Orhan Frashëri, antifashist i orëve të para – Kuadër e veteran me vlera të mëdha atdhetare

1128
Sigal

Nuk e mbushi dot shekullin, Orhan Frashëri… Për tre vjet mbushte qindin. Koha e mbajti sa deshi dhe e mori në moshën 97 vjeçare. E mori fizikisht, por Orhan Frashëri la pas një emër të madh, la pas një vepër dinjitoze në të mirë të popullit dhe Atdheut, të Organizatë së lavdishme të Veteranëve të LANÇ, të cilës iu përkushtua me gjithë shpirt deri sa dha shpirt.
Ky veteran i nderuar, antifashist i orëve të para, pjesëmarrës aktiv për ndërtimin e shoqërisë së re, autor i disa librave, veprimtar i papërtuar, njeriu që punoi e jetoi denjësisht, si partizan e kuadër drejtues konsekuent, me vizion të gjerë, trim me armë ne dorë dhe luftëtar i papërkulur në këto gati tri dekadat e fundit, në mbrojtje të vlerave të patjetërsueshme të Historisë së LANÇ, përmes debateve e polemikave dinjitoze në shtyp. Orhan Fashëri, i qëndroi kohës gjithnjë në ballë gjatë gjithë jetës dhe luftoi e punoi me intensitet në interes të Kombit. Sepse vinte nga një derë e madhe, i kishte rrënjët te kolosët e Rilindjes sonë Kombëtare: Frashëllinjtë e mëdhenj: Naimit, Avdylit e Samiut. Ai ishte nip tyre. Por ai edhe pse ishte aq i afërt me Mit’hat Frashërin, nuk ia fali kurrë veprimtarinë e tij tradhtare ndaj Atdheut e LANÇ dhe reagoi me aq forcë edhe ndaj ceremonisë së sjelljes së eshtrave të tij. Orhani do bëhej kuadër drejtues i Brigadës së 7-të Sulmuese, do të luftonte me pushkë në krah kundër nazistëve, ku u plagos dy herë, por nuk iu nda Brigadës në ndjekje këmba-këmbës të nazistëve deri në Vishegrad. Jeta e tij u mbyll këtu… Po Orhani, do të jetë midis nesh për ç’ka bërë e ç’ka shkruar, me jetën model të atdhetarit, të një veterani që mbante në gjoks 20 medalje, që mbante titujt e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”, “Kryetar nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”, “ Qytetar nderi Beratit e Skraparit” etj.

Ziqiri Mero, Rustem Peçi, Odhise Porodini, Gjikë Kurtiqi