Av. Bledi Dervishi: Drejtësia shqiptare në krizë, Njerëzit po humbin jetën duke pritur një vendim, ka 150 mijë çështje të vonuara prej 2017

60
Sigal

Juristi Bledi Dervishi hedh dritë mbi një nga problemet më serioze të drejtësisë shqiptare: rreth 150 mijë çështje të pambaruara që presin prej vitit 2017, duke prekur indirekt ose drejtpërdrejt dy të tretat e popullsisë.Juristi shtroi pyetjen: “Për kë e bëmë reformën? Për Komisionin Evropian apo për qytetarët tanë?”. Qëllimi i reformës, siç shpjegon Dervishi, ishte krijimi i një sistemi drejtësie efektiv, të drejtë dhe të pastër nga korrupsioni. Por, realiteti është ndryshe, vonesat janë të mëdha, nuk ka mekanizma apo përgjegjësi institucionale për zgjidhjen e këtij problemi, dhe qytetarët vazhdojnë të vuajnë nga një sistem që i lë ata në pritje edhe për vite me radhë.

Bledi Dervishi: 150 mijë çështje me vonesë, presin prej 2017. Janë dy palë të përfshira, mos të them dy apo më tepër. Domethënë, 2/3 e popullsisë sonë është e prekur nga sistemi i drejtësisë sonë dhe pret zgjidhje për një çështje të caktuar. Po pse, për kë e bëmë reformën ne? Për Komisionin Evropian?

Për cilën nga organizmat ndërkombëtar i kryem ne reformën? Ne kryem, sepse kishte nevojë, dhe e pranuar nga të gjithë qytetarët tanë në mënyrë që të kishin një drejtësi efektive, të drejtë, në të njëjtën kohë objektive dhe të shmangnin dhe të nxirrnin jashtë sistemit personat që ishin të korruptuar.

Ky ishte qëllimi i reformës? Po.

A e kemi realizuar ne këtë?: Nuk e kemi realizuar, vitet kalojnë dhe stoku mbartet dhe nuk shoh asnjë mekanizëm e asnjë detyrim kushtetues, apo institucioni që të marrë nismat për ta adresuar për zgjidhje këtë.

Pjesa tjetër është ajo që vuajnë të gjithë nëpër gjykata civile, administrative për mos të thënë pastaj dhe penale ku njerëzit presin, ashtu është e vërteta. Kanë ndërruar dhe jetë, nuk kanë prekur dot me dorën e tyre drejtësinë që u është dhënë nga shkalla e parë në 2017-ën e të përfundojnë në gjykatën e Lartë në 2025.