Rrëfimet e Edip Ohrit për vizitën në minierën e uraniumit

2428
Sigal

Takimet sekrete të delegacionit shqiptar në Kinë. Pse Beqir Balluku kërkoi raketa, anije, avion, tanke dhe uzina ushtarake gjatë bisedës 6 orshe me Çu En Lain. Raportimi urgjent tek Enveri, dhe pse pas disa vjetësh të gjithë pjestarët e delegacionit u burgosën dhe pushkatuan. Ja tmerri në hetuesi

Rrëfimet e Edip Ohrit: Pas takimit me Çu En Lain, Beqir Balluku unë dhe shefi i Kimisë, vizituam një minierë uraniumi

Qëllimi i vajtjes ishte furnizimi nga Kina me një arsenal armatimesh si raketa, tanke, anije, avionë, artileri të rëndë, uzina ushtarake

Pas disa vjetësh, pothuaj të gjithë pjesëtarët e delegacionit përfunduan burgjeve,  internimeve ose u pushkatuan

Çu En Lai: ju duhet të lidhni një pakt me Bukureshtin e Beogradin pasi ne jemi larg dhe nuk mund t’ju ndihmojmë dot në një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik

-E gjithë biseda me  Çu En Lain, e cila zgjati rreth gjashtë orë, ia transmetuam urgjent Enver Hoxhës në Tiranë

Dashnor Kaloçi

Historia e panjohur e marrëdhënieve shqiptaro-kineze në fillimin e viteve ’70-të, sipas dëshmive të rralla të ish-komandantit të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputetit të Kuvendit Popullor, Edip Ohrit, lidhur me bisedimet sekrete që u zhvilluan në 1972-in në Pekin, ku në përbërjen e delegacionit ushtarak që kryesohej nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, merrnin pjesë të gjithë shefat e armëve të Ushtrisë Shqiptare. Si e priti kryeministri kinez kërkesën e delegacionit shqiptar që, sipas porosive që kishte marrë në Tiranë, u kërkoi palës kineze 18 uzina ushtarake dhe cila ishte përgjigja e Çu En Lait, lidhur me atë gjë dhe aludimet e tij për Mehmet Shehun, duke thënë se ai i kishte qejf avionët amerikanë…?! Itinerari i kthimi të delegacionit të lartë ushtarak të Ministrisë së Mbrojtës, duke ndalur në Francë dhe në Itali, ku autoritetet vendase morën masa të rrepta sigurie që të mos ndodhte ndonjë incident me emigracionin politik shqiptar që ishte në ato dy shtete dhe kthimi në Tiranë, ku pas disa vjetësh, pothuaj të gjithë pjesëtarët e delegacionit përfunduan burgjeve dhe internimeve, të akuzuar si “armiq të popullit” dhe “pjesëtarë të grupit puçist në Ushtri” me në krye Beqir Balukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, të cilët u pushkatuan…

Në pjesën e tretë të këtij shkrimi të botuar në numrin e djeshëm në Memorie.al, nëpërmjet intervistës së Edip Ohrit, ish-komandantit të përgjithshëm të Aviacionit Luftarak të Shqipërisë dhe deputetit të Kuvendit Popullor, u njohëm me bisedimet sekrete të zhvilluara në Pekin në fundin e vitit 1972, në mes delegacionit të ushtarakëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes të kryesuar prej Beqir Ballukut, dhe atij kinez të kryesuar prej kryeministrit, Çu En Lai. Sipas dëshmisë së Ohrit, qëllimi i vajtjes së atij delegacioni të lartë në Pekin, ishte furnizimi nga Kina me një arsenal të madh armatimesh si raketa, tanke, anije, avionë, artileri të rëndë, uzina ushtarake etj. Të gjitha ato kërkesa për marrje armatimesh nga Kina, udhëheqja e lartë shqiptare me në krye Enver Hoxhën, i bënte pasi ajo mendonte për një prishje të mundshme të marrëdhënieve me miqtë e largët nga Azia, gjë e cila pritej të ndodhej pas vizitës së presidentit yë SHBA-vë, Richard Nikson në Kinë. Por që në takimin e parë me ministrin e Mbrojtjes të Kinës dhe më pas me kryeministrin, Çu En Lai, delegacioni shqiptar mbeti i zhgënjyer sepse ndeshi në mosaprovimin e atyre kërkesave nga pala kineze, e cila ua tha qartë: “Ju duhet të lidhni një pakt me Bukureshtin e Beogradin për të formuar një Bllok, pasi ne jemi larg dhe nuk mund t’ju ndihmojmë dot në një sulm të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik”.

vijon nga numri i kaluar

Zoti Ohri, kur u njoftua Enver Hoxha për ato bisedime që po zhvillonte delegacioni juaj me Ministrin e Mbrojtjes dhe kryeministrin e Kinës, Çu En Lain?

E gjithë biseda në mes delegacionit tonë dhe atij kinez të kryesuar nga Çu En Lai, e cila zgjati rreth gjashtë orë, u stenografua nga dy radistët e ministrisë së Brendshme që kishin ardhur bashkë me ne dhe ata ia transmetuan urgjent Enver Hoxhës në Tiranë. Pas atij takimi, të dy radistët u kthyen menjëherë për në Shqipëri dhe vetëm atëhere ne e kuptuam se përse kishin ardhur ata në Kinë në përbërje të delegacionit tonë”.

Si u prit nga Beqir Balluku dhe ju ushtarakët e tjerë përgjigja e kinezëve për mosaprovimin e kërkesave tuaja?

Normalisht që ne na ranë si bombë përgjigjet e palës kineze, pasi deri në atë kohë ne ishim mësuar që të merrnim falas nga Kina, çdo gjë që kërkonim. Por ne përsëri ishim të qetë sepse ajo nuk varej nga ne.

A ndjehej i mërzitur Beqir Balluku pas atyre bisedimeve dhe si ishte gjëndja e tij shpirtërore ato ditë?

Çuditërisht Beqiri nuk ishte shumë i mërzitur si në vitin 1961 kur na kishte folur Hrushovi në Moskë, përkundrazi ai ishte i qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë, duke e quajtur përgjigjien e kinezëve diçka normale. Ndoshta kjo vinte edhe nga fakti se kurrsesi ai nuk mund të ishte përgjegjës për qëndrimin që po mbante pala kineze, aq më shumë se ai e kishte bërë detyrën e tij, duke ia trasmetuar Tiranës përgjigjien e tyre dhe duke hequr gjithshka nga supet e veta.

Këtë që po ndodhte me delegacionin tuaj, pra mos aprovimin e palës kineze për t’ju dhënë 18 uzina ushtarake, etj., a e diskutonit më bisedat në mes tuaj pa praninë e kinezëve?

Po patjetër, më kujtohet se në një nga ato ditë kur ne takoheshim darkave për mbledhje me Beqir Ballukun, ai na tregoi ngjarjen e vitit 1947 në Beograd, kur ai ishte në funskionin e shefit të Shtatmadhorisë. Në atë kohë, Marshalli Tito, i kishte bërë presion Beqirit, që ai të nënshkruante për ardhejn e dy divizioneve ushtarake në Shqipëri, gjë të cilën ai nuk ia kishte pranuar. Me këtë gjë Beqiri donte të na tregonte se historia me ne shqiptarët në një farë mënyrë po përsëritej.

Pas takimit me Çu En Lain, a ishte në axhendën e protokollit që delegacionin tuaj ta priste edhe Mao Ce Duni?

Gjatë asaj vizite nuk ishte planifikuar që ne të na priste Mao Ce Duni, ndonëse ne bëmë disa demarshe që të takoheshim me të. Ne kishim shumë dëshirë që ta na priste edhe Mao Ce Duni ashtu siç na kishte pritur çdo herë që kishim qenë për vizita në Kinë. Kur ishim në korridore, bisedonim me zë të lartë me njëri tjetrin që të na dëgjonin kinezët, por përsëri ai nuk na priti.

Gjatë atyre ditëve, a vinit re që të survejoheshit nga kinezët?

Kinezët e kishin shumë të theksuar survejimin, jo vetëm ndaj nesh, por ndaj të gjithë të huajve që vizitonin Kinën. Që kur mbërritëm në Kinë, eprorët tanë na dhanë porosi të veçanta që në mënyrë kategorike nëpër dhoma të mos bënim asnjë bisedë pune. Kështu që ne ishim të detyruar që të gjitha bisedat t’i bënim nëpër korridore, oborre dhe lulishte.

Pas takimit më Çu En Lain edhe sa kohë qëndruat ju në Kinë?

Pas takimit me kryeministrin kinez ne qëndruam në Kinë edhe për dy javë të tjera dhe kinezët na dërguan për të parë e vizituar reparte dhe uzina ushtarake të llojeve të ndryshme të armëve. Beqir Ballukun, shefin e Kimisë, Dhori Gjonin dhe mua, kinezët na dërguan për të parë edhe një minierë uraniumi.

Kur u kthyet dhe në çfarë itinerari udhëtuat për në Tiranë?

Ne u kthyem për në Shqipëri disa ditë para vitit të ri dhe para nisjes delegacioni ynë u nda në tre pjesë duke udhëtuar veç e veç. Në grupin e parë ishin: Beqir Balluku, Rrahman Parllaku, Hito Çako dhe Abdi Mati me shoqëruesit e tyre, në grupin e dytë bënin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe komandantët përkatës të të gjitha llojeve të armëve, ndërsa në grupin e tretë të gjithë ekspertët. Nga Shangai ne erdhëm në Paris ku u shokuam dhe u mahnitëm me bukuritë e tij, ndonëse ne na kishin rekomanduar që të vizitonim vetëm Pigallin. Në Romë ne u bashkuam me Beqir Ballukun dhe të tjetër e së bashku u kthyem për në Tiranë. Desha të them se edhe në Francë edhe në Itali, i gjithë delegacioni ynë ishte nën masa të rrepta sigurie nga policia vëndase, në mënyrë që të evitohesh çdo incident i mundshëm me ndonjë nga emigrantët politikë shqiptarë të arratisur prej kohësh.

Pas kthimit tuaj në Shqipëri, a dërguan kinezët armatime nga ato që kërkuat ju gjatë vizitës suaj?

Kinezët vazhduan që të dërgonin armatime të ndryshme në Shqipëri nga ato që na kishin premtuar dhe kishim lidhur marrëveshje dy palëshe. Bile po ju them se kinezët na jepnin edhe armatime të cilat ne nuk ua kishim kërkuar, duke na thënë se ne kishim shumë nevojë për to. Kinezët kanë qenë shumë korrektë me ne shqiptarët gjatë gjithë periudhës së miqësisë së përbashkët. Edhe pse në vitet e fundit marrëdhëniet në mes dy vëndeve ishin ftohur, ata vazhduan që të dërgonin falas armatime të ndryshme në Shqipëri, deri në 1977 kur ne u prishëm përfundimisht me ta.

A dihet ndonjë shifër e saktë për ndihmën ushtarake që na kanë dhënë kinezët deri në 1977 kur Shqipëria i prishi marrëdhëniet me ta?

Në vitin 1977 kur ne u prishëm me Kinën, kinezët na thanë se ndihmat në fushën ushtarake që ata na e kishin dhënë falas, arrinte shifrën 13 miliard juan (gati e barabarët me 13 miliard dollar) dhe kjo është më se e besueshme sepse kinezët për çdo gjë që na dërgonin, na nisnin edhe faturën nga pas.

Po pse e bënin këtë gjë kur ato ndihma ishin falas?

Këtë pyetje ja ka bërë edhe Enver Hoxha kryeministrit kinez, Çu En Lait në vitin 1965 në Tiranë, duke i thënë: “Ne jemi gati një ushtri, ju përse na dërgoni edhe faturën kur na sillni vaporrët me ndihma falas?” Dhe Çu En Lai iu përgjigj: “Në mënyrë që brezat që do vinë, ta dinë se sa miqësi kemi pasur ne dy popujt.

Ç’ndodhi me pjestarët e atij delegacioni në vitin 1974-‘75 kur ndodhi goditja ndaj ushtarakëve të lartë?

Kjo është një gjë tepër interesante, sepse të gjithë ne pjestarët e atij delegacioni që ishim në atë kohë në Kinë, u goditëm të gjithë. Përveç Beqir Ballukut e Hito Çakos që u pushkatuan, të tjerët ose përfunduan në burgje ose u internuan. Një ose dy vetë shpëtuan duke pasur konsekuenca më të lehta si shkarkime nga detyra apo përjashtim nga Partia. Thashë se është interesante goditja që pësuam ne ish-pjestarët e atij delegacioni, sepse një ndër akuzat kryesore që na është bërë të gjithëve në atë kohë, ishte ajo se përse ne nuk kishim raportuar në Tiranë për ato që na kishte thënë Çu En Lai. Kjo akuzë ishte krejt absurde, sepse nuk na takonte ne të informonim Tiranën, aq më shumë kur atë gjë e kishte bërë Beqir Balluku, i cili e kishte detyrë funksionale të informonte mbi bisedimet që u bënë atje.

Si filloi goditja ndaj jush dhe kur u arrestuat?

Goditja ndaj meje filloi që në vitin 1975 kur mua më nxorrën në lirim në moshën 49-vjeçare duke më dhënë pension pleqërie dhe ajo gjë vazhdoi në vitin 1978 kur nuk më zgjodhën më deputet të Kuvendit Popullor. Ndërsa arrestimi im ndodhi më 16 tetor të vitit 1980 dhe bashkë me mua u arrestuan edhe një grup ku bënin pjesë: Shyqëri Këllezi, pensionist, ish-anëtar i Komitetit Qëndror, Ali Kubati, Drejtor i Tregtisë për Tiranën (ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës) vëllai i tij, Ibrahim Kubati, inxhinjer pyjesh, Dhimitër (Lola) Mano, zv/kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve të Shqipërisë dhe Sabri Pilkati, ish-Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës.

Çfarë lidhje kishit ju me njëri tjetrin dhe për çfarë ju akuzonin?

Ne nuk kishim asnjë lloj lidhje pune apo veprimtarie me njëri tjetrin. E vetmja lidhje ishte se unë kisha dhe kam për grua motrën e Ali Kubatit, ndërsa Lola Mano, kishte për grua motrën e Lym Ketës, shokut tonë. Në atë kohë Sabri Pilkati ishte i internuar familjarisht në Buz të Tepelenës. Por ne na quajtën grup, pasi po të ishte grupazh, në bazë të kodit penal të asaj kohe, dënoheshe me shumë. Ndër akuzat që na bëheshin ne si grup armiqësor, ishte ajo se gjoja që kishim dashur të përmbysnim me dhunë pushtetin popullor dhe agjitacion e propagandë. Arrestimi ynë në atë kohë bëri bujë të madhe në Tiranë dhe shumë kuadro i kapi paniku duke pritur se kush e kishte rradhën për t’u arrestuar.

Ju personalisht, për çfarë u akuzonin?

Akuza e parë ishte ajo që thashë më lart, se përse nuk kisha informuar rreth bisedës që kishim bërë me Çu En Lain në vitin 1971, duke më quajtur pjestar të grupit të Beqir Ballukut që kisha pasur si detyrë që të bombardoja Bllokun e udhëheqjes në Tiranë e absurditete të tjera të kësaj natyre. Po kështu më akuzonin edhe për agjitacion e propagandë. Por me që akuza e parë që na bëhej për terrorizëm e përmbysje me dhunë të pushtetit popullor, ra, ne na ndanë në dy grupe. Në njërin bëja pjesë unë me Shyqriun e Ali Kubatin, kurse në tjetrin, Lola Mano, Sabri Pilkati dhe Ibrahim Kubati.

Si shpëtuat nga ajo akuzë?

Në atë kohë që ne ishim arrestuar, gjatë një takimi, Enver Hoxha i tha Feçor Shehut: “Populli e do udhëheqjen, sepse ne nuk na ka ndodhur gjë me anëtarët e Byrosë Politike që janë vazhdimisht në kontakte dhe në mes të popullit. Edhe ndaj meje si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, nuk ka pasur asnjë rast problematik”. Kështu pas kësaj bisede, akuza që bëhej ndaj nesh për terrorizëm, nuk mund të qëndronte më. Arrestimi ynë në atë kohë bëri bujë të madhe në Tiranë dhe shumë kuadro i kapi paniku duke pritur se kush e kishte rradhën për t’u arrestuar. Këtë gjë e kuptoi edhe udhëheqja e lartë dhe ne shpëtuam nga ajo akuzë e rëndë.

Për çfarë ju pyesnin gjatë hetuesisë?

Çuditërisht gjatë hetuesisë, më saktë aty nga janari i vitit 1981, mua më pyesnin për Mehmet Shehun, i cili ishte ende në funksionin e kryeministrit të Shqipërisë. Kjo gjë ishte krejt e pazakontë, pasi atëhere hetuesia kishte një ligj të pashkruar, që në mënyrë kategorike nuk mund të pyeste për tre figurat kryesore të shtetit: Enverin, Mehmetin dhe Hysni Kapon. Por në rastin tim kjo gjë u shkel dhe ata donin të dinin mendimin tim për shumë gjëra në lidhje me Mehmetin, për tezat e Këshillit të Mbrojtjes që kishte hartuar ai që në vitin 1969-‘70. Po kështu ata më pyesnin edhe se çfarë mendimi kishin ushtarakët e tjerë të lartë të Ushtrisë në lidhje me tezat e Këshillit të Mbrojtjes që kishte hartuar e raportuar Mehmeti në Byronë Politike. Të gjitha ato pyetje ishin shumë ngacmuese dhe tepër provokuese.

Si u përgjigjët ju?

Kuptohet se unë dhashë konsiderata pozitive për Mehmetin, pasi do ishte vetëvrasje për mua po të flisja ndryshe për kryeministrin e vëndit që ishte ende në detyrë. Por sa për kuriozitet po ju them një gjë që më ka ngelur ende në mëndje edhe sot e kësaj dite nga ajo periudhë e hetuesisë. Kur mbaroja hetuesinë dhe kthehesha në qeli, i tregoja shokut të qelisë për atë që më kishin pyetur. Ai person të cilin në atë kohë unë nuk e njihja fare, ishte një provokator dhe i burgosur i vjetër ordiner që ma kishin futur apostafat në një qeli me mua. Kur unë i shpjegova duke i thënë se më kishin pyetur për Mehmetin, ai më tha: “Kam parë një ëndërr, sikur kishte vdekur një nga udhëheqja e lartë dhe mua ëndrrat më dalin gjithmonë”. Unë e kundërshtova duke i thënë se Enveri e Mehmeti ishin si kokrra e mollës (sepse këtë gjë ma kishte thënë Llambi Peçini para se të arrestohesha) dhe i thashë: “ndoshta Haxhi Lleshi”. Por ai më thoshte: “Jo Haxhi Lleshi, një person më i lartë dhe i rëndësishëm se ai” dhe e shtynte bisedën që unë të përmëndja Mehmetin. Kjo bisedë që bëra me të, m’u kujtua në burgun e Burrelit në 18 dhjetor të vitit 1981 kur u komunikua vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe as sot e kësaj dite nuk i kam kuptuar fjalët e provokatorit që më kishin futur në qelinë time./ Memorie.al