Safet N. Ramolli: Liria dhe Flamuri Kombëtar, kryefjalë të shenjta të popullit tonë

1055
Sigal

   Nuk e ndanë stërgjyshët tanë shpatën nga kënga, trimërinë nga dituria, luftën nga puna, vdekjen nga jeta, gëzimin nga hidhërimi

 

Kur vjen nëntori, krejt natyrshëm çdo shqiptari i shkon mendja tek 28 nëntori 1912, kur Plaku i urtë Ismail Qemali me mëmëdhetarë të tjerë, shpalli në Vlorë Pavarësinë e Shqipërisë. Me këtë akt të zgjuar diplomatik, por edhe të lartë patriotik e burrëror, ata konkretizuan ndjenjën e fuqishme të lirisë, e cila e ushqyer me gjak, ka hedhur rrënjë të thella në zemrën e popullit tonë. Ai gjithmonë lirinë e ka çmuar, e ka vlerësuar, si dhe e ka mbrojtur si gjënë më të shenjtë.

Filozofë, krijues dhe personalitete vendas e të huaj, këtë cilësi të lartë morale e kanë evidentuar dhe e kanë theksuar në kohë dhe vende të ndryshme. Që në lashtësi filozofi grek Demosteni, përveç të tjerash shprehet: “… Përsa  i përket ilirëve, për ‘ta është e kënaqëshme të jenë të pavarur e të lirë se sa të nënështruar …”. Por dihet fare mirë se ilirët janë paraardhësit tanë, të cilët me trimërinë dhe guximin e tyre, u kanë dhënë nder e lavdi, për rrjedhojë edhe shënjtëri këtyre trojeve, duke përballuar me përkushtim hordhitë barbare të ardhura nga lindja apo nga perëndimi, nga jugu apo nga veriu. Mandej, pasardhësit e tyre u qëndruan ballas të gjitha furtunave që polli e krijoi historia, duke na vënë për fatin tonë të keq, edhe midis fqinjësh shovenë e të pabesë.

Nuk e ndanë stërgjyshët tanë shpatën nga kënga; trimërinë nga dituria; luftën nga puna; vdekjen nga jeta; gëzimin nga hidhërimi …Por me shpatë mbi kokë u kënduan të rënëve; me krismat e pushkëve ushqyen trimërinë, me lotin e dhembëshëm rritën shpresën e mirë, me gurin e strallit ndezën zjarrin e lirisë, nën dritën e pishës mprehën armët e bardha, me bajonetën e armëve mprefën lapsin e dijes … E kështu, përjetësisht nga pushkët lindën këngët; nga këngët u shtuan krismat; nga pushkët e këngët u ushqyen formacionet e luftëtarëve të lirisë …

Nderi dhe krenaria kombëtare, thirrja e të rënëve për Atdhe e Liri, ka shërbyer përgjatë gjithë rrjedhës së historisë së shqiptarit, si një kushtrim i zjarrtë … Kështu, Gjergj Elez Alia, “… që nëntë vjet, nëntë varre në shtat m’i ka …”, i thirrur nga detyra ndaj Atdheut dhe nga nderi i familjes, si një hero mitik, përleshet me Bajlozin e Zi, i ardhur nga përtej deti si pushtues e dhunues, dhe e mposht atë. Si ky Gjergj ngrihet i gjithë populli sa herë që e ka kërkuar nderi i kombit, dhe ka luftuar për idealin kombëtar i udhëhequr nga Bardhyli, Teuta, Genci, Pirroja … Më pranë në histori, në shekullin XV, populli shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut, për 25 vjet i bëri ballë ushtrisë turke më e madhja e kohës, duke i dhënë liri dhe lavdi vendit të tyre, por edhe duke shpëtuar krishtërimin evropian. Gjithësesi, të gjithë ata që kanë luftuar për trojet arbërore, kanë shkruar historinë me gjak e lavdi …

Janë më vonë në histori Gjolekët, Hodot…, të cilët me zjarrin prush të ndezur për vatanin, nuk tërhiqen nga fushëbeteja, nuk kërkojnë as të falur tek armiku, por i qëndrojnë atij stoikisht duke e sfiduar!!! Janë Gjergj Golemët, këtej e përtej detit, që edhe pse të plagosur për vdekje, të etur të shohin Atdheun në liri, nuk e përfillin vdekjen, por si në legjendë tërhiqen zvarrë, dhe pasi puthin Flamurin Kombëtar, ndahen me këtë jetë, të qetë me mendimin se, kështu e kanë kryer detyrën deri në fund ndaj Atdheut… Janë luftëtarët për gjuhë shqipe dhe liri: Veqilharxhi, Luarasi, Gërmenji, Qirjazi dhe dhjetra–qindra të tjerë, komandantë e luftëtarë, të cilët me gjakun e tyre të pastër shkruan me lavdi një pjesë të historisë së kombit … Janë më vonë vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Fan Noli, Bajram Curri, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Avni Rustemi, Stavro Vinjau, Sulejman Delvina, Hoxhë Kadria, Idriz Seferi, Elez Isufi, dhe dhjetra të tjerë të pavdekshëm, të cilët ideuan dhe projektuan një Shqipëri demokratike, sovrane, të lirë, të pasur …

Ideali i lirisë, nderi kombëtar, e thirrën Mujo Ulqinakun me atdhetarë të tjerë, që më 7 prill 1939 të dalin në vijën e parë të ndeshjes për jetë a vdekje me armikun pushtues, dhe të vënë në themelet e Atdheut jetën e tyre!!! Janë mijëra shqiptarë, që me idealin e lirisë e të prosperitetit, dhanë jetën në çdo pëllëmbë km 2 të trojeve tona shekullore, për të çliruar vendin nga pushtuesit nazi-fashistë !!!

Por lirinë populli ynë nuk e ka ndarë asnjëherë nga Flamuri Kombëtar. Kjo sepse ai atë e quan përmes zemrës: nderin e kombit, krenarinë dhe lavdinë për gjakun e derdhur në mbrojtjen e Atdheut, sakrifica për të ardhmen e kombit, simbol të trimërisë dhe të heroizmit mbarëshqiptar… Flamuri Kombëtar ngërthen idealet më të larta të kombit, aspiratën e pashuar të popullit shqiptar për të qënë i lirë, vendosmërinë e tij për të mbrojtur me çdo sakrificë tërësinë territoriale, lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Por Flamuri Kombëtar për shqiptarin, krejt natyrshëm përmban edhe ndëshkimin moral për cilindo që do të tregohet frikacak, i padenjë, dhe për më tepër, i pabesë e tradhëtor për kombin. Flamuri Kombëtar simbolizon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, kur na kujton, se me atë është mbrujtur heroizmi dhe gjaku i popullit në rrjedhën e historisë së tij. Ai ka qëndruar gjithmonë në ballë të luftës dhe të ndeshjes dhëmb për dhëmb me armikun, prandaj kur bën Ai apel, imponohet me gjithçka dhe magjishëm, për ta mbrojtur të pastër e të papërlyer. Flamuri Kombëtar është simbol nderi për të gjitha forcat politike, është mesazh i shënjtë i të gjithë atyre që kanë vënë në themelet e kombit të tyre jetën, gjënë më të shenjtë. Atë e respektojnë si shënjë të lartë dhe simbol nderi të gjithë ata, që në gen janë shqiptarë, por edhe gjithë qytetarët e vëndeve të tjera, të cilët i dijnë vlerat e Flamurit Kombëtar.

Duke qënë Flamuri i tillë, pra me përmbajtje të lashtë, të thellë dhe të madhërishme sa edhe vetë kombi, Ai ka edhe një “HYMN”, fjalët, tingujt dhe solemniteti i të cilit, janë një thirrje e magjishme për çdo shqiptar. Nga fjalët dhe vargjet e kësaj Vjershe–Hymn, ai që e ndjen se është Shqiptar, preket atje ku burojnë mendimet e ndjenjat; mobilizohet atje ku fillojnë veprimet; vepron praktikisht me mjetet që konkretizojnë ndjenjat e mendimet, duke iu dukur vdekja, “ … si me le …”, sikurse shprehet më se një herë personaliteti i padiskutueshëm i letrave shqip Gjergj Fishta.

Hymni i Flamurit shpreh qëndrimin ideoemocional të popullit ndaj simbolit më sinjifikativ të tij, simbolit të përbashkët dhe gjithpërfshirës, i cili ka shërbyer dhe mbetet faktor uniteti, bashkimi, mobilizimi dhe veprimtarie të gjallë, të të gjithë anëtarëve të komunitetit shqiptar. Në çështjen e përbashkët për ruajtjen e interesave të larta të kombit, shqiptarët kanë gjetur forca , “… të lidhin besën për shpëtim…”, të damkosin me njollën më të errët të turpit ata, që i qëndrojnë larg apo të papërkushtuar çështjes kombëtare, duke i deklaruar e denoncuar ata: “… të lindur tradhëtorë…’’. Ata i kanë bërë thirrje dhe kanë evidencuar praktikisht cilësinë morale mbarëshqiptare, BURRËRINË, e cila vjen nga thellësia e shekujve dhe është gatuar e veshur me akte heroizmi të pashoqe deri në vetmohim, si kompesim i fjalës së dhënë dhe i besës së lidhur para Flamurit Kombëtar.

Hymni i Flamurit është një akt i lartë dhe i shënjtë, sepse ka të bëjë me fjalën e dhënë dhe besën e lidhur nga “… burri i Shqipërisë…’’, para shenjës më të lartë të kombit. Ky akt për shqiptarët ka qënë dhe mbetet një çështje nderi, krenarie e dinjiteti. Nga qëndrimi ndaj këtij akti është vlerësuar edhe vetë shpirti patriotik e atdhedashës i shqiptarit. Në bazë të këtij akti të lartë moral, shqiptari e ka ndjerë dhe e ndjen si detyrim të shënjtë çështjen e shërbimit ndaj Atdheut me përkushtim deri në sakrificën sublime. Por “Hymni i Flamurit” është edhe fjala e dhënë përpara Gjykatësit më të lartë, përpara Gjykatësit të gjykatësve,  përpara ZOTIT, i cili nga ana e vet, duhet pranuar me bindshmëri, se për hir të atdhetarizmit të poetit i ndezur prush, Shqipërinë e veçon nga një e keqe e madhe, sikurse është shpërbërja e kombit, kur shprehet edhe “… po Shqipëria do të rrojë …”, sepse për atë luftojnë nga më i madhi deri tek më i vogli.

28 nëntori magjishëm i ka ardhur si i shenjtë dy herë Shqipërisë: më 1443 dhe 1912. Në të dy rastet është luftuar për një Flamur dhe nën një Flamur: e kuqe fusha, e zezë shqiponja me dy krerë. Në të dy rastet ky Flamur është mbuluar me lavdi, ashtu sikurse është shënjtëruar me gjakun e martirëve. Në të dy rastet është inspiruar për një Shqipëri në Ballkan dhe në Evropë, dhe për të ecur në krah dhe bashkë me fqinjët …

Por, po kaqë i magjishëm ka ardhur edhe 29 nëntori 1944. Pas një beteje legjendare të bijve dhe bijave më të mira të popullit tonë me bishën nazifashiste për gati 5 vjet, në Shqipëri u ngrit i lirë Flamuri Kombëtar. Populli shqiptar është krenar sepse, edhe në këtë kohë (7 prill 1939 – 29 nëntor 1044, S.R) u luftua me dinjitet dhe vendosmëri për Atdhe dhe Popull, për Liri e Prosperitet… duke prirë një flamur: Flamuri Kombëtar.

Në të tre këto periudha të historisë së kombit, bijtë dhe bijat e tij, të cilët e ndjenin përgjegjësinë përpara Atdheut, luftuan me heroizëm të pashoq. Në të tre këta nëntorë, magjishëm ka prirë një Flamur, është luftuar për një Flamur, dhe është fituar me një Flamur: FLAMURI KOMBËTAR SHQIPTAR, simbol i lartë dhe i shenjtë.

Ja pse Liria dhe Flamuri Kombëtar janë kryefjala e shenjtë e popullit tonë! Ja pse ato i kujtojmë veçanërisht në 28–29 Nëntorin e Flamurit Kombëtar: ditën e Ngritjes së Flamurit në Krujë, të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, dhe Ditës së Çlirimit nga pushtuesit!