Izet S. Çulli: Andej dola shijehidhur…

943
Sigal

Nga një Kuvend mbarëkombëtar për vazhdimësinë historiko-gjuhësore dhe etnokulturore të shqiptarëve përmes mijëvjeçarëve që u zhvillua këto ditë në Tiranë, në disa fusha, vura re se aty nuk kishte studiues të mirëfilltë, të paktën për gjuhën. Atje mungonin gjuhëtarë të mirënjohur, punonjës të Akademisë së Shkencave, lëvrues e profesorë të universiteteve, të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Po ashtu na i kërkonte syri dhe desha t’i ritakoja hulumtuesit e shumtë  të institucioneve shkencore përkatëse të Kosovës, arbëreshëve të Italisë si Antonio Belushi, Francesko Altimari e Matteo Mandolá si dhe personalitete nga vende të tjera.

Prej andej  dola në përgjithësi shijehidhur e i pezmatuar, sepse shumë nga paraqitësit e temave, i mëshuan më tepër dialektit gegërisht të gjuhës shqipe. U theksua se në këtë dialekt shkruanin veprat e tyre letrare aktualisht 72 autorë. Po kush i ka penguar ata të na sjellin të tilla botime?! Ja le të marrim disa shkrimtarë (kryesisht poetë) të trevave të Veriut të Shqipërisë, të cilët historikisht janë studiuar në shkolla të ndryshme edhe në Jug të vendit tonë. Ata janë Ndre Mjeda, Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, apo edhe Gjergj Fishta e ca të tjerë. Kush i ka këshilluar, sugjeruar apo urdhëruar që autorët e mësipërm të sillen në toskërisht si në gjallje të tyre, edhe tani nga studiuesit? Edhe po të ndodhte kjo gjë, vetë krijimtaria e tyre do të humbiste shumë e më shumë nga vlerat artistike. Sipas Prof. Çabejt, dialektet janë përrenjtë, që ushqejnë lumin, i cili është vetë gjuha. Unë si lexues i interesuar për sa  shpreha më lart, nuk jam as për toskërishten e as për gegërishten, që asnjëra mos të dalë mbi krye, por mbështes fuqimisht Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe vendimet e tij. Po kjo nuk duhet të na pengojë asfare, madje është mjaft e domosdoshme dhe dobiprurëse, të mblidhet një forum tjetër i këtillë mbas 47 vjetësh (le ta quajmë kongres, konsultë, forum, konferencë a diçka të kësisojshme), për të sjellë risi, plotësime dhe shtesa me vlerë. Dialektet e nëndialektet,  çdo gjuhë në botë, mund t’i ketë me shumicë, madje edhe natyrshëm më tepër se ne, por ajo standardja, është një dhe vetëm një, e cila duhet respektuar nga të gjithë folësit e shqipes, studiuesit dhe shkrimtarët e më gjerë. Këtë mendim shpreh dhe prof. AgimVinca, pra për numrin e madh të dialekteve, “por të gjithë popujt e qytetëruar të botës.-thekson ai, -kanë një gjuhë standarde.” Në blloqet e mia të shënimeve prej dekadash kam hedhur me qindra e qindra mendime, citate e vlerësime gjuhësore dhe për ilustrim, po sjell këtu disa nga ato: “Mjaft më me ndasi gjuhësore sipas dialekteve, sepse këto janë shumë të rrezikshme për fatin e kombit. “(Eqrem Çabej)”…e kishim kuptuar rolin e  jashtëzakonshëm që ka gjuha e njësuar letrare për njësinë e kombit, domethënë për ngritjen e tij  në komb modern”. (Rexhep Qosja)”…gjuha standarde është nevojë e pazëvendësueshme për shoqëritë dhe shtetet moderne.”(Arbën Xhaferi) “…Gjuha standarde… nuk është vetëm mjeti kryesor i komunikimit, por është edhe një institucion me peshë në jetën e shoqërisë. “(Gjovalin Shkurtaj) “Shqipja standarde duhet pasuruar dhe jo përmbysur. “(Mehmet Çeliku) “Ndryshe nga dialektet… gjuha standarde është një organizëm i gjallë.”(Rami Memushaj).

Përfundimisht mund të them se begatimi i gjuhës, bukuria e saj (sidomos e asaj standarde, letrare apo zyrtare e një shteti) është pronë e paçmuar kombëtare. Ajo duhet pasuruar  vijimisht me sqimë e pjekuri, kryesisht nga gjuhëtarët, studiuesit e mirëfilltë të shqipes sonë të shenjtëruar nëpër shekuj e mijëvjeçarë…