FLET ISH-DREJTORI I ARKIVIT TË QARKUT FIER ,Z .GJONI ÇUKO
Ish-drejtori i Arkivit të Qarkut Fier, z. Gjoni Çuko, nisur nga interesimi i qytetarëve për të njohur përmbajtjen e dokumentacionit të institucionit dhe procedure. që duhet ndjekur për të marrë informacione, të cilat dikur konsideroheshin sekrete për publikun, bën transparente për publikun, detyrimet dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga legjislacioni mbi funksionimin e Arkivit. Historiku i krijimit të arkivit dhe interesimi i pushtetit lokal për të ngritur shkallën e kualifikimit të specialistëve që punonin në arkiv. Çfarë dokumentash disponon arkivi? A gjenden dokumente sekrete në arkiv? Pse nuk ecnin mirë punët në Arkivin e Vlorës dhe si ndryshoi gjendja. Çfarë është projekti “STAR-2” dhe cilat ishin rezultatet e tij. Kriteret dhe kushtet teknike të brendshme që një arkiv të quhet i siguruar nga erozioni. Librat dhe burimet e marrjes së informacionit. Pronarët dhe pronat e tyre të ligjshme.Të gjitha këto e të tjera, do t’i zbuloni në intervistën ekskluzive që ish-drejtori i Arkivit të Lushnjës, z. Gjoni Çuko, i ka dhënë gazetarit tonë për lexuesit e “Telegraf”.
1-Z. Gjoni. Ju keni qenë për 30 vite me detyrë drejtor i Arkivit të ish-rrethit të Lushnjës e më pas drejtor i Qarkut Fier e për 3 vite, njëherësh edhe i Qarkut të Vlorës. Ndërkohë, keni qënë ngarkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë, për të dhënë eksperiencën tuaj, në të gjitha arkivat e Jugut të Shqipërisë. Para se të flasim për përmbajtjen dhe funksionimin e arkivit në shërbim të qytetarëve, le t’i njohim lexuesit tanë me cv tuaj.
Cila është vendorigjina juaj dhe shkallët arsimore që ju keni kryer?
-Së pari, faleminderit gazetës “Telegraf” për intervistën. Kam lindur në fshatin Fier i Ri të Lushnjës, më 18 qershor 1948. Pas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike Babë Dudë Karbunara”, Berat, më 1966, kam kryer arsimin e lartë, UT, fakulteti Histori-Gjeografi. Fillimisht kam punuar mësues në disa shkolla si: Allkaj, Golem, Shegas, tre vjet drejtor shkolle në Zgjanë dhe më pas mësues në shkollën e mesme Mekanike Bujqësore të qytetit. Gjithsej bëhen 15 vite pune intensive në arsim.
- Çfarë ju ka mbetur në kujtesë si një vlerë e spikatur nga puna juaj në sektorin e arsimit?
-Përkushtim të paparë që s’ka të krahasuar me të sotmen. Kemi punuar me një ndërgjegje e disiplinë të lartë, me dhe pa orar. Mësimin dhe edukimin e fëmijëve e kishim si një detyrë të shenjtë dhe bënim maksimumin që të realizonim synimet e paracaktuara për formimin e tyre dhe për asimilimin e programit mësimor. I donim dhe na donin fëmijët. S’mund të harroj “Sheshin gjeografik” që ndërtova bashkë me kolegët e nxënësit, në oborrin e shkollës së fshatit Shegas. “Sheshi gjeografik” ishte fusha praktike e konkretizimit të orëve të mësimit, për lëndët që jepja. Në faqen e murit të shkollës u pikturua harta politike e Europës. Nga brenda “Sheshit gjeografik” u punua në beton, harta fizike e Shqipërisë. Sërish, me beton u paraqitën: gadishulli, ishulli, lumenjtë, malet, fushat, liqenjtë, etj, sipas kapitujve të lëndës gjeografisë. Pothuajse çdo temë e mësimit zhvillohej në “Sheshin gieografik”, ku vet nxënësit vërenin lëvizjen e parametrave natyrorë, mbanin shënime në fletore dhe rritej interesi i tyre për njohjen dhe rëndësinë shoqërore të pajisjeve si: flugeri, niefoskopi, pluviometri etj. Baza materiale e thurjes së këndit mësimor dhe shtylla e flugerit ishin projektuar në atë mënyrë, që të jepej te nxënësit koncepti i distancës: 1m, 2m, 3m, 4m etj. po kështu edhe në lartësi.
- Si ndodhi, që e latë arsimin dhe u “dashuruat” me Arkivin?
-Në kohën që punoja në shkollën e mesme Mekanike Bujqësore, ngrita një muzeum model, ku morën eksperiencë të gjithë mësuesit e profilit dhe drejtorët e shkollave të rrethit. Për t’i dhënë rëndësi historisë së dokumentuar, morën pjesë në përurim edhe drejtuesit kryesorë të pushtetit lokal. Pra, rashë në sy si një nga mësuesit që e kisha me pasion punën me dokumentacionin. Ishte koha kur Ministria e Kulturës kishte orientuar ngritjen e Muzeumeve. Drejtuesit e arsimit, të kulturës dhe vet drejtoritë e Komitetit Ekzekutiv të rrethit ( atëhere në postin e kryetarit të Kom. Ekz, ishte dr. Gjergji Velo), orientuan ngritjen e Muzeut të rrethit. Në atë grup u përzgjodha edhe unë, që sapo kisha ngritur muzeun e shkollës Mekanike. Ndër mësuesit e tjerë ishin: Gjergji Kola, Stilian Sallabanda, Nasi Bello, Kristaq Mëhilli, Kliti Nushi, Ilir Bello, Perikli Çuko, Dilaver Gioni, etj. Kishte kohë që ndjehesha mirë teksa punoja me sistemimin e dosjeve për rrethin. Kjo gjë përkoi me daljen e Vendimit të Këshillit të Ministrave (viti1985), mbi ngritjen e katër arkivave të para në shkallë republike, një nga të cilët qe ai i Lushnjës.
- Më në fund, u emëruan në një detyrë të re, drejtor të Arkivit rrethit. Si e pritët këtë detyrë?
-Në vitin 1987 më emëruan drejtor të Arkivit. Për ngritjen e nivelit të kualifikimit, më dërguan në kursin 4-mujor për arkivistikë, pranë, DPA-s Tiranë ku edhe likujdova 7 provime për arkivistikë. Më 1988, emërohet arkivist Dilaver Gjoni, me përvojë pune për vjeljen e dokumentave. Punuam për 30 vite.Duke qenë në këtë pozicion, kam referuar në Konferenca shkencore, kam botuar broshura, fletëpalosje si dhe artikuj me vlera dokumentare historike, në shtypin e kohës. Më 2017-2018 kam qenë i angazhuar në zbatimin e Projektit madhor “STAR-2”, për kualifikimin e punonjësve të sekretari-arkivave të bashkive dhe Njësive administrative, të qarqeve Vlorë e Fier. 5. Si e organizuat punën për grumbullimin e dokumentave, ndërkohë që dokumentat i dispononin institucionet e bazës?
-Puna jonë, pas kualifikimit arkivor, filloi me evidentimin e gjendjes së dokumentacionit e kuadrit përkatës të bazës. Pritej sistemimi, por që të realizohej kjo, duheshin kualifikuar punonjësit e arkivit. Organizuam kurse kualifikimi 15-ditore e më pas 3-ditore, të herëpashershme. Ndërtuam arkiva model në bazë. Në arkivin e Krutjes organizuam në vitin 1988 një seminar me pjesëmarrjen e gjithë punonjësve dhe të drejtuesve të tyre. Në seminar asistuan dhe drejtues kryesor të rrrethit si dhe drejtori i DPA-Thoma Murzaku etj. Motoja që parapriu seminarin ishte:Një arkiv më shumë e një zyrë më pak. Në përgjigje të proceseve të shndërrimit të sistemit, proceset demokratike kërkuan përshpejtimin e ecurisë dhe me vendim të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të rrethit, me kryetar z.Fetah Elezi, dokumentacioni i tërhequr nga baza u vendos në katin e dytë të Muzeut të rrethit.
- 5o vite i mbajnë institucionet shtetëroredokumentet?
-Institucionet shtetërore i mbajnë dokumentet 10 vjet, pastaj dokumentet me afat ruajtje të përhershme, dorëzohen në arkiv. Dokumentet me afat ruajtje të përkohshme qëndrojnë në bazë dhe të gjitha proçedurat e kërkuara arkivore kryhen në bazë, por nën kontrollin e Arkivit rrethit, (më pas të Qarkut e sot të Rajonit).
- Kur Arkivi i ish-rrethit të Lushnjës mori statusin “Arkiv i Qarkut Fier”?
-Pas një pune rrënjësore në arkivin e Lushnjës, më 1 tetor 2001, u zhvillua një seminar teoriko-praktik i përmasave të gjëra. Morën pjesë edhe të gjithë Prefektët e vendit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë me drejtor, dr. Shaban Sinani, drejtuesit kryesor të rrethit, drejtorët e arkivave në rrethe, drejtuesit e bazës si dhe të gjithë punonjësit e arkivave të bazës. Arsyeja ishte për ta shpërndarë modelin, përvojën pozitive edhe në rrethet e tjera.Në këtë seminar mori pjesë i dërguar nga Këshilli i Ministrave, z. Skënder Gijinushi, si dhe mediat e ndryshme. Pasi u pa puna e mirë në Arkiv, z. Skënder u shpreh: “Nuk qënka e thënë që arkivat e Qarkut që po krijojmë, të jenë gjithnjë në qendër të Qarkut. Arkivi i rrethit të Lushnjës i plotësoka parametrat për Arkiv Qarku”. Dy muaj më pas, më 13 dhjetor 2001, shkrihen 36 arkivat e rretheve dhe po me VKM, krijohen 12 arkivat në qarqe. DPA-ja emëroi Gjoni Çukon drejtues të Arkivit të Qarkut Fier.
- A i kushtonte rëndësi arkivave, pushteti lokal ?
-Rëndësinë, ngritjes dhe funksionimit të arkivave ia dha qendra. Pushteti lokal jo vetëm i kushtonte rëndësi, por raportonte sistematikisht në qendër mbi funksionimin dhe problemet që nxirrte situata, lidhur me arkivat.Kthesën e vlerësimit e dha seminari në Krutje, ku dhe iu lanë detyra drejtuesve të bazës, por që analizoheshin nga drejtuesit kryesor në rrethit. Për drejtuesit që nuk e vlerësonin sa duhet punën arkivore, thirreshin dhe nga Komiteti Ekzekutiv i Rrethit me kryetar dr. Gjergji Velo; ku dhe jepnin llogari. Përfundimisht u arrit që të gjithë drejtuesit e bazës të krijonin ambiente pune të përshtatëshme arkivore.
- Nga kontrollet që ju bënit në jugun e vendit, mund të na thoni, se në ç’gjendje ishin ambientet dhe dokumentet e arkivave të tyre?
-Unë kam qënë i ngarkuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Tiranë për ndihmë e kontroll në zonën e Jugut. Kam inspektuar pothuajse të gjitha arkivat e jugut: Fier, Vlorë. Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Sarandë. Për një farë kohe u ngarkova edhe si drejtor Rajonal, ku përfshihej dhe Elbasani, Librazhdi, Gramshi, Berati e Skrapari. Pavarësisht problemeve që dilnin, lidhur me lëvizjet pa kriter të punonjësve të arkivave, në përgjithësi kishte kujdes të shtuar mbi mirëmbajtjen dhe sistemimin e dokumenteve.
- Përse qendra ju besoi të kryenit edhe detyrën si drejtor i Arkivit Qarkut të Vlorës?
-DPA-ja Tiranë, duke parë që Vlora nuk po e stabilizonte dot punën me Arkivin e saj, (lëvizeshin pa kriter punonjësit, kishte pezullime nga puna, pushime të drejtuesve të atij arkivi etj), më dërgonte shpesh mua për ta marrë situatën në dorë. Asistova në 4-5 raste të tilla, gjersa në janar 2004 Drejtoria e Përgjithshme nxori një vendim të posaçëm që Gjoni Çuko, krahas detyrës në Qarkun e Fierit, të merrte dhe detyrën e Drejtorit të Arkivit të Qarkut tëVlorës. Kjo detyrë vazhdoi deri në vitin 2006. Arritëm që ta stabilizojmë lëvizjen pa kriter të punonjësve të arkivave në Vlorë dhe në Sarandë.Më pas, me urdhër të DPA, të gjitha dokumentet e Arkivit të Vlorës e të Sarandës u transferuan në arkivin e Lushnjës. Sigurisht kishte shumë probleme, plus që ishin edhe të pasistemuara. Shërbimi në morinë e atyre problemeve, u bë nga ana jonë me origjinalin, por duke iu bërë përshkrimet e nevojshme, ku gjendeshin problemet. Gjithçka në përputhje me rregulloren e punës arkivore.
- Personat që kanë probleme me pronat, ku mund t’i gjejnë dokumentet që u nevojiten?
-Dokumentet para vitit 1944 ndodhen të depozituara në Arkivin Qendror të Shtetit, në Tiranë. Dokumentet e pronave (pas çlirimit të vendit), ndodhen në Arkivin e Lushnjës (ndërkohë që tani edhe për gjithë jugun e vendit). Dokumentet e tyre janë përqëndruar në katër arkiva, ku njëri prej tyre është arkivi Rajonal i Lushnjës.
- Çfarë ishte Projekti “Star-2” që u zbatua në arkivat, në vitet 2017-2018?
-Duke u njohur me këtë projekt, unë iu përgjigja pozitivisht kërkesës që të kontribuoja për realizimin e tij. Projekti shtrihej në dy vite. Ishte nga Projektet më të rëndësishme qeveritare me financim dhe nga shtete europiane. Kisha 80 punonjës të arkivave pranë Bashkive e Njësive administrative të Qarkut Fier-Vlorë, që brenda kohëzgjatjes së projektit duhet t’i mësoja me radhën e punës arkivore. I kalova të gjitha vendet e punë së tyre, nga katër herë, deri në Konispol, sigurisht duke punuar praktikisht me to. Objektivi i tyre ishte që gjatë kohës së Projektit, nga çdo person pjesëmarrës, të sistemonin nga një vit me dokumente deri në inventar arkivor. Kjo u realizua më së miri, ku dhe morën çertifikatatat e aftësisë profesionale arkivore. Çertifikatat u shpërndanë me ceremoni në “Hotel Internacional, Tirana”, me pjesëmarrjen e drejtuesve të Projektit dhe të dërguar nga qeveria shqiptare.
- Periudhën e moshës së tretë të jetës, si po e kaloni, z. Gjoni?
-Mundohem t’i gjej vetes punë. Jam përpjekur që përvojën dhe informacionin që zotëroj ta hedh në letër me qëllim që t’u shërbej qytetarëve. Njerëzit janë mjaft kurioz të dinë se çfarë gjendet brenda 4 mureve të Arkivit, që dikur pothuajse gjithçka konsiderohej sekret e nuk reklamoheshin. Si bashkëqytetar, më takon të shkruaj së pari për Lushnjën. Si arkivist më takon të shkruaj të vërtetën, sipas origjinaleve që ruhen në Arkiv. Deri tani kam botuar katër libra, ku gjejnë pasqyrim dokumente për qytetarët e mi. Libri “Lushnja udhëtim historik 1944-1950”, ka dokumente të papublikuara më parë e të nxjerra nga dokumentet e dy aparateve drejtuese të rrethit (Kom. Ekz. dhe Kom. Partisë). Libri i dytë “Lushnja në vitet 1697-1944”, ka dokumente, të vjela nga Arkivi Qendror, Tiranë. Libri i tretë është për të parën shkollë të mesme profesionale në Shqipëri, hapur në Lushnjë në tetor të vitit 1921, nga Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës. Dokumentet e këtij libri janë vjelë nga Arkiv Qendror dhe nga Biblioteka Kombëtare, si dhe kujtime, fotografi, të vjela nga ish-mësues e ish-nxënës të asaj periudhe. Kjo shkollë u ngrit aty ku ndodhet sot QTTB. Nxënësit vinin nga e gjithë Shqipëria dhe përtej, nga Prishtina, Shkupi e Gjakova. Pra ishte shkollë kombëtare dhe me konvikt. Libri i katërt, me bashkautorësi me dr. Niko Feron, ishte për Kongresin e Parë Arsimor në Shqipëri, që nisi punimet në Lushnjë me 15 gusht 1920.
16.A gjenden në Arkiv dokumente origjinale për ngjarje të rëndësishme kombëtare si:Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kongresi Kombëtar i Lushnjës?
-Ka shumë materiale e korrespondenca, letra, protesta e procesverbale që hedhin dritë mbi këto ngjarje madhore, por këto ndodhen në Arkivin e Shtetit, në Bibliotekën Kombëtare Tiranë. Janë autentike materialet që kam vendosur në libër. Lidhet me qëndrimin e popullit të Vlorës për Qeverinë e Përkohshme të Durrësit. Po shoqëroj dokument të tillë që lidhet me ngjarjen e cituar:
”…Më 26 të vjeshtës së tretë prefekti thërret në Prefekturë 7 a 8 zotërinj nga parësia dhe u tregon një urdhër të administratës ushtarake në Vlorë, ku ajo komandë dekreton mënyrën se si do të bëhet kremtimi i ditës kombëtare të Shqipërisë. Programi që paraqiti Prefekti ishte:
a.Dyqanet, shtëpitë do stoliseshin me flamurë dhe drita.
b.Populli në vende të mbyllura mundet të mblidhet.
c.Nëpër zyrat publike shqiptare, bashkë me flamurët shqiptare do të vareshin edhe flamurët italianë.
d.E ndaluar mbledhja e popullit në sheshe.
e.Edhe nëpër zyrat publike ndalohet pritja publike shqiptare. Këtë program populli e quajti si atë që kremtojnë edhe shqiptarët e Kalabrisë, që ndodhen në vendin e Italisë, dhe kësisoj, të parët e popullit vendosën këtë program:
a.Populli të mblidhet në shesh, me këngë kombëtare dhe vetëm me flamurë kombëtarë.
b.Të bëhen pritje zyrtare për urim. Pas një fjalimi të shkurtër po shumë të zjarrtë të profesor Mingës, filloi zbatimi i programit. Italianët u përgjigjën barbarisht, rreth 4 orë. Parulla “Rroftë Vlora Shqiptare” i lanë të kuptuar barbarit të huaj se Vlora nuk don tjetër përveç se Shqipërisë. Komisioni33.
17.A ka një kujdes të shtuar në arkiv për ruajtjen e Procesverbaleve të mbledhjes së Kongresit Kombëtar të Lushnjës?
-I kushtohej kujdes ruajtjes dhe përcjelljes së korrespondencës në destinacion. Ja se çfarë shkruhet në një dokument: Këshilli Kombëtar i drejtohet Kryeministrisë Tiranë për të siguruar procesverbalin e Kongresit të Lushnjës.“Këshilli Kombëtar. Së shkëlqyeshmes. Kryeministrisë në Tiranë. Nr.205. Me vendim të Këshillit i lutem të shkëlqyeshmes kryeministri me lajmërue Ministrin P. Mbrendëshme që të na dërgohet procesverbali origjinal ose kopja e mbledhjeve të Kongresit të Lushnjës që gjendetnë Lushnjë, për me u studjue edhe një herë prej Këshillit e me u ruajt në arshivë të Këshillit Kombëtar.Tiranë 20.X.1920. Pritni nderimet tona.Kryetari….54)
18.Së afërmi a do të kemi ndonjësurprizë për të interesuarit e pronave?
-Kam përgatitur përbotim: “Guida mbi pronat dhe pronarët, para vitit 1945”, i cili do të dalë në qarkullim së shpejti.Tëinteresuarit mund të kontaktojnë me autorin e librit ose të intervistës në nr:0683193177.
-Ju faleminderit!