Armiqtë publikë imagjinarë vazhdojnë të krijohen përditë, kryesisht nga retorika e qëllimtë e KM-së dhe nga media në funksion të tij. Sulmi ndaj tyre ka dy caqe: zhveshjen nga përgjegjësia të qeverisjes aktuale dhe diversionin përçarës midis segmenteve opozitarë. “Fajin e ka Berisha, Meta, Monika…”, refren që e dëgjon kudo në konferenca shtypi, në vox pop-e, në studio debati, e gjitha në funksion të fshehjes së autorëve të vërtetë të keqqeverisjes, korrupsionit dhe tjetërsimit të votës. “Gjellën e servirur” disa e hanë se ju duhet, ca të tjerë e hanë pa e përtypur, kurse mua dhe plot të tjerëve na vjen për të vjellë.
Shqiptarët e mësuar me armiq, kanë nevojë thuajse bazike për të gjetur të tillë. Rama e ka kuptuar këtë dhe po u servir armiqtë e radhës duke u thënë e fryrë ngado në vesh se “fajin e kanë ata”. Kori i shërbëtorëve mjeranëve nuk përton të dalë breg më breg, e nahi më nahi, e të lëshojnë kushtrimin e t’madhit. Stisje e pështirë nga ai dhe nga ata që kanë zaptuar çdo pushtet dhe janë përgjegjës për shumëçka që ka ndodhur e ndodh tash 8 vjet në Shqipëri. Të marrit Rama i ka shkrepur të gjejë armiqtë e tij, e ja servir popullit duke i thënë se këta janë armiqtë tuaj. E të gjithën këtë e bën nga omnipotenca.
Fabula e gjetjes së armiqve vjen nga regjimet njëngjyrëshe. Ata që kanë jetuar atë lloj realiteti e dinë mirë se çfarë do të thotë. Mesa duket ky lloj realiteti fle në pavetëdijen tonë kolektive sepse nuk e kuptoj sesi e përqafojnë aq shpejt ata që nuk e kanë jetuar atë kohë. Ndoshta thjesht identifikohen me të keqen, në pamundësi për të gjetur pika referimi të tjera ose nga arsye të tjera. E gjithë kjo mjegull me armiq imagjinarë duket se po intoksikon opinionin publik. E duket se ky është qëllimi i atij që i hedh këto teza në eter. Kurse unë vazhdoj e mendoj sesi qytetarët po kthehen në qenie që nuk mendojnë, nuk reflektojnë e nuk reagojnë.
Duket se ndërgjegjen e kanë bërë plastelinē në duart e pushtetit.
Sa turp, sa keq!