Sigal

Si i zbuluam puset e naftës që na i bllokuan sovjetikët

Leonard Veizi

(vijon nga numri i kaluar)

Nëse do të ishte evituar një gabim teknik, i famshmi pus nafte i koduar nën siglën “Ca-12”, do të vazhdonte të prodhonte edhe sot karburant, gjë të cilën shqiptarët e ditëve moderne do ta përdornin pa kursim për të bërë xhiro në bulevardin e madh të Tiranës. Por pusi shpërtheu dhe nafta shkoi dëm, ndërsa tani për të plotësuar nevojën e xhirove pa fund, na duhet të eksportojmë naftë nga vendet e OPEK-ut, më shumë se grurë nga Serbia, sheqer nga Kuba e oriz nga Kina.

Inxhinieri Dhimitër Gjenerali, një nga më të njohurit të fushës së nëntokës shqiptarë gjatë rrëfimit të tij për “Telegraf” thotë dhe se cilat janë ende mundësitë e pashfrytëzuara të burimeve të naftës në vendin tonë:

Cila ishte situata që prodhoi “Grupin armiqësor” në sektorin e naftës?

Nuk e kam të qartë mbasi nuk u përfshiva me rreth 40 specialistët-eksperte të ndarë në 4 nëngrupe të cilat ja dorëzonin materialet e tyre për përpunim të mëtejshëm z. Petraq Xhaçka. Por kryetari, me kërkesën e tij, ishte caktuar nga Universiteti shoku im i kursit i ndjeri z. Tomi Kristo, i cili kur shkëmbeheshim në barakën e kafes më thoshte: “Dhimitër jam ngushtë; ato që shkruaj sot më rrëzohen nesër kur lexoj materialet e tjera, pasi nuk kam punuar direkt me kërkimet…” – unë ngrija supet me keqardhje sepse e respektoja kolegun, specialistin babaxhan e dashamirës. Sidoqoftë besoj (supozoj me saktë) se kanë ndikuar euforia dhe investimet e nxituara për tubacionin Sarandë (Kranë) – Ballsh – Fier, montimi i një pusi pa pritur punimet seismike në “Asim Zeneli” të Gjirokastrës etj. Shfaqe të kësaj natyre egoja ime i shpjegonte me shkallën e mosnjohjes së problemeve, me ndonjë përjashtim të mundshëm. Po gjyqet bëheshin të mbyllura dhe kur më pyeste ndonjë njeri i tyre unë ngrija supet dhe thosha: “Me shumë dini ju jashtë naftës se sa ne që kemi punuar me kolegë aq korrekt”. Kujtoj me dhimbje koleget e dashur të shkollës rumune, z. Dhimitër Stefo, Jani Konomi etj., të cilët i falënderoj.

Diçka mbi punën e inxhinierëve dhe naftëtarëve të thjeshtë?

Inxhinieret që punonin në naftë, si në kërkime, në prodhim, e sidomos në shpim punonin të sforcuar mbasi çdo shkelje e rregullave teknike sillte pasoja të rënda – dëme ekonomike e deri humbje të jetës. Veçanërisht punonjësit e brigadave të shpimit ku unë jetova rreth një vit, në përgjithësi duhet të quhen heronj; ata punonin me turne dhe kushtet e jetesës vështirësoheshin vazhdimisht mbasi “vetëizolimi” shtetëror e detyronte vendin të kalonte vështirësi ekonomike në rritje. Kujtoj me dhimbje aksidentet vdekjeprurëse, kur isha i “qarkulluar” humbi jetën një punëtor duke bërë manovrën lart; ishte djalë i vetëm i një kryetari kooperative të minoritetit në Sarandë. Aksidente me humbje jete përsëriteshin; bile edhe në ndërmarrjen seismike, ku punova vitet e fundit pati raste inxhinierësh e specialistësh të kualifikuar që u aksidentuan – gjymtuan apo humbën jetën. Punohej me sforco e me sakrifica të shumta, prandaj naftëtarët në përgjithësi unë dhe brezi im i specialisteve i quajmë nga heronjtë e vendit.

Çfarë potenciali ka ende nafta jonë?

Nga tipat e vendburimeve të naftës që janë zbuluar tek ne, fillimisht peshë në prodhim kanë ngritur ranoret e tortonianit në Kuçovë, Patos e Marinëz. Ky i fundit është më i fuqishmi e me interesanti dhe nga ky tip vendburimi duhet të zbulohen të tjerë (me në jugperëndim e sidomos më ne veri) në zonën Jonike – deri në detin Adriatik. i vetmi pus që pritej të hidhte dritë mbi këta vendburime të thellësisë në veri të Shkumbinit u shpua në fushën në lindje të Durrësit (me projekt nga Prof. Ziver Meko – specialist i dorës së parë dhe mjaft modest), ra në presione uji mbi normalen dhe u ndal për arsye të nivelit të atëhershëm të teknikës në përdorim. Zona të pa kontrolluara të kësaj natyre ka disa; për to nuk ka shumë nevojë për diskutime pasi janë në prerjet e vjetra të tortonianit që nuk dalin në sipërfaqe (si në Marinez) dhe, në rastin që ngritjet e gëlqeroreve nuk janë erroduar për t’i ushqyer me naftë, kanë vendburime më të fuqishme. Tipi i vendburimeve në gëlqerorët si të Gorishtit, Ballshit e Cakranit kanë potencial më të madh. Kjo e rrit shumë potencialin nafte-gazmbajtës të Shqipërisë. Ngritje të tilla numërohen shumë duke filluar nga ato me dimensione të vogla – relativisht me të cekëta si Kraneja, në ato mesataret – si Gorishti e Cakrani, në ato të madhësisë të ngritjes gjigante të Patos-Verbasit mbi të cilën është vendosur Marinëza. Në mjaft nga këto ngritje është shpuar vetëm nga një pus që zakonisht e ka lënë gëlqerorin me në lindje dhe projektet e shpim-kërkimit janë zvarritur; çka thërret për specialistët tanë të apasionuar të angazhohen në të ardhmen. Për tipin e vendburimeve anash diapirëve kripore si në Delvinë (anash diapirit të Dhrovjanit) u mjaftua vetëm me pak puse rezultative nafte-kondensati; por edhe aty nuk u shpua më në vazhdim pasi diapiri rrëshqet duke mbuluar një sipërfaqe disa dhjetëra kilometra katrore duke ruajtur shtresëzimin e gipseve dhe alabastrave (të cilat janë studiuar nga kolegu serioz e i apasionuar z. Arqile Papuçiu). Këtu gipset mbulojnë vazhdimin e gëlqeroreve të mali të Krongjit (ku vendoset hidrocentrali Bistrica-1) që ulen me shkëputje tektonike në lumin e Bistricës dhe presin të kapen me shpime mjaft më të cekët se në Delvinë. Duhet përmendur diapiri i Dumresë si një thesar më vete, mjaft më i madh e konkret. Për sa i përket tipit të vendburimeve në dolomitet midis gipseve shtresore-kulmore si në vendburimin e Kroacisë – në ishullin Dugi-Otok të detit Adriatik dhe Greqisë – në Paksos-1 në ishull (ku punimet u ndërprenë si rezultat i debitit të vogël); në Shqipëri, në zonën Kruja kemi kushte më të favorshme nga Kroacia si nga madhësia e strukturave ashtu edhe nga niveli i dolomitëve kolektor me gipset që i shoqërojnë pak më thellë e që shfaqen në sasi fragmentale në flish pranë prishjeve tektonike (si në veri të Lezhës dhe në veri të Elbasanit – pranë prishjes tërthore që kufizon jugun e mali të Letanit). Ky tip vendburimi ka kosto të lartë shpimi dhe e ka radhën pas objekteve të gëlqerorëve (kolektor) naftëmbajtës të mbuluar nga flishi (mbulesor) ruajtës i saj.

Si mund të zbulohen gradualisht vendburime të reja nafte e gazi?

Është koha të krijohen kompani vetëm shqiptare për kërkimet. Kompanitë e huaja me potencial shpues nuk ka si futen në situata të tilla që po kalon vendi. Ato bëjnë studime dhe i arkivojnë ato. Do Zoti nuk futen akoma me shpime. Në Shqipëri po hyn një sasi e madhe monetare nga emigracioni e për më tepër ka bashkatdhetar qoftë në vend, apo jashtë që disponojnë fonde serioze. Një pjesë e tyre ka predispozitën t’i shtojë ato por sigurisht kërkojnë rrugë serioze e të garantuara. Aksionet sado të vogla që mund të pranohen – grupohen në të mëdha e duke u favorizuar nga ligjet specifike vetëm për vendasit do lulëzojnë e do triumfojnë.