“TANA” FILMI I PARË SHQIPTAR!

4459
Nga Ergys Alushi
Xhirimet e para, përshtypjet e para të aktorëve, jehona në kinematë e Tiranës, puthja e parë dhe kuriozitete rreth filmit 
Në vitin 1953 kinematografia shqiptare e cila ishte në vitet e para të krijimit të saj, në bashkëpunim më kinemanë sovjetike, kishte realizuar filmin e parë shqiptaro-sovjetik “Skënderbeu”. Suksesi i këtij filmi kishte qenë i madh në të dy shtetet ku u xhirua, por edhe në shumë shtete ku u shfaq. Pas bashkëpunimit në realizimin e këtij filmi, kinostudio “Shqipëria e Re” kishte realizuar filmat me montazh të shkurtër “Bijtë e saj” dhe filmin artistik me karakter dokumentar “Karl Marks”, kushtuar hidrocentralit të ndërtuar mbi lumin Mat.

Këto ishin zhvillimet e kinematografisë shqiptare që nga krijimi i saj, pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore. Kjo kishte qenë përvoja shqiptare në realizimin e filmave të parë artistikë, kryesisht me metrazh të shkurtër e dokumentarë. Filmi “Tana”është filmi i parë i mirëfilltë i kinematografisë shqiptare, xhiruar krejtësisht me autorë e aktorë shqiptarë. Filmi u mbështet mbi një skenar të shkruar nga shkrimtarët shqiptarë, ndërtuar mbi një subjekt të jetës shqiptare. Regjisori, aktorët, kompozitorët, operatorët e të tjerë ishin të gjithë shqiptarë dhe filmi ishte me kohë të plotë dhe jo me metrazh të shkurtër.

Subjekti i filmit “Tana”
Subjekti i filmit u mor nga novela e shkrimtarit Fatmir Gjata dhe për ndërtimin e skenarit të filmit punuan; Fatmir Gjata, Nasho Jorgaqi dhe Kristaq Dhamo. Në film trajtohet një nga problemet më të mprehta të shoqërisë shqiptare për kohën, siç ishte kolektivizimi në fshat, por edhe ndryshimet që po ndodhnin mbi disa aspekte të jetës së shoqërisë shqiptare, kryesisht në fshat. Filmi i ka të gjitha: ka dashurinë, urrejtjen, zemërimin, ligësinë, mentalitetet e deri tek përdorimi i armës për të ndaluar një dashuri. Regjisori Kristaq Dhamo me realizimin e filmit “Tana” tregoi se kishte fituar shumë nga bashkëpunimi dhe përvoja me kineastët sovjetik që në xhirimet e filmit “Skënderbeu” por edhe në vitet më mbas deri në realizimin e filmit “Tana’

Personazhet e filmit
Tana” – Tinka Kurti
Personazhi kryesor në film ashtu si dhe në novelë është Tana Premti e interpretuar nga aktorja e teatrit të Shkodrës, Tinka Kurti. Aktorja e re, e talentuar Tinka Kurti e sjell bukur personazhin e Tanës si në punë, shtëpi, por edhe në dashurinë që ka me djalin që dashuron. Edhe pse aktore e teatrit, kritika e kohës e vlerësoi aktoren për paraqitjen e mirë që bëri në film, duke iu larguar teatralitetit e duke e luajtur natyrshëm personazhin e Tanës.

“Stefan Gjoka” – Naim Frashëri
Një tjetër personazh kryesor në film, i dashuri i Tanës, është luajtur nga aktori i Teatrit Popullor, Naim Frashëri. Ai është një djalë malësor, romantik, me dashuri të pastër, që dëshiron të ndërtojë një jetë të re, edhe pse në fillim e ka të vështirë pasi i duhet të shkojë për të jetuar e punuar në fshatin e Tanës, me të cilën do të lidhë një jetë të re.

“Lefter Dhosi” – Kadri Roshi
Interpretohet nga një tjetër aktor i teatrit popullor, Kadri Roshi. Ai është rivali i Stefan Gjokës në dëshirën për t’u dashuruar dhe martuar edhe ai me Tanën. Pas një dehjeje në lokal dhe i ndikuar nga fjalët e njerëzve në fshat, ai shkon dhe qëllon me armë zjarri mbi Stefanin e luajtur nga Naim Frashëri.

Tinka Kurti – Tana
Naim Frashëri (aktor) – Stefani
Pjetër Gjoka – gjyshi i Tanës
Kadri Roshi – Lefter Dhosi
Andon Pano – kryetari kooperativës
Thimi Filipi – sekretari partisë
Marie Logoreci – nëna e Stefanit
Violeta Manushi
Nikolla Panajoti
Melpomeni Çobani
Mihal Stefa
Vani Trako
Lazër Filipi
Pandi Raidhi
Lazër Vlashi
Esma Agolli
Xhirimet e para të filmit
Xhirimet e para të filmit të parë shqiptar u realizuan në atelienë e ngritur në një nga sallat e Liceut artistik. Aty u xhirua një nga skenat e para të filmit, ku të gjithë kooperativistët janë mbledhur në klub e po dëfrejnë e kërcejnë. Në këto çaste i afrohet klubit i dashuri i Tanës, Stefani . Ai është i mërzitur sepse Tana i kërkon që të shkojë për të jetuar e punuar në fshatin e saj, por ai nuk e ka me qejf. Përveç kësaj, në fshat janë hapur fjalë sikur Tana kërkon të martohet me Lefterin, një kooperativist në fshatin e saj. Nga dritarja e klubit Stefani shikon Tanën dhe Lefterin që kërcejnë së bashku vallen e shamisë së beqarit dhe në kërcim e sipër Tana e djeg shaminë dhe e mbështet kokën në supin e Lefterit. E gjithë skena xhirohet me mjeshtëri nga operatori Mandi Koço. 

Përshtypjet e para të aktorëve
Sallat e kinemave në Tiranë ku u shfaq filmi “Tana” mbusheshin plot. Ishte filmi i parë shqiptar dhe shqiptarët ishin kuriozë për të parë një film të realizuar krejtësisht nga artistët e tyre.
Në gazetën “Bashkimi” të datës 18 korrik 1958 aktorët e filmit “Tana” do të jepnin përshtypjet e para për filmin.

Tinka Kurti
“Jam mjaft e emocionueme këto ditë që po çfaqet filmi e kjo më ndodh sepse unë, Tana, për herë të parë dal para popullit në perden e kinemasë. Shumë e vështirë ka qenë për mue, pa eksperiencë, me dalë me interpretue rolin e Tanës para Kameras së marrjes. Megjithatë unë ju përvesha punës me vullnet, po në çfarë shkalle i kam kapërcye vështirësitë e sa kam mujtë me e paraqit Tanën shqiptare me tërë ndjenjat dhe botëkuptimin e saj të brendshëm, këtë do ta thonë spektatorët e mi. Tanën jam përpjek me e paraqit të thjeshtë me shpirtin e saj të pastër siç është vajza shqiptare e dashur në familje, në shoqëri dhe puntore të zonjën.”

Naim Frashëri
“Duhet të paraqitesha në film si fshatar i Korçës, po edhe si një qytetar. Stefani është një njeri i vrazhdë, i vuajtur, që fsheh në vetvete një botëkuptim të tij, me zakone të vjetra që të mos hyjë dhëndër në shtëpinë e gruas. Ky personazh nuk qe i lehtë, spektatori ynë i njeh virtytet e popullit dhe pothuaj të çdo krahine të vendit, prandaj hasa vështirësi. I vështirë qe për mua edhe fakti se ndryshe është të lozësh në skenat e teatrit, ndryshe në film. Manifestimi i ndjenjave në film duhen bërë pa u zmadhuar, në mënyrë të thjeshtë e bindëse, që spektatori të kuptojë me lehtësi se ka përpara jo një aktor po një Stefan nga Korça”

Pjetër Gjoka
‘Nuk mund të bëhesh artist, të kapërcesh vështirësitë, të paraqitesh një plak shqiptar, një gjysh korçar, pa njohur popullin, pa jetuar në mes të tij, pa mësuar tiparet e jashtme dhe ndjenjat e brendshme të tij. Për këtë gjë, për t’ia arritur sa më shumë të vërtetës, gjatë kohës së përgatitjes së filmit, kam qëndruar gjithnjë pranë pleqve, pranë njerëzve dhe ambienteve të ndryshme korçare. Lidhja me ta dhe ndihma e vazhdueshme nga regjisori, nga të gjithë shokët, kanë qenë faktorët që më lehtësuan barrën dhe nderin e madh që më besuan”. 

Çesk Zadeja – kompozitori I filmit
“Për mue, marrja pjesë si kompozitor në filmin e parë shqiptar, asht me të vërtet diçka që më emocionon. Për këtë arsye edhe përgjegjësia asht edhe më e madhe. Si dihet muzika në film lot edhe ajo rolin e saj, ndihmon në zbulimin, në nxjerrjen në reliev të botës së brendshme të heronjve, ajo krijon nji ambient të caktuem, pra ndihmon në zhvillimin e dramaturgjisë. ..Se sa ia kam dalë, kjo mbetet në gjykimin e ndigjuesve.. Nuk duhet lënë pa u lavdrue puna e mirë e kolektivit të orkestrës së Teatrit të Operas dhe baletit si dhe e udhëheqësit të saj, laureatit të çmimit të Republikës, M. Krantja”

Jehona e filmit – shfaqjet e para
Drejtori i kinemasë “17 Nëntori” të Tiranës, Llazar Kenuti, në një intervistë të kohës dhënë për shfaqjet e para të filmit “Tana” në kinemanë që drejtonte ka thënë se kërkesat për të parë filmin kanë qenë të shumta e për të plotësuar dëshirat e spektatorëve u shtua numri i shfaqjeve nga 3 në ditë që jepeshin përpara u bënë, 5 në ditë. “Gjatë këtij gjashtëmujori kërkesat më të mëdha për bileta i kemi patur për filmin “Tana”. Vetëm në ditën e parë në kinemanë tonë filmin e panë 3000 vetë, ndërsa në gjithë kinematë e kryeqytetit filmin e panë 8500 vetë nga 5000 vetë që frekuentojnë kinematë në ditët e tjera….”

Puthja e parë në një film shqiptar
Është filmi i parë artistik me metrazh të gjatë, por është dhe filmi i parë ku është realizuar për herë të parë një puthje midis dy aktorëve. Një puthje që për mentalitetin shqiptar të kohës ishte një tabu. “Është e vërtetë dhe kjo më bën krenare. Nuk pata asnjë hezitim kur tek filmi “Tana”, nën një pemë i dhashë puthjen partnerit tim, aktorit të madh Naim Frashëri. Është puthja e parë në historinë e filmit shqiptar dhe kjo më bën të ndjehem vërtetë mirë. Ishte koha e tillë, mentaliteti që të pengonte për të realizuar skena të tilla. Megjithatë, edhe pse isha shumë e re, pasioni e bën aktorin të interpretojë edhe skena të tilla që tashmë janë të zakonshme” do të rrëfente vite më vonë aktorja Tinka Kurti në rolin e Tanës në film.

“Sigurisht që nuk ishte e lehtë. Madje ju them se për të bërë atë puthje, na u desh të realizonim 29 dubla dhe fatkeqësisht skenën e hoqën më pas. Zemërohem me vete dhe them: “Mirë atëherë që nuk lejonte koha dhe regjimi, po sot, përse nuk jepet puthja ime me Naim Frashërin?” 

Shfaqja e fundit e filmit para se të shfaqej në publik
Deri në atë ditë askush nga punonjësit e Kinostudois “Shqipëria e Re” nuk e kishte parë filmin të plotë nga fillimi deri në fund. Kishte disa që e kishin parë disa herë, por episode të veçanta, por jo të gjithin. Atë ditë, do të jepej shfaqja e parë për të gjithë punonjësit dhe ata do të ishin opinionistët e parë përpara se filmi të shfaqej për publikun shqiptar.

Deri në atë moment për filmin diheshin vetëm disa kuriozitete nga xhirimet e filmit.
1 – Filmi “Tana” është 2450 metra i gjatë.
2 – Për xhirimin e tij ishin harxhuar 22.500 metra film. Në një skenë të filmit ku paraqitet një qen i egërsuar, nga 6 metra film është dashur që të shpenzohen 500 metra.
3 – Krahas aktorëve të teatrit të shtetit u aktivizuan edhe 1000 vetë figurantë nga populli, montazhierë, punonjës të laboratorit, elektricistë e tjerë. Ndihmë të madhe në realizimin e filmit kanë kooperativistët e Lozhanit të Korçës, të cilët qëndruan dy ditë e dy net në dispozicion të kolektivit të Kinostudios.

Vdekja e aktorit Nikolla Panajoti
Aktori i Teatrit Popullor Nikolla Panajoti, luante rolin e rojtarit në filmin artistik “Tana”, rol të cilin nuk mundi ta çonte dot deri në fund. Ai do të vdiste në krye të detyrës. Edhe pse do të luante një pjesë të vogël në film, ai do të spikaste për talentin e tij si aktor, por edhe i pavdekshëm në filmin e parë shqiptar.
Sigal