Vangjush Saro: Akademia Politike, si Kursi i Plepave

51
Sigal

Këto ditë, është folur shumë rreth një takimi a shkolle për deputetët e rinj të PS-së, diçka që u quajtka Akademia Politike. (Dhe na qenkej praktikuar edhe më parë!) Sipas mediave, pikërisht nga 20 qershori deri më 20 korrik, në selinë e Partisë Socialiste do të mbahej Akademia Politike, dhe ku, fjalë për fjalë, “do të trajnohen deputetët e rinj të PS-së, të cilët fituan mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.” Me sa duket, e gjithë koha para dhe pas zgjedhjeve, nuk ka qenë e konsiderueshme për të “përgatitur” parlamentarët e ardhshëm. (“Puna pa da, ngre kala.” Popullore)

Ani. Nuk dua të fshihem; e gjithë kjo më duket diçka e çuditshme dhe në kufijtë e groteskut. Një shfaqje krejt e pavend, në një vend plot me probleme. Gjithnjë të sforcuara, false, këto “Akademitë” e Tranzicionit shqiptar. Personalisht, nuk më kanë pëlqyer asnjëherë teprimet, shtirja, vaniteti; pikësëpari, në këtë fushë të mbushur me konflikte e dëshpërim, që mban emrin e madh Politikë. Historia jonë “moderne” është e mbushur me të tilla kurse, shkolla, akademi Adhamudh-iane, që vetëm ashtu siç emërohen nuk janë.

Sigurisht, publiku i gjerë e mban mend Shkollën e Plepave; apo Kursin e Plepave. Për të hequr qafe juristët e kohës tjetër, për arsye që dihen – anipse shumë prej tyre ishin të rinj dhe mbase pa mëkate – u sajua njëlloj kursi gjashtëmujor apo diçka më shumë, ku “u shkolluan” (si avokatë e prokurorë) njerëz të ardhur nga profesione të tjera dhe që do t’i shërbenin… Demokracisë. Më parë, ne kishim pasur Kursin e Partisë, te Shkolla e Partisë, në Laprakë. Atje shkonin e “mësonin” për disa kohë kuadrot e reja apo ata që mund të bëheshin më vonë kuadro, kupto drejtues në fronte të ndryshme të vendit e, doemos, nën urdhërat e PPSH-së. (“Çfarë ka brenda çorba që zien, e di luga që e përzien.” Popullore)

Nuk mund të vë dorën në zjarr nëse të gjithë sa kanë kaluar këto shkolla e kurse ishin pa gjë; absolutisht që mes tyre ka pasur njerëz të aftë dhe të mirë. Por prirja për t’i “specializuar” njerëzit sipas interesave të një partie a klani, mbetet një akt dyshues. Ja tek erdhëm prapë te një kurs, shkollë javore, verore, mujore, që po i thonë Akademi Politike. Përse na duhet ajo? A nuk kanë bërë më parë ndonjë shkollë këta deputetë të rinj? A nuk kanë mësuar mjaft rreth politikës? E fundja, si u gjendën këtu, pra si u zgjodhën, “u përzgjodhën” në fakt, që të përfaqësojnë politikisht popullin e majtë, ndërsa… u dashka bërë sërish njëlloj shkolle (!)

Hajde, s’po e paragjykojmë më tej. Gjithsesi, çfarë do të mësojnë deputetët e rinj në këtë akademi: sjelljen, fjalimet, debatin, politikën, ekonominë, diplomacinë? (“Duken pemët që kur lëshojnë lule.” Popullore) E meqë ra fjala për produkt, një nga përvojat më të rëndësishme dhe më të rënda të PS-së në këto kohë, është përfshirja (pothuaj) e të gjitha strukturave dhe individëve të saj në korrupsion. Këtë do mësojnë deputetët e rinj? Apo do mësojnë… si t’i shmangen kësaj? Ndoshta diçka rreth zgjedhjeve; si mund të blihen votat duke blerë njerëzit e shkretë. Mbase deputetët e rinj do të mësojnë thjesht si t’i rrinë besnik kreut të tyre, tash në mandatin e katërt…

Një pyetje tjetër e pafajshme që lind, është ajo e stafit të lektorëve. Në këtë pikë, vërtet që do të doja të ndalesha pak. Edhe pse personalisht nuk më hyn në punë fare kjo akademi dhe të gjitha akademitë, sa edhe partitë dhe klanet e tjera të Shqipërisë, do t’u rekomandoja krerëve socalistë që në një nga leksionet kryesore t’u mësojnë deputetëve si dhe pse nuk duhen mbajtur gjatë postet… Në këtë temë, mbase do t’u hynte në punë ndonjë mendje nga ata socialistë që kanë ikur në punë të tyre pa i rënë në qafë këtij populli dhe duke treguar si mund të jesh sadopak pozitiv e të mos e bësh baltë… Këtë lloj leksioni mund ta mbanin, bie fjala, Rexhep Mejdani, Ylli Bufi, etj. Por edhe Fatos Nano mund t’u mësonte atyre (gjithë politikës shqiptare) se si jepet dorëheqja, çka fundja s’është fundi i botës. Dhe sërish do të shtoja: etj. etj.

Prit! Më duket se dolëm nga tema… Ku Akademitë Adhamudhiane, ku ne!