Zylfi Tola: Një ndeshje basketbolli kundër ekipit të Gjeneral Petrit Dume

Gjeneral Petrit Dume, qe i njohur për pasionin dhe vullnetin e hekurt për sportin. Nën drejtimin e tij, klubi i sportit “Partizani” në ato vite, pati arritur në shkallët më të larta, mes gjithë klubeve të vendit. Gjeneral Petriti vinte shpesh në Kolonjë, pasi ishte nga Starja, por edhe deputet në disa legjislatura në Kuvendin Popullor i atyre viseve.

Në epokën e sistemit socialist në Shqipëri, shërbimi ushtarak qe i detyrueshëm dhe nuk kishte njeri të gjallë që deri 20 vjeç, të mos vishte uniformën e gjelbërt. Pikërisht në atë kohë ushtria shqiptare qe një nga më të njohurat dhe e përgatitur në kontinentin tonë. Unë ende pa mbushur kohën e caktuar për ushtar, brenda ligjit, ndonëse me arsim të mesëm, vendosa që këtë detyrë ta kryeja të plotë. Në Degën ushtarake të Kukësit, pasi zbrita nga bjeshkët e Kroit të Bardhë të vendlindjes time, takova shefin e saj, Jashar Cenën, të cilit i paraqita kërkesën time, që dua të shkoj ushtar. Ai veç të tjerave më parashtroi se shkolla ka nevojë për mësues me arsim profesional dhe ju jeni një i tillë. Pas një debati dhe përplasje të vogël, ramë dakort që unë të kryeja shërbimin ushtarak. Ka qënë fundi i vitit 1956, ndërkohë kisha vetëm dy vjet në detyrë në krahinën e Grykës së Çajës, kur së bashku me 50 rekrutë kuksianë, nga të gjitha viset e Lumës, nisemi me dy zisa ushtrie ushtar për në Kolonjë. Disa nga shokët e mi, ende nuk e dinin saktësisht se ku bie, në cilën pjesë të Shqipërisë ishte ky rreth me këtë emër, ndërsa unë me mësues Astrit Bozgën, profesor i gjeografisë në shkollën pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka”, e kisha mësuar të saktë edhe qytetin e saj, Ersekën, nën këmbët e malit të Gramozit, me historitë e tij të lavdishme, në kufi e përballë armikut të vjetër grek.

Pas dy ditësh udhëtimi, pasi një natë kemi fjetur në Prrenjas, arrijmë në qytetin e brishtë të Ersekës. Një oaz i vogël i asaj krahine, por i bukur dhe plotë dritë. Posa kemi zbritur në pllajën e Kolonjës, vështrova gjithandej dhe arrita në vetvehte, se jam në një paralel, nga lartësia me vendlindjen time, mes këtyre trojeve, tamam si në Buzmadhen time, atje në Lumë. Kjo afërsi më bindi për natyrën, malet, fshatrat e mbi të gjitha me kreshtat e bjeshkët e Gramozit, ashtu si katundi im rrethohet nga mali i Tërfonjës, Lerës së madhe dhe malit të Epërm. Reparti ynë ushtarak ndodhej në anën jugore të qytetit të Ersekës, në të majtë të rrugës që të çonte për në Borovën martire dhe legjendare e më tej në Leskovik. Në Brigadën e Ersekës, që atë kohë ishte një nga më të njohurat dhe me një efektiv të përgatitur, pasi kishte përballë Greqinë, e jo shumë larg, para 7 vitesh ndodhi dhe lufta mes dy shteteve, provokacionet e gushtit të vitit 1949. Pra një brigadë, gjithnjë në gatishmëri të plotë, ditë e natë në mbrojtje të atdheut. Në këtë mes nuk mund të lë pa përmendur edhe faktin se Ministria e Mbrojtjes, por edhe shteti, kishte zgjedhur djemtë kuksianë, të shërbenin në këtë garnizon të largët, të cilët i përshtateshin natyrës, vështirësive të terrenit, por dhe trima dhe besnik, siç janë bijtë e Lumës e të viseve të saj. Në repart, si zakonisht, qenë liruar të gjithë usharët e vitit të dytë, e na prisnin ata që fillonin një sesion tjetër. Brigada e Ersekës siç u ndamë ne, por edhe e mësuam më vonë, kishte disa lloj armësh dhe unë qesh efektiv në baterinë 76mm me Komisar Spiro Robo, komandant Kosta Diamandi, që nuk e mësuam plotësisht se nga qe, shkodran apo vlonjat. Gjithashtu komandant toge Dhimitër Kisi, një djalë i hedhur dhe azgan. Të gjithë shokët e mi kuksianë, u shpërndanë nëpër bateritë dhe kompani të tjera të njësisë. Pa u lavdëruar, por e saktë dhe e vërtetë, djemtë e veriut, me sjelljen, korrektësinë, edukatën, por edhe të guximshëm e të vendosur, e ngritën më lart emrin e Brigadës së tyre në Kolonjën e bukur.

NOA

Në Ersekë arritëm në një kohë me borë e akull, në dhjetor të vitit 1956, një dimër i ashpër, dhe i egër. Ne shpejt iu përshtatëm jetës së ushtrisë, ku mbi të gjitha ishte përgatitja luftarake, por u inkuadruam dhe në veprimtari të tjera kulturore, artistike dhe sportive. Kështu ne përcillnim në jetën tonë, ndonëse ushtar, një periudhë të bukur, pa e ndjerë lodhjen, mërzinë, larg vendlindjes dhe familjes tonë. Shumë nga shokët e mi merrnin pjesë në grupet artistike, por edhe në skuadrat sportive, mundje, atletikë, futboll, voleiboll, basketboll. Ne patëm një terren sportiv model që se pati asnjë garnizon në atë anë. Divizioni i Korçës, ku varej dhe Brigada jonë, merrte pjesë vazhdimisht në spartakiadat e ushtrisë në rang kombëtar dhe pjesa më e madhe e lojtarëve ishin nga Kolonja. Veç ekipit të volejbollit dhe atij të mundjes, që përbëhej ky i fundit vetëm me djem kuksianë, edhe ai i basketbllit qe i dalluar. Në këtë ekip, pjestar i tij isha edhe une, por dhe kapiten i ekipit. Pas 68 vitesh nga largësia në kohë, nuk mund t’i harroj shokët e mi basketbollist por dhe ushtar shembullor, Flamur Bonjakun, Sirja Skendon, Misin Lashin, Refik Likën, Osman Cengun, Rexhep Legicën, Jakup Rrapin, Rifat Durakun etj. Ne zhvillonim ndeshje mes vedit, por ndonjëherë dhe me ekipin e posa formuar të Ersekës “Gramozi”. Të gjithë e dinin, edhe komanda, se ekipi i basketbollit stërvitej rregullisht dhe ndiqej nga të gjithe.

Ekipi i Gjeneralit fitoi me meritë ndonëse me pak hile e një arbitër që i trembej vetvehtes. Në fund ashtu siç e nisëm ndeshjen e mbyllëm me shtërngim duarsh dhe përqafime, e në mes nesh edhe Gjenerali plot humor dhe çiltërsi të praruar. Kjo ndeshje e atij prilli të vitit 1957 do të ishte pastaj zanafilla dhe prologu i shumë takimeve të tjera aq të bukura dhe të paharruara deri në dhjetor të vitit 1958, kur u nisëm për në Kukës.

Një duel i ashpër, emocionues, por dhe pak i ndrojtur.

Gjeneral Petrit Dume, qe i njohur për pasionin dhe vullnetin e hekurt per sportin. Nën drejtimin e tij, klubi i sportit “Partizani” në ato vite, pati arritur në shkallët më të larta, mes gjithë klubeve të vendit. Gjeneral Petriti vinte shpesh në Kolonjë, pasi ishte nga Starja, por edhe deputet në disa legjislatura në Kuvendin Popullor i atyre viseve. Një herë, mendoi se ka qënë Prilli i vitit 1957, ai vjen në vendlindjen e tij, edhe si deputet, por edhe për kontroll e ndihmë në Brigadën tonë. Veç të tjerave, Gjenerali e pyet komandantin e brigadës Ismail Jahon, nëse zhvilloni aktivitete sportive, gara të ndryshme e spartakiada mes reparteve dhe më shumë interesohet për ndonjë ekip basketbolli. Komandanti im Jaho, i thotë gjeneralit, se kemi një ekip të mirë basketbolli. Gjenerali edhe i kënaqur, se Brigada nuk e paska lënë pas dore sportin, i kërkon komandantit që të zhvillojë një ndeshje basketbolli me ekipin tonë. Të dy titullarët bien dakort dhe komandanti im më thërret dhe më porositë që pas dite do të luanim basketboll me ekipin e gjeneral Petrit Dumes. Sinqerisht vihem para një detyre të vështirë, të luaje basketboll kundër ekipit të gjeneral Petrit Dume, ishte befasi e madhe. Veç të tjerave, komandantit tim i thashë se një tabelë lëviz, pasi është shkëputur saldimi dhe vetëm me porosinë tuaj ajo mund të rregullohet. Vizimin e gjithçka tjetër do ta bëja unë me shokët e mi. Gjenerali kishte një ekip heterogjen, me ca bodigardë, tre katër shoferë, disa oficerë, që i merrte për kontroll e të tjerë, që i duheshin kur udhëtonte larg në të gjitha njësitë e garnizonet e ushtrisë sonë. Me pak lodhje, andej e këndej, grumbullova skuadrën e parë me 5 lojtarë, po ashtu dhe rezervat. Fusha ishte gati, e vijëzuar, po kështu bëmë dhe afishimet me shkrim dore dhe i vendosëm në disa vende të dukshme. Problem kishim uniformat, por pa “lejen” e Gjeneralit vendosëm të luanim me kanatjere të zakonshme, të bardha, të cilat do t’i siguronim nga disa punonjës civilë të Brigadës, pasi ne si ushtarë kishim vetëm këmisha “sade” për trupi. Komandanti ynë na njoftoi se Gjenerali ka arritë në qytet dhe është në komitetin ekzekutiv dhe se takimi do të luhet në orën 17.00. Ekipi ynë, siç e mbaj mend, hëngrëm drekë para shokëve dhe pushuam pak në bujtinat tona dhe gjysmë ore para ndeshjes së bashku me lojtarët rezervë jemi pranë fushës. Në këtë kohë, por pak pas nesh, arriti Gjenerali me gardën e tij, me dy makina ushtarake të vogla, që u vendosën disa metra larg terrenit sportiv. Gjeneral Petriti na dha dorën të gjithëve dhe herë pas here qeshte. Gjithashtu edhe ne veç atij, edhe ekipit mik. Ekipi i gjeneralit kishte uniforma të rregullta, bluza me mbishkrimin “Partizani”, para dhe pas shpine. Ramë dakort që ekipi im, ekipi i brigadës, tashmë të kishte uniformën e bardhë me “kanatjere”. Caktuam së bashku edhe gjyqtarin, një djalë të ri, oficer, që merrte “erë” nga basketbolli, dy sekretarët për të shënuar pikët, njeri qe i ekipit të Gjeneralit dhe nga ne Skënder Domi, ish mësues në krahinën e Dollovishtit të Kukësit. Para fillimit të ndeshjes, por edhe në prezencë të Gjeneralit, unë i them gjyqtarit se dua drejtësi, mos iu tremb titullarit tënd, kush të jetë i aftë dhe i zoti le të fitojë. Ora kishte ardhë për të filluar takimin, terreni gjithandej, si mizat e bletës, ishte mbushur plot e përplot dhe nuk kishte mbetur edhe një ushtar i vetëm në kapanone. Komandanti ynë mori takim me ekipin dhe na porositi që të luajmë fort, pa u trembur para Gjeneralit, por të jeni korrektë dhe me edukatë. Gjyqtari bëri ato formalitete e zakonshme, topin apo fushën dhe ne zgjodhëm fushën. Të mos harroj se edhe tabelat ishin salduar dhe vendosur bukur dy rrjetat. I dhamë dorën njeri tjetrit dhe Gjenerali i përshëndeti të gjithë. Filloi dueli, fusha e terreni morën zjarr nga duartrokitjet e brohoritjet në mbështetje të ekipit tonë. Miqtë me në krye kapitenin e tyre, djaloshin nga Starja e Kolonjës gjithnjë janë në epërsi. Kërkojë pushimin e parë gjatë lojës, pak edhe i ashpër dhe tepër i zemëruar i porositi djemtë që të mos tremben e ndrojten para emrit e gradave të Gjeneralit. Të gjithë kanë ulur kokën, nuk flasin, një heshtje e trishtë. Pak më gjallë, por gjithnjë me një frikë të ngurtë vazhdojmë ndeshjen. Edhe arbitri, ndonëse me disa zikzake, sikur e drejton e mban duelin gjoja me kompetencë, favorizon titullarin e tij e bile ndonjëherë kur situatë i del nga dora, Gjenerali i bërtet, dhe ai para tij gatitet, heq bilbilin e vogël sa një lajthi nga goja dhe rri gatitu. Edhe unë disa here gjatë ndeshjes u përplasa me arbitrin, por ai më shumë shikonte gradat e Gjeneralit se sa lojën. Gjenerali luante me shumë shpirt, ndonëse ishte peshë e rëndë në atë trup të shkurtër, ai ishte i përgatitur, rrëzohej, përplasej, ngrihej vetë e ndonjëherë me ndihmën e shokëve, por edhe model, i çiltër, i qeshur, me humor, i barabartë mes të barabartëve. Ekipi i Gjeneralit fitoi me meritë ndonëse me pak hile e një arbitër që i trembej vetvehtes. Në fund ashtu siç e nisëm ndeshjen e mbyllëm me shtërngim duarsh dhe përqafime, e në mes nesh edhe Gjenerali plot humor dhe çiltërsi të praruar. Kjo ndeshje e atij prilli të vitit 1957 do të ishte pastaj zanafilla dhe prologu i shumë takimeve të tjera aq të bukura dhe të paharruara deri në dhjetor të vitit 1958, kur u nisëm për në Kukës. Në këto ballafaqime e duele ekipi im disa herë ka fituar dhe atëherë Kolonja merrte flakë e duman. Të gjithë ne djemtë kuksian e tani pas 68 vitesh, që kemi mbetur shumë pak, i kujtojmë me nostalgji, emocione e mall ato takime të bukura dhe të veçanta, por edhe vitet e arta të rinisë sonë.

Biri i Starjes dhe deputeti i Kolonjës Gjeneral Petrit Dume qe një burrë i shquar dhe trim i rrallë në epokën e tij të trazuar, por edhe tragjike.