Histori: 78 vjetori i krijimit të Çetës së Shëngjergjiy, Batalionit të Çermenikës dhe luftës për çlirimin e Leskovikut

201
Sigal

Studentët e “Normales” së Elbasanit, “zemra” e Batalionit të Çermenikës

78 -vjetori i formimit të Batalionit Partizan të Çermenikës

Më 20 gusht 1944 Batalioni Partizan i Çermenikës u rreshtua në Brigadën e XVIII Sulmuese.

Gjithmonë  9 Maji është në fakt, një datë e shënuar për Çermenikën, Librazhdin, Elbasanin dhe në përgjithësi për tërë historinë e LANÇ-it, sepse saktësisht në këtë ditë të vitit 1943, u formua batalioni Partizan i Çermenikës. Pikërisht, në vendin e quajtur Fushë-Çurrë të fshatit Orenjë, 78 vjet më pare, u formua ky formacion i rëndësishëm i UNÇSH-së, që më pas do të luante një rol me shumë peshë në përballimin e situatave të krijuara nga mësymja armike e dimrit gjatë viteve 1943-1944. Momentet  më kryesore të këtij batalioni, që nga formimi i tij e më pas, lidhen me ngjarje të rëndësishme të rritjes së përmasave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri. Këtë e tregon edhe fakti që Batalioni Partizan i Çermenikës pati si bazë Çetën Partizane të Çermenikës, si dhe studentët vullnetarë të shkollës Normale të Elbasanit, të cilët, duke u bërë promotorë të situatës revolucionare që kishte përfshirë gjithë vendin për t’ju kundërvënë armikut zaptues, rrokën armët dhe dolën malit partizanë. Këtë gjë e tregon edhe historiku i veprimeve luftarake të Batalionit Partizan të Çermenikës: Më 22 maj 1943, në bashkëveprim me batalionin e Martaneshit, ky formacion i ri i UNÇSH-së, goditi një autokolonë armike në Manuel të Kërrabës, ku armiku pati dhjetëra të vrarë e të plagosur, dhe u dogjën disa makina, si dhe u kap një sasi e konsiderueshme materialesh luftarake. Po në këtë datë e më pas, ky batalion rrethoi e shpartalloi postën e xhandarmërisë në fshatin Lunik të Elbasanit, ku u kap rob komandanti i postës. Kurse më 29 qershor, ai sulmoi forcat armike në kazermat e xhenios (afër Linzës). Më 2 gusht 1943, batalioni i Çermenikës në bashkëveprim me batalionin e Martaneshit, sulmoi garnizonin italian në Qafën e Buallit (Bulqizë) që përbëhej prej 600-700 vetash. Më tej, më 17 gusht 1943, sulmoi e shpartalloi postëkomandën e armikut në Branesh. Kurse gjatë gjysmës së parë të korrikut 1943, u vendos për sigurimin e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm LANÇ-it në Labinot dhe të formimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së. Nga 19 tetori deri në fillim të nëntorit ’43, batalioni i Çermenikës zhvilloi luftime të ashpra gjatë mësymjes së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944  në  Zdrajsh e Orenjë. Aftësia luftarake e këtij batalioni u vu dy herë në provë kur veproi në kushte rrethimi, dhe në të dy rastet e çau atë dhe kaloi në prapavijë të armikut. Më 20 gusht 1944 Batalioni Partizan i Çermenikës u rreshtua në Brigadën e XVIII Sulmuese.

Maj ’43: Ja si Shejnaze Juka “ngriti” mësonjëtore për fëmijët e Orenjës

Historia e Batalionit Partizan të Çermenikës lidhet gjithashtu edhe me një detaj mbresëlënës, ku përmendet fakti se si funksiononin kurset kundër analfabetizmit në atë kohë lufte brenda strukturës së këtij formacioni. Ja ç’tregon në ditarin e tij veterani i LANÇ, Burhan Bushati: “Më 1 maj 1943, ndër 100 nxënësit e Normales së Elbasanit që rrëmbyen armët dhe dolën malit për liri, ishte dhe vajza nga Shkodra, Shejnaze Juka. Ajo u inkuadrua në batalionin partizan të Çermenikës. Në gusht të atij viti, ajo mori pjesë në aksionin kundër kazermave italiane të Zerqanit dhe në fund të nëntorit 1943, së bashku me dy shokë, përfaqësoi organizatën e rinisë së batalionit në përurimin e Brigadës II Sulmuese në Shëngjergj. Fshati Orenjë, ku veproi për disa kohë batalioni i Çermenikës, nuk kishte shkollë, por Shejnaze Juka (Heroinë e Popullit, rënë në dhjetor 1943) u mësonte fëmijëve të fshatit shkrim e këndim, jashtë në natyrë. Në Operacionin armik të Dimrit, në dhjetor 1943, batalioni i Çermenikës ishte vendosur në fshatin Zdrajsh. Forcat naziste që mësynin nga Librazhdi ndeshën në qëndresën heroike të partizanëve të batalionit që e gozhduan armikun në vend nga mëngjesi deri në mbrëmje, duke mos lejuar që ai t’u dilte pas shpine forcave partizane dhe të vinte në rrezik Shtabin e Përgjithshëm të UNÇSH-së”. Duke theksuar momentin e rënies së heroinës, ai përshkruan se “një njësit i këtij batalioni, ku bënte pjesë dhe Shejnazeja, kishte zënë pozicion në kodrat e Vrinjës. Pas luftimesh të ashpra me nazistët, ajo ra heroikisht”.

Rreshtimi i Batalionit të Çermenikës në Brigadën e 18-të Sulmuese

Në historikun e Batalionit Partizan të Çermenikës jepen detaje nga veprimtaria e tij e guximshme luftarake në beteja të tilla të ashpra si luftimet gjatë mësymjes së përgjithshme armike të dimrit 1943-1944 në Zdrajsh e Orenjë. Situata në vend tregonte një rritje të vrullshme të luftës partizane. Vjeshta e vitit 1943 do të shënonte zgjerimin dhe rritjen numerike të ushtrisë partizane. Sidomos në jug dhe në Shqipërinë Qendrore, në radhët e UANÇ-së numëroheshin rreth 20.000 partizanë. Shtabi i Përgjithshëm i UANÇ-së ishte i lokalizuar kryesisht në zonën Labinot, Shmil, Orenjë si një bazë e sigurt, por edhe si vend nga ku mund të drejtonte në mënyrë efektive gjithë formacionet luftarake të Ushtrisë. Në këtë zonë vepronin disa formacione partizane si batalioni partizan i Çermenikës, batalioni i Martaneshit, batalioni Dajti, çetat partizane të Orenjës, Shëngjergjit, Labinotit etj. Në vjeshtën e vitit 1943 në Shqipëri ishte vendosur  Misioni Aleat Anglez, i cili lëvizte në Bizë, Labinot dhe Orenjë dhe në disa zona në Përmet, Vlorë, Mat etj. Në Orenjë ishin vendosur forca të shumta partizane, depot e ndryshme të furnizimit të tyre me ushqim, veshmbathje, armatim, municion etj, ishin vendosur në shtëpitë-baza të LANÇ-it. Në këtë kohë, zona Labinot, Shmil, Orenjë, Bizë, Shëngjergj, Martanesh ishte kthyer në një bazë të fuqishme dhe të sigurt të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së, të forcave partizane, të udhëheqjes së PKSh, të Misionit Aleat Anglez dhe pikërisht për këtë Komanda e Lartë Ushtarake Gjermane në Tiranë, në vjeshtën e tretë të vitit 1943, vendosi të ndërmarrë një operacion të madh ofensiv ushtarak për shpartallimin dhe goditjen e plotë e përfundimtare të kësaj fortese të LANÇ. Ajo ndërkohë ishte një zonë e çliruar nga gjermanët. Theksojmë se ndërkaq, batalioni Partizan i Çermenikës kishte disa muaj që ishte inkuadruar në radhët e Brigadës së 18-të Sulmuese (20 gusht 1944).

Organizatat e Veteranëve të LANÇ-it, me degët e tyre në Elbasan e Librazhd në mënyrë sistematike organizojnë çdo vit përkujtimore për këtë ngjarje të rëndësishme të LANÇ-it, ku evidentojnë dhe vlerësojnë kontributin që ka dhënë krahina e Çermenikës dhe batalioni Partizan “Çermenika” në luftën antifashiste për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre.

 

Nderimi për dëshmorët

Në 5 maj mbarë kombi përulet me nderimin më të thellë ndaj veprës së pavdekshme të martirëve të lirisë, gjithë të rënëve të kombit, të cilët vendosën jetën e tyre, rininë e tyre në themelet e lirisë së sotme, të cilët me sakrificën e tyre u bëjnë dritë gjithë shqiptarëve në rrugën e lirisë, në rrugën e demokracisë, në rrugën e integrimit. Ëndrra e atyre që ranë për atdheun ishte liria dhe sakrifica e tyre, ishte ndër më të çmuarat që ka njeriu, ishte sakrificë për lirinë dhe vlerat e saj. Në këtë ditë solemne, shqiptarët vlerësojnë jetën dhe kontributin e 28 mijë yjeve të pashuara, të të gjithë të rënëve për lirinë e vendit. Më 5 Maj të gjithë qytetarët e këtij vendi përulen me nderimin më të thellë për veprën e të gjithë atyre që vendosën sakrificën e tyre sublime në themelet e lirisë. Shpirti i tyre, sakrifica e tyre, është dritë për rrugën e lirisë, është nder i madh për të gjithë familjarët e të rënëve, sepse të gjithë e duan lirinë, por ata kanë bërë sakrificën më të madhe, sakrificën më sublime. Çdo ditë dhe çdo kohë që kalon, çdo përparim që bëhet në rrugën e lirisë, shton nderin për të rënët e kombit, shton nderin për familjet e tyre. Veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,  ndjehen më krenarë se kurrë në këtë ditë të shënuar, pasi shohin të realizuar ëndrrën e bashkëluftëtarëve të tyre, të Qemalit, Vasilit, Margaritës e mijëra të tjerëve, për një Shqipëri të lirë e demokratike, shohin të realizuar qëllimin e përbashkët: Kosovën e lirë e të pavarur që përparon drejt shtetit të saj.

 

Si bërthamë për formimin e Çetës së Shëngjergjit shërbeu njësiti i parë ilegal partizan i zonës

Çeta e Shëngjergjit, në 78- vjetorin e krijimit

10 maj 1943-2021

Si bërthamë për formimin e Çetës së Shëngjergjit (10 maj 1943), shërbeu njësiti i parë ilegal partizan i zonës, që ish krijuar atje vetëm pak kohë më përpara.

Pas “Kuvendit të Shëngjergjit” më 7 prill 1939, menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, shëngjergjasit e dënojnë unanimisht këtë akt të poshtër të fashistëve. Nëpërmjet fletushkave të hedhura nga avionic, ata mësuan atë ditë pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Puna në Shëngjergj u ndërpre, mësimi po ashtu. Bisedohej në sheshe dhe në oda, për të luftuar  kundër  pushtuesve. Kështu, mbërrijnë në Shëngjergj  të deleguarit e parë, për të organizuar  LANÇ, ndërkohë që filloi në mënyrë të organizuar puna agjitative dhe propagandistike. Dalëngadalë u zgjerua rrethi i antifashistëve me burra e gra, të rinj dhe të reja. Më 15 gusht 1942, krijohet Këshilli Nacionalçlirimtar për gjithë fshatin (Shëngjergji kishte 4 lagje me 4 kryepleq). Në dhjetor krijohen këshilla nacionalçlirimtare në fshatrat e Shëngjergjit, në janar-mars në fshatrat e tjerë. Më 5 dhjetor 1942, krijohet në Shëngjergj njësiti i parë ilegal partizan që shërbeu si bazë e bërthamë për formimin e çetës partizane të Shëngjergjit. Me zgjerimin e aktivitetit të lëvizjes në Shëngjergj, e në krahina fqinje, lindi nevoja të kryheshin shërbime në krahina të tjera, me persona të armatosur. Kështu krijohet në Shëngjergj njësiti partizan. Shumë ngjarje të dokumentuara. Pasi u ngritën këshillat nacionalçlirimtare e lëvizja ishte shtrirë edhe në fshatrat e tjera të krahinës, më 10 maj 1943, formohet çeta partizane e Shëngjergjit. Më 15 qershor 1943 dëbohen nga Shëngjergji, komuna dhe posta e xhandarmërisë. Shëngjergji u bë zonë e lirë. Qeverisja e vendit bëhej nga Këshillat Nacionalçlirimtare.

 

Gjatë kësaj periudhe mbizotëroi rregulli dhe qetësia. Më 23-28 gusht 1943 të deleguarit e popullit bashkë me çetën e Shëngjergjit ishin pjesëmarrës në takimin e Fushë- Gurrës në një kuvend në shkallë qarku për të forcuar unitetin si dhe për të gjetur rrugë dhe shtigje të tjera për një pjesëmarrje sa më masive në luftë. Më 30-31 gusht 1943 të ashtëquajturit “baballarë të kombit” (krerë të Komitetit të Ballit Kombëtar) erdhën në Shëngjergj me shpresë se do të gjenin përkrahje dhe mbështetje. Pas debateve dhe demaskimesh nga populli ato u larguan me dështim të plotë dhe pa zhurmë nga fshati. Tetor 1943, rreth 200 burra, shumica të moshuar, nisen për në Priskë për të luftuar armikun. Pas 2-3 orëve që erdhi njoftimi, burrat që u ndodhën në fshat morën armë dhe bukë me vete dhe u nisën për në Priskë. Një natë më parë në Priskë, sipas kërkesës së batalionit “Dajti”, kishte shkuar çeta partizane e Shëngjergjit. Forcat gjermane u thyen.

….Duhet theksuar se gjatë atyre viteve të stuhishme të LANÇ, përveç  Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSh-së, në Shëngjergj  punuan dhe vendosën shtabet e tyre disa brigada dhe batalione të ushtrisë NÇL (Br. 1,2,3,4,5,6,7 si dhe, batalionet e Çermenikës, Martaneshit, Dajtit, Matit, Dibrës, etj.) Më 28 korrik 1944 forca të ballit, mbi 400 veta, të ardhur nga Tirana, me objekt sulmi Shëngjergjin, sulmuan në befasi fshatin Shënmëri. Ata kishin si qëllim final Bizën. Popullsia, një pjesë e çetës së Shëngjergjit,  të mbështetur nga një mortajë e brigadës së 3- të i kundërpërgjigjen forcave balliste, i ndjekin këmba-këmbës duke i shpartalluar plotësisht. Pas korrikut ’44, deri në ditën e çlirimit të plotë të vendit, populli i Shëngjergjit e realizoi më së miri detyrën për atdheun. Kjo faqe e lavdishme e luftës është shkruar dhe do të shkruhet më gërma të arta.

 

**

Në luftimet e datës 15 maj 1943, armiku la 200 të vrarë e të plagosur

 

78 vjet nga lufta për çlirimin e Leskovikut

Në luftimet e datës 15 maj 1943, armiku la 200 të vrarë e të plagosur. Nga forcat tona ranë në fushën e betejës për të mos u harruar kurrë dëshmorët e LANÇ:

Ilo Terova, Zef Marku, Shaban Korça, Llazi Bufi, Enver Dajlani, Josif Ruço e Ilia Karaj, si dhe u plagosën 12 partizanë. Me këtë fitore, qyteti i Leskovikut ishte i pari që u çlirua nga lufta heroike partizane.

Traditat atdhetare të leskoviqarëve, në të gjitha kohët kanë qenë evidente. Ato gjithnjë janë ruajtur dhe sidomos gjatë LANÇ-it, u manifestuan edhe më fuqishëm. Gjatë kësaj periudhe  u mobilizuan mbi 400 luftëtarë me armë në dorë për çlirimin e krahinës e më gjerë, nga të cilët 22 vajza. Vetëm qyteti i Leskovikut nxori nga gjiri i vet 22 vajza. Njëkohësisht tërë banorët e kësaj treve u mobilizuan e shtuan rreshtat partizane, e cila shquhet për patriotizëm e atdhetarizëm. Nga ana gjeografike, Leskoviku ka të veçantën e vet, pasi është nyje që “lidh” Greqinë, Korçën, Përmetin dhe gjatë viteve të LANÇ-it  u kthye në një terren të favorshëm për lëvizjen antifashiste. Për pozicionin e vet strategjik të Leskovikut, fashistët italianë kishin ngritur e vendosur një garnizon të fuqishëm, të armatosur, për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e ushtrisë çlirimtare. Komanda e vendit, me porosi të qarkorit të Korçës, vendosi që në fillim të muajit maj 1943, të organizonte një sulm të befasishëm mbi garnizonin fashist italian. Për këtë qëllim u formua shtabi me në krye Petrit Dumen e figura të tjera, si Teki Kolaneci e Nexhip Vinçani. Në këtë veprim luftarak do të merrnin pjesë të bashkërenduar 12 çeta partizane të qarkut të Korçës, si ajo e Gorës e Oparit, Kolonjës e Leskovikut me rreth 600-650 pjesëmarrës, të cilat do të vepronin në bazë të planit të hartuar e të detajuar deri në detaje. Para luftimeve u organizua mbledhja me pjesëmarrjen e komandantëve dhe komisarëve të çetave në një vend të përshtashëm e strategjik në pyllin e Gërmenjit. Mbledhja u drejtua nga Nexhip Vinçani, Pëllumb Dishnica, Petrit Dume, Teki Kolaneci, ku u hartua dhe u miratua plani i veprimeve e lëvizja e forcave. Në këtë luftim u bashkua dhe dhanë ndihmën e tyre edhe forcat partizane të Skraparit, Përmetit, si dhe forcat vullnetare nga zonat e Shqerisë, Radimishtit, Podës, Arrëzës, Gërmenjit, Shalësit. Ndihmesë dhe mbështetje të madhe dhanë këshillat nacionalçlirimtare të fshatrave për rreth Leskovikut me karvanet me ushqime, e cila tregoi e vërtetoi solidaritetin e banorëve në mbështetje e përkrahje në interes të LANÇ. Garnizoni i Leskovikut ishte i armatosur deri në dhëmbë, dispononte fortifikime dhe kishte një pozicion luftarak të përshtatshëm në favor të tij. Me të marrë detyrat luftarake, forcat partizane e vullnetare iu afruan qytetit, dhe zunë pozicionet e luftimit të para caktuara. Ishte nata duke u gdhirë 15 maj 1943 e lëvizjet u ndjenë nga rojet e kazermave, njëherazi krismat e pushkëve rrëzë Kollovojit filluan të qëllonin nga të katër anët e qytetit. Lufta u ndez e fuqishme e me të zbardhur dita, një aeroplan armik filloi breshërinë e plumbave mbi çatitë e shtëpive të leskoviqarëve, gra, pleq, plaka e të rinj vërshuan përmes plumbave me trasta në dorë me ushqime në pozicionet e partizanëve. Fashistët duke parë situatën e krijuar, rrezikun që po ju afrohej, kërkuan ndihmën e organeve eprore.

 

Fillimisht nga Përmeti, u nis autokollona me 47 makina të shoqëruara me 4 autoblinda, por ajo u ndesh me zjarrin e forcave partizane tek ura e Dukës dhe e Çarçovës dhe u detyrua të kthehej mbrapsh duke pësuar humbje të shumta. Edhe autokolona e nisur nga Korça ra në zjarrin e plumbave të partizanëve në Urën e Shalsit të udhëhequr nga komandant Teki Kolaneci e Shaban Zereci e Shefqet Nellka. Fashistët edhe në këto përpjekje me partizanët u kthyen mbrapsht. Gjithashtu edhe në Glinë pësuan të njëjtin fat nga forcat e Agush Gjergjevicës. Këto situata të krijuara e disfata që pësoi armiku u dha partizanëve guximin e kurajon të vazhdonin më tej e më fort luftën çlirimtare. Në ballë qëndronin skuadrat e sulmit nën komandën e Nasi Vithkuqit. Më së fundi forcat fashiste u detyruan të kapitullonin dhe mbas saj e lanë të lirë qytetin e Leskovikut mbasi e dogjën dhe e shkatërruan e plaçkitën. Armiku la aty 200 të vrarë, e të plagosur, e pati humbje të mëdha materiale e në armatim. Nga forcat tona mbetën 7 të vrarë në fushën e betejës e ranë për të mos u harruar kurrë: Ilo Terova, Zef Marku, Shaban Korça, Llazi Bufi, Enver Dajlani, Josif Ruço e Ilia Karaj, si dhe u plagosën 12 partizanë. Me këtë fitore, qyteti i Leskovikut ishte i pari që u çlirua nga lufta heroike partizane.

Bashkim ÇABEJ