Gëzim Llojdia/ Sejfulla Malëshova për Zaim Brahimaj: Legjendë e Luftës së Parë Botërore dhe rrëfimet e bashkëluftëtarëve

766
Sigal

Vdekja shurdhon, pra u shkurton jetët. Mirëpo me Zaim Brahimaj ndodhi ndryshe. Zaimi nuk vdiq. Emri i Zaimit është prezent sot. Kurse të tjerat, ata të zakonshmit janë harruar, kurse atdhetarët, me një fjalë shqiptarët e mirë vdekja nuk i shurdhon dot, nuk i rrëzon dot në ftohtësinë e saj. Zaim Brahimi ende nuk ka një monument, por akti i tij është një monument i gjallë shqiptarie.

Zaim Brahimaj, shkonte në ftohtësirën e baltës, në thellësi të saj 90 vite më parë kur rrëzoi sytë në Drizar të Mallakastrës. Kur shpirti u shkëput ishte vetëm 36 vjeç dhe vdekja nuk i erdhi nga natyra, por u rrëzua nga plumbat e shovenëve, gjurmët e të cilave dy bira kishin hapur në shpatullën e djathtë. Dëshmi e kësaj thënie mbeti, ç’varrimi këtë vjeshtë në Drizar. U rrëmua në varrezën e skalitur me gurë brenda qivurit ku eshtrat e tij të patretura mbanin ende gjurmën e plumbave të shovenëve në shpatullë. Gjurmën e tyre, koha nuk e fshehu tërësisht, ndonëse përsipër mbante një kapicë me dhe drizarasi. Përkundrejt sakrificës së tij në mbrojtje të tërësisë teritoriale shqiptare në 1914, regjimi i komunistëve e hoqi nga defteri më e pakta gjë, që bëri ishte t’i humbte gjurmët duke i errësuar kontributin e tij në rilindje si luftëtar i saj. Por ndonëse Zaimi bënte gjumin e përhershëm të qefinit, dy birra shenja plumbi, që e rrëzuan definitivisht, u panë në ç’varrimin e tij. Ishin shenja të gjurmave të kohës, ishin gjurmë të lexueshme, që askush dot nuk i fsheh më ato dy plumba, ndonëse për 90 vjet i mbylli qefini dhe varri i pagjetur dot nga familjarët. E gjithë kjo harresë përbënte mosnjohje. Regjistruar si shtresë e pasur, kurse i ati Muharremi ishte me influencë të madhe në Dëshnicë.

Kështu Zaim Muharrem Brahimaj e vendosën në një qivur në një kodër të Drizarit. Kjo përbënte një amanet. Pak orë përpara frymës së fundit, Zaimi i kishte kërkuar bashkëluftëtarit drizaras, Sako Dervish Ymerit, ta vendosnin varroshin në kodër. Domethënia ishte e lexueshme. Djali i tij i vetëm Zeneli i ardhur nga martesa me Xhevrinë, kur të ngjitej në Trebeshinë, duke shpurë bagëtitë ta shikonte varroshin e bardhë. Kur të rritej ta rikthente në Dëshnicë, në Katundishtë, rrëzë Trebeshinës. Në të vërtetë, ai mbeti aty i kallur nën dheun e ftohtë poshtë gurëve të rëndë, po nën shoqërimin e bashkëluftëtarit të tij Sako Ymerit nga Drizari.

Përcjellja e emrit

 

Një grusht diell në mes qershorin e kohës 1878, mori Zaim Brahimaj në Katundishtë të Përmetit, në ardhjen e tij. Ishte i njëjti diell, që në kohën qershor 1878 ndriçoi Prizrenin shqiptar, ndërkohë që ndriçuesit, i kishin vendosur emrin përpjekjeve të tyre” Rilindja shqiptare”, që fare mirë mund të lexohej: ”Përndritja e bukur shqiptare”. Rilindasit kërkonin hapësira me kohë të kthjelluara për shqiptarët. Prej këtij hiri të këtij dielli qershori ishte edhe lajmërimi në ardhje i Zaimit në Katundishtë. Një rastësi nga më befasueset, por që edhe emri i tij i atribohet Lidhjes së Prizrenit. Ekzistojnë dëshmi të zbardhura në ditarin e të birit të Zaimit, Zenelit që saktësojnë arsyet e këtij emri duke e lidhur atë me emrin e Abdyl Frashërit: frashëlliut të lindur në këtë trevë në Frashër, që gjëndej nën syrin vëzhgues të Kokojkës. Në ditar, shqyrtohet thënia nizam. Muharrem Brahimaj i ati i Zaimit, ka thirrur të vëllanë Xhelon. Njomcaku ardhur kishte në këtë jetë në ato ditë rilindase shqiptare. Muharremi e ka pyetur,ç’emër do t’i vihej djalit? Që djali e ka emrin, se është nizam i parë i Abdyl bej Frashërit, prandaj le të quhet Zaim, nga fjala nizam.

 

1913

Bie qeveria e Ismail Qemalit. Ujqëri tinzarë; kjo fqinjëse e pabesë. Trojet tona nën episode dhune. Copëtimi ishte synimi. Muza e Z.Brahimaj ngrihet lart. Ajo njëkohësisht është dëshmi e gjallë e historisë tragjikE-: ”U grinë, u grinë superfuqitë./ U lëshuan drejt Shqipërisë. / Zunë dhe vunë kufijtë, / ja prenë krahët Shqipërisë! / Ah o baba Tomorr ku je! / Ngrehu dhe dil në Trebeshinë,/ shiko Kosovën dhe Çamërinë / të jesh shehit edhe tinë!/ Që një ditë ajo do vijë,/ prapë me krahë të përtërirë./ Do të fluturojë mbi Shqipërinë / dhe do të rrojë si zonjë e mirë.”

Shqyrtime

Në të vërtetë, kjo nuk është poezi, por është muza dëshpëruese e një atdhetari, që i djeg xhani coptimi i kufijve. Prerja, kirurgjia e tyre sot ende dhëmb dhe kullon gjak. Ai thotë ja prenë krahët Shqipërisë. I lanë jashtë saj trojet shqiptare. Kosova, ku gjëndej Prizreni…Patriotët në ditën kur lindi Zaimi u mblodhën në Prizren me të vetmen arsye. Jo sepse Prizreni ishte një qytet i madh, por në rast se do të mblidheshin në Frashër, kirurgjia e ujqërisë do të zbriste tejposhtë Shqipërisë. I prenë Çamërinë, lulen e bukur. Thirrja e Z.Brahimaj: ”Ah o Baba Tomorr , po je ngrehu e dil  Trebeshinë..,përmban lutjen e një bektashiu të mirë, që kërkon nga mali i bekuar, siç e ka përmendur Naimi,”Tomorr o mal i bekuar”….pra dil e shiko mënxyrën, që ka rënë tek shqiptarët. Po u presin kufijtë, po u marrin tokat. Pra ai thotë, që edhe ti mal i shqiptarëve të jesh dëshmitar në këtë kirurgji të llahtarshme, ku prerja dhe rrëmbimi bëhej nga fqinjësia e saj, që ka pjellur jo pak luftëra, në këtë bashkëjetesë të gjatë dhe të përhershme.

 

Vrasja

 

Shovenët grek, i prinë copëtimit me urën e zjarrit në dorë më 21 qershor 1914. Ura ra mbi Katundishtë. Fshatarët me dhimbje u deportuan në ullishtet e Vlorës dhe në Mallakastër. Burrat e fshatit nxorën armët. Dëshmitë e bashkëkohësve hedhin dritë se burrat e fshatrave, kur morën lajmin se greku po vinte me urë zjarri, shpejtuan të zënë pozicione.

 

Rrëfejnë bashkëluftëtarët

 -Rrëfime origjinale të mbledhura në ditarin e të birit-

 

1-Zenel Velikua

Zenel Veliku thotë: “Kur u nisëm për në Kiçok dhe do të shkonim rrëzës së malit Trebeshinë, në vendin e quajtur “Haus”, Zaimi dëgjoi një zë fëmije. Zbriti nga kali e gjeti fëmijën të lidhur me shpërgënjë, e mori në prehër, hipur mbi kalë dhe vazhduam rrugën tutje Potgoram, Carrogunjë, Ball, Psar, Mazhar arritëm në qafë të Kiçoku. Atje takuam disa gra të ngarkuar me thasë bereqet dhe me djepe fëmijësh. Qëndroni, u foli Zaimi, do t’ju jap këtë fëmijë ta rritni e ta mbani mirë. Ku ta shpiem, iu përgjigjën ata të shkretat. Ne na janë tharrë gjirret or zotëri. Merreni, merreni, zonjat e mira. rriteni me qumësht dhie ja u kam bërë amanet, kur të kthehem nga lufta do të ma ktheni, përsëri. Zaimi u mori adresat i shënoi në një defter se ai qe i shkolluar dhe u nisëm për në istikam.

 2-Mete Bënja

Mësuesi Mete Fekollari Bënja, shkruan në 1924.

Mblidhen burrat e jugut dhe bëjnë thirrje për vetëmbrojtje. Krijohen çetat vetëmbrojtëse të jugut. Thirrja ishte:”Ngrihuni, ngrihuni burrat e fshatit, ngrihuni se po na vjen dushmani. Mbroni gra dhe fëmijë, mbroni nderin e shqiptarit. Kështu bënë burrat e fshatit Zaim Muharrem Brahimi, Beqo Memo, Zenel Veliku…

Muarrëm kuajtë me shalë: me dyfekë e jataganë, zumë pozicione me rradhë nga Këlcyra në Ballsh. Ikën gra dhe fëmijtë në Kiçok, atje qëndruan.

Në Kiçok ndal i thanë:/Ti dushman, ti gjeç belanë;/i dogje fshatrat me rradhë,/në Ballabanë më të dalë./ Në mullinjë e xhungre qëndruan./ Zunë pozicione djemtë tanë!/ Zaimi mori një plagë./ E mori shoku, që kishte pranë/ dhe e çoi në Drizar./ Rrojti një ditë e një natë!/ Në të nesërmen e dha xhanë./ U mblodhën burrat me rradhë./ Mallakastër, Përmet, Gjirokastër/ e varrosën në kodër mbi fshanë./ E rrethuan me murë të lartë/ e ruante miku i babait ,që të mos hynin as ujqërit, as çakajt…………….

Një shkrim tjetër i gjetur në kujtimet e mësuesit Mete Bënja.

U mblodh parësia e fshatit sene 14, Hasan Mërkuri, Xhafer Xheli, Tahir Mucenji, Muharrem Emini, Zenel Velikua, Beqo Shema. Bëhej fjalë për të zgjedhur Zaimin.”Ti Zaim të jeshë i parë se ke bërë shkollë për zabit të drejtosh djemtë tanë, të mbrosh Dëshnicën dhe fshanë: se flaka kishte filluar fshatrat me rradhë. Xhafer Xheli foli: ”Rrofsh mor nipçe më ke nderuar na jep Zaimin, që të drejtojë djemtë tanë! Pa u kam bërë kurban për fshanë. Puthi Zaimin në ballë, të më nderosh mor djalë të shporësh dushmanë…

Zaimi, hipi në kalë, Beqir Zeneli nuk ju nda; kaluan matanë. Gjenë një fëmijë, që po qanë. Zbret nga kali merr fëmijën të pështjellur në një boçe. Hipën përsëri në kalë, kalon fshatrat me rradhë në Kiçok. Atje qëndruan, atje gjetën disa gra, shyqyr Zotit që paska fat ky fëmijë. U drejtohet: ” U lutem o zonja të mira, merreni këtë fëmijë, rriteni e mbaheni mirë. Ku ta shpiem, or zotëri ne jemi me lot në sy, ne na janë tharrë gjirret, ku ta shpiem këtë fakirë?-u përgjigjën ato.”Merreni, zonjat e mira, u foli Zaimi, rriteni me qumështë dhije, nuk po ua jap për fare! Kur të kthehem nga lufta do të ma ktheni përsëri. Lutem zonja, më thoni kujt fisi jeni? Zaimi nxori defterin dhe u mori adresat 1-Zonja Mullaraj, 2-zonja Shehaj, 3-zonja Nebiaj. Zaimi iku për të mos u kthyer kurrë, nuk e mbarojë dot këtë amanet….Qershor 1914

Vijojnë kujtimet e mësuesit Mete Bënja

Në senen 26 nisemi në Drizar. Më qepet i shkreti djalë: ”Do vij dhe unë më thotë, të takoj babanë në kodër sipër mbi fshanë. Sako Dervishiu më shikon me habi:”Ore zotëri, çe ke këtë fëmijë? Ai është djalë i tij. Shkuam në shtëpi nxori shënimet: A di shkrim e këndim, që të lexosh shënimet e tij? Unë jam mësues në Dëshnicë. Mora bllokun e tij të lyer me djersë dhe gjak. Gruaja e Sakos ka thënë:” Të lexosh shkrimet e tij ka qënë në shkollë në Turqi, ka qënë me Ismail Qemalin. Ç’ka shkruar për përmetarët Abdylin, Naimin, Samiun. Pika e dobët për Zaimin ishte Hysen Hoxha, për Idriz Gurin shkruan edhe për Sinjën, që i thanë fol, fol ti Zaim se ti di më mirë se je takuar me Ismail Qemalin. Unë do të flasë, por jo më shumë në Vlorë do t’i them të gjitha kur të vemi krah atij burri që ta bëjë Shqipërinë si nur ashtu siç e kishte menduar vetë ai burrë. Sakua na priu. U ngrimë e pamë të shkretin varrë i rrrethuar me gurë të bardhë i stolisur emri i tij dhe i gdhendur në një pllakë guri dhe shkruhej:” Zaim Muharrem Brahimaj-Këlcyrë”. E puthëm atë pllakë guri, Zeneli filloi të qajë, unë shkrova: ”Kapedan ngrehu Zaim e tako djalë se ka zënë dhe po qanë e ka marrë malli për babanë…

 

3-Muharrem Brahimaj

Muharrem Brahimaj, i ati i Zaimit ka rrëfyer:

Në qershor të ’14 me erdhi lajmi se kisha djalin të sëmurë në shtëpinë e Sako Dervishit në Drizar. Vajta, gjeta djalin, që po e mbante Sakua. Djali ishte shumë rëndë dhe ishte mbuluar me djersë, që ia fshinte Sakua me peshqirë. Zaimi ngriti kokën dhe më foli:” Mos u mërzit baba, se jam mirë, ngrije kokën baba. I fola:”Të kisha djalin e madh or bir të djemëve. Më kishe dhe më ke,-më tha,- me një buzëqeshje ja ku e ke Sakon me namë, që më ka hedhur në kraharuar. Sako, -i fola, ma jep ta mbajë pak djalin! Kur u ngrit Sako, qe bërë këmisha me gjak. Sako,-i thashë- djali qënka vrarë, pse s’ma tregove? Sakos ju mbushën sytë me lot dhe buza i dridhej. Zaimi është vrarë në istikam në Kiçok, me grekun,- më tha Sakua. Sako,- i fola fshiji ato lotë, se burrat, që bien nuk qahen, por këndohen. Dëgjo Sako: luftë pa djem dhe pa gjak nuk ka. Zaimi ktheu kokën dhe më shikoi, u përlot, më mori dorën e djathtë, ma puthi dhe më shtërngoi fort, në këtë kohë dha xhanë. Sakua uluriti fort. Pusho i thashë, bjena ujë të ngrohtë për ta larë. Kur e zhvesha, pashë në shpatull dy plagë. Sakua duke qarë thoshte: “Zaim, vëlla amanetet e tua do t’i mbaroj unë, do të bëjë ashtu si më ke thënë t’i vëlla, për emër të Zotit dhe do të vijë atje tek ti të ç’mallemi bashkë o Zaim ,o vëlla…

4-Sako Dervishi

Tregimi i Sako Dershit, nga Drizari për Zaimin.

Zaimi, ka qënë luftëtar i zoti dhe shumë trim. Të habiste kur nxirrte ato fjalë nga goja. Ishte i shkolluar.

Kur dolëm në qafë të Kiçokut, pamë se ishte mbushur lugina e Dëshinca me tym të zi. Zaimi siç qe hipur në kalë bërtiti fort: Tym i zi, tym i zi, po digjen shtëpi e katandi!/Ç’bënë kështu mor i mallkuar, ti je pa shpirtë./ Ç’bënë kështu mor jezit,/ vure njerëzit  rrezik./Ku vete o bishë e tërbuar/Kiçokun s’ke për ta kaluar!/O burra, o trima shpejt/ zëmë instikamë/poshtë tek mullinjtë e zhungërve.

I bërtIti fshatari i tij Beqo Memua: Zaim ik andej se nuk je mirë. Jo, o Beqo se këtu shikoj mirë. Pozicioni, që zuri Zaimi s’kish njeri, që ta kalonte gjallë. Vendi, që zuri Zaimi ishte në vijën e mullirit. Atje u bë luftë e madhe. Pas disa orësh uji erdhi i gjakosur. Shkuam mbas ujit dhe gjetëm Zaimin të plagosur, brenda në ujë. I morrëm rrobat i shtrydhëm dhe kur e pamë se jeta e tij, po rrezikohej e mora, hipa në kalë dhe e çova në shtëpi në Drizar. Kur u afrova tek kodra me ullinj, më tha : Këtu ti Sako do më varrosësh, se këtu u dukërka mali i Trebeshinës, të më bëni qivur dhe të ma lyeni me gëlqere, të më shikojë im bir, që e kam plot 5 vjeç. Kur të dalë në Trebeshinë, kur të kullosë bagëtinë.

Këtu mbyllen dëshmitë origjinale të bashkëluftëtarëve të Zaim Brahimaj.

Dëshmitë mbeten më së paku edhe kronikë e asaj kohe tepër të rëndë, për trojet shqiptare, që i coptuan armiqtë e këtij kombi, ndërkaq për mbrojtjen e tyre shqiptarët e mirë, shkurtuan jetët e tyre.

 

Këngë për Zaim Brahimaj

 

Moj Dëshnicë moj ëngjëllore/Trebeshina të ri roje./Tendë e qypit kurorë,/Kiçoku luftën tregon/.

Kiçoku luftën tregon, /për Zaim Muharrem fol./Fol moj folë për Zaim: Luftëtarë si vetëtimë.

Nga Kiçoku në Drizar,/trupi me gjak është larë./Nga plaga që kishte marrë/në luftë me junanë/

Në Drizarë erdhi gjallë!/Rrojti një ditë e një natë./Katundishtë vajti mandate,/nuk ka luftë pa djem,pa gjak……………..

Dëshmohet se kjo këngë është kënduar në Mallakastër nga vitet 1914-44-ën.

 

 Sejfulla Malëshova: Zaim Brahimaj Legjendë e Luftës së Parë Botërore

Nipi i Zaim Brahimit, djali i Zenelit sjell një fakt tepër të panjohur deri më sot. Thëniet e Sejfulla Malëshovës, për Zaim Brahimin.

 

Rrethanat kur e takova Sejfulla Malëshovën ishin të tilla, tregon E’them Brahimi: Punoja në SMT, Përmet. Shkuam në Fier, ku ishte i internuar Sejfulla Malëshova. Isha sëbashku me V.Shuranë. Gjatë kohës, që tërhoqëm disa materiale, më pyeti: Po ti mor djalë nga je? Jam nga Katundishta,-i thashë. Po i kujt je, pyeti Sejfullai. Jam i Zenel Zaimit. Po me ç’mbiemër je?

Brahimaj,- thashë. Oh, ja bëri dhe më përqafoi. E njoke i tha Vasili.-Posi, ore tha Sejfullai. Gjyshi i këtij është vrarë në ‘14 në Luftën e parë Botërore në Kiçok.Ka qënë legjendar i luftës së parë botërore. Zaimi,-Ai na tha se ka shumë vlera të mëdha. Ndërkohë ai e pyeti Vasilin për Malëshovën se ishte vendi i varfër.