Jovan Bizhyti: Kur kalimi i kufirit, quhej “tradhëti ndaj atdheut”

(Ngjarje e trishtë nga ditari i një veterani)

Sigal

Në ditarin e jetës së tij, veterani Vangjel R., krahas aktivitetit në vitet e luftës Nac.Çl. si partizan, kish shënuar me gërma të zeza dhe një pjesë të jetës në dekadat e fundit të atij shekulli që sapo shkoi për jetën e tij përtej murit ndarës, që e ndau nga shokët e shoqëria ku jetonte. Shkak u bë arratisja e djalit së bashku me nusen në Greqi, me damkën e “Tradhëtisë ndaj Atdheut”. Ata ikën një ditë pranvere për një jetë më të mirë, duke lënë pas veç prindërit edhe foshnjen e tyre, djalin, nën telat e klonit të kufirit, në trysninë e breshërisë së plumbave të njësitit kufitar..Me këtë damkë, ai dhe familja e nuses, u interrnuan duke lënë Tiranën, për të jetuar në zona tashmë të njohura për izolim, siç ishin disa fshatra në pjesën perëndimore të Myzeqesë dhe zona të thella të Labërisë.

Nusja, Athinaja, nuk e duroi dot gjatë jetën në emigrim nga malli dhe meraku për djalin që u mbeti atje nën telat e klonit, ndaj jashtë çdo dëshire të burrit, ajo mori rrugën e kthimit në Atdhe, e penduar për veprimin që bëri. Por këtu nuk gjeti atë që priste! Sapo zbriti shkallët e avionit, në duar ndjeu pa pritur ftohtësinë e prangave të policisë dhe kalvarin e gjykimeve e dënimeve të gjata për, “Tradhëti ndaj atdheut”, siç quhej atëherë arratisja dhe akuza për “Veprimtari armiqësore”. Pas këtij burgimi të gjatë e të vështirë, këtë grua të braktisur, viti 90-të e gjeti në liri si shumë të burgosur të tjerë politik. Në krah mbante një trastë të mbushur me ndërresat e saj, kjo ishte e vetmja pasuri që kishte marrë me vete nga gjithë kalvari i atyre viteve!

Makina që kish hipur, ecte vrullshëm atyre rrugëve fushore dhe ajo mbështetur mbas kabinës mbi karroceri, vështronte fshatrat dhe kodrat përtej në bregdetin e Myzeqesë, duke kërkuar me sy fshatin ku jetonin prej kohësh prindërit e saj të internuar. Fiksoi diku shikimin, i ra me dorë kabinës së makinës dhe shoferi ndaloi. U nisë në këmbë rrugës që të shpinte në sektorin e fermës mes fushës së Tërbufit. Në hyrje të fshatit pyeti dikë:

-A banon këtu Saimir M. me familjen?

-Po, ja atje e ka shtëpinë,- u përgjigj fshatari.

-Po prindërit, atje banojnë me Saimirin?– pyeti ajo e përmalluar.

-Ti je e motra e Saimirit, ke dalë nga burgu?- pyeti ai. Eh.! prindërit, ata kanë vdekur të dy kohët e fundit, ja dhe varrezat ku janë.

Ajo shtangu si një trung i thatë. Lotët i ishin shterur nga vitet e burgut. Këmbët e mpira mezi i lëvizte. Ato varreza të thjeshta me një tabelë llamarine tek koka, iu dukën si shtëpi të ulta me qerpiç. Sa hyri në atë territor, iu duk sikur prindërit dolën dhe po e prisnin me krah hapur. Kishte vite pa i parë. Tabelat e llamarinës me emrat e prindërve iu dukën si porta e hyrjes.

Trokiti mbi to, pastaj ngjiti mbi llamarinën e ftohtë buzët e thara e të rreshkura. Grumbulli i dheut mbi varre iu duk si një mal i lartë, nga ku ra si shkëmb i këputur mbi to dhe me duar nisi të kacavirrej për të prekur trupat e ngrirë nën tokë të prindërve. Qau sa deshi me ngashërim dhe me zë! Në tabelat e llamarinës i dilnin si në ekran fytyrat e prindërve. Nëna kaq e dhimsur, babai i heshtur nga vuajtjet e jetës.

-Ku e ka shtëpinë Saimir M.?– pyeti ajo fëmijët.

-Ja atje ku u fut në derë ajo teta me kovat e ujit në duar. Ky është djali i Saimirit, dhe vajza është ajo atje. Djali i Saimirit po e vështronte gjithë habi këtë të panjohur!

-Hajde tek halla!- i bëri ajo me dorë të afrohej. Djali nuk lëvizi nga vendi. Ajo e kapi për dore dhe u drejtua nga dera e shtëpisë. Nusja, po rrinte tek dera dhe po e vështronte.

-Nuk më njihni?! Jam halla e juaj, Athinaja! Nusja mbeti e shtangur. Pas një momenti hutimi, ato u përqafuan të përmalluara. Athinaja pushtoi në krah dy fëmijët, duke i puthur e shtrënguar fortë pranë gjoksit. Sa u bë gati të pyeste për Saimirin, ai brofi në derë. U përqafuan e u puthën me shumë mall e dashuri pas shumë vitesh larg njeri tjetrit. Nuk ndaheshin dot nga malli që ndjenin. Athinaja dukej tepër e plakur, por dhe i vëllai i dukej i burrëruar, disi i rrudhur në fytyrë dhe floku kish nisur t’i zbardhej.

-. Athinaja s’e mbajti dot veten, iu hodh sërishmi në qafë të vëllait dhe qau e qau me dënesë pa pushuar. Pastaj u ulën dhe në heshtje vështronin njeri tjetrin në sy. S’dinin nga t’a fillonin bisedën.

-Si kështu?!– e prishi heshtjen Saimiri.

-Kështu ndodhi!– u përgjigj ajo.– Më falni, se u prisha jetën edhe juve. Nga unë ju morët mbi vete një kalvarë të gjatë vuajtjesh. Të më falin edhe prindërit, që s’panë një ditë të bardhë! Po djalin Saimir, a dini gjë ku e kam Albanin?

-Ai jeton me gjyshërit, janë shumë larg prej këndej. Është bërë goxha djalë. E kam takuar para dy vjetësh, shkova apostafat. Tani nuk e di në janë kthyer në Tiranë, apo janë akoma andej në ato fshatra të thella malore të jugut në labëri.

-E ndjej veten si e huaj në vendin tim! Edhe djali nuk më njeh!– shpërtheu ajo me dënesë. Deri në atë kohë jeta e saj ishte pa vlerë. Ajo ishte kthyer në një trung të tharë me degë të shkreta, pa lastar, pa gjethe, pa lule, ku dhe zogjtë largoheshin të trembur.

Tani po e ndjente se pas takimit me njerëzit e dashur, pas lajmit se dhe djali jeton diku me gjyshërit shëndosh e mirë, pas fitores së shumëpritur të lirisë, jeta e saj e trishtuar kishte nevojë dhe për buzëqeshje. Ajo e rroku të vëllanë në qafë dhe nuk donte të shkëputej prej tij. Atë natë nuk fjetën gjumë. Historitë nuk kishin të sosur. Një natë dimri nuk mjaftonte. Të nesërmen duhet të nisej në Tiranë për të pyetur nëse ishin kthyer prindërit e burrit me djalin. Saimiri e shoqëroi deri në rrugën nacionale dhe ajo i hipi një makine drejtë Tiranës. Mësoi se djali me gjyshërit ishin kthyer në Tiranë dhe ishin strehuar në ambientet e një konvikti shkolle, që dikur quhej “Shkolla e Partisë”.

Ishte nisur për të takuar fëmijën që nuk e njihte! Nga koha që e lindi ishin ndarë në mënyrë tragjike atje poshtë telave të klonit që ndante kufirin e Shqipërisë me Greqinë dhe nuk ishin takuar më. S’kishte as fotografi e as ndonjë shenjë nga jeta e tij. Shkonte e përmalluar, por edhe kokë ulur. Në ndërgjegjen e saj ndjente një pendesë të thellë. E vetmuar mori arratinë për të gjetur një copë lumturi. Po ç’lumturi do të gjente pa fëmijën?! Dhe jeta kështu i eci, me lot, me trishtime dhe me shpirt të prangosur!

Shkallët e konviktit mezi po i ngjiste. Ndihej e plogët. Në korridorin e gjatë çdo familje kishte pushtuar nga një derë. Pyeti dikë aty në hyrje dhe i thanë se Xha Vangjeli ka dhomën me derën numër 7. Nisi t’i numërojë. Kur u gjend para derës, zemra iu hodh përpjetë sikur do t’i dilte nga gjoksi. Ngriti dorën për të trokitur, por nuk po e lëvizte dot. E mblodhi veten.  Mezi trokiti lehtë. U hap dera dhe përpara iu shfaq pa pritur një djalë rreth të 18-ve. Ajo e befasuar dhe njëkohësisht e emocionuar belbëzoi nën buzë:

-Këtu është shtëpia e…?– dhe fjalët iu prenë në mes.

-Kë kërkoni moj zonjë?– pyeti djali, që po e vështronte me habi.

-Djalin kërkoj!– i foli ajo nëpër buzë dhe u mbështet si një degë e prerë pranë murit. Këmbët e lëshuan dhe përpara syve shihte silueta të mjegullta. Djali i habitur i bën me shenjë gjyshërve. Gjyshja doli me të shpejtë dhe e pyeti:

-Kë kërkon moj motër?

-Djalin kërkoj dhe ju bashkë me të! Jam Athinaja, s’më njihni?!- u foli ajo e pezmatuar dhe fytyrën e saj të zbehtë e mbuluan djersë të ftohta. Gjyshe Liria mbeti e shtangur! Hapi krahët e përqafoi dhe i foli të shoqit:

-Vangjel, nusja e Stefanit, Athinaja! U krijua një situatë lotësh, puthjesh, e përqafimesh. Kishin kaluar plot 18 vjet, një kalvar i tërë malli e vuajtjesh! Gjithëçka kishte ndryshuar! Ata shikonin një nuse të thinjur, të rreshkur në fytyrë e të plakur nga vuajtjet e burgimit të gjatë! Ndërsa ajo shihte në fytyrat e tyre rrudhat e një pleqërie të mundimshme. Mbi të gjitha, shihte krijesën e saj tashmë të rritur e të burrëruar!

 

*     *      *

Në vitet 90-të të ndryshimeve, vendi kish rënë në kolaps. Xha Vangjeli nuk e kuptonte, ishte sistemi që falimentoi, apo ishin inventarët e dorëzimit të pushteteve që kishin bllokuar gjithçka. Ai të dyja i akuzonte. Pastaj zbriti poshtë shkallët e pallatit dhe doli në rrugë. Nostalgjia e bëri të shkonte në ndërmarrjen ku kishte punuar para shumë vitesh. Porta ishte e mbyllur. Ai ndjente nostalgji për atë ndërmarrje, se kish punuar vite të tëra. Nga brenda dukej vetëm heshtje. Aty nga një kabinë e vogël doli dikush.

-Ç’kërkon?– i tha.

-A punohet këtu?– pyeti Vangjeli.

-Çfarë halli ke ti o xhaxha?– ia ktheu roja.

-Nuk kam asnjë hall,- i tha. Kam punuar 20 vjet në këtë ndërmarrje shumë vite përpara. Ushqehej një ushtri e tërë punëtorësh me punën që bënin. Po tani?– pyeti ai.

-Tani ka falimentuar çdo gjë bashkë me sistemin komunist që patëm. Ka shumë muaj që ndërmarrja heshtë, po dremitë, kanë ngelur vetëm muret e godinave dhe unë bashkë me to që tund derën këtu,- u përgjigj ai. Po nga të kemi ty or babaxhan?

-Këtu jetoj, por me sa shoh, shteti paska hequr dorë nga pronat e tij!

-Po privatizohet çdo gjë xhaxha,- i tha roja. Shteti s’merret më as me pronat e as me ne, ka punët e hallet e veta. Presim “Çekun e Bardhë” nga Europa dhe Amerika, për t’a ribërë Shqipërinë nga e para, për të mos mbetur pas asgjë komuniste. Xha Vangjeli shprehu habi, e përshëndeti me kokë dhe iku duke u menduar.

-Duket,- tha me vete, njerëzit qenkan ndarë me shtetin. Në rrugë kishte shumë njerëz që lëviznin si milingonat, klubet gumëzhinin nga klientët e pa punë. Vangjeli endej si i huaj rrugëve të Tiranës. U trishtua kur mësoi se shumë ndërmarrje, fabrika e uzina, i kishin vënë kyçin derës. Kolapsi ishte shtrirë gjithë andej si uji i lumit. Në rrugë takoi dy shokë të hershëm, me njërin kish qenë partizan në luftë, ndërsa tjetri që ishte disi më i ri, ish sekretar i partisë në ndërmarrjen ku kish punuar dikur. U takuan me përzemërsi si miq të vjetër. U kthyen të pinin një kafe.

-Na ke munguar për shumë kohë!- i tha Mitrua, shoku i tij i luftës.

-Më hodhët matanë murit,- u tha Vangjeli, dhe muri i lartë që na ndante, nuk na linte të shihnim njeri tjetrin. Kapakët e poshtëm të syve i ishin varur si gjethe fiku.

-Kur dikush kërkon të mallkoj,- i tha Mitrua,- populli thotë një fjalë: -“Të humtë vula”! Dhe ty emri t’u fshi nga lista kur bëhej apeli në festimet e përvjetorëve të batalionit e të brigadës ku kemi luftuar së bashku.

-I munguari, i harruari!– ia ktheu Vangjeli. Vula e ime me të vërtetë humbi atyre maleve e gërxheve me vite të tëra, por unë prapë iu kujtoja. Iu shihja në televizor kur mblidheshit në ato festa e përvjetorë dhe zemra më dridhej. Unë në luftë me të vërtetë vrava armiq që na kishin pushtuar, por nuk vrava partizanë, as popullin tim nuk e vrava. Mirëpo, këtë akt e pagova shtrenjtë. Ju ma bëtë gjyqin në organizatën e partisë,- iu drejtua ai Seitit, ish sekretarit të partisë.

-Ashtu është,- u përgjigj ai,- ti dhe llogari e u gjykove për arratisjen e djalit. Nuk e harroj atë natë pa drita, kur mbledhja zgjati deri në orët e vona nën dritën e qiririt. Ne shokët folëm mirë për ty, se ti e meritoje respektin tonë. Ti u trondite shumë. Në përfundim, shokët propozuan një vërejtje të rëndë për mungesë vigjilence ndaj djalit që u arratisë, por partia në rreth e thelloi masën duke të përjashtuar nga radhët e saj. Pastaj erdhën dhe masat e tjera, të zbuan dhe nga Tirana, të ndan për shumë kohë nga miqtë, shokët e nga njerëzit e tu të dashur.

-Iku ajo kohë, siç iku dhe lufta që bëmë, siç iku dhe kontributi që lamë pas, ashtu dhe sistemi që përjetuam me të mirat e gabimet e tij,- i tha Mitrua.

-Ashtu është, ikën, ikën,- tha Vangjeli,- por mua m’u fshi gjithë ai kontribut i jetës në vite, më ikën fëmijët, më iku dinjiteti im, më iku shtëpia e katandia, më iku gjithçka dhe tani jetën po e nisë nga e para. Ata u ngritën nga tavolina të trishtuar.

*      *       *

Xha Vangjeli, atë liri të shumëpritur e shijoi pak, pasi mosha dhe shëndeti e rënduan jetën e tij. Një ditë, ai mbriti në spital në gjendje të rëndë. Doktor Anesti, që ishte dhe shefi i kardiologjisë. po bënte të gjitha përpjekjet e mundshme për t’a kapërcyer këtë infarkt të rëndë.

-Si paraqitet gjendja doktor?- i foli Agroni, djali i vogël i Vangjelit, një mjeku që sapo doli nga reanimacioni.

-E rëndë! Infarkt i rëndë!- u përgjigj ai. E shoqja, rrinte mbështetur tek muri dhe lotët i rridhnin mbi faqe. Kujtonte vitet e mundimshme, që Vangjelit ia shkurtuan jetën. Ishte njeri me sedër, i ndjeshëm. Ai kishte luftuar për këto ditë. Rininë e tij e la maleve partizan, ndërsa pleqërinë po prapë maleve, por me damkën e armikut për shkakun e arratisjes së djalit. Ja si vete jeta, dallgë-dallgë! Kishte shkrehur pushkë në luftë, i kishin vërshëllyer plumba mbi kokë, ishte ndeshur ballë për ballë me armikun dhe shokët e tij në përvjetorët e çlirimit rreshtoheshin me shallin e kuq në qafë, këndonin pranë zjarreve këngë partizane, ndërsa Vangjelin e veçuan, e degdisën në krahun e të mundurve, të ballistëve e zogistëve, me të cilët atë nuk e lidhte asnjë lloj ideali. Këto e plakën para kohe. Dhe ja si papritur, u gjend në shtrat në luftë me vdekjen. Tani që po i mblidheshin të gjithë rreth vetes, tani mesa dukej po largohej ai.

Mjekët i bënë gjithçka, edhe goditje elektrike, por pa sukses. Doktor Anesti doli nga pavjoni me kokën ulur.

-Të rroni vetë!– u tha ai njerëzve të afërt, që prisnin me ankth në korridor.- Ishte e pamundur ta kapërcente! Zemra shumë e lodhur dhe e rënduar!

Në familjen e Xha Vangjelit ishin shumë të pikëlluar, ato 24 orë kaluan me hyrje         e dalje njerëzish të shumtë që vinin për ngushëllim. Pastaj kortezhi në një heshtje të përmortshme mori rrugën e varrezave të Sharrës. Mbi grumbullin e dheut të varrit, një ish partizan, veteran i luftës, shokë e bashkëluftëtarë me Vangjelin, foli shkurt për jetën e aktivitetin e tij. Pastaj një minutë heshtje! Agroni, djali i vogël, ngriti kokën dhe diku treti shikimin. U shkëput nga njerëzit e pranishëm dhe hodhi disa hapa tej nga mezi i turmës. Iu drejtua Ganiut, një ish hetues që ishte mar gjatë me familjen e Vangjelit, dhe si për çudi, ndodhej aty në atë ceremoni mortore si papritur, në emër të një partie demokratike opozitare të përndjekurve politik!

-Ne nuk kemi nevojë për respektin tënd more zotni!- i foli Agroni gjithë urrejtje nga brenga që i ziente përbrenda. Edhe në qoftë se je penduar për sa ke bërë, është vonë, tepër vonë. Ti e ke vrarë me kohë Xha Vangjelin dhe ne familjarët e tij, vrasësi s’ka se si të ngushëllojë, aq më tepër në buzë të varrit! Njerëzit aty e tërhoqën prej krahu.

-Lëre Agron!– i tha njeri.

-Nuk kam si ta le. Kjo hije e zezë edhe në varr s’na u nda! Ky është provokim!

Ish hetuesi shtangu. Të gjithë pjesëmarrësit e kishin tretur shikimin tek ai. Ata që ishin aty pranë u larguan. AI mbeti i vetëm si një dru i tharë i ngulur buzë një rruge. Pastaj litarët lëshuan si me parashutë arkivolin në thellësinë e botës së përtejme. Të gjithë hodhën nga një grusht dhe, pastaj lotë e lule. Njerëzit pas varrimit, u hipën makinave. Në hyrje të varrezave u gjend si papritur djali, Stefani, i ardhur nga Greqia! Ai pa u përshëndetur, mori rrugën drejtë varrit. Pas i shkoi i vëllai. Agroni. Ai ra mbi varr si një lis i prerë. Lotët njomën dheun e tharë. U shtua dhe një tufë me lule nga djali në emigrim, që kishte shumë vite pa e parë. Kjo tufë me lule ndoshta ia lehtësoi disi peshën e dheut, ndoshta ia shoi dhe brengën e dhimbjes që kishte në gjoks!

Në shtëpi hynin e dilnin njerëz për ngushëllime. Stefani qëndroi në derë si statujë. U hodhi një shikim të gjithë njerëzve të shtëpisë. Vendi i babait atje në qoshe ishte boshë! Nëna e rreshkur dhe e zbardhur nga vuajtjet e jetës. Shkon dhe e përqafon me mall e me lotë në sy. I puthi ballin, gushën, duartë. Nuk ndjente të ngopur nga ai mall, që i mungoi për vite të tëra. Pastaj me radhë takoi vëllan, Agronin, djalin Albanin, që e pushtoi në krahët e tij, e gjithë të afërmit me radhë. Pastaj u ul në gjunjë përpara bashkshortes, Athinas. Ajo e heshtur qëndronte ulur në kolltuk.

-Më fal Athina, më fal, e ndjej veten shumë fajtor! Në rrokullimat e jetës, të kam dhënë dhe unë një goditje të fortë për në greminë. E ndjej thellë gabimin që kam bërë! Të më falësh ti, të më fali djali Albani, të më falësh ti moj nënoke e ime e dashur, e të gjithë të afërmit, e mbi të gjithë të më fali babai, që iku i vuajtur me zemër të vrarë e të përmalluar! Muret që u ngritën, na ndanë dhe na hodhën sa andej-këndej. Tani, pas rënies së murit, jam rikthyer për t’a nisur jetën nga e para, që mëkatarët na e shkoqën copa-copa. Do Zoti, kështu të bashkuar të ecim në rrugë të mbarë!