Toleranca fetare, në shtator Tirana do të jetë kryeqyteti botëror i paqes

853
Sigal

TIRANE – Në shtator të këtij viti, një vit pas vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri, Tirana do të kthehet në  kryeqytetin e paqes në Evropë por edhe në mbarë botën, duke promovuar edhe një herë dialogun dhe bashkëjetesën fetare.

Kjo pasi në datat 6, 7 dhe 8 shtator të këtij viti, udhëheqës të të gjitha besimeve fetare botërore do të mblidhen në Tiranë ku do të mbahet “Takimi i 28-të Ndërkombëtar për Paqen” në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të Luftës së Fundit në Ballkan.

Takimi organizohet nga Komuniteti “Sant’Egidio”, në bashkëpunim me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe qeverinë shqiptare, dhe ku krerët e botërorë të besimeve fetare, do të dialogojnë dhe do të luten për paqe, duke sjellë frymën e Assisit në Shqipëri (Dita Botërore e Lutjeve për Paqe).

Ky takim do të prezantohet më 24 shkurt 2015, nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, Presidenti i Komunitetit “Sant’Egidio” Marco Impagliazzo, Peshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Andon Merdani si dhe Ipeshkvi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Luçjan Avgustini.

Takimi vjen në një kohë kur rreziku i ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, është kthyer në një çështje shqetësuese në mbarë botën, ndërkohë që vendi ynë do të japë edhe një herë shembullin e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. 

Kjo është një ngjarje e përvitshme e cila ka marrë jetë që më 27 tetor 1986, në një takim të organizuar nga Papa Gjon Pali II në Assisi të Italisë, ku liderë botërorë të feve, u mblodhën dhe u lutën për paqe në botë.