Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, pas vizitës në fshatin Tenë të Mirditës, shkoi edhe në fshatin Gojan i Madh (Pukë), për të parë nga afër situatën e zjarreve që kanë përfshirë zonën.
Nufi tha se situata e zjarreve në këtë zonë ka qenë e vështirë, por shtoi se pas disa orëve luftë më flakët, tashmë situata është nën kontroll.“Di që keni pasur një situatë shumë të vështirë sot. Ka pasur momente shumë të sikletshme, por falë punës suaj dhe falë koordinimit të mirë që kemi pasur, duket që situata është nën kontroll.
Edhe në Mirditë kishim një situatë shumë të vështirë, por edhe ajo u menaxhua”, tha mes të tjerash Nufi.Nënkolonel Behar Toçilla u shpreh se në fshatin Gojan i Vogël ishin në detyrë forcat e Batalionit të Mbështetjes si dhe forcat e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut.
Ai tha se situata kishte qenë e qetë deri në orën 12:00. Sipas tij, në orën 12:00 situata kishte dalë jashtë kontrollit, edhe për shkak të erës së pranishme në zonë.Për mbrojtjen e banesave në fshatin Gojan të Madh, janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake, ndërsa ndërhyrja ka vijuar edhe nga ajri me një helikopter të Forcave të Armatosura.






















