* Tush Basho, pronari i 3000 dhenve në Cërrik, që u jepte Partizanëve të Elbasanit gjatë luftës katër kuintal qumësht në ditë pa asnjë shpërblim
* Pse Sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Elbasanit, Muç Pajenka, pas çlirimit vajti të takonte Tush Bashon te stanet e tij.
* Si ia mori shteti bagëtinë familjes Basho, duke i lënë me sytë nga qielli me kërrabë në dorë.
* Dhionis Basho, rrëfen se kur e futën në burg e la djalin 13 vjeç dhe kur doli prej burgut i gjeti të martuar dhe fëmijtë e djalit
* Si doktorit malazez që u shërbeu të sëmurëve për 20 vjet, në revoltën e Qaf Barit, gardianët e burgut i hypën përsipër dhe i thyen pesë brinjë.
Çano Nora
Në fshatin Andon Poçi në Gjirokastër, i cili më së shumti banohet nga popullsi vllehësh, mes të cilëve është edhe një burrë i mbajtur mirë, mbi të nëntëdhjeta, i cili i ka rezistuar jetës së mundimshme, mes dënimeve, persekutimeve e internimeve të sistemit komunist. Historinë e pazakontë ai e nis që nga fillimet e jetës së tij, kur xhaxhait, Tush Bashos, një emër mjaft i njohur për kohën në Shqipërinë e Mesme. Duke qenë pronarë i madh bagëtish, që kishte marrë në punë me dhjetra puntorë, dhe që edhe vet qeveria e kohës, sa herë që zihej ngushtë, kërkonte ndihmë prej Tushit dhe vëllezërve të tij, Miho Basho e Theodhoraq Basho, ku ky i fundit ishte i Ati i Dhionisit. Në ato vite, që të tjerët luftonin për të mbijetuar ndaj varfërisë dhe sfidave të kohës, vëllezërit Basho, jetonin me krenari,me punë e djersë ,ndihmonin qeverinë e asaj kohe, por ndihmonin edhe familje të tëra që trokisnin në shtëpinë e tyre ,sepse nuk siguronin dot as bukën e gojës për vete dhe të fëmijëve të tyre. Me Dhionisin, burrin 92 vjeçar, mjaft të mbajtur dhe me një kujtesë të fortë, biseduam nga afër dhe i morëm këtë intervistë për gazetën “Telegraf”.

Si u jepnit katër kuintal qumësht në ditë Partizanëve të Elbasanit, pa as të vetmin shpërblim, ku komandant ishte Muç Pajenka, që pas çlirimit ai u bë edhe Sekretar i parë i rrethit?
Të falenderoj që më erdhe këtu! Shyqyr që u kujtua një gazetar, që të interesohet për familjen time të madhe të goditur fortë prej sistemit komunist, për një “të vdekur” siç jam unë. Na iku jeta nëpër burgjet e diktaturës, më shumë brenda tyre se sa jashtë në ajër të pastër. Erdhi demokracia dhe unë me familjen time prapë në “të harruarit” kemi qenë. Kishim një xhaxha,Tush Bashon! Atë jo vetëm im At dhe xhaxhai tjetër, Miho Basho, e kishin idhull, por të gjithë ne pasardhësit e tjerë, jemi rritur me punën e tij dhe me autoritetin e tij. Kishte shumë miq, por shpesh përmendej edhe për njohjen me autoritetet e kohës. Në ato vite jetonim në Cërrik. Unë isha vetëm 14 vjeç atëherë. Isha nga më të vegëlit në moshë në atë familje të madhe. Isha i vogël, por i kujtoj me dhimbje sot gjithçka që bënë mbi familjen tonë. Ne me bukë e ata me dënime. Ishte viti 1948. Kishim në pronësi 3000 kokë dele. Shto këtu dhe prona të tjera që dispononim. S’i kishim bërë njeriut keq veçse të mira. I kishim tonat të gjitha, që nga cjeptë e deshtë në krye të kopesë dhe gjer tek ato bagëti në fund të kopeve. S’ja kishim marrë askujt. Kemi qenë mirë ne , por kjo s’do kishte kuptim po qe se nuk do ndihmonim edhe dhjetra e qindra familje që s’e mbushnin barkun me bukë dhe u rrezikohej jeta nga uria që kishte pllakosur gjithë vendin. I pari ishte dhe mbeti një nga miqtë e tyre më të mirë, Tushi.Në maj të vitit 1948 na morën bagëtitë. Kishim 3000 të tilla. Na i mori shteti! Na la me gisht në gojë. Na la stanet bosh, na la me vështrim nga qielli. Nga një derë e madhe që ishim, na shpunë në fund. U dëshpëruam shumë! As veten tonë se mbanim dot më, por as familjeve të varfëra s’u vinim dot më në ndihmë. Në kohën që ne përgatiteshim për të dalë me bagëtitë në mal, në kullotat e pafundme të Lenies së Gramshit, doli urdhëri i parë, që të mos bënim asnjë lëvizje pa urdhër të pushtetit. Mbas pesë ditësh, befas na rrethoi policia , si të kishim bërë ndonjë krim ndaj Atdheut. Na mbyllën në shtetrrethim. Na mbyllën të 3000 delet nëpër Vatha, pa vënë asnjë fije bari në gojë. Hanin nga dhjami i tyre. Forcat e policisë me vete kishin marrë edhe përforcime nga zona, për t’i ndihmuar për marrjen e bagëtive tona. Na vranë keq shpirtërisht. Dëshpërim i madh, sy të përlotur. Na dukej se përpara kishim dhjetra varre. Tushi, si më i saktë për këto punë, më i gojës që ishte, nisi të bisedonte me t’a, por policët e shumtë, që mbuluan vëndin atë ditë me atë uniformë, bënin sikur se njihnin fare dhe i thoshnin:” Ne bëjmë detyrën! Na kanë dhënë urdhër të tjerë që janë mbi ne. E harruan aq shpejtë Tushin, atë që kishte bërë vetëm të mira në jetë. Na harruan ne fëmijëve, që qanim me dënesë. Harruan që lanë dhjetra stane. bosh në Cërrik. Na morën çdo gjë që gjetën. Vetëm kërrabat na lanë. S’kishim ç’të bënim. Murit s’i bihej me kokë. Ne ishim të bindurit e heshtur. Ne ishim të urtë, por kishim një qeveri komuniste të egër, që s’na qau hallin asnjëherë. Nuk na dha gjë, veç na mori. Pa u çliruar Shqipëria, në fund të vitit 1943, Muçi Pajenka, që në atë kohë ishte komandant i njësitit partizan të Elbasanit , një ditë na erdhi atje ku ne kishim stanet. Na kërkoi ndihmë për partizanët e uritur, na zgjati dorën. Në atë ditë dimri të acartë, të parin që takoi, ishte Tush Basho.Tushi që kishte bërë një mal me të mira, si të kish lindur për bamirësi. Komandant Muçon e shoqëronin edhe dy partizanë. Në takim ftuan edhe babain tim, edhe xhaxhain tjetër,Mihon. Edhe këta,ashtu si Tushi, ishin bukëdhënës dhe s’dilnin asnjëherë “dru e shtrembër”. I kërkonin banorët dhe drejtuesit e kohës, sa herë që kishin nevojë për t’a. Komandanti nga Elbasani, hyri drejtë e në temë. Se ku dhemb dhëmbi vete gjuha.Ne më të vegjëlit u larguam, se e pamë që atje do bëhej muhabet burrash. Diçka me rëndësi do diskutohej mes tyre.

Komandanti ,kur u takua me të parin e njerëzve në këto stane,Tushin,i hoqi kapelen nga koka.Tushi menjëherë i tha:” Kujt i’a heq kapelen ti?
Muçi në çast i’a ktheu:”Nuk është lojë , por të kam nevojën.
– Në ke nevojë , e kemi bashkë!- u përgjigj Tushi. Ejani brenda! Komandant, ne se kemi zakon që t’i presim miqtë jashtë dere.
Hynë brenda.Bujaria dhe sjellja e Tushit, bëri që ata të mos kishin më droje, por të ndjeheshin si në shtëpinë e tyre. Komsndant Muçua zuri vend në krye.
Tushit s’ju durua më dhe e mori fjalën i pari:” Më thuaj, më thuaj komandant, me çfarë mund t’ju ndihmoj? Kam gjë në dorë unë që të zgjidh hallet tuaja?
– Ke,ke,- i’a ktheu Muçua.Partizanët,partizanët,i kemi pa bukë.S’kam nga t’ja mbaj.Po deshe më ndihmo ,Tushi Basho!Vure dorën në zemër!Për mua dhe për ata partizanët të uritur,që luftojnë çdo orë e çdo ditë me armiqtë.Po deshe na ndihmo të tërëve. Në ato ditë delet kishin shumë qumësht dhe të gjithë e çonim në baxhon e Elbasanit. Jo pak, por pesë kuintal në ditë.
– Po ja sikur të më japësh mua një kuintal për partizanët?
– U tha u bë,- i’a ktheu Tushi. Shtërnguan duart,panë njeri – tjetrin me gëzimin që u shfaqej lehtësisht në fytyrën e tyre .
– Jo,vazhdoi Tushi,nuk do të të jap një kuintalë qumësht.Do të të jap dy,tre.Çfarë të keqe ka? Do të të jap katër kuintalë,o komandant! Të hanë partizanët.T’a kenë hallall se luftojnë.
Komandanti, i kënaqur nga fjalët e Tush Bashos, reagoi menjëherë:- Tush, unë s’kam asnjë lekë që të të jap.
– S’ka problem për lekët!-.ia ktheu Tushi. Kemi hall tjetër . Kemi hall të çlirojmë Shqipërinë.
Të dy siç ishin, u ngritën në këmbë dhe uruan me fjalë zemre :
– Me një Shqipëri të lirë!
– Të lumtë goja!, komandant!- foli Tush Basho.
Kur na morën bagëtitë, Muçi Pajenka, ishte sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Elbasanit.Një çast u tha atyre të komisionit:-U kemi borxh këtyre.Tush Basho më ka ndihmuar edhe në luftë”.
Muçi na erdhi edhe në shtëpi dhe na tha:” Ju duhet që të ikni nga Elbasani.Ju jeni më të prekurit nga reforma dhe për pakënaqësinë do t’ju luftojnë.Kudo që të vendosni të ikni,do t’ju ndihmoj edhe unë”
Kështu u ndamë me Muçi Pajenkën ,me atë njeri që na ndenji pranë ne si familje, të paktën edhe me një fjalë të mirë. Ngushëllonim veten: Çfarë ishte nisur, të bitisej. Regjimi i Enver Hoxhës, na ndoqi pas tërë jetën. Na mori pronën, na futi në burgje nga më i madhi,Tushi,e gjer tek unë më i vogli, që isha vetëm 22 vjeç kur më hodhën hekurat dhe më ndanë nga familjarët e tjerë.Me Muçon u ndamë,por ne si vëllezëri , u mblodhëm dhe vendosëm të iknim për në Gjirokastër.Atje kishim dhe njerëzit tanë. Në Cërrik do na luftonin. Mirë e kishte Muçua. Do na ndiqnin policët . Jeta tonë atje s’kishte më kuptim.Mirë na tha sekretari i parë.Ai i kuptonte më mirë gjërat se ne të tjerët.Ai s’na bëri qejfin,ai na tha një të vërtetë.Naj morën pronën.Na shumëzuar me zero.Naj hodhën poshtë të gjitha.Na dukej vetja si të mos kishim ekzistuar fare për të tjerët.Kishim dëgjuar se në Gjirokastër,ishin njerëz të respektuar.Edhe kushtet për të mbajtur bagëti ishin të mira.Kaq deshëm për të vendosur.Vajtëm në fshatin “Andon Poçi”.Aty na pritën mirë.Atje gjetëm njerëzit tanë të origjinës,pothuaj të gjithë vlleh dhe ndonjë që kishte zbritur nga Labëria për të mbajtur bagëti.
Kur erdhëm këtu në Gjirokastër, edhe këtu na shihnin me sy të keq. Ne se donim pushtetin se na mori pronën. E thoshnin hapur, pa droje këtë gjë. E kishim brengë e se mbanim dot në zemër. Deti atë ngjyrë që ka në thellësi e reflekton edhe në sipërfaqe. Nga kush do trembeshim? Na morën gjithçka që e kishim ngritur vetë që nga fillimi. Na lanë me rrobat që kishim veshur. Ishte 12 mars 1951. E arrestuan Tushin të parin. Edhe tim Atë dhe xhaxhain, Mihon. Tre vjet kishim që bujtëm këtu që nga Elbasani, në fshatin “Andon Poçi”, këtu pranë lumit Drino.

Me çfarë akuze u arrestuat dhe u dënuat juve një pas një, pjestarë të familjes suaj të madhe?
Akuza: Na thanë se keni bashkëpunuar me grekun. Edhe ato pak bagëti që na lanë, do na i merrnin edhe ato. E çfarë nuk prisje nga të paudhët? Na thanë se ishim të pakënaqur nga regjimi komunist.
Se mohuam. Jemi!-.u thamë njëzëri,që nga Tushi e gjer tek unë më i vogli. Më i vogli, por me dënimin më të madh. 20 vite në burgjet komuniste s’ishin pak.
S’e mohojmë qëndrimin tonë,-.u thamë.Edhe po të na vrisni. Edhe po të na shpini përpara litarit. Ishim të vendosur të mëdhenj e të vegjël. Ne bëmë shumë bujë atë vit në Gjirokastër.
– Janë ngritur vllehtë në “Andon Poçi”, thoshnin anë e mbanë rrethit. Nga Dropulli në Labëri. S’duan Enverin, s’duan Pushtetin Popullor.
E mbaj mend si sot, se e liga s’harrohet kollaj. Gjyqin naj bënë në Gjirokastër,në vitin 1952.Na mbajtën një vit në hetuesi.Një histori e tërë.Me dënime,persekutime,internime.Tushi dhe Miho i dënuan me nga pesë vjet.Im At dy.E kryen dënimin në burgun e Gjirokastrës.Po,po,të gjitha ditët,nga fillimi gjer në fund,4000 ditë.

Nuk u mjaftuan me dënimin e babait tënd dhe vëllezërve të tij, por duhej edhe një tjetër “kokë turku”, duke e shtrirë dënimin gjer tek ju?
Më arrestuan në dy prill të vitit 1975. Ishte ditë feste, duke gdhirë 1 maji. Isha me lopët e fermës së Odries. Më hoqën nga lopët dhe më çuan për të ruajtur shelegët, së bashku dhe me dy të tjerë. Bëheshin rreth 300 shelegë.I mblodha ata vetëm nga kullota, se shokët më kishin vajtur në shtëpitë e tyre.Në orën 9 atë mbrëmje , më erdhi operativi i zonës me një shokë tjetër të Degës së Brendshme. Më folën në emër.
– Eja poshtë!- më urdhëruan. Lidhi qentë se mos n’a hanë! Sonte do flesh në shtëpi.
– Po bagëtinë ç’ta bëj? i pyeta unë.
E pashë që çdo gjë fliste për keq. Kuptohej. Ky s’ishte lajm i mirë. I dhashë kurajo vetes. Të bëhej ç’të bëhej me mua. Një herë kemi lerë dhe njëherë do vdesim. Ka vdekje e vdekje. Ka si trim me kokën lartë, por ka edhe me kokën poshtë si krimb toke. Teksa sillja këto ndërmend , mendoja për bagëtinë. Si t’i lija vetëm! Vetëm ato dhe nata e errët.
– Në orën tetë të mëngjesit, nesër do vish se të kërkon kryetari i Degës së Brendshme, Marash Kola.- më thanë operativët. Merri dhe fëmijtë me vete! Bleu edhe nga një palë sandale.
Djalin atëherë e kisha tre vjeç dhe vajzën pesë. Merru dhe nga një palë sandale se gëzojnë. Këto fjalë s’më hiqeshin nga mëndja.Të nesërmen vajta në Degën Punëve të Brendshme. Ishte fiks ora tetë.
– Prit jashtë!,- sa të vijë kryetari , më urdhëruan.Ai do të të flas vet.
Kryetari atë ditë erdhi më vonë se herët e tjera, se kishte arrestuar edhe drejtorin e Ndërmarrjes Bujqësore të Odries, Kosta Karamani. Arrestuan edhe Kristo Zharkalli. Erdhi kryetari.
– E pritët këtë zotërinë?- i’u drejtua dy policëve që i dolën përpara.
“Në emër të Popullit, je i arrestuar!- më tha.Ti mbase mendoje se na e hodhe kur bëre një takim me diversantët ,por ne të ndiqnim rreth e rrotull”!
Më hodhën hekurat dhe më çuan në birucë. Atje ishte dhe Kristo Zharkalli e Kosta Karamani. Hetues ishte Jani Zhapa.
– U arrestuam se keni bashkëpunuar me grupin e Teme Sejkos dhe Asfalinë greke, – më tha hetuesi, me ton kërcënues.
Kosta Karamani akuzohej se ishte kryetar i grupit. Dy muaj më parë kishin arrestuar dhe Nasho Mejdiun nga Skoreja dhe Koçi Timakun e Koli Dodën nga Selcka.Ata treguan në hetuesi se ishin bashkë në një grup
Për mua u bë gjyqi në gjykatën e Gjirokastrës dhe më dënuan me 20 vite burgim. Ishin 7 veta që i dënuan. Dy i dënuan me pushkatim.
Pas dënimit me 20 vite burgim, ku të çuan për të vuajtur dënimin?
Më akuzuan siç e thashë edhe më sipër, për veprimtari kundër Pushtetit Popullor dhe bashkëpunim me Teme Sejkon dhe Asfalinë greke. Më çuan në burgun famëkeq të Spaçit.
Ishte fundi i vitit 1975. Atje gjeta dhe njëmijë të dënuar të tjerë. Punoja në minierë. S’e kishim jetën të sigurtë. Miniera kishte shëmbje. Hynim nën tokë, por s’e dinim se do dilnim apo jo mbi tokë.

Pse të provokuan për njohjen me Gjeneralin, Muhamet Prodani?
Muhamet Prodanin e arrestuan në atë kohë dhe e çuan për të vuajtur dënimin në kampin e të burgosurve të Ballshit. Unë e njihja atë . Ai ishte komandant i Korpusit të Gjirokastrës.Vinte edhe në fshatin tonë. Shpesh pinim edhe ndonjë gotë raki, por edhe këndonim këngë kolonjare, se ai ishte nga Kolonja. E kishte në qejf këngën. Edhe unë po ashtu. Na bashkonte kënga. E kush s’donte të bënte një mik si Muhamet Prodani? Arriti me detyra të larta në Ministrinë e Mbrojtjes.Me ne të dy vinte e këndonte edhe Kosta Karamani.Një herë ai kishte kallëzuar në polici se unë e njihja Muhamet Prodanin dhe më kërkonin të veja e të flisja çfarë dija për të.Kështu kishte thënë edhe për Kristo Zharkalli. Kristua s’pranoi asgjë kur e pyetën, veçse kishte nxjerrë nga goja e tij:”Mos më pyesni më për atë, se edhe njëmijë herë të pyesni, unë prapë kështu do t’ju përgjigjem.
Ndërsa mua më thirrën për të dëshmuar në kampin e Ballshit.
– E njeh Muhametin? ,- më pyetën.
– E njoh!- i’u përgjigja unë, por me të s’llafoseshim dot, se ne ishim të persekutuar. S’di ç’të them për të!
– Ja, të them unë ç’të thuash!- më urdhëroi hetuesi. Këtu brenda, në atë dhomën atje është Muhamet Prodani. Do t’a hapim derën dhe kur të dalë ai prej andej, ne do të të pyesim:
– E njeh këtë?
– E njoh u thashë unë!
– Që kur e njeh, këtë? E ke patur kryetar grupi?
Kaq nuk di të thuash, ti more qen bir qeni?!

Po kur u bë revolta e Qaf Barit, u ndodhe atje? Si e përjetuat atë ngjarje kundër regjimit të Enver Hoxhës?
Askujt s’i shkonte ndërmënd se në atë kohë në Shqipëri do të organizohej një kryengritje, e aq më tepër brënda një burgu. Ishte maj i vitit 1984. Ishin mbi 20 djem, të gjithë të burgosur politik , që u ngritën në një revoltë të pazakontë, të cilët u përleshën me policinë e burgut. Edhe në Spaç kështu kishte ndodhur. Ndrek Nikolla dhe Ndue Paluca u kthyen nga puna pa bërë normën. I urdhëruan të ktheheshin përsëri në punë edhe në turnin tjetër. Policët urdhëruan që të dënuarit të shkonin në zyrat e këshillimit të riedukimit. U bënë presion se do t’i çonin edhe në birucë. Tom Ndoja, Ndue Prishën ua largoi policëve nga duart. Me Tomën u bashkua dhe Sokol Sokoli e Sokol Progri.Në atë moment erdhën policë të tjerë me komandantin e tyre .Mondi Capja urdhëroi që të dënuarit të mblidheshin në mensë.Të dënuarit, të gjithë djem të rinj panë rrethimin e policisë. Policët e morën të dënuarin , Gjordenin për t’a çuar në dhomën e izolimit dhe të dënuarit e tjerë goditën policët. Kryetari i degës së Punëve të Brendshme të Pukës dha urdhër që të qëllohej. Gjordenin e plagosën .Revolta u thye nga diktatura komuniste. Këtu mbaron historia e revoltës së Qaf Barit. Aty pashë me sytë e mi se si doktorit malazez, gardianët e burgut i thyen pesë brinjë, ngaqë i hypën përsipër dhe rëndonin mbi të.
Tani që po i afrohesh shekullit, si ndjehesh ti dhe familja jote?
Për mua është mbyllur çdo gjë. S’pretendoj, pretendim i vetëm është të kemi mirë fëmijtë! Gruaja vajti 4 vjet që më ka lënë. Këtë se doja të ndodhte. Po ja që të gjitha gjërat s’i kemi ne në dorë. Djali, Zisua, kur më arrestuan mua ishte vetëm 13 vjeç. E përjetoi keq atë veprim të policisë. Tani ai është 63 vjeç. Kur dola nga burgu e gjeta nipin, djalin e Zisos,14 vjeç. Si njihja më. U kisha harruar fytyrën dhe fëmijve të mi. I gjeta të gjithë të martuar. Tani Zisua është një biznesmen i suksesshëm. Ka një pulari nga më të mëdhatë në vend. Kandidoi një herë edhe për deputet. Edhe djali tjetër, Apostoli, 10 metra më tej ka hapur një lokal. Punon me gjithë gruan. Të gjithë nëpër punëra. Të më rrojnë!
Faleminderit për intervistën!




















