Agron Kaja: Fatmir Deliallisi, “Mbreti i sprintit” në historinë e Notit shqiptar

PROFIL/ Ja si vjen në gazetën “Telegraf” historia e notarit që konsiderohet më i shpejtë në Notin shqiptar. Tre Mjeshtra të Mëdhenj e vlerësojnë si më i miri në garat e shpejtësisë

Agron KAJA

Agron Kaja

Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në Durrës, si respektoheshin kampionet e rekordmenet në ambientin qytetar?

Sigal

Të them të vërtetën, kur unë garoja në Not, e gjithë shkolla “Naim Frashëri” bënte tifo. Kishte respekt dhe ne ndjenim kënaqësi me këta dashamirës të notit në Durrës. Ne na prisnin dhe na trajtonin me dashuri. E ndjeja që unë kisha karrierë të pastër.

Kjo ka qënë arsyeja që ushtruat notin dhe jo me ndonjë sport tjetër, apo ju tërhoqi diçka tjetër?

Dy sportet që unë kam dashur në jetë ishin futbolli si portier, dhe noti. Kam qënë në klasë sportive te shkolla “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës, e duke qënë se pësova një dëmtim, më sygjeruan notin, ku edhe më kanë vlerësuar si talent.

Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?

Që nga Pionierët në Durrës, në Lushnje dhe Sarandë, dhe kur kalova me të Rinjtë me trajner Hysen Haxhiajn, atëhere rezultatet erdhën në ngjitje. Ai më ka zbuluar mua si notar që në klasn e parë, një trajner shumë pasionant në punën me moshat.

Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar dhe ku është zhvilluar ajo?

Gara ime e parë zyrtare në sportin e notit me të Rinjtë, ka qënë në vitin 1971 në 100 m Stil i Lirë. Natyrisht që ishte një garë me shumë emocion, sepse atëhere unë gjeta si rivalë në këto gara edhe disa notarë kampionë dhe rekordmenë.

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë në kujtesën tuaj sot?

E veçoj Hysen Haxhian si trajnerin tim të parë, dhe të madh për mua, ku më shumë se tre vite ai më trajnoi për t’ja lënë radhën Dino Koranit, me të cilin vazhdova më shumë se pesë vite, për të kaluar me Kastriot Karamuçën.

Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Unë shpesh notoja në Stilin i Lirë, sepse aty e ndjeja veten më të aftë të garoja si kampion. Ndoshta ma ka dhënë Zoti këtë shpejtësinë në ujë, sepse unë shpërtheja në mënyrë të menjëherëshme në çdo garë, dhe gjithmonë kam dalë fitues.

Ju kujtohen rivalët tuaj në garat (kombëtare dhe ndërkombëtare) që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?

Petrit Guma ishte rivali im absolut në 100 m Stil i Lirë. Së bashku ndaheshim me sekonda. Ai fitonte gjithmonë, por vetëm një herë e kam mundur në një kampionat Kombëtar në Durrës, në vitin 1987. Në 50 m rival kisha edhe Mond Memën e shkodranin Adrian Vadahin.

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?

Në vitin 1986, në garën 50 m Stil i Lirë shënova kohën 26”02, ndërsa në vitin 1988 kam thyer rekord kombëtar po në 50 m me kohën 25”02, por që fatkeqësisht ky rekord nuk po kujtohet, kryesisht në garat e shpejtësisë. Në 50 m Stil i Lirë shënova kohën rekord.

Në karrierën tuaj si notar kampion e rekordmen, cilët ndani si momentet më të mira, dhe nëse keni, edhe momente jo të mira në karrierë?

Së pari, me të Rinjtë më 1978-1979 kampion, por momentet e mira kanë qënë në harkun e viteve 1986-1988 ku dilja në vëndin e parë dhe të dytë, si dhe në stafeta 400X100 dhe 4X200 m ku ishim absolutë me Petrit Gumën, Edmond Hasa, Fatmir Kërçuku dhe unë.

Po infrastruktura në sportin e notit në Durrës e gjithë Shqipërinë, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport? 

Pishina e Durrësit kishte mirëmbajtje të mirë atëhere dhe ne përgatiteshim e garonim mirë aty me rezultate të larta dhe rekorde. Në Sarandë garat zhvilloheshin në det te Zadrat, ndërsa kujtoj se me të Rinjtë, garat zhvilloheshin edhe në Elbasan e Lushnje.

Pas largimit nga aktiviteti si notar, si e vazhduat marrëdhënien me notin, apo mbeti si një pasion?

U largova nga Noti sepse unë pata një zhgënjim nga Federata e Notit në vitin 1989, pasi si kampion nuk më grumbulluan në ekipin kombëtar, me pretendimin se nuk kishin fonde si federatë. Ishte një event në Greqi që nuk më grumbulluan, duke më larguar de facto.

Në gjithë karrierën tuaj si notar, si e përshkruani evolimin në sportin e notit në Shqipëri?

Të them të vërtetën, dy herë që kam parë gara noti në Shqipëri, ku edhe konstatova shumë pak talente. Nuk ishte rivaliteti i traditës mes notarëve nga Vlora, Durrësi, Shkodra apo edhe Saranda. Nuk mund të them se ka ndonjë ndryshim të dukshëm.

Keni marrë vlerësime apo edhe tituj sportivë si notar, dhe si i kujtoni ato?

Kam një moment shumë të keq në jetën time, sepse në shtëpinë ku banoja në Durrës, fatkeqësisht mua mi kanë vjedhur të gjitha medaljet e diplomat, me mendimin se ato ishin vlera monetare. Ndaj fizikisht nuk kam asnjë prej tyre.

Nisur nga mosha juaj sot, mendoni ta vazhdoni pasionin me trajningun në sportin e notit?

Drejt ju them, më ka ikur dëshira për të trajnuar. Më kanë kërkuar këtu në Itali, por për disa letra dhe kurse kualifikimi që nuk i kisha, nuk munda të trajnoja. Këtu në Itali mund të trajnoja, nëse do t’i kisha këto dokumenta formale në dukje.

Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Është gjëja më e shkëlqyer, që kanë bërë me këtë Shoqatë. Na kanë mbledhur dhe kujtimet tona kanë qënë nostalgjike. Kam ardhur disa herë në takimet me Shoqatën, e do thoja se ajo e sjell historinë e notit shqiptar me shumë nostalgji.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, e keni një urim për sportin e notit në Shqipëri?

Sporti i Notit për mua ishte jeta ime sportive, ku unë në karrierë rrugëtova me disa njerëz të mirë. Tashmë është e ditur që Noti mbetet Mbreti i sporteve, sepse është zhvillimi i gjithë strukturave të shëndetit. Ndaj të rinjtë duhet ta ushtrojnë atë.

Stafeta durrsake me emra të mëdhenj

Në 50 m Stil i Lirë fituam tre medalje Ari, Argjendi e Bronxi në Spartakiadën e vitit 1988. Por e veçantë mbeti thyerja e rekordit kombëtar në stafetën 4X100 m Stil i Lirë, si Lokomotiva e Durrësit. Rezultati rekord 3’58”02, ndërkohë që ishte 4’05”02. Në përbërje ishin notarët Fatmir Deliallisi, Fatmir Kërçiku, Edmond Hasa dhe Petrit Guma, një katërshe notarësh e papërsëritshme tek Teuta sot, por edhe në gjithë notin shqiptar.

Unë shpesh notoja në Stilin i Lirë, sepse aty e ndjeja veten më të aftë të garoja si kampion. Ndoshta ma ka dhënë Zoti këtë shpejtësinë në ujë, sepse unë shpërtheja në mënyrë të menjëherëshme në çdo garë dhe më shumë prej tyre janë fituar prej meje

Mjeshtri i Madh Emin Gripshi

Më i miri në të gjitha kohrat në garat e shpejtësisë.

Duke qënë një ish-notar kampion, i tillë edhe si trajner, Mjeshtri i Madh Emin Lishi e vlerëson me dimensione të tilla edhe notarin Fatmir Deliallisi, të cilin ai e quan si një nga notarët më të mirë në garat e shpejtësisë në të gjitha kohrat në notin shqiptar. “Unë Fatmir Deliallisin e kam njohur nga afër dhe e them me plot gojë, se ai përveçse një njeri i shkëlqyer, ka qënë edhe një nga notarët më të talentuar shqiptarë. Në garat e shkurtra, ai është një nga sprintierët më të mëdhenj në historinë e Notit shqiptar. Në 50 m dhe 100 m stil i lirë, ai ishte absolut, një kampion dhe rekordmen që e kujtoj me nostalgji stilin e tij të notimit. Për mua, Fatmiri mbetet një nga notarët më të mirë në garat e shpejtësisë, në të gjitha kohrat në notin shqiptar. E kujtoj me nostalgji stilin elegant të tij gjatë notimit”, ishte ky vlerësimi i Mjeshtrit të Madh, Emin Lishi, për notarin Fatmir Deliallisi.

Cilësitë e Fatmirit kampion, një hop cilësor i notit.

Fatmiri i përket atij brezi kur në Notin shqiptar spikatin shumë të rinj të talentuar dhe të pasionuar, të cilët në fundvitet 1970-1980 i dhanë një hop cilësor këtij sporti. Ai ka qënë rivali më i denjë në garat e 50 m dhe 100 m, së bashku me Mjeshtrin e Madh Petrit Guma, si dhe me Adrian Vadahin e Vllaznisë që sot nuk jeton. Duke qënë një sprintier tipik, Gjithashtu, Fatmiri kishte pasion edhe për hedhjet nga trampolina, ku dallonte për stilet dhe elegancën gjatë hedhjes.

KONSIDERATA E VLERËSIME

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Fatmir Deliallisi, “Mbreti i sprintit” në Notin shqiptar

Mjeshtri i Madh Sadik Mema, një nga organizatorët e kryerjes së profileve për notaret dhe notaët shqiptarë ndër vite, Fatmir Deliallisin e ka quajtur si “Mbreti i sprintit” në ujë. Ai shpreh edhe të tjera vlerësime për këtë notar të madh në Notin shqiptar. “Fatmiri i përket atij brezi kur në Notin shqiptar spikatin shumë të rinj të talentuar dhe të pasionuar, të cilët në fundvitet 1970-1980 i dhanë një hop cilësor këtij sporti. Unë e kam shprehur edhe herë të tjera kur kam folur për Fatmir Deliallisin notar, se ai vlerësohet si “Mbreti i sprtintit”. Në karrierën e tij, Fatmiri ka thyer e përmirësuar shumë rekorde kombëtare për të Rrinj dhe të Rritur, si dhe ka qënë antar i stafetave rekord me ish-Lokomotivën e Durrësit. Ndaj ruaj kujtimet më të mira për këtë notar që ka bërë histori në Notin shqiptar, të një notari kampion, por edhe si një kampion dhe shok fisnik. Karrierën e Fatmir Deliallisit në not, unë do dëshiroja që të mbetej një shembull për notarët e sotëm në Shqipëri”, ishte ky vlerësimi i Sadik Memës për notarin Fatmir Deliallisi.

PETRIT GUMA, MJESHTËR I MADH

Fatmiri një sprintier i lindur, një model për t’u vlerësuar!

Mjeshtrin e Madh Petrit Guma, e kemi patur gjithmonë të gatshmë në vlerësimet për notare dhe notarë shqiptarë ndër vite, por për Fatmir Deliallisin ai u shpreh me një vlerësim shumë të lartë, se për mënyrën si ai notonte, mbetet një sprintier i lindur. “Do ta thoja që në nisje të këtij vlerësimi, se për mua Fatmir Deliallisi është një sprintier i lindur për notin shqiptar. Në 80% të përgatitjeve të mia, unë starvitesha me Fatmirin në Durrës dhe e shikoja si një nga notarët me dimensione të konsiderueshme. Për mua, ai ka qënë rivali më i denjë në garat e 50 m dhe 100 m, së bashku me Adrian Vadahin e Vllaznisë që sot nuk jeton. Duke qënë një sprintier tipik, Fatmiri kishte pasion edhe për hedhjet nga trampolina. Një pjesë të madhe të jetës sportive, unë e kam shpenzuar së bashku me Fatmirin, por do kujtoj një detaj kur trajnerit Niko Korani i ra dhëmbi i florinjtë në ujë. Të gjithë ne nuk e gjetëm, deri sa erdhi Fatmiri që me një zhytje e gjeti dhëmbin. Pra, ai ka qënë dhe mbetet një nga miqtë më të afërt të notit”, kështu e vlerëson Petrit Gumani notarin Fatmir Deliallisi.

Faktin se Fatmiri ishte një notar i shpejtë dhe një zhytës shumë i mirë, po e kujtoj një detaj kur trajnerit Niko Korani i ra dhëmbi i florinjtë në ujë. Të gjithë ne nuk e gjetëm, deri sa erdhi Fatmiri, i cili vetëm me një zhytje e gjeti dhëmbin.

CV Sportive  

Datëlindja: 6 nëntor 1963

Vendlindja: Durrës

Vendbanimi: Durrës-Itali

Arsimi: Të Mesmen të Përgjithshme

Profesioni: Specialist në montim në Uzinën URT Durrës

Sporti që ka ushtruar: Notin në vitet 1970-1990

Karriera si sportist: Në vitin 1971 me Fëmijët, në vitin 1975 me të Rinjtë, dhe me të Rriturit në vitin 1980.

Skuadra ku ka garuar në elitë: Lokomotiva 1978-1989

Gara e parë në karrierë: Në vitin 1974 në 100 m Stil i Lirë

Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1979 thyen rekordin e 200 m të Skardiliajd Shytit.  

Sukseset si notar: Gjithë karrierën e quan sukses, ku në Spartakiadat Kombëtare disa rekorde të thyera.

Tituj e trofe në karrierë: Nga viti 1986 e 1990 rekordmen e kampion absolut  Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1990 në Durrës, në 50 m e 100 m Stil i Lirë 

Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1986, në garën 50 m Stil i Lirë

Tituj personalë në sport: “Mirënjohje e Notit Shqiptar”

Aktualisht: Jeton dhe punon në Itali

 

Një “Karl Luis” i pishinës, që duhet vlerësuar!

Kur po përgatisja këtë Profil për notarin durrsak Fatmir Deliallisi, më erdhi në kujtesë atleti sprinter Karl Luis. Edhe pse pas tij kishte të tjerë sprinterë, por këtë herë kjo erdhi si një krahasim me sprinterin e ujit, Fatmir Deliallisin, si një “Karl Luis i pishinës”. Tre Mjeshtra të Mëdhenj të sportit shqiptar e konfirmonin këtë gjatë bisedës, dhe duke ju referuar njëherësh edhe CV-së së Deliallisit, qartazi duket se ai ka qënë një atlet i pishinës. Por edhe pse në këto nivele, vetë Fatmiri u shpreh gjatë kësaj bisede në përgatitjen e këtij profili, se ai nuk është vlerësuar me tituj sportivë, por vetëm me një çertifikatë mirënjohje të dhënë nga Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit Shqiptar! Ndoshta kjo mund të korrigjohet sot me drejtuesit e rinj të FSHN-së, të cilët notarët që kanë shkruajtur histori, i ka vlerësuar me tituj e kupa të ndryshme.