Aziz Gjergji: 100 vjet më parë, si u shpall “Republika e Mirditës”

784
Sigal

Qeveria e Iljaz Vrionit, e dalë nga zgjedhjet e 5 prillit 1921, i kërkoi Beogradit tërheqjen e trupave jugosllave nga tokat e pushtuara

100 vjet më parë, si u shpall “REPUBLIKA” E MIRDITËS

Kryebajraktari i e Mirditës, Marka Gjon Markun që nuk mori ndonjë post  në shtetin e ri shqiptar, u lidh me agjenturën e fshehtë serbe

– Autoritetet serbe e furnizuan me para dhe armë, si dhe i premtuan se do t’i jepnin trupa ushtarake për të shpallur: “Republikën e Mirditës”

– Marka Gjon Marku kishte marrë nga fondi i fshehtë i MPJ të Jugosllavisë shumën prej 1,5 milionë franga ari

Azis Gjergji

Qeveria shqiptare, e dalë nga zgjedhjet e 5 prillit 1921, e kryesuar nga Iljaz Vrioni, kishte dërguar në Beograd një delegacion për të kërkuar tërheqjen e trupave jugosllave nga tokat e pushtuara brenda këtyre kufijve të shtetit shqiptar, të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1913. Me këtë rast, delegacioni shqiptar kërkoi nga pala jugosllave vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nënshkrimin e një traktati tregtar dhe të një konvente doganore mbi baza reciprociteti. Qeveria e Beogradit refuzoi t’i tërhiqte trupat e saj të pushtimit nga territori i shtetit shqiptar të njohur në Londër më 1913, me arsyetimin se në Paris vazhdonte Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha fituese te Luftës së Parë Botërore dhe delegacioni jugosllav ishte prezent në atë mbledhje për të mbrojtur territoret e fituara me gjakun e derdhur nga trupat e ushtrisë së tyre aleate e Antantës.

Më 21 qershor 1921, Qeveria e Tiranës iu drejtua për ndihmë Lidhjes së Kombeve, duke i kërkuar deklarimin nga ana e saj të njohjes së kufijve të vitit 1913, të sanksionuara nga Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të kohës në Londër. Njëkohësisht ajo kërkoi largimin nga territori i shtetit shqiptar i ushtrive serbe e greke (këta të fundit nuk i kishin larguar akoma trupat e tyre nga 26 fshatra shqiptare në kufirin jugor të vendit). Pavarësisht nga mbrojtja e argumentuar që i bëri çështjes shqiptare kryetari i delegacionit Fan S. Noli, përfaqësuesit jugosllavë e grekë, arritën në Këshillin e Lidhjes së Kombeve ta transferonin problemin e kufijve të Shqipërisë, tek Konferenca e Ambasadorëve në Paris. Pas kësaj fitoreje diplomatike, të përkrahur edhe nga Qeveria Franceze, autoritetet ushtarake të Beogradit urdhëruan trupat serbe të pushtonin krahinat e Gashit dhe Krasniqes.

Me qëllim që të diskreditonte Qeverinë e Tiranës

 

Me qëllim që të diskreditonte Qeverinë e Tiranës dhe kërkesat e drejta të saj në lidhje me kufijtë përpara opinionit publik ndërkombëtar dhe, në mënyrë të veçantë, përpara Konferencës së Ambasadorëve në Paris, Qeveria e Beogradit, e përkrahur nga Franca, organizoi turbullira të reja kundër shtetit shqiptar, duke nxjerrë këtë radhë kryebajraktarin e Mirditës, Marka Gjon Markun.  Ky kishte mbetur i pakënaqur që nuk i ishte rezervuar ndonjë post i rëndësishëm në shtetin e ri shqiptar dhe, për qëllimet e tij ambicioze u lidh me agjenturën e fshehtë serbe që vepronte në Shqipëri. I zhveshur nga çdo ndjenjë atdhedashurie, më 25 prill 1921, Marka Gjon Marku me 60 pasues të tij u arratis nga Oroshi dhe shkoi  në Prizren, ku nga autoritetet serbe e furnizuan me para dhe armë, si dhe i premtuan se do t’i jepnin trupa ushtarake për të shpallur: “Republikën e Mirditës”. (Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë, 1965, f. 503)

Këshilli i Lidhjes së Kombeve dërgoi në Mirditë një Komision

 

Për të hetuar dhe ndjekur nga afër situatën e vështirë politike e ushtarake në Shqipëri, Këshilli i Lidhjes së Kombeve dërgoi në Mirditë një Komision Ndërkombëtar të Hetimit (KNH), të përbërë nga koloneli norvegjez Jens Christian Meinich(1872-1947), koloneli gjerman Christin Schaefer dhe profesori finlandez Jakob Johannes Sederholm (1863-1934). Në përfundim të hetimeve, të dërguarit e posaçëm të Këshillit të Lidhjes së Kombeve hartuan një raport ku thuhej:

“Shkaku kryesor i kryengritjes duket se ka qenë ambicja personale dhe pangopësia e Marka Gjonit, i cili shpresonte të bëhej kryetar i një shteti të pavarur të Mirditës… Kur u kthye në fillim të qershorit, ai shpërndau para me shumicë ndër njerëzit më me influencë të krahinës dhe në këtë mënyrë mblodhi 1300 përkrahës. Nga ana tjetër, u ishte thënë vazhdimisht banorëve se, Qeveria e Tiranës kishte ndërmend të kufizonte lirinë fetare të mirditorëve, që janë të gjithë katolikë të lindur. Kishte qenë kështu mjaft e lehtë të nxitej imagjinata e kësaj popullsie shumë të paditur, të pa arsimuar, që banon në një krahinë krejt të izoluar dhe pa komunikim me jashtë… Veç asaj, nuk duhet harruar se, përveç priftërinjve, në të gjithë popullsinë e Mirditës, që ka rreth 18.000 frymë, vetëm tre veta dinë të lexojnë dhe të shkruajnë; dhe Marka Gjoni nuk është një ndër ta… Megjithatë, suksesi i Marka Gjonit nuk ishte veçse relativ, sepse është e sigurt se shumica e madhe e mirditorëve qëndroi pasive gjatë gjithë kohës së kryengritjes…” (Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare, vëll. III, Tiranë: Albin, 2001, f. 310-311, dok. 41: Raport i Komisionit Ndërkombëtar të Hetimit (KNH), dt.19-20.12.1921)

Për më tej, Komisioni Ndërkombëtar i Hetimit raportoi:     

“Më 25 korrik, qeveria e Tiranës dërgoi një repart trupash në kufirin jugosllav. Marka Gjoni dhe përkrahësit e tij i sulmuan ata befasisht tek kalonin në Mirditë, duke i shpallur kështu luftë qeverisë së Tiranës. Forcat e tij, më të shumta në numër, patën një sukses të çastit. Më 9 gusht nga Tirana mbërritën përforcime dhe mirditorët u zmbrapsën në male. Në këto rrethana, trupat qeveritare, duke ndjekur një zakon të vendit, përdorën masa të rrepta shtypëse dhe u vunë zjarrin nja 60 shtëpive të kryengritësve. Kjo luftë gueriljesh vazhdoi për disa muaj pa ndërprerje; forcat e Marka Gjonit dispononin dy topa, një numër mitralozash dhe municion me bollëk dhe këtë nuk mund t’ua jepnin veçse trupat serbe që ndodheshin në Arras dhe Lurë, disa milje larg Oroshit.”

 

Dokumentet arkivore dëshmojnë se, për shpalljen e “Republikës” së Mirditës, Marka Gjon Marku kishte marrë nga fondi i fshehtë i MPJ të Jugosllavisë shumën prej 1,5 milionë franga ari; ishte furnizuar nga strukturat e prapavijës së ushtrisë jugosllave me armë e municione të bollshme dhe ishte shoqëruar nga 1200 “vullnetarë”: midis të cilëve 687 bjellogardistë rusë të Vrangelit, 513 ushtarë e oficerë jugosllavë të maskuar si fshatarë shqiptarë, si dhe efektivat e bandave esadiste të komanduar nga Osman Bali, Halit Lleshi dhe Tafë Kaziu. Në mbështetje të “Republikës së Mirditës”, më 10 tetor 1921, repartet e ushtrisë jugosllave pushtuan krahinat e Shqipërisë që gjendeshin në krahun e djathtë të rrjedhës së lumit Drin. (J. Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, f. 286; P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia (1918–1927), f. 64)

Të gjendur përballë rrezikut të pushtimit të plotë të Shqipërisë Veriore nga trupat jugosllave, dy grupet politike në Këshillin Kombëtar (“Partia Popullore” dhe “Partia Përparimtare”) formuan grupimin e përbashkët: “Bashkimi i Shenjtë”, i cili ftoi komandantin e përgjithshëm të operacionit të Mirditës, strategun popullor Bajram Curri, heroin e Parisit Avni Rustemi dhe ish-udhëheqësin e Luftës së Vlorës, Qazim Koculi, që të propozonin kandidatët për formimin e një qeverie të “shpëtimit kombëtar”.

 

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Pandeli Evangjeli, u miratua me shumicë votash në krye të qeverisë së re. Sapo filloi nga puna qeveria e dalë nga “Bashkimi i Shenjtë” i shqiptarëve, trupat e ushtrisë jugosllave dhe mercenarët esadistë thyen brezin e mbrojtjes së ushtrisë kombëtare dhe, më 1 nëntor 1921, “Republika e Mirditës” hapi zyrat e saj në Orosh të Mirditës. Duke ndjekur pasojat e këtij intervencioni të ri jugosllav,  të dërguarit specialë të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq raportuan se “ushtria mbretërore jugosllave vari dhe pushkatoi pa gjyq me qindra shqiptarë të pafajshëm, dogji e shkatërroi shtëpi e fshatra të tërë, duke lënë pa strehë me mijëra banorë.” (P. Milo, Shqipëria dhe Jugosllavia (1918–1927), f. 65; O. Pearson, Albania and king Zog, p. 173-174)

Ndërkaq, intervencioni dhe mizoria e ushtrisë jugosllave mbi popullin shqiptar ngriti në alarm kancelaritë e Fuqive të Mëdha të kohës. Më 8 nëntor 1921,  Kryetari i Këshillit të Ministrave dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Pandeli Evangjeli, u njoftua nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve se kryeministri i Britanisë së Madhe, Dejvid Lloid Xhorxh (David Lloyd George), i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, Erik Drumond (Eric Drummond), notën e fortë të 7 nëntorit 1921, ku e cilësonte “vazhdimin e mëtejshëm të agresionit jugosllav në Shqipëri, si rrezik real për prishjen e paqes ndërkombëtare (Continued advance of Yugoslav forces into Albania being of nature to disturb internacional peace)”. (Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare, vëll. III, f. 301–302: dok. 38; f. 305–306: dok. 39; f. 306-308: dok. 40; O. Pearson, Albania and king Zog, f. 176–177)

 

Konferenca e Ambasadorëve të Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë, e mbajtur në Paris më 9 nëntor 1921, ripohoi trasenë e kufijve të Shqipërisë ashtu siç ishin përcaktuar më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës dhe e njohu përfundimisht Shqipërinë, si një “Shtet Sovran dhe i Pavarur”. Vendimi i katër Fuqive të Mëdha iu bë e ditur menjëherë qeverisë së Jugosllavisë. Më 12 nëntor trupat e ushtrisë jugosllave morën urdhër nga Beogradi të fillonin tërheqjen nga Mirdita. Po atë ditë, Marka Gjoni me gjithë familjen e tij u arratis në Jugosllavi, ndërsa bajraktarët e tjerë kërkuan të merreshin vesh me qeverinë për t’u dorëzuar. Si përfundim, Komisioni Ndërkombëtar i Hetimit të Lidhjes së Kombeve deklaroi:

 

“Sapo u përhap lajmi, aty nga mesi i nëntorit, se trupat jugosllave ishin duke zbrazur vendin, popullariteti i Marka Gjonit filloi të bjerë. Edhe përkrahësit e tij nuk po merrnin rrogë, veçse në të rrallë dhe po bëheshin çdo ditë më të pakënaqur. Fundi erdhi më 20 nëntor. Marka Gjoni bëri një shpallje, duke i dërguar në shtëpi përkrahësit e tij, kurse vetë iku në Prizren bashkë me nja 50 miq e familjarë. Qeveria e Tiranës dërgoi në Orosh një të deleguar të quajtur Ahmet Bej, i cili ndoqi një politikë pajtimi që dha rezultate. Më 28 Nëntor, ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, u shpall amnisti e përgjithshme.”