“E qëllova me pëllëmbë”/ Elona nga Ali Demi rreh burrin se pa ndeshjen me shokët dhe shkoi vonë në shtëpi: Ishte xheloz edhe për SPZ-në e zonës

817
Sigal

Përditë gra të shumta denoncojnë dhunën, ose duke kërkuar si fillim urdhër mbrojtjeje ose duke njoftuar policinë.

Por dhunë nuk ushtrojnë vetëm burrat. Pra nuk rrihen vetëm gratë. Po sikur t’ju themi se edhe gratë i rrahin burrat? Edhe burrat kërkojnë urdhër mbrojtjeje prej bashkëshorteve. Dosja që gazeta “Si” po zbardh mban numrin 5154 dhe ka si të pandehur pikërisht një grua që ia ka bërë malore bashkëshortit.

Gruaja quhet Elona, është 40 vjeç, ka lindur dhe banon në rrugën “Ali Demi” thuhet në dosje. Ajo jeton në një banesë private.

Ka dy fëmijë dhe ndryshe nga çdo burrë që ka përfunduar i arrestuar për dhunë ndaj bashkëshortes, asaj nuk rezulton t’i jenë hedhur prangat, pasi akuza çmon që bashkëshortja e dhunshme nuk paraqet rrezikshmëri.

Bashkëshorti ka inicialet A. K, lindur në 4 nëntor 1965 në kryeqytet. Siç rezulton nga materialet që gazeta “Si” disponon çështja e themelit është përfshirë në kategorinë e dosjeve penale të dhunës në familje, parashikuar nga neni 130 fraksion a i Kodit Penal.

Si nisi hetimi?

Hetimi, sipas një burimi zyrtar të policisë pranë Drejtorisë së Qarkut, nisi pas referimit me shkresë numër 3885k ndaj gruas me emrin Elona. Prokuroria thotë se ajo rrahu burrin, pasi ai u kthye vonë, pasi kishte ndjekur një ndeshje futbolli dhe konkretisht në fashikullin e referuar që gazeta “Si” po e zbardh ekskluzivisht përshkruhet:

Shtetasi A.K është i martuar prej 18 vitesh me Elonën. Ata kanë dy fëmijë së bashku. Bashkëshorti tregon se prej një viti e gjysmë ai ka probleme me gruan dhe se ajo sillet agressive me të.

K: Njëherë kam qenë i shtruar në Spitalin e Traumës për pesë orë dhe katër herë ne kemi qenë në komisariat për t’i zgjidhur këto probleme. Së fundmi, unë u ktheva në banesë rreth orës 22.00 të natës, pasi ndoqa një ndeshje futbolli me shokët. Gruaja më pyeti ku isha? Ju përgjigja se nuk i duhet gjë se ku isha, “pasi edhe ti nuk më tregon ku shkon kur largohesh nga shtëpia”.

Në këtë moment, bashkëshortja filloi të më godasë me sende të ndryshme, duke më dëmtuar në pjesën e ballit dhe te vetulla dhe më çorri në qafë. Jeta më është bërë stresuese për shkak të saj dhe ndër të tjera më ka kërcënuar se do më vrasë.

Policia shpjegon për gazetën “Si” se menjëherë pas këtij kallzimi ka kryer këqyrjen e jashtme me fotografi si dhe ekspertim mjeko-ligjor, ku dhe ka evidentuar dëmtime në ballë dhe në krahë të bashkëshortit, duke konfirmuar se ai ishte dhunuar në familje nga partnerja.

Por, e akuzuara shpjegon më tej se konfliktet mes çiftit dhe në familje kanë nisur për shkak të vjehrrit në shtëpi. Si fillim, Elona tregon se është konfliktuar me kunatën që e akuzonte se nuk kujdesej më për vjehrrin e më pas edhe me bashkëshortin. “Duke qenë se këto situata janë bërë të shpeshta, ka ndodhur edhe që policia të vijë shpesh në banesë dhe për këtë bashkëshorti filloi të bëhej xheloz, për inspektorin e zonës”, shton gruaja në deklaratën e saj. Gruaja tregon për rastin e fundit.

Elona: Ai u kthye në shtëpi dhe filloi të më akuzonte sërish për të njëjtën gjë dhe unë reagova duke e goditur me pëllëmbë dhe duar. Por im shoq humbi ekuilibrin për shkak se ishte i pirë dhe u rrëzua përtokë. Pas hetimeve, dosja ka kaluar për gjykim në fund të dhjetorit 2019 dhe pritet që së shpejti të nisë edhe gjyqi i themelit, një ndër më të rrallët ku një grua akuzohet se ka rrahur të shoqin, ndryshe nga shumë dosje të tjera ku viktima të dhunës janë vetë gratë.