, madje dhe kur ngjiteshe lart nëpër shkallë, për të shkuar në dhomën e miqve: përsëri gravura, tablo, vizatime, krijime në bojë vaji. Lida kështu jetonte me artin dhe njëkohësisht me librat e psikiatrisë për fëmijë që shkruante, pasi Lida nuk mund ta linte pas shkencën e psikiatrisë. Gjithnjë mes librave. Një botë plot ritëm dhe plot dashuri. Një jetë që u ndërpre nga një rrufe që ra në qiell të hapët.  Lida shkoi me nxitim, duke mbajtur kokën pas, drejt bijve të saj, Peter, njerëzve të afërt, miqve…

Njeriu që kërkonte gargujt

—-

S’kisha menduar kurrë për gargujt… Para tyre kisha qënë gjithnjë indiferent. Figura të çuditëshme, të ftohta, pothuaj gjithnjë diabolikë. Kur isha fëmijë, me ndillnin frikë. Më ngjanin me magistarë të tjetërsuar në gur. Ardhur nga botë të tjera. Shumë vite më vonë, një ditë në Paris, takova Peter Haubro-n. Peter-i me një këmbë në Shqipëri, me një qiell tè Danimarkës në sytë e tij dhe një zemër të shkulur, dhuruar artit, krijimit, delirit, udhëtimit në hapësira të njohura e të pa-njohura. Pinjoll i Odiseut të lashtë. Bashkë bëmë një copë udhë deri në Chartres së bashku me të dashurën, gruan e tij shqiptare, Elida Cangonji, miken time të Kinostudios, aktoren e filmave “Rrugë të Bardha”, “Njeriu me top”… Ndaluam nën hijen e katedrales. Kishte diell. Peter-i picëronte sytë poshtë kembëve të saj, në kërkim të magjisë së gargujve. Pikturonte serinë e gargujve duke bredhur sa në një katedrale apo kishë të Francës tek tjetra. Dhe Lida githnjë pas tij. Garguit ishin aty. Të heshtur. Deshmitarë historike. Ngroheshin në diell. Gardianë të vjetër, krijuar nga duar njerëzorë, qindra e qindra vjet më parë. Peter-i pikëtakonte kështu gargujt e tij. Kishte kohë që i kërkonte. Dhe ata e përqeshnin. Ndersa ai qeshte, vizatonte. Ishte Chartres si gjithnjë në magjinë dhe mrekullinë e ngjizur në vitrazhe. E lashē aty, magjepsur nga portalet e katedrales duke kërkuar në ato qindra figura gargujt e krijuar në gur, dehur nga “Divine Comedie e Dantes. “Pictura est quoedam litteratura” “Letërsia e të paditurve”, kështu quheshin katedralet, ku njerëzit nëpërmjet figurave mund të kuptonin lehtësisht mesazhet biblike. Magjepsej me garguit që ngriheshin në cepat e katedrales dhe vizatonte me shpejtësi: portale, figura shenjtësh, virgjëreshash. Jetë biblike mbi gur. Njeriu dhe Zotat. Hyjnitë në marramendjen e madhe njerëzore. Ritet. Jeta, vdekja dhe pertej-vdekja. Alkimi në kërkim të së panjohurës. Gjithçka ishte aty prej ndoshta 1000 vjetësh. Gargujt qëndronin të heshtur e krenarë. Përgjonin ata që vinin, ata që shkonin, bohemët, mergimtarët, lypsarë, artistë. Sikur ruanin horizontet. Nuk kishin emra. Nuk dihej gjë për krijimin e tyre. Pjella të kujt ishin? Të cilit artist, te cilës dorë që prej kohësh ishte shuar e kthyer në pluhur… Garguj në katedralet e famshme të Strasbourg-ut, Chateau de Blois, Reims, “chimères» trupa grash me katër gjinj dhe fytyra monstruoze, me fytyrë luani apo cjapi me brirë të mëdha që konsiderohej diku si “princi i ferrit”, … dhe nuk çuditesh të shohësh një “fallus”, një seks mashkullor, çka të duket e paimagjinueshme që të jetë gdhendur në balustradat e kishave, katedraleve. Përse vallë, pasi ndryshe do të ishte një blasfemi. Por gjithë kjo na kuiton Danten me “Ferrin” e tij në “Komedinë Hyjnore”. E pra, kjo semantikë skulpturale u flet besimtarëve se e mira, e moralëshmia dhe virtuti ndodhen brenda atyre mureve të asaj ndërtese gqë populli e quan “Shtëpia e Zotit”. Kohë më vonë, Peter-in e takova sërish. Figurat e garguive ishin tashmë mbi letrën e bardhë. Qindra grafika, gravura. Ishin gargujt e tij, pjella të tij hedhur në letër. Pa emer. Silueta të gargujve të gurtë që ai kish takuar në Sens, Rouen, Amiens, Notre-Dame de Paris, Dieppe, Bayeux… Siluetat e tyre ndërpriteshin nga re, apo nga hëna e plotë. Garguj të ripërtërirë nga magjia e artit të tij. Peter-i, me një qiell te Danimarkës mbi sy… Dashuruar me hënën… dhe gargujt. Figura mistike transplatuar në botë moderne. Të padeshifrueshëm si gjithnjë. Udhētare botrash të njohura e mistike. Secili me një histori të fshehte brenda tij, ngjizur në gur. Të nxirë, disi të rrënuar, të zbardhët, të trishtë e madje disa gjymtuar nga rrufetë. Shpirtra që pulsojnë. Kohë më vonë, në letrat që do më shkruante, mbi zarfa, Peter-i do më dërgonte dhe gargujt e tij ngjizur mbi letrën e bardhë: “38, Rue Cels, 84, Rue Didot, 35, Avenue René Coty, 6, Rue Alfred Durand Claye”… Garguj mesazherë. Kësaj radhe ndryshe nga ata të katedraleve, ata ishin mesazherë të paqes, të dashurisë, të mirësisë. Një periudhë mbi zarfa ata ishin të kuq apo lyer ne ar, sikur dilnin nga diej, kratere apo zjarre. si ngjanin kështu ne gardianë vullkanesh, nga goja e të cilëve dilte veçse llave, zjarr… Mitologji e kohëve të vietra dhe moderne. Garguj, “gargouilles”, “gargle”, “gronola sporgente”, “gorgola”, “gorgoyles”, “wasserspil”, “chimères” … emertime të ndryshme, emra legjendash, figura groteske e mistike që prej shekuish kanë habitur e magjepsur sytë njerëzore… turmat që mblidheshin nën hiret e katedrales dhe kishave, në oborret e tyre, nën këmbimet e mëdha të këmbanave… Garguj gjysmënjerëz, gjysmekafshë, si murgjë të përçudnuar, mekatarë demoniake, të heshtur deh gjithnjë ballë rrebeshesh. Këto krijesa guri në formë çentaurësh që flaknin tej shirat e stuhive, ishin njëkohësisht dhe bufonat e kohës sonë.