Fëmijët DEBATIK-as, trimat që u burrëruan në luftën për liri

2782
Sigal

 Më 10 shkurt 1942, plot 73 vjet më parë u krijua Organizata DEBATIK (Djemtë e bashkuar, anëtarë të ideve komuniste)

Roli dhe kontributi i pionierëve në luftën për çlirimin e vendit, ka qenë i rëndësishëm. Të grupuar në organizatën e tyre DEBATIK, ata kryen jo vetëm shërbime të ndryshme në ndihmë të luftës në front e prapavijë, në të gjithë vendin, por ndonëse në moshë të re, shumë prej tyre u rreshtuan në repartet e njësive partizane e luftuan me heroizëm krahas të rriturve…

            *         *         *

73 vite më parë, më 10 shkurt 1942, në kodrat e Saukut në Tiranë, atje ku sot ngrihet një lapidar i thjeshtë, por me një histori të lavdishme, u krijua Organizata e Fëmijëve të LANÇ “DEBATIK”, (Djemtë e bashkuar, anëtarë të idealeve  komuniste).  Kjo nuk ishte një iniciativë e rastit, por e frymëzuar nga idealet e mëdha të çlirimit të vendit, kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre, ideale këto të cilat erdhën në botën dhe ndjenjat e këtyre fëmijëve 12,13 e 14 vjeçar, nëpërmjet më të rriturve, prindërve të tyre, të rinjve dhe anëtarëve të Qarkorit të Partisë Komuniste të Tiranës, nëpërmjet bisedave me ta, si dhe përmes shembullit të tyre gjatë betejave kundër pushtuesve. Nga 7 prilli 1939 kur u pushtua vendi ynë nga Italia fashiste e gjer më 10 shkurt 1942, qenë zhvilluar shumë ngjarje, shumë beteja, të cilat, si tek i gjithë populli shqiptar, te rinia shqiptare, ashtu edhe te këta fëmijë, krijuan mbresa, dhimbje, por edhe krenari e angazhim. Rrjedhimisht, ata, me atë logjikën e tyre fëmijërore, por të mençur e të pjekur, bënë një betim solemn: “Edhe ne do të luftojmë pushtuesit e huaj dhe tradhtarët e vendit”. Pas kësaj, Debatikasit, nëpërmjet një organizimi të përsosur, me drejtues trima e më të përgatitur, gjithmonë nën drejtimin e anëtarëve të celulave të Partisë, me guxim e trimëri dhe me atë ndjenjë e përgjegjësi si prej të rrituri, me atë konspiracion e ruajtje, si gjë të shenjtë të sekreteve, morën përsipër dhe kryen detyra, sa delikate aq dhe të rëndësishme, duke vepruar në radhët e në prapavijat e armikut, në afërsi të reparteve ushtarake, në vende me rrezikshmëri të lartë, ku mund të ikte koka, etj. Por debatikasve nuk iu dridhej qerpiku. Ata, nën drejtimin e shokëve të paharruar, Hamdi Sallaku, Skënder Begeja, Selman Vaqarri, Naxhi Hajdeni, Leman Çoçoli, vepronin si të rritur, të matur, por edhe me shkathtësi. Sa e sa prej tyre, shpërndanin në hundë të armiqve, komunikata, kalonin nga një zonë e lagje në tjetrën, me materiale propagandistike e letra sekrete, por edhe me armë nga qyteti i Tiranës, në Pezë, sikurse vepronte trimi Met Hasa. Mblidhnin ndihma e veshmbathje e monedha, grumbullonin informacione mbi lëvizjen e armikut, merrnin pjesë në aksionet për grisjen e flamurëve të fashizmit e qarkore të afishuara prej tyre, por jo rrallë edhe si pjesëmarrës në aksionet luftarake që kryenin njësitet guerile. Por e gjithë kjo veprimtari e debatikasve, nuk mund të kalonte lehtë. Spiunët e shumtë në shërbim të nazifashistëve, binin në gjurmë të tyre. Kjo bëhej shkak që ata, të largoheshin në terren e në mjaft raste të rroknin armët e të rreshtoheshin në formacionet partizane. Si të tillë mund të përmendim, Lirinë, Veronikën, Adelinën, Ylberen , Musanë, Aristidhin, etj, të cilët, gjatë betejave luftarake, u treguan trima e të guximshëm deri në çlirimin e Shqipërisë më 29 nëntor 1944.  Por, pati edhe nga ata debatikas, që nuk e gëzuan dot ditën e lirisë, sepse ranë në betejat për të mos vdekur kurrë. Të tillë kanë qenë: trimi Met Hasa, i cili, për të shpëtuar shokët, mbuloi me gjoksin e tij të njomë mitralozin nazist, apo Ylbere Bylylbashi, e cila ra duke luftuar tej kufijve shtetërore, ndërsa më i vogli debatikas, Fiqiri Begeja, priti në gjoksin e tij të vogël në Prishtinë, plumbat naziste. Heroizmi i paparë i Antoneta Vretos, përballë xhelatëve nazistë edhe pse e torturuar mizorisht, nuk tregoi asgjë para tyre, akte këto që historia i ka shkruar me germa të arta. Por duhet theksuar se shembulli dhe përvoja e ngritjes së Organizatës së DEBATIK-ut në Tiranë, u përhap me shpejtësi në tërë Shqipërinë. Edhe pse fëmijët në të gjithë vendin, ndihmonin LANÇ, pas kësaj ngjarje, ata u përfshinë në një organizim të tillë, diku me emrin DEBATIK e diku organizatë pionieri. Si kudo, një organizimi tillë u krye edhe në qytetin e rrethin e Gjirokastrës. Mjafton të përmendim, se në nëntor të vitit 1943, një organizatë e tillë u ngrit edhe në Karjan të Lunxhërisë, nga i deleguari i qarkorit të Partisë Komuniste dhe asaj të Rinisë, i paharruari Sofokli Papajani, organizatë kjo që, ashtu si të tjerat, kreu një veprimtari më të organizuar në ato drejtime që u përmendën për DEBATIK–un e Tiranës. Në përfundim, duhet theksuar se anëtarët e organizatës  DEBATIK-ut, apo siç u quajt e Pionierit, dhanë një kontribut  të rëndësishëm gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ata u rritën e u burrëruan gjatë kësaj epopeje të lavdishme.

Duke parë e vlerësuar këtë kontribut të rëndësishëm të debatikasve, paraqiten tepër paradoksale, të pavërteta e pse jo edhe antihistorike disa pikëpamje të shprehura se “çfarë mund të bënte një fëmijë gjatë luftës” apo si mund të quhen sot veteranë ata që gjatë luftës mund të ishin  12,13 vjeçar, etj. Por faktet që u sollën më lart, e të tjerë të pathënë e të pashkruar akoma, i hedhin poshtë këto shprehje e pikëpamje të gabuara.

Odhise Porodini

HISTORIKU I DEBATIK

Tre vjet pas pushtimit fashist, PËRKATËSISHT MË 10 SHKURT TË VITIT 1942,  fëmijët krijojnë organizatën e fëmijëve anti-fashistë që e quajtën Debatik (Djemtë e Bashkuar, Anëtarë të Ideve Komuniste). Themelimi i kësaj organizate u bë në kodrën e Saukut në periferi të Tiranës. Shumë shpejt kjo organizatë e shtriu aktivitetin në gjithë qytetet e vendit, duke ushtrua një aktivitet të rëndësishëm në shërbim të formacioneve luftarake partizane që luftonin në gjithë vendin, si dhe në prapavija duke informuar për lëvizjen e ushtrive pushtuese e bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Shumë djem DEBATIK-as, ngjeshën armët dhe luftuan në vijë të frontit deri në çlirimin e vendit. Shumë djem e vajza ish-Debatikas, dhanë jetën në lule të rinisë për çlirimin e vendit.