Prof. Agim Hushi : Jetojmë në Republikën e mediokritetit

826
Sigal

Të dashur miq!

U bënë disa muaj që jetojmë në Shqipëri
familjarisht, në këtë vend të bekuar, pas një udhëtimi 25 vjeçar, vite të
bukura dhe të sukseshme, plot përpjekje dhe luftë jo të lehtë, të pabarabartë
me botën, si shqiptar.

Por ia dola kudo ku shkela, kudo ku jetova, kudo ku
këndova. Rrita veten dhe djalin tim, nderova familjen time, por mbi të gjitha
jam krenar tju them se e ngrita me aq sa munda edhe emrin e Shqipërisë.

Është e tepërt tju them gjithashtu se gjithçka e
arrita i vetëm, pa përkrahjen e askujt; bile as të atdheut tim, që shpesh në
vend të mirënjohjes më tregoi se sa shpejt harron, se komplekset e çmirës i ka
deri në majat e pushtetarëve te tij…

Por u jam pafundësisht mirënjohës dashurisë dhe
suportit të mrekullueshëm që më japin jetë dhe ëndrra të reja çdo ditë,
publikut artdashës, njerzve të thjeshtë, personaliteteve të vërteta nga kultura,
shkenca dhe politika, që më mbushin me dashuri dhe krenari të ligjshme.

E dini të gjithë se kam kryer dy universitete të
plota, me kohë të plotë si student në Gjuhë Letërsi, Universitetin e Arteve dhe
me mesataren mbi 9.

Kam kryer gjithashtu studimet e plota
pasuniversitare, 3 vjet,  në Akademinë Franz
List te Budapestit,  ku që pas mbarimit të
vitit të parë më 1993, u zyrtarizova si solist i operas hungareze.

Zotëroj 4 gjuhë te huaja dhe kam marrë tituj dhe
vlerësime nga 4 anët e botës, nga personalitete botërore,  filluar që nga Richard Bonynge e Franco
Corelli e të tjerë.

I punësuar dhe vlersuar maksimalisht nga qarqet
akademike muzikore të Vienës, Romës, Parisit, Londrës, Madridit, Kopenhage e
deri në Nikozia; në skajet e

më të largëta të botës, Neë Zeland, Australi, Kinë
dhe Meksikë;  konsideruar si nga
mjeshtrat më të mëdhenj të belkantos në botë.

U ktheva me një balancë të tillë, me një dëshirë dhe
idealizëm qytetar në Tiranë, ku pothuaj të gjithë më thanë: çbën këtu, nuk bëhet
ky vend, do zhgënjehesh.

Por s’doja ta besoja dhe nuk dua ta besoj…

Dhe jam në prag të dy vendimeve.

Të rri e të luftoj këtu me ju apo ta lë maskarallëkun
që kanë mbi krye shqiptarët e të shoh punët dhe familjen time.

Zemra më thotë të jem këtu me ju miqtë e mi e të
luftojmë së bashku për një Shqipëri ndryshe, ashtu siç e duam.

Sytë e mi kanë qenë tek kultura…

Ju të gjithë e dini se çfarë ndodhi para syve tuaj
kur një ish e larguar me ceremoni dhe e njohur për bemat e saj abuzive, e
shkarkuar zyrtarisht për abuzime me fondet, riciklohet zyrtarisht në TOB, ku
programi im i jashtëzakonshëm për Operan as u lexua fare nga komisioni i
Kumbaros..

Do tronditeni kur të lexoni bëmat disa mujorëshe,
milionat që kalojnë në xhepat e të mësuarve me abuzimet,  që do ti publikoj së shpejti.

Njerëz të ndershëm më shkruajnë çdo ditë,  duke më treguar me fakte,  për tendera të Ministrisë së Kulturës;
qindramilionshe, të cilat do ti shihni të dokumentuara shumë shpejt dhe ti
gjykojmë sëbashku nëse janë apo jo abuzime me taksat tuaja dhe shkatërrim i
kulturës…Nderkohë që artistët e operas nuk marrin pagat e tyre, që u takojnë
në fund të vitit.

Bëhen shoë me diasporë teksa shqiptarët zënë vendin
e parë si azilkërkues nëpër botë.

Miq të dashur,

Diskutimi juaj këtu do më japë një shtytje për të
marrë vendimin e duhur; këtu me ju apo në Vienë me studentet e mi dhe familjen
time, në komfortitetin tim personal.

Mirënjohje dhe përqafime të gjithëve.