Mehmet Braçe, luftëtari i lirisë

934
Sefedin METHOXHA

Me rastin e 95-vjetorit të lindjes
Nuk është fjala për partizanin e vogël, Velo që jeni mësuar ta shikoni në film, i cili u bë aq i njohur në vitet e zjarrta të LANÇ dhe që ngriti peshë zemrat e brezit të ri. Por fjala është për një tjetër partizan të vogël që vuri në vështirësi komandat e njësive partizane në Skrapar. Ky është partizani Mehmet Braçe, i cili lindi në vitin 1922 në Muzhënckë të Skraparit, u lind dhe u rrit në një familje të madhe atdhetare. Jeta e kësaj familjeje ishte luftë. Në fushë beteje lindi ky luftëtar i lirisë dhe u rrit në këtë tokë të përgjakur. I frymëzuar nga prindërit dhe luftëtarë të tjerë të familjes së tij zemra i rrihte çdo çast për të gjetur një pushkë e të shkonte malit partizan. Ai duke ruajtur dhitë në pyll, meditonte dhe në çdo çast pyeste veten: “se çfarë po ndodh me vendin tonë? Halle të mëdha po na bien, por paçka, do të bëhemi më të fortë dhe më trima për të marrë në dorë fatet e vendit.”. “Lufta e madhe sapo kishte filluar”- thotë xha Metja. Burrat dhe gratë e këtij kombi po merrnin përsipër këtë luftë të madhe. Në dispozicion të kësaj beteje të lavdishme u vura dhe unë. Ishte Qershori i vitit 1943 kur unë u paraqita në batalionin “Riza Cerova”. Të gjithë partizanët pyesnin me kureshtje: “Ç`është ky kalama?” Por komandanti i batalionit më përqafoi e më dha zemër. Kjo trashëgimi dhe kjo vendosmëri e bëri Mehmet Braçen pjesë energjike të Luftës Antifashiste. Aktiviteti i tij u shtri kudo në Skrapar por edhe më gjerë. Dikush më tha se xha Metes po i përgatitet 95-vjetori i lindjes. Me këtë rast vendosa ta takoj këtë burrë gjithë vlera dhe trim i rrallë. Pasi u përshëndetëm, ai sikur ta dinte qëllimin e takimit tim me të dhe filloi të rrëfehet: “Me 18 Janar 1944 u krijua grupi i tretë partizanë i Skraparit. Shkëputem nga batalioni dhe rreshtohem me grupin e Skraparit, na dhanë armë, por arma ishte e gjatë dhe unë i shkurtër kur e hidhja në sup më zinte nëpër gurët. Grupi i sapoformuar që nuk arriti të gëzojë ceremoninë e festës inauguruese u ndje menjëherë jehona e pushkëve të partizanëve të grupit te Skraparit. Nazistët gjermanë ishin në fillimet e operacionit të madh të dimrit. Grupi u angazhua të kapte Tendën e Qypit, për të përballuar forcat e shumta gjermane. Luftime të rrepta u zhvilluan nga data 20 deri 25 janar 1944. Në një pjesë ishim të rinj dhe provuam për herë të parë erën e barutit. Në ndihmë na vjen edhe Mehmet Shehu me dy batalione te Brigadës së Parë. U lëshua kushtrimi “Para partizanë!” që u kalli tmerrin gjermanëve. Pati mjaft humbje në njerëz e material. Edhe nga ne plagoset komandanti i grupit, Heroi i popullit Zylyftar Veleshnja dhe komisari Laze Sevrani. Zjarri ynë ishte i thellë dhe i dendur, nuk pushonte mitralozi i Laip Gogos dhe një hero i pa shpallur që u plagos nëntë herë dhe një nga predhat e mori me vete në varr. Dhe e ndërpret bisedën për një çast, prishet në fytyrë dhe sytë i lotojnë. Ai flet qartë dhe i sigurt në ato që thotë. Por heshti pak, për të na thënë, ç`të kujtonte më parë. Në 17 mars 1944 u krijua Brigada VII Sulmuese në Vlushë të Skraparit. Shume nga shokët tanë vajtën atje. U rreshtua brigada dhe unë u futa në mes shokëve. Por sa më panë ma nxorën nga rreshti, se isha i vogël por edhe i shkurtër. U mërzita shumë sa nuk e doja veten. Por ndërhyri Neshat Hysi dhe më futën në një nga batalionet e Brigadës, i cili urdhëroi që të gjendet një pushkë e shkurtër dhe ashtu u bë. Ç`të të them, or djalë! Pëllëmbë e luftë, pëllëmbë e histori…Ja atje kemi luftuar, atje ne Qafën e Shkozës. Hajde luftë, hajde! Mbeti i vrarë Gani Nishica, Ylli i Brigadës. Të tjerët na u plagosën dhe plagët e Luftës do flasin tërë jetën si plagët që nuk shërohen. Disa nga ato qëndruan në trupin e partizanëve si dëshmi e një kohe të perbindshme. Qafë më Qafë bëhej luftë e projektohej liria. E ndjeu mungesën e shokëve, nxori shaminë nga xhepi e fshiu lotët dhe nuk foli më. Veterani 95-vjeçar që e kishim pranë fizikisht, por mendërisht shikonte e prekte tjetër kohë dhe të tjerë njerëz. Ai marshonte në Tendën e Qypit, në Qafën e Shkozës, në Qafën e Kiçakut. I vinin ndërmend ato 3200 km rrugë luftarake nga Skrapari në Vizhegrad të Jugosllavisë dhe përplasjet e 120 betejave të përgjakshme që zhvilloi Brigada e VII Sulmuese ndjente fërshëllimat e plumbave dhe i vinin në vesh thirrjet “Para partizanë!”. Kujton dëborën dhe acarin e dimrit të madh, ngrohur nga ai zjarr i madh, ndezur në shpirtin e tij e të shokëve, në zjarrin e madh e të pashuar të lirisë. Pas çlirimit ai ka punuar në punë nga më të ndryshmet, ka qenë kryetar i kooperativës në fshatin e tij të lindjes në Muzhënckë. Më pas ka punuar në disa ndërmarrje të ndryshme të qytetit të Çorovodës, deri sa doli në pension. Ai është veteran i LANÇ, dhe mban me nder medalje dhe urdhra të ndryshme. Ai rrëfehet për gjithçka, ne e ndjekim atë me kënaqësi. Ishte kënaqësi për mua që bisedova me memorien e gjallë të një kohe të lavdishme, me veteranin e respektuar Mehmet Braçe, ose siç i thërrasim ne nga Skrapari, “O i vogël, o partizan”. Këtë të dytin e ke përvetësuar me nder e lavdi.
Sigal