Dr. Ina Zhupa: Zgjedhjet e 11 Majit, farsë elektorale që pengon integrimin evropian

Ina Zhupa, deputete e zgjedhur e Partisë Demokratike, gjatë një interviste, tregoi mbi përvojën e delegacionit shqiptar në takimet dyditore në Strasburg.

Zhupa theksoi se opozita ka dhënë gjithmonë kontributin e saj serioz në këtë proces, duke denoncuar para eurodeputetëve situatën reale në Shqipëri, sidomos lidhur me zgjedhjet e 11 majit, të cilat sipas saj janë karakterizuar nga shkelje dhe një farsë elektorale. Ajo vuri në dukje rëndësinë e monitorimit të zgjedhjeve si parakusht kryesor për avancimin në integrimin europian, dhe theksoi gatishmërinë e eurodeputetëve për të ndjekur nga afër këtë proces në Shqipëri.

Sigal

Ina Zhupa: Ne kemi qenë në takimet 2 ditore në Strasburg, një delegacion nga opozita dhe mazhoranca, pa përjashtim dhe në fokus procesin e integrimit dhe mbikëqyrjen e marrëveshjes së stabilizim asociimit. Sigurisht që ne bëmë detyrën, duke treguar qartësisht para eurodeputetëve situatën reale të Shqipërisë dhe atë që ndodhi në zgjedhjet e 11 majit edhe si një kontribut që ne japin në procesin e integrimit. Në fakt, opozita shqiptare duhet thënë që në këto 12 vite e ka treguar qartësisht që ka vullnet në procesin e integrimit që ka votuar gjithmonë ato detyrime ligjore dhe ato rregulla që e përafronin Shqipërinë me BE, dhe çdo denoncim që ne bëjmë në Strasburg dhe çdo e vërtetë që ne themi është në funksion të arritjeve standarde të BE, themelore në klasterin e parë.

Ne jemi një vend që organizonin për herë të parë zgjedhje pas hapjes së negociatave, themelore ishin të drejtat e njeriut dhe sigurisht zgjedhjet. Dhe ne dështuam në organizimin e zgjedhjeve sepse në Shqipëri pati një farsë elektorale, po nga ngjarjet që u faktuan dhe po faktohen dita ditës nga opozita.

Ne atje paraqitëm qartësisht të gjitha faktet që lidhen qoftë me raportet që bëri OSBE-ODIHR në mënyrën se si e kishte parë dhe si e kishte evidentuar procesin zgjedhor që nga përdorimi i burimeve publike, i fondeve publike, i administratës publike. OSBE vetë e quan një garë të pabarabartë mes aktorëve ku njëri ishte shteti elektoral, PS, dhe tjetra ishte një forcë politike normale që kandidonte me program dhe kandidatë siç ishte Partia Demokratike.

Ajo që shkoi mirë në Strasburg është vullneti i eurodeputetëve për ta monitoruar më nga afër Shqipërinë, për të ndjekur të gjithë këtë proces që ka të bëjë në radhë të parë me zgjedhjet në Shqipëri. Sepse nuk mund të ketë kriter politik të plotësuar, nëse nuk ke zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.